Përdhunimi i transportit publik

02/11/2010 at 20:14 Leave a comment

 Ora 06.30 e mëngjesit. Në këtë vend të huaj nuk kam makinë. Si do ia bëj pa makinë? Në Tiranë makina më çon edhe nga një cep i unazës në tjetrin, jo më nga banesa në aeroport.

Përballë rezidencës ku rri është stacioni i autobuzit. Është shumë herët në mëngjes dhe bileta kushton më shtrenjtë se pas orës 09.00. Treni për në aeroport po ashtu. Edhe metroja lidhëse. Por nuk kam pse të shqetësohem për të gjitha këto. Në fakt do isha shqetësuar, do i kisha mbajtur mërzinë me shpresën se diçka do zgjidh në momentin e fundit; por ja që tjetërkush ka menduar për mua dhe pasagjerët e tjerë që lëvizin brenda këtij vendi që gjeografikisht, nga jugu në veri, në transport mbulohet brenda ditës vetëm nga avionët. Bileta e unifikuar! Shpëtimi im dhe i gjithë pasagjerëve të tjerë. Ditore, javore, mujore, tre-mujore, madje edhe një-vjeçare. Si ta dojë dhe si t’i leverdisë pasagjerit. Me të kursen para, por edhe kohë. Në forma e printime të ndryshme, shpesh edhe me foto personale, kjo biletë të jep mundësinë të udhëtosh me kosto të përballueshme lehtë me të gjitha mjetet e transportit publik, të të gjitha llojeve e kompanive qofshin (jo avionët dhe trenat ekspresë).

Bileta e famshme, që në Shqipëri njihet si “abone”, është shoqëruesja më normale e çdo pasagjeri në çdo vend të botës, përfshirë edhe Maqedoninë apo Moldavinë (zgjedhur në masë krahasimi në bazë gjeografie dhe indeksi varfërie).

Me abone bashkë-udhëtojnë me deputetë të parlamentit evropian, profesorët e universiteteve, studentët e panumërt, kolegët e mi, bankierë e financierë që përdorin metronë, autobusin, trenin, transportin publik, dhe vetëm atë në Stockholm, Copenhagen, Londër, Romë, Berlin, Strazburg. Udhëtojnë kudo ku transporti shihet vetëm në  domethënien e   tij të parë; lëvizshmërinë e shpejtë dhe të përballueshme.

A ka vend për krahasim me Shqipërinë?

Do doja shumë të kishte. Në çdo aspekt teorik ka. Në aspektin praktik, asnjë.

Teorikisht, do isha shumë e kënaqur po të kisha mundësinë të merrja trenin e linjës Tiranë – Durrës apo Tiranë – Vlorë, të ulesha në të e të lexoja apo të shkruaja, në vend që të rri pas timonit, apo në vendin e pasagjerit duke pritur që rruga të mbarojë.

Do ishte shumë ekonomike dhe pa asnjë ngarkesë psikologjike për vonesën apo parkimin, sikur të kisha mundësinë të merrja autobusin e linjës që duhet të kalojë 50 metra afër çdo shtëpie, e me linjën e përcaktuar për të, të më çonte afër vendit të punës.

Do doja edhe të kisha abonenë që do më mundësonte të merrja disa autobuzë në ditë e në zbritje të isha sërish në gjendje të shkoja në takime të mëtejshme, pa pasur frikë nga ç’ngjitet në autobus.

Po përse duhet të duket sikur të gjitha këto kërkesa janë pa vend?!

Transporti publik nuk ka si të shpjegohet më shkoqur sesa emri që ka në gjithë botën; qëllim i tij është transporti i pasagjerëve nga pika A në pikën B, C e më tej, dhe ka karakter publik (edhe nëse operohet nga kompani private). Kjo do të thotë se ky lloj transporti është i dizenjuar për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe lëvizjes së tyre, të paktën brenda zonës ku banojnë.

Nëse oraret, kushtet e mjeteve të transportit dhe korsitë e veçanta për to nuk janë të realizueshme në Shqipëri, si ka mundësi të mos jetë e përdorshme as aboneja? Po kush është ai autoritet që guxon të injorojë dhe ç’ligjërojë një të drejtë të tillë elementare?

Transporti publik mundësohet si segment nga qeverisja, me kompetenca të ndara mes asaj qendrores dhe lokales. Asnjëra nuk ka pushtet absolut mbi transportin publik, ama të dyja janë përgjegjëse të plota për mënyrën se si ky transport përfundon tek qytetari. Dhe këtu përfshihen edhe abonetë.

Lëvizja mund të ofrohet nga kompani private transporti që vënë në dispozicion mjetet e tyre. Por rregullimi i lëvizjes, orarit, gjurmës së kalimit, zonave të mbulimit e detyrime të tjera transportuese ndaj qytetarit, i rregullon qeverisja (në këtë rast, ajo lokale).

Pjesë e kontratës që një kompani private nënshkruan kur fiton nga qeverisja lokale të drejtën për të operuar si transportues publik, është edhe njohja e abonesë dhe futja në sistemin e përdorimit të abonesë unifikuese, që është më e shtrenjtë se të zakonshmet, por që të jep mundësinë të lëvizësh me të gjitha linjat e me të gjithë ofruesit e transportit publik.

Pse u shkel kjo marrëveshje në Shqipëri?

U shkel sepse oreksi i fitimit është i madh nga të gjithë kahët, e operatorët duan rimbursime, lehtësime, evazione të ligjshme. Ndodhi sepse qeverisja lokale nuk ka ndonjë shqetësim të madh për transportin publik, teksa tek ai sheh vetëm fitimin, e jo shërbimin. Ndodhi sepse qeverisja qendrore nuk e njeh transportin publik. Jo në vend, por madje edhe jashtë ndodh rëndom që zyrtarët shqiptarë të marrin taksi, se iu duket ulje të udhëtojnë me metro. Si rezultat, ata mund të jenë përherë të fundit nëpër takime, edhe në rastet kur nisen nga i njëjti hotel me kolegët e vendit pritës.

Si u zhvleftësoka aboneja dhe Ministria e Financave e Bashkia i tregojnë gishtin njëra-tjetrës? Po në ka prekje të drejtpërdrejtë të interesit qytetar, është pikërisht kjo; zhvleftësimi i abonesë, marrë si vendim arbitrar nga një shoqatë që në vend që të ndëshkojë qytetarët, duhet të merret me licencë-dhënësit për të qenë përfitues i shërbimeve publike.

Po mungesa e transportit të mirë e të pranueshëm publik e bën Tiranën dhe gjithë Shqipërinë një gangrenë udhëtimi. Tani transportit të përvuajtur publik i hiqet edhe kocka e fundit që e mban në këmbë, aboneja, dhe palët guxojnë vetëm të akuzojnë “tjetrin”.

Më vjen ndër mend një grevë e punonjësve të një kompanie autobuzësh disa vjet më parë, që kërkonin rritje page. Mijëra pasagjerëve iu paralizua transporti, edhe pse greva kishte ditë që ishte paralajmëruar. Njerëzit u dyndën në dyert e Bashkisë, që me të drejtë ndëshkoi kompaninë operuese, sepse paralizoi transportin publik. Që prej atëherë, u bë tenderim për operatorë shtesë që bënin të njëjtat linja, duke rritur eficencën dhe konkurrencën brenda transportit publik. Përveç kësaj, pasagjerët përfituan edhe sepse Bashkia i detyroi të gjitha kompanitë operuese t’i nënshtroheshin marrëveshjes për përdorimin e abonesë unifikuese, që madje mund të përdorej edhe në trenat lokalë.

Pra dihet kush e ka në dorë fjalën e fundit.

Operatorët e transportit publik vërtet mund të vendosin të sillen sipas qejfit për pazare të prishura, ama me reagimin e qytetarëve (të shkretët, të zhvatur e rrjepur nga çdo cep), Bashkia e Ministria e financave reagojnë me masa penalizuese (heqje e të drejtës së operimit brenda zonës së saj) apo me masa lehtësuese (nëse pretendimet e operatorëve qëndrojnë).

Po ama mosmarrëveshjen e ndarjes së fitimeve mes të tre palëve, nuk ka pse ta vuajnë pasagjerët e gjorë, që mirë që detyrohen të udhëtojnë në linja super të ngadalta e qesharake, por tani duhet edhe të paguajnë pothuaj gjashtëfishin e shumës që nxirrnin nga xhepi i hollë përpara se palët të tregonin muskujt mbi transportin publik.

E kjo duhet të mbarojë sot, tani, se e ropët qytetarin e gjorë me gjithë lëkurë.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Efekti Rama në rizgjimin e medias Dakord, të fitojnë qytetarët

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

November 2010
M T W T F S S
« Oct   Dec »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  

%d bloggers like this: