Kafshë, nga zonjat e rënda

25/11/2010 at 18:38 Leave a comment

“Kafshë”. Është epiteti që del më shpesh këto ditë në media përbri emrit të deputetes Albana Vokshi. Ajo thjesht e ka përdorur, nuk ka pasur nderin e madh ta dëgjojë si kompliment.Po edhe thjesht i përdorur prej saj, merr vlera të mëdha.

Në datën 14 Nëntor 2010, deputetja edhe vetë pohon se ka qenë duke shkruar në Kosovë për arsye private. Ndaj pretendimi i saj për t’u trajtuar ndryshe prej të tjerëve në radhën e gjatë të shqiptarëve që kalonin kufirin, nuk është fare legjitim.

Nëse zonja Vokshi do të ishte duke shkuar në Kosovë për vizitë zyrtare e shtetërore, atëherë po, mbikëqyrësit ligjorë të pikës kufitare mund të ishin vënë në lëvizje për të kaluar me procedurë të përshpejtuar zonjën e rëndë që vinte nga Partia Demokratike.

Por në një vizitë personale, pavarësisht se udhëtonte me një pasaportë diplomatike, zonja nuk mund të ishte tjetër veçse një udhëtare e thjeshtë. E si e tillë, duhet të priste radhën.

Incidenti i ndodhur në pikën kufitare të Vërnicës është tregues i një sërë perceptimesh këndej e andej kufirit të vendosur mes shqiptarëve.

Nëse e marrim si të besueshëm faktin se zonja i ka komplimentuar zbatuesit e ligjit në Kosovë si “kafshë” dhe nëse ngjarja është ashtu si paraqitet në media e Prishtinës e të Tiranës, kufirit, ajo ka nevojë për një analizë fare të thjeshtë.

Është e vështirë t’i rendis ndjesitë që jep ngjarja. Personalisht, në krye do vija respektin për policët e kontrollit kufitar në Kosovë, që jo vetëm i kanë qëndruar strikt rregullave të kontrollit në kufi, por janë treguar edhe shumë më të qytetëruar, të përgjegjshëm dhe fisnikë sesa e shqiptarizuara Vokshi, që po kthehej sipas saj për mall në vendlindjen e të parëve.
Unë e admiroj rregullin, disiplinën dhe zbatimin e njëjtë të rregulloreve apo ligjit, pa bërë dallime individuale. Të gjitha këto, punonjësit e shërbimit kufitar të Kosovës i kanë zbatuar aq drejt sa duhen marrë shembull.

Në vend të dytë  të listës së efekteve analizuese që polli kjo ngjarje, është reagimi i zonjës së rëndë, që përveç kalimit para të tjerëve në radhë, mund të pretendonte shumë mirë edhe shtrimin e një tapeti të kuq në kufi. Madje herën tjerët,  shqiptarët e Kosovës bëjnë mirë të shtrojnë me tapet të kuq të gjithë rrugën ku do kalojë prima dona jonë nga Shqipëria.

Sjellja e “lules- mos-më-prek” të sjell ndër mend rastin e një tjetër zonje të rëndë, prokurore, garantuese të zbatimit të ligjit, shkelëse e drejtpërdrejtë e tij, e cila na u fye rëndë kur e ndali policia rrugore e kryeqytetit për një shkelje të rëndomtë të rregullave të qarkullimit. Zonjëza na u indinjua aq shumë, sa inati i  saj u shoqërua edhe me arrogancën e shprehjes që këto madama kanë mësuar përmendësh (“Ore e di ti se kush jam unë? Unë të heq nga puna”). Kjo rezultoi vërtet në heqjen nga puna jJo vetëm të policit të gjorë që po i shërbente respektimit të ligjit nga çdo qytetar me timon, por edhe të drejtuesit të policisë rrugore që ishte asokohe në detyrë.

Policët e kufirit në Kosovë dëgjuan të njëjtën dërdëllitje, edhe pse jo nga e njëjta zonjë.

“Ti qenke kafshë”.

Alamet komplimenti. Më duket sikur jam duke e parë dhe dëgjuar zonjën Vokshi tek e nxjerr këtë fjalë, gjithë përçmim për punonjësin  kufirit, që për nga qytetaria dhe përgjegjësia e detyrës, qëndron 100 vite drite larg zonjëzës deputete.

Po ne u mbushëm më prima dona këndej. Të gjitha pretendojnë se janë Helena e kaluar Helenave. Kleopatra mbase e kujtojnë veten. Apo Elisabetëra.
Po asnjëra nuk ka asnjë ngjashmëri as me Cherie Blair-in që udhëton me metro, që gjobitet për biletë, e që paguan e s’bën zë. As me të gjitha femrat e parlamentit evropian që udhëtojnë për në Strasbourg me tren apo autobus. E sigurisht, as me ndonjë Thatcher apo Merkel që jo  vetëm udhëtojnë thjesht, por as nuk dalin nga radha, as nuk e kapërcejnë atë.

Më vjen ndër mend një ish-ministër në Britani, që vinte çdo të diel në super-marketin e  lagjes ku kishte lindur. Klientët i hapnin radhën ( që është e shenjtë në Angli), jo pse ishte Ministër, por sepse ishte i verbër. Por ai nuk kapërcente askënd. “ Jo, faleminderit. Ju lutem vazhdoni ju. Keni ardhur para meje”.

Po pse zonjat tona deputete, prokurore, politikane, mediatike, shtëpiake, mbushëse e zbrazëse duan të jenë patjetër të parat? E jo vetëm kaq. Duhet edhe t’u hapim dyert kanatë, thjesht sepse paskan një post? E pastaj? Çdokush e ka një post. Edhe punonjësi i shërbimit të kontrollit të pasaportave ka një post atje në Kosovë. Madje shumë më të rëndësishme sesa deputetja jonë.
Një gabim i vetëm i atij polici ka pasoja për gjithë sistemin kontrollues mbase. Kurse një vizitë e zonjës deputete, nuk ka asnjë rëndësi. Jo në Kosovë, po as në Shqipëri prezenca  e saj zor të ketë ndonjë rëndësi jetike.

Atëherë, vijmë tek pika e tretë në listën tonë. Përse duhej vënë në lëvizje shteti shqiptar për këtë gjoja incident? Përse duhet që kryeministri në ikje i Kosovës të kërkojë falje e ai që nuk ikën kurrë nga kryemininistërllëku në Shqipëri të përfshihet në ngjarje e të bëjë deklarata publike?!
Kafshë!
Më pëlqen fuqia e kësaj fjale. Realisht, për arsye të pabindura, e shoqëroj menjëherë me kafshëzat që kam dashur përherë; macet, qentë e vegjël, qengjat, kaprojtë, drerët. Po nga goja e deputetes Vokshi, s’duket se kanë dalë pikërisht këto kafshë.

Unë e admiroj vërtet korrektesën me të cilën polici kosovar zbatoi ligjin e vendit të tij. Më pëlqen pa masë edhe leksioni që ai i dha zonjës sonë delikate, pushtet-mbajtëse e Olimp-pretendonjëse (edhe pse leksioni as nuk hyri nga njëri vesh, e jo më të dilte nga tjetri).

Ama më vjen vërtet keq që nuk e çoi korrektesën e tij deri në fund. Unë zonjën do e kisha kthyer mbrapsht me gjithë makinë, do e detyroja të priste radhën, e kur më në fund të vinte, do i paraqisja padinë për fyerje të punonjësit në detyrë.

E jo vetëm këtë gjoja-zonjë. Por të gjitha ju që ushtroni presion, që nuk njihni respektin, as qytetarinë, as rregullat minimale të sjelljes njerëzore.

Të qenit deputete, parlamentare, drejtoreshë, gruaja, e fejuara apo dashnorja e një politikani a biznesmeni, të qenit pjesë e PD-së apo e qeverisë, lokale apo qendrore, me apo pa pasaportë diplomatike, NUK të bën të plotfuqishme. As nuk të mundëson hapjen e çdo dere siç t’iu dojë qejfi. Aq më pak, nuk të mbush kokën apo gojën me etikë, fisnikëri dhe qytetari.

Prisni radhën. Madje futuni në radhë. Rrini në trafik. Bëhuni njerëz, jo kafshë. (ndjesë të gjitha kafshëve që ofendoj me këtë krahasim).

Dhe telefonave të qeverisë, kryeministrisë, parlamentit e presidencës bjeruni kur damllaja të ketë rënë mbi Shqipërinë, jo mbi kokat tuaja.

Vështirë të jesh kafshë. Ama akoma më vështirë është të jesh njeri.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Politikë, Shqiptarizëm, Uncategorized. Tags: .

Celulari dhe banka, hajdutët e paskrupullt Partneriteti për të nxënët në arsim

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
November 2010
M T W T F S S
« Oct   Dec »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  

%d bloggers like this: