Marrëveshje plehrë

15/10/2010 at 12:58 Leave a comment

Në qafën e Vishës, rrugës për në Himarë, ka një mal të madh me plehra që digjen edhe kur bie shi. Mbi Shkumbin, sapo del nga Elbasani, po ashtu ka togje për t’u pasur zili. Në Mjedë të zë syri një lumë të tërë që merr me vete plehra çdo ditë. Edhe në Tiranë ka, por nuk digjen; thjesht riciklohen. Në politikë.

Kur në vitin 2004 Fatos Nano donte të firmoste prurjen në Shqipëri të plehrave italiane, u ngrit shoqëria civile e organizatat e të rinjve për të frenuar shndërrimin e vendit nga kosh, në kazan plehrash. Vunë ca qese në kokë, veshën dhe ca fustane të bardhë asokohe e dolën para kryeministrisë. Por atëherë Nano dukej sikur edhe vetë ishte bezdisur nga pushteti (viti i tetë i PS-së në qeverisje). Plus, shoqëria civile ishte më idealiste dhe i interesonin edhe plehrat, përveç parave (apo karrierës).

Kurse sot, Berisha firmos për plehrat jo vetëm pa ia bërë syri tërr, por edhe duke guxuar të shpjegojë se nuk është ashtu siç e mendojmë ne  (madje ne s’duhet të mendojmë fare).

Përtej përrallave të përhershme, të standardeve e buzëqeshjeve që vijnë nga tigrat prej letre që kryeministri mban në krah, duket shumë më e pamundur sesa gjashtë vjet më parë që çështja të kuptohet mirë, të shpjegohet qartë e të hidhet poshtë nga ambientalistët. Pse? Për arsyet që u thanë më sipër; 1.shoqëria civile tani është financiarisht dhe idealisht më e dobët se kurrë më parë; 2. thirrjeve për rebelizëm iu ka dalë boja, që është ngjitur tashmë PS-ve e LSI-ve; 3. Kryeministri i sotëm nuk quhet Fatos Nano.

Shqipëria ka tashmë një kryeministër që qesh me ç’ti dalë përpara (edhe me çudinë përse u dashkan të sillen plehrat e vendeve të tjera në vendin e tij). Mos e duam ne më shumë Shqipërinë sesa firmosësi që kërkon plehra? Kurrësesi jo. Kur e dashkemi ne, për 200 m² vend që mund të kemi me gjithë shtëpinë, si mund të mos e dojë ai që zotëron (me përqarkun) nga 200 m² në çdo 2 cm në Shqipëri?

Po ja dhe erdhën plehrat. Edhe firmosësi në Shqipëri jeton. Ajrin e tyre do thithë edhe ai (ose nipërit dhe mbesat e veta).

Po plehrat në plehra hidhen. Përse të mos vijnë plehrat fqinje në Shqipëri. Do vijnë të riciklohen? Do vijnë të përpunohen? Po, po. E saktë. Më dolën fare nga mendja fabrikat gjigante të riciklimit që janë nëpër Shqipëri. Edhe ato të përpunimit, si ajo në Vishë, Mjedë, Elbasan apo Tiranë.

Në periudhën 1991-2001, Shqipëria dukej pak mes plehrave. Pastaj, fillimisht në Tiranë e më vonë në të gjithë vendin, ato filluan të mblidhen ca nga ca, e pas tyre u kuptua se kishte edhe banesa (ndihmë dha këtu edhe ndërgjegjësimi njerëzor se qesja nuk hidhet nga dritarja e as nuk lihet buzë rrugës).

Ky moment ka kaluar, e pak nga pak po ikën edhe nga mjediset publike. E ç’bëhet për ta festuar largimin e imazhit të plehrave nga jeta jonë? Na sillen si dhuratë plehra të tjera.

Nuk do i shpërndajnë nëpër kazanët tanë, jo, se ata mbushen që sapo zbrazen. Por do i sjellë kryeministri dhe ministri i tij i mjedisit e do i lënë në ambiente të sigurta magazinimi (për shembull, në fusha apo gropa të hapura në fusha e gryka lumenjsh).

Neni 7 i vendimit të datës 13.10.2010 për “miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi” thotë: “Mbetjet e lejuara për importim, sipas këtij vendimi, ruhen në vende të posaçme dhe në kushte të përshtatshme magazinimi, brenda territorit ku kryhet veprimtaria e miratuar për përdorimin, përpunimin dhe riciklimin e tyre”.

I gjithë vendimi qelbet erë e keqe. Ky nen më shumë se të tjerët (madje ia kalon edhe nenit 9, sipas të cilit, kryeministri “Ngarkon Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Drejtorinë e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi”.

Një pyetje e thjeshte fare të vjen ndër mend: Pse të harxhojnë donatorët qindra mijëra euro për të nisur edukimin e riciklimit që në shkollën fillore,teksa këta kalamaj shohin gjysh Saliun që nënshkruan marrëveshje që lejon shndërrimin e Shqipërisë në kazan mbeturinash?

Kryeministri do buzëqeshë, do qesëndisë shqetësimin tonë, të kalamajve e të gjithë frymorëve që nuk iu pëlqen biseda e plehrave të asnjë lloji, dhe do vazhdojë i qetë punën (planet) e tij.

Pas plehrave, çfarë e ka radhën? Qelbet, qelbet shumë së fundmi Shqipëria e politikës. Dhe do kalbet nga qelbja, po s’u mbyll dera nga hyjnë e riciklohen plehrat (jo ato që importohen).

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Politikë, Shqiptarizëm, Uncategorized. Tags: .

Albania, arrë, shegë dhe lajthi Karamelja e vizave

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
October 2010
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: