Dukati ka zot

16/11/2010 at 23:24 2 comments

Kjo është shprehje që e përdorin së fundmi banorët e zonës më të përmendur javët e fundit në Shqipëri. Është një shprehje pronësie e  përkatësie. Është apolitike. Është mesazh i qartë komunitar dhe tregues i frikshëm i qëndrimit të fortë ndaj politikave mashtruese në dëm të njerëzve.

“Dukati ka zot” mund të zëvendësohej shumë mirë për nga forca që përcjell edhe me “shqiptari ka zot”. Dhe ky zot është vetë vetja e tij, jo politika zaptuese e mashtruese.

Po pse kaq vëmendje për banorët e luginës që shtrihet në Gjirin e Vlorës? Dhe cilat janë mesazhet e pathëna që përcillen nga sjellja dhe veprimet e kësaj mase njerëzish të indinjuar?

 Protesta bëhen për njohjen e  të drejtës së pronësisë. Nga i njëjti drejtim gjeografik, vjen edhe dorëheqja nga drejtimi i Universitetit publik. Të dyja rastet tregojnë mospajtim; i pari me politikën zaptuese të pronës private fillimisht nga shteti e më vonë blerje qesharake nga njerëz të tij. I dyti tregon mospajtim me mënyrën se si ushtrohet presion mbi universitetet dhe si përcaktohen politikat e tyre.

Ky është “rebelizëm” qytetar që vjen nga njerëz që nuk paguhen nga 500 lekë për të marrë pjesë në protestë. As nuk kanë interesa karrieriste për politikë. Mospajtimet e shprehura në formë proteste janë mjeti i vetëm që kanë në dorë këta njerëz që ndjehen të dhunuar në të drejtat e tyre.

Shembujt vijnë të dy nga Vlora. Shumë mirë që vijnë.

Për vite me radhë nuk gjeja asnjë lidhje mes origjinës sime dhe stereo-tipeve që nuk rreshtin së vëni në sy në bashkëbisedimet formale apo jo-formale thëniet e përhershme: “ Aha, vlonjate qenke? Kokëfortë. Egoistë. Me gjoksin gropë. Doni të jeni gjithmonë të parët”. Këto janë kuptimet që nuk fshihen fare, edhe nëse shoqërohen me “komplimentat”  për iniciativat për të thyer akullin apo për të folur drejtpërdrejt.

Por, prej kohësh më dukej sikur cilësitë e prejardhjes ishin individuale, kishin thjesht të bënin me personalitetin dhe më tepër se të vërteta, ishin mit stereotipesh krijuar prej kush e di se çfarë arsyesh në të kaluarën.

Por ja që brenda një kohe fare të shkurtër, këmbëngulja dhe protestat e një zone të tërë në gjirin e Vlorës dhe një dorëheqje e modelit vlonjat, më ndihmojnë në arsyetimin tim për të kuptuar, pranuar dhe ndarë me vetëdije publike të qenit pjesë e një vendi që marrëdhëniet me zgjedhën nuk i ka fort të mira.

Gjërat duhen ndarë. Unë jam kundër dhunës, ashtu siç janë të gjithë familjarët e mi nga Vlora, Dukati, Orikumi apo çdo centimetër i asaj zone. Dhe nëse karakterizohemi nga mos-pajtimi me dhunën fizike, kjo vjen për një arsye të fortë; rezistenca e madhe vendase ndaj dhunës mendore apo shpirtërore. Madje jo vetëm rezistencë. Kësaj lloj dhune, gjithë zona e luginës së Dukatit ku aktualisht shteti shqiptar po mundohet të tregojë dhëmbët nëpërmjet policëve rrogëtarë, e kthen përgjigjen me urtësi. Madje aq urtë, sa shpesh është vështirë që gjuha e zotërve të çdo centimetri të Karaburunit, Orikumit e Dukatit, të kuptohet lehtë nga ardhësit.

Që të kuptohet zemërimi dhe reagimi vendas, duhet të fillimisht të njihet historia dhe prejardhja e tyre, banorë të hershëm të qytetit të përmbytur të Orikut, që pushtim pas pushtimi jetuan në Karaburun, Akrokrenaune apo Lungarë, me sytë dhe prezencën e shpeshtë në luginën e bregdetin që sot nuk paska më zot.

Që dokumentacioni vendas për pronësinë e gadishullit mungoka, nuk mund të jetë tërësisht faji i vendasve. Asesi jo. E gjitha hapësira tokësore që shtrihet rreth gjirit të Vlorës, si gjithë Shqipëria, iu nënshtrua shpronësimit. Arkivat e qeverisje komuniste, ashtu si edhe arkivat e sotme, nuk i kanë pasur nën kontroll dukatasit, ndaj është po aq absurde t’iu kërkosh sot dokumentacionin e vjedhur. Njëlloj siç Serbia pretendon se asnjë kosovar nuk ka dokumenta pronësie mbi tokën ku banojnë e që qenka serbe, sepse janë pikërisht ata, serbët, që kanë menaxhuar dokumentimin jo vetëm të pronësisë mbi tokën, por edhe të historive që vërtiten për përkatësinë e saj.

Në Vlorë çështja është ndryshe. Që në hyrje të Radhimës e deri në qafë të Llogarasë, që nga Karaburuni e deri në Lungarë, nuk ka asnjë centimetër tokë, kodër, mal, përrua, pyll e pemë që vendasit nuk e dinë se kujt i përket.  Prona është e tyre dhe pikë.

Jo vetëm ajo. Është foshnjore të pretendosh se paska ndonjë rrip toke pa zot në këtë vend, e në gjithë faqen e tokës. Pronar ka edhe Alaska e Greenlanda, e si nuk paska Orikumi, Dukati e Karaburuni?

Mirënjohja dhe krenaria më e madhe që ndjej për njerëzit e kësaj zone, është sipërmarrja e tyre për t’i dalë zot vetes, pronës, vendit ku kanë lindur. Nuk është patriotizëm patetik.

As ndërhyrja shtetërore për të nulifikuar pronat nuk është zbavitje se kanë ngelur njerëzit pa punë. Konflikti ka ardhur sepse banorët dyshojnë se toka e tyre do blihet, zotërohet, tjetërsohet dhe shfrytëzohet nga palë të treta, duke injoruar tërësisht të drejtën e tyre mbi të.

Po tre janë ato të shkreta liri themelore që ka njeriut. Jeta. Liria. Prona. Të tria duhen mbrojtur e siguruar maksimalisht nga shteti, me të gjitha instrumentet dhe mekanizmat e tij.

Po shteti po bën të kundërtën. Ndaj banorët e zonës së gadishullit e ndjejnë të domosdoshme t’i dalin vetë për zot mbrojtjes së pronës, meqë lirinë dhe jetën nuk e konceptojnë dot pa të (në një shtet që pretendon se operon në mënyrë demokratike, se pa to kanë jetuar, por nën diktaturë).

Mua më pëlqen ngritja në këmbë e dukatasve. Më pëlqen që ajo zonë ka nerv reagimi, drejtësie, mos-nënshtrimi ndaj pjatave të gatshme të mashtrimit. Më pëlqen që i thuhet më në fund “JO” mënyrës se si veprohet me qytetarin, me shtetasin, me pronarin.

Më pëlqen që në një protestë që prek drejtpërdrejt interesin jetik të një grupi  njerëzish, pjesëmarrja është shumë më e madhe, më e zjarrtë dhe më e vërtetë sesa në protestat falso, mercenare e të detyruara që organizon PD-ja e PS-ja.

Dhe hiqeni nga mendja. Protestat në Dukat e Orikum nuk kanë karakter politik. Asnjë parti dështake të mos e gënjejë mendja se kjo ngritje e revoltuar bëhet në emrin tuaj të ulët e qesharak. Protesta niset nga banorët për çështje prone, që prek dhe iu intereson vetëm atyre.

Bashkia e Orikumit ka një historik shumë interesant për mënyrën se si votohet aty në zgjedhjet lokale. Si në kohën kur ishte Komunë, edhe në mandatet e fundit që është Bashki, zona ka zgjedhur në mënyrë konstante kryetar që vjen nga radhët e dukatasve vendas. Zgjedhja flet vetë. Pavarësisht përkatësisë politike të kandidatit, aty nuk ka fituar asnjëherë partia, por personi që ka fituar mbështetjen më të madhe në zonë. E që të jesh i tillë, duhet patjetër të vish nga Dukati, pronat e të cilit kanë shtrirje të admirueshme gjeografike, nga Orikumi deri në Llogara.

Sigurisht që zona është e ndarë politikisht dhe palët kanë mbështetësit e tyre. Por e veçanta nga pjesa tjetër e Shqipërisë, që duket edhe në rastin më të fundit protestor, është se në rastet kur vendasve iu shkelen të drejtat e tyre primare, siç është edhe pronësia, ata të gjithë bashkë i japin një të shtyrë politikës e partive, duke dalë treguar se durimi ka një kufi.

Lëvizja qytetare dhe protestat në Shqipëri kanë ngordhur. Politika i ka shpërfytyruar, me keqpërdorimin që iu bën kauzave të tyre.

Edhe kundërshtimi  i hapur ka mbaruar. Të gjithë tundin kokat e ulin sytë, duke humbur dinjitetin, integritetin dhe vlerat personale karshi një politike të ulët e zhvatëse nga të dy kahët.

Por ja që nga Vlora mesazhet filluan të vijnë ndryshe.

“Do ta kërkosh Vlorën, komandant. Do ta kërkosh e s’do ta gjesh”. Batuta e këtij filmi shqiptar mund të duket si klishe. Por është e vërtetë po aq sa në momentin kur është krijuar.

Mund ta copëtoni Vlorën, ta sakatosni, ta betonizoni, ta socialistizoni, ta berishizoni. Por deri në një farë mase do futen këto gozhdë. Vlora nuk lindi sot.

Stereotipet, sado subjektive, nuk mund të jenë krijuar kot, pa arsye. Diçka e ka karakterizuar në mënyrë të përsëritur Vlorën me banorët e saj, që iu thonë atyre “kokëfortë rebelë”, e jo myzeqarëve  apo ultësiro-perëndimorëve.

Ky shkrim nuk është për elozhe për vendin tim. Është shprehje e kënaqësisë që njerëzit në këtë vend ngrihen për të drejtat e tyre duke injoruar hapur fare politikën. Është shenjë respekti ndaj të gjithë atyre që i thonë medias “Ja, ky vend ka edhe popull, jo vetëm Ramë, viza e Berishë”.

Ky shkrim është rast i mirë për të thënë “Jo dhunës. Por JO edhe abuzimit shtetëror me dokumentacionet dhe me forcat e policisë”.

Unë admiroj integritetin e njerëzve, origjinalitetin e tyre dhe drejtësinë që shprehin me veprimet e ndërmarra, qoftë edhe kur këto veprime bien ndesh me pritshmëritë që ka një shtet, shoqëri apo media e infektuar nga krimi politik.

Ndaj i detyrohem një “Bravo” dukatasve për protestën dhe një thirrje për t’i qëndruar larg dhunës, por edhe për të mos rënë pre e përvetësimeve politike të situatës.

Sinjalet e ardhur nga Vlora, si me protestën në Dukat, ashtu edhe me dorëheqjen dhe letrën e hapur nga rektori i universitetit publik, janë të qarta: njerëzit nuk e tolerojnë më talljen dhe abuzimin politik.

Nëse palët kanë nevojë për prova të tjera, me siguri që në Vlorë do t’i gjejnë.

Dukati ka zot. Edhe jeta e secilit prej zotërve të tij. Edhe liria e tyre. Ndaj politika bën mirë të mbajë pronat e Pezës, Skelës  apo të Vucitolit. Me të tjerat, çdo shqiptar di si të merret vetë. Veçanërisht ata që jetojnë në Vlorë.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Analize, Human Rights. Tags: .

Fundi i protagonizmit politik Celulari dhe banka, hajdutët e paskrupullt

2 Comments Add your own

  • 1. moseyhamiti  |  17/11/2010 at 23:36

    Ne radhe te pare dua te falenderoj dhe pershendes Edlira per kete artikull, si per thellesine, permbajtjen edhe per stilin letrar.

    “Që dokumentacioni vendas për pronësinë e gadishullit mungon, nuk mund të jetë tërësisht faji i vendasve”

    Jo vetem Dukatasit, Laberia dhe Malesia,qe jane nje rast i vecante, special persa i perket formes se pronesise, pasi eshte ngushte e lidhur me modalitetin dhe organisimin e jeteses, por te gjithe Shqiptaret nuk kane fare pergjegjesi persa i perket dokumentave.

    Qeverite qe nga 1991,-jo me, mekatet tragjike te diktatures ,- qendrojne te akuzuara per keqperdorim te detyres. Ishte dhe eshte pergjegjesia e shtetit mirembajtja dhe sigurimi i dokumentave nen kontrollin e saj.

    Ne radhe te pare dokumentacionet nuk kane si rol dhe nuk duhet te vyejne qe Dukati te provoje pronaresin e tij tek shteti, kjo eshte e dhene, e padiskutueshme. Dokumentacionet vyejne per te provuar pronesi dhe aspekte te tjera si kufinj midis pronareve qe ne rast mos-renie dakord shkojne tek shteti per arbitrim. Por cfare ndodh eshte qe arbiteri po deklaron pronaresi.

    Qe shteti te deklaroje pronesi, kjo eshte marrezi. Nga e trashegoi shteti kete pronesi?

    Nga diktatori djallezor Enver Hoxha? Apo nga reaksionari dhe vegla Ahmet Zogu? Apo nga Perandoria Ottomane? Apo nga Perandoria Bisantine?

    Do te isha gati te degjoja nqse nje Tragjasas, Radhimas ose Gjormas do te debatonte nje kufij tokash, por qeveria Berishiane dhe bosat e tij, piratistet Euro-Amerikane nuk mund te deklarojne pronaresi ne Luginen tone te shenjte!!! Euro-Amerikanet i kane pronat e tyre ne djall dhe Berisha ne Bjeshket e Mallkuara.

    Dokumentacioni per Dukatin dhe me gjere ne Laberi dhe Malesi eshte fakti historik. Me rrenje te pakten qe ne shekulline 12te . Asnje qe ka informacion anthropologjik dhe sociologjik nuk mund t’ua mohoje Dukatasve pronaresine e gadishullit.

    Eshte nje fakt se Shqiperia ka praktikuar nje modalitet jetese qe dokumentat dhe shkrimet ishin te rralla. Narrativa Shqiptare ka qene gojore dhe a bazuar ne forma te tjera menduese dhe ndergjegjesore.

    Laberia dhe Malesia ne pergjithesi por lugina e Dukatit dhe Tragjas e Radhime ne vecanti jane nje ceshtje me vete. Pse? Per arsye historike…. Keto zona me banues shekullore nuk kane te njejten histori socio-ekonomike qe trevat e tjera shqiptare kane pasur. Ngjashmeri me trevat e tjera po, por jo identike. Strukturat socio-ekonomike te shume trevave Shqiptare ju nenshtruan transformimeve te ndryshme gjate periudhes ottomane dhe periudhes Zogiste dhe e humben natyren e vjeter shume shekullore.

    Ndersa Lugina e Dukatit (dhe ketu perfshihet dhe Tragjasi dhe Radhima) kane ruajtur nje strukture pothuajse mijevecare dhe pak a shume te admirueshme, ku te gjitha fiset (kush me shume me pak) kishin prona. Pabarazi kishte por kjo pabarazi nuk ishte produkt i nje sistemi, nuk vijonte nga shfrytezimi por thjesht rrethanor.

    Per kete arsye se nuk kishte forma skllaverie(serfdom) si ne myzeqe edhe mund te admirohet. Po, kishte konflikte midis fiseve per pune kufinjsh, por kush fitonte konfliktin nuk zbaviste idera per sklaverimin e humbesit. Keshtu qe mund te themi se ne Dukat ishin te gjithe Fisnike, me nje fjale te gjithe kishin nje fare pronesie.

    Shume rralle ndodhte qe gjate konflikteve nje fis te humbiste gjthshka, dhe si pasoje te humbiste pjeserish Fisnikerine.Them pjeserisht pasi Fisnikeria Shqiptare si concept dhe institucion perbehej nga vlerat dhe materialismi.

    Jeni te gjthe FSINIKE, dhe u behet thirrje te lini ne nje ane konfliktet lokale, jo esenciale dhe te BASHKUAR te qendroni. Po humbet kete beteje do te humbisni pergjithmone. Kjo beteje eshte beteje vendimtare per te ardhmen e Dukatasve dhe me gjere per gjthe Shiptaret.

    Lugina e Dukatit ka nevoje urgjente per solidaritet nga Radhima dhe Tragjasi, nga e gjithe Laberia,Vlora dhe e gjithe Shqiperia! U behet thirrje te gjitheve t’u tregojme Qeverive tona qe jane kthyer ne vegla te strukrurave nderkombetare gangesteriale se jeta,liria dhe pronesia(toka shqiptare) nuk jane per shitje. Se skllaveria industriale dhe post-industriale e paketuar si modernisim nuk ka vend ne trevat shqiptare.

    Modernizimit dhe industrialismit te vertet i themi po, Modernisimit dhe industrialismit falco i themi jo! Dhe me force fisnike po e deshi rrethana. Forca jone eshte e drejte dhe fisnike nuk eshte dhune, dhuna eshte mjeti vulgar i qeverise vulgare dhe i elitistave piratatiste nderkombetare qe jetojne duke sklaveruar,vjedhur, plackitur dhe helmuar kombet e vobeketa.

    Perfundimisht ky eshte nje pushtim me forma te tjera. Ku kompanive te keshtu quajtura “nderkombetare” ,-qe ne fakt jane duart dhe kembet e shteteve te fuqishme qe perdoren per vjedhjen dhe shfrytezimin e kombeve te vobeketa dhe te vogla-, nuk u intereson te bejne bisnes me pronaret e vertet pasi pronaret e vertet do te jene negociatore te vertet dhe nuk mund te corruptohen pasi pronaret e vertet mbrojne interesat e tyre.

    Kompanive te huaja u pelqen te bejne bisnes me qeverine se ata i kane ne dore dhe ua dredhin doren kur te duan.
    Qeveria po ben punen e mercenarit. Berisha dhe ceta e tij ushtaret e Euro-Amerikes.

  • 2. Ledi  |  22/11/2010 at 12:17

    Te lumte pena dhe mendja

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
November 2010
M T W T F S S
« Oct   Dec »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  

%d bloggers like this: