Ujë që s’mbyt, jetë që s’vlejnë

02/12/2010 at 16:29 1 comment

Dy janë ngjarjet të cilave nuk iu bën dot bisht në Shqipëri këtë javë; përmbytjet në Shkodër dhe tregimi ilustrues në tekstin e gjuhës shqipe të klasës së tretë.

Ku ngjasojnë? Tek tronditja që duhet të kishin shkaktuar. E në fakt, nuk po shkaktojnë asgjë.

Nuk e di ç’duhet të ndodhë që edhe në Shqipëri të kalojë  për ndonjë vizitë termi “përgjegjësi” dhe “dorëheqje”, meqenëse mungojnë investimet dhe marrja e masave që të tilla fatkeqësi të mos ndodhin.

Përmbytja e Shkodrës po ndodh për të dytin dimër, brenda të njëjtit vit. Natyra është treguar bujare sa s’ka ku të vejë më me reshjet e këtij viti, madje duke filluar që në Tetor. Por ama është treguar gjithaq bujare teksa i ka dhënë këtij vendi plot 300 ditë në vit me diell, 180 ditë me dritë të plotë dite 12 orëshe e reliev të bekuar që të lejon të kalosh, të bësh ndërhyrje, të kanalizosh rrjedha e të sofistikosh ndryshkësirat e periudhave të vdekura.

Por nëse politika është fort e zënë me votat e vjedhura, me akuzat për koncesione, për biznese familjare që kafshojnë e gllabërojnë fondet e pasuritë publike, për 20 përqindësha lejesh ndërtimi, për fustane grash e thashetheme burrash, sigurisht që nuk ngelet vend për t’u marrë edhe me shkarkimet e pritshme të shirave.

Kryeministri duhet të kishte dhënë dorëheqjen me kohë. Kryetarja e parlamentit nuk duhet as ta kishte menduar vajtjen në qytetin që e ka lënë në mëshirë të fatit. Dritan Prifti duhet të ishte shkarkuar që në Janar e Ilir Meta duhet të ishte menduar mirë para se të merrte në dorë ministrinë që përmbyt Shkodrën. Por asgjë nga këto nuk ndodh. Dimrin e kaluar shirat u treguan shumë të sjellshëm e përzgjedhës në dëmet që shkaktuan, qoftë edhe në bagëti. Po a do jetë kështu edhe këtë vit?

Për të rrojtur me shpresë s’para kemi shokë ne si komb e si politikë, po ç’do ta frenojë ujin këtë vit të marrë dhenë? Përse nuk u bë asnjë investim në kaskadat që sot kërcënojnë Shkodrën? Natyrën nuk e frenojmë dot. Por zemërimin e saj, po.

A është e vetme fajtorë qeveria në këtë pikë? Absurditet të mendosh që po. Faj kanë edhe të gjithë ata banorë që kanë ndërtuar shtëpi në mes të fushës, që kanë shkatërruar kanalet e mëparshme, që nuk kanë respektuar ligjet e natyrës e ato të vendosura nga njohësit e saj për mënyrën dhe vendin e ndërtimit. Faj ka lëvizja e pamenduar, e parregulluar dhe e pa-frenuar e njerëzve drejt zonave që janë dukshëm pre e rrëmbimeve dhe vërshimeve jo vetëm ujore. (Tirana nuk është më pak në rrezik. Rrethinat e saj janë të bllokuara nga i njëjti sistem ndërtimesh si në Shkodër, kurse brendia e kryeqytetit, pak a shumë në rrëmujë i ngjan Kabulit).

Po faj sarkastik në këtë gjendje ka edhe opozita. Po, po. Opozita, që e shqep gojën vetëm për të na treguar gjurmët, kur uji vetë i tha që Janarin e kaluar “Jam unë ujku, jo pushteti i pa-marrë i Ramës”.

Gjendja është e trishtë, skandaloze, e mjerë, acaruese.

Përse nuk mban asnjë njeri përgjegjësi? Përse palët luajnë akoma me fjalën? Si guxojnë surratet e njëjtë të politikës të tallen edhe në kohë përmbytjeje?

Po njëlloj si reagimi ndaj nënës rome që humbi fëmijën në Shkodër, ashtu është reagimi edhe për të tjerët që mbyten ujërave të lëshuar të Drinit. “Hë se kjo as nuk duket në është mashkull apo femër” – ironizonte Janarin e kaluar në një pseudo-emision komik njëri nga televizionet kombëtare.

Përçmimi për njerëzit që po përmbyten është i pamatë. Nënvlerësimi për gjendjen e vërtetë të tyre, po ashtu. Transmetimi i kronikave me raportues me çizme e me hallet e njerëzve për të cilët gjoja iu këputet shpirti, në fakt nuk janë asgjë më shumë sesa zhurmë e madhe kundër qeverisë aktuale. Provë se ajo është e pa-aftë dhe se duhet ndërruar sa më shpejt të jetë e mundur.

Po nuk është e nevojshme  të përdoret përkohësisht fatkeqësia e një mase aq të madhe njerëzish në ujë që të provohet pa-aftësia amatoreske dhe sofistikimi profesional i kësaj qeverie në menaxhimin e jetëve të frymorëve që drejton.

Duket tamam sikur po i bëjmë sfidë natyrës. “Kemi dhe ca miliarda për të marrë po aman, mos na i mbyt këta dy-këmbëshit në Shkodër. Se dhe po i mbyte, unë këtu, në këtë karrige kam ndër mend të vdes” – duket sikur thonë reagimet dhe veprimet e kryetarit të qeverisë, të parlamentit, të shtetit, të ministrisë, të shtabit, të komiteteve, të drejtorive, gjithkush që kishte në dorë të bënte diçka verën që kaloi, e s’bëri asgjë. Se tek e fundit, jetët s’vlejnë. Kurse pushteti  po. Vlen dhe është i pagabueshëm.

Duhet të kishe valë turpi, përgjegjësie e dorëheqjesh në Shqipëri këto ditë. Në vend të tyre kemi lutje për evakuime (për të shkuar ku?), paturpësi deklaratash, fajësime politike dhe jo vetëm. Kemi edhe Lolita. Lolita në emrin e Jehonës në tekstin e gjuhës shqipe.

Po kjo është tjetër histori. Do i lidhte vetëm pranimi i fajit, përgjegjësisë dhe rregullimi i menjëhershëm që mund të vijë vetëm pas një pësimi.

Por pësimi i madh shkarkohet në njerëz pa pushtet. Ndaj uji s’mbyt; se merret me jetë të gabuara.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Shqiptarizëm.

Partneriteti për të nxënët në arsim Alo PS-ja? Shkodra flet

1 Comment Add your own

  • 1. alba  |  07/12/2010 at 05:12

    Reshjet e vitit te kaluar thane qe ishin reshje qe ndodhin njehere ne 100 vjet.Kjo nuk do te thote se reshjet e tjera do te ndodhin pas 100 vjetesh.Mund te ndodhin 3 vjet rrjesht dhe te mos ndodhin me pas 300 vjetesh.Si duket ne sferat e larta te politikes ose nuk u kuptua teoria statistikore e prurjeve ujore ose preferuan te luajne bixhoz.Fati eci kundra tyre.Faj kane te gjithe duke filluar nga organet vendore qe bene sehir gjate veres deri ato me te larta qe nuk dhane fonde.Faj ka dhe populli ithjeshte qe nuk beri ze kur vuri re se gjate veres nuk u hodh asnje lopate Ne vende normale demokratike kjo do te thote humbje e zgjedhjeve te ardhshme per qeverine.ne shqiperi kjo nuk eshte dhe aq e sigurte.Shembull per kete eshte gerdeci i cili votoi per sali berishen edhe pse u hodhen ne ere nga korrupsioni i qeverise se tij.

Leave a comment

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
December 2010
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031