Fundi i protagonizmit politik

15/11/2010 at 08:29 Leave a comment

Cila është çështja më e dukshme sot në Shqipëri? Duke vëzhguar ngjarjet e 17 muajve të fundit dhe mediatizimin e politikës, mund të thuhet se maja e ajsbergut është fakti se Shqipëria komandohet nga interesat personale të dy individëve që e sjellin jetën publike dhe mediatike sipas nevojave dhe dëshirës së tyre për të qene: pushtetarë, ndikues, protagonistë, përfitues dhe të pazëvendësueshëm.

Gjithçka tjetër në vend, thjesht lëviz sipas modelit të krijuar prej udhëheqësve aktualë të pozitës dhe të opozitës.

Po të bësh një transkript të një fjalie çfarëdo thënë nga përfaqësuesit e të dyja palëve, ta hedhësh në letër pa i vënë emrin, zor të besosh se ato fjalë nuk janë ideim dhe qëndrim o i Sali Berishës, o i Edi Ramës.

Palët mendojnë me kokën e të dyve, sillen dhe shprehen si ata.

Jo vetëm kaq. Palët deri këtu lejohen; të tundin kokën për mendimin e kryetarëve (duke lënë mënjanë çështjet për të cilat mund të jenë jo vetëm ekspertë, por edhe përfitues të një mbështetje të madhe publike). E më keq akoma; kur kokë-tundësit pretendojnë të zaptojnë ndonjë faqe gazete më shumë apo ndonjë orë ekrani më tepër, udhëheqësit nuk ndjehen fare rehat. Protagonistët duhet të jenë vetëm ata.

Kjo sjellje arrogante politike ka bërë që publiku prej kohësh të shprehet i neveritur nga politikanët që i vijnë përditë në çdo shtëpi nëpërmjet shtypit apo ekranit (opinione, mendime, shprehi për perceptimin publik për politikën e tanishme ka me shumicë në disa ekrane dhe në shumë faqe të medias të re të formave të ndryshme në internet). 

Politika nuk ka rënë thjesht në dashuri  me protagonizmin. Ajo e ka zaptuar atë. E ka marrë peng e po e përdhunon publikisht nëpërmjet ekranit.  Politika nuk jeton dot pa protagonizmin.

Prej shumë kohësh një nga diskutimet më vetë-kritikuese të medias është se fajin  e ka ajo që i lë kaq shumë hapësirë politikës. Po, edhe ajo e ka. Por në këtë rast, media është viktima që e  ka shndërruar agresorin në të adhuruar. Marrëdhënia është bërë e pashkëputshme. Media do ushqim të shpejtë, lajme momenti që i vijnë të gatuara (edhe pse paçavure) nga politika; e nga ana tjetër, politika nuk kalon dot asnjë gjysmë dite pa praninë e medias.

E gjitha kjo dirigjohet nga një lojtar i shkëlqyer i diktimit të axhendës dhe opinionit publik, që është Sali Berisha. Ky protagonizëm mbahet po ashtu në këmbë nga një kokëfortësi unike, personale dhe mos-kokëcarëse e një njeriu që pak ose aspak sheh se përtej kameras ka njerëz; Edi Rama.

Dëshira e të dyve për protagonizëm të fryrë është shumë e kuptueshme, veçanërisht po të marrësh parasysh se protagonizmi i lejon të dy palët të vazhdojnë të qetë me axhendën dytësore, që për shkak të mjeshtërisë së tyre, nuk i bëhet e njohur publikut.

Kjo dëshirë për protagonizëm ka shtuar besimin tek ndjekësit e tyre se duke pjekur qiqra në hell, iu shtohet rëndësia dhe personaliteti në publik.

U bënë muaj që si shumë shqiptarë të tjerë, imagjinoj të ndez një ditë të vetme ekranin e të mos shoh në të as Sali Berishën, as Edi Ramën.

Kjo nuk ka për të ndodhur. Por çfarë po ndodh është e magjishme vetiu. Intensifikimi i daljeve publike duke përsëritur shpesh të njëjtat pallavra, si i udhëheqësve zyrtarë, ashtu edhe ndjekësve të tyre, ka ndikuar pozitivisht në arritjen e pikës së ngopjes publike me imazhin e politikanëve.

Për me tepër, heqja e vizave dhe mundësia për të parë se jashtë Ballkanit pak-kush i njeh politikanët apo ministrat e vendit të vet, do sjellë një reflektim edhe tek shikuesit e dhunuar shqiptarë.

Akoma më tej, me një zhvillim disa-planësh në jetën e një shtrese të mirë shoqërore në vend (përfshirë konsolidimin e mirëqënies ekonomike), interesi për politikën jo vetëm që bie, por edhe transformohet lehtë në një antipati shprehëse për të.

Ku bazohet kjo? Është viti i shtatë që në Norvegji bëhet një vëzhgim për të matur perceptimin publik për politikën, dhe akoma 60% e të intervistuarve nuk janë në gjendje të thonë emrat e të paktën tre ministrave të qeverisë, apo edhe emrin e liderit të opozitës.

A ka vend për krahasim me Norvegjinë? Me një brez të ri që po rritet i dhunuar nga media e nga politika me mbingarkesën në komunikimin arrogant dhe dëshirën për protagonizëm të politikës, nuk do ishte fare çudi që krahasimi të gjente vend edhe në Shqipëri. Interesi  i audiencës do kalojë tek mundësitë e studimit e të punësimit jashtë, tek krijimi dhe mbajtja e një statusi të qëndrueshëm social e ekonomik, tej krijimi i një shtrese të re shoqërore që nuk do ketë pikë interesi për politikën.

Vetëm atëherë media do heqë dorë nga vënia në shërbim e trumbetimit të dhunshëm të politikanëve në vend.

Qytetarët që sot nuk duan t’ia dinë fare se e kujt është merita që u hoqën vizat, as e kujt është përgjegjësia që rrezikojmë të shndërrohemi në Venezuelën e Europës. Qytetarët i zgjedhin përfaqësuesit e tyre politikë që të hartojnë politika, të bëjnë reforma e të marrin vendime që mundësojnë lehtësimin e jetës së tyre. Me gjithë lojën e ulët të politikës për ta penguar këtë proces, shtresa e njerëzve që nuk kanë më pikë interesi për “ngërçet” politike është zgjeruar së tepërmi.

Rama e Berisha mund të kenë vërtet nevojë të madhe për protagonizëm; por edhe audienca e dhunuar nga ekranizimi i pa-kapërdishëm i tyre sot ka nevojë të lihet rehat e të mos dhunohet më. Kurse nesër, këtë nevojë do e kthejë në fakt, me indiferencën ndaj politikës, që ka filluar fatmirësisht të jetë e ndjeshme.

Protagonizmi është mirëqënia. Ndaj politika po bërtet me të madhe të zaptojë hapësirat e fundit mediatike, sepse e di se mirëqënia është armiku që do ta zbehë përfundimisht të marrosurën politikë aktuale.  

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Media, Politikë. Tags: .

BE heq çelësin, jo derën Dukati ka zot

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

November 2010
M T W T F S S
« Oct   Dec »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  

%d bloggers like this: