Efekti Rama në rizgjimin e medias

29/10/2010 at 12:38 Leave a comment

Martesa e liderit të opozitës ngjalli shumë debat dhe u bë ushqim i mirë për median. Më shumë se tre ditë. Pra çudia po zgjat. Por në këtë rast, jo çudia e martesës. Në vorbullën e ngjarjes, aspekti më surprizues dhe pozitiv nuk duket tek dasma, por tek media.

Qëllimi i parë i të gjithave ishte zbulimi i nuses, prejardhjes dhe destinacionit të saj ; por pa e kuptuar as vetë, shumë më tepër sesa personazh mediatik, Linda Basha u bë nxitëse e ringjalljes së një gazetarie të harruar ; asaj që punon me arkivë.

Duke u përpjekur të lidhin zgjedhjen e Ramës me përsetë që shtynë atë dhe Lindën të zgjidhin martesa e lidhin një tjetër, motorët e medias u vunë në përdorim siç nuk kishte ndodhur prej shumë kohësh.

Përtej kuriozitetit për bashkëshorten e re dhe duke përjashtuar mungesën e plotë të kuriozitetit për dhëndrin e ri, nuk arrita megjithatë t’i shqisja sytë nga ekrani në të gjitha kanalet dhe pothuaj për të gjitha emisionet që ishin bërë për ta. Media ishte futur në punë.

Tekstet e kronikave e të dokumentarëve ishin të larmishëm, të pasur në gjuhë, tërheqës e dinamikë. Informacioni i ri apo i vjetër shoqërohej me foto apo pamje filmike të pa-shfaqura apo edhe të harruara. Pothuajse çdo mini-dokumentar kishte sinkrona, prononcime, qëndrime të të dy kahëve për personazhet e përfshira në eveniment.

Kronikat ndiqnin njëra-tjetrën të hartuara shkëlqyeshëm, të montuara me finesë, me një përkushtim që herë dukej përulje ndaj palëve, e herë skërmitje dhëmbësh për mediat kundërshtare. Ama në të gjitha rastet, qoftë dokumentarët, qoftë emisionet, kanë qenë ndër më profesionalet që më ka rënë rasti të ndjek në median shqiptare.

Nga pikëpamja profesionale, të gjitha kanalet kryesore që iu përkushtuan martesës së javës së fundit në Shqipëri, përbëjnë një rast të shkëlqyer dhe unik për studime mediatike apo komunikimi. Shtrimi i vendosjes për martesë, shoqëruar më historitë e mëparshme të kryetarit, shtjellimi i tyre, arsyetimi për ndërprerjen dhe pasojat, përfaqësimi i femrës në jetën e tij të mëparshme, domethënia për të pasur një në krah në rrugën e afërt drejt pushtetit, domethënësi që shkakton vuajtje e prapë ngelet hero për gjininë e dobët (mbështetur nga fakti se ka pasur një numër të lartë lidhjesh publike për një vend konservator për marrëdhëniet ndër-gjinore siç është Shqipëria), kanë të gjitha pra elementët përbërës të një analize semiotike që do ta kishte zili çdo studiues i kësaj metode analitike. Madje elementët e saj janë  më të plotë se tjetërkund në median shqiptare.

Rast i shkëlqyer studimi.  Është Rama, si kryetar i opozitës, por më shumë është Linda Rama ajo së cilës media i detyrohet një falënderim për punën e pavetëdijshme që ajo iu hapi. Ingranazhet e funksionimit të plotë mediatik u vunë në punë falë kësaj gruaje dhe misterit të saj të para-dasmës. Kërkimet për të dokumentuar dhe sjellë të plotë në ekran jetën e saj, e mundësisht atë çka mund të ndodhë në të ardhmen me Ramën përmes saj, e bënë median që t’i hynte me themel një historie, siç nuk ka bërë kurrë më parë.

Pamë Ramën të ri, Lindën të re, foto rastësore nga e kaluara, pamje paraprake nga lokali i dasmës, pamje nga shtëpia që ka projekt identik me atë ku do rrinë me qera çifti i ri, njerëz dhe ngjarje që kanë pasur lidhje me ta në të kaluarën, informacione që meritonin dhe nuk meritonin publikim. Mësuam qëndrimin e fëmijëve të të martuarve e zbuluam identitetin e jetët e njerëzve me të cilët kanë qenë të dy më parë të lidhur apo të martuar. Pamë Ramën të heshtë, të dëgjojë, të shfaqet në një tryezë që e refuzonte e të ndjejë mbi supe peshën e një imazhi të ri, fokusimi ndryshe të kamerave drejt tij.

E gjitha ndodhi në shumë pak ditë, madje në shumë pak orë. Por aq pak sa ishin, mjaftuan për ta bërë median të gërmojë arkiva, njerëz, pamje, foto, dokumentarë, emisione të mëparshme, të regjistruar madje edhe në VHS , me sfonde modeste apo me pyetje fare të thjeshta e shumë ndryshe nga ato që Ramës i drejtohen sot nëpër studio televizive.

Parë nga këndvështrimi profesional gazetaresk, m’u duk se për herë të parë, po shihja DW apo BBC-në dokumentarë shqip të prodhuar, jo të përkthyer.

Nuk është e rastit të merrem me shtytësit dhe nxitësit e nxjerrjes në pah të këtij profesionalizmi. Dua vetëm të theksoj lehtësimin që ndjehej tek shihje mediat, sidomos ato vizivet, që ishin aq të këndshme për t’u ndjekur, pa të lënë mundësinë të ndërroje kanal.

Në emisionet e ngurta me të njëjtët të ftuar dhe të njëjtin ritëm bisede, ndërrimi i kanalit është normë. Por në rastin e “zbulimit” të martesës Rama, ekrani rrinte aty ku ngecte telekomanda. Pothuajse të gjithë kanalet kishin punuar mrekullisht mirë me historinë. Ose vërtet, partia socialiste paska gjetur një njeri që e bën në mënyrë të shkëlqyer punën e PR-it. Në qoftë kështu, ky njeri duhet të mbajë leksione në çdo universitet ku mësohet gazetaria në Shqipëri dhe të ofrojë konsulencë me pagesë në të gjitha televizionet në vend (qoftë edhe sikur ky person të jetë vetë nxitësja e këtij ri-zgjimi mediatik).

Por unë nuk dua të besoj se është kështu. Më pëlqen të ruaj idenë që krijova se të gjitha ata drejtues që dirigjuan programet apo dokumentarët për dasmën e Ramës, thjesht u rizgjuan nga gjumi i thellë i emisioneve komode, i bisedave në studio dhe mungesës së inserteve ku punohet thellë me arkivën. Arkiva është pasuria e medias. Ajo të lejon të analizosh dhe shumëfishon mrekullisht efektin e një prodhimi televiziv. Por arkiva kërkon kohë, përkushtim, energji dhe kuriozitet. Shumë kuriozitet. Fiks si ai që ngjalli Linda Rama.

Por kurioziteti është pas dere. Unë do isha gjithaq e interesuar të dija c’u bë me akuzat për Vokshin, Bregun, Xhackën, Beqajn apo këdo që është akuzuar publikisht. Nuk kërkon asnjëra më shumë punë sesa dokumentarët e plotë e pompozë që u shfaqën për çiftin Rama. Mund të jenë të gjithë po aq lart profesionalisht, e akoma më lart për interesin që ngjallin në publik.

Duhet thjesht që përtacia mediatike të rrijë aty ku e flaku nusja më e re në Shqipëri.

E pra, media di të jetë profesionale e në shumë aspekte, jo vetëm ta eklipsojë, por ta sfidojë hapur kotësinë politike. Pak më shumë përkushtim dhe kurajo për t’u marrë me gjërat e thjeshta. Kaq duhet.

Për momentin, lavdia atij që i takon. 

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Media, Politikë, Vezhgim. Tags: .

Ballkani në BE, bllok dhe larg Përdhunimi i transportit publik

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2010
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: