Alo PS-ja? Shkodra flet

07/12/2010 at 20:37 4 comments

Përmbytjet në Shkodër kanë mbuluar pjesën më të madhe të rrugëve, të gazetave, të televizioneve, të ditëve tona. Vetëm gënjeshtrat e politikës jo. As pafytyrësinë e politikanëve. As talljen e hapur të qeveritarëve e opozitarëve me të përmbyturit.

Pacipësia e politikës nuk di të ketë fund. Topalli falënderon në parlament Berishën, që nuk po vika gjumë në sy nga shqetësimi dhe ndjekja e situatës hap pas hapi. Berisha vetë hipën në helikopter, zbret në ujë, luan rolin e viktimës e të dëmtuarit që i ka rënë fatkeqësia natyrore mbi kokë, e ankohet për këtë padrejtësi të natyrës. Ama përgjegjësi për dëmet e saj, nuk ndjen asnjë.

Olldashi nxehet në një emision televiziv e bërtet kur mundohet të na bindë se kryeministri nuk ka pse të heqë dorë nga detyra vetëm pse u përmbyt për herë të pestë Shkodra. “Pse atëherë nuk japin dorëheqjen edhe kryeministrat e Kroacisë, Bosnjës, Serbisë? Hë pra pse”? – i hakërrehet ai oponentit të tij të majtë.

Qeveria s’ndjen asnjë përgjegjësi. Nga ana tjetër, opozita të ngjall krupën. “Të rishikohet buxheti, se nuk ka fond të parashikuar për përmbytjet” – na thotë Mimi. Po se o zonja Kodheli, me 48 orë vonesë punon hemisfera e majtë? Përmbytja aty ishte edhe mbrëmjen kur në parlament ju zgërdhiheshit me anekdotat me lepurushë të majtë të Berishës, në vend që të bënit të zgjuarin e të shqetësuarin për popullin, për buxhetin e për përmbytjet.

Akoma më keq se gjitha ushtria e majtë, kryetari piktor i fut një penel situatës e na hap sytë të tërëve, shyqyr Zotit, e po na tregon se jo vetëm që fajin e ka Berisha, por edhe se ky kjo përmbytje është pasojë e drejtpërdrejtë e votave të vjedhura në 28 Qershor 2009. Mjekra digjet, llulla ndizet.

Akoma më keq, PS gënjen hapur kur thotë se paska kërkuar investime në Shkodër, Drin, Vaun e Dejës e Torovicë që në verë. Gënjeshtra me bisht. Çdo dalje televizive e PS-istëve, që nga kryetari e deri tek mbështetësit vullnetarë nëpër media, kanë të bëjnë vetëm me maninë e shthurur për gjoja “transparencë zgjedhjesh”.

Po Berisha, as kur ka qenë në opozitë nuk e ka pasur luksin e madh të jetë gropë kaq e zezë sa  ç’është sot, i përsosur që më ardhjen e Ramës në krye të PS-së.  Kjo e fundit i ka dhuruar Shqipërisë opozitën më të dobët, më të çartur, më të shpifur, më të paaftë të 20 viteve të fundit. Opozitë pa kokë e pa këmbë. Opozitë që la për herë të dytë në pushtet Berishën perandor. Opozitë që e shtron me tapet të kuq rrugën e qeverisjes së tij sipas dëshirës, i pa shqetësuar, duke bërë ç’ka në plan, përfshirë mos-investimet në Shkodër.

Vërtet faji më i madh për përmbytjet është i qeverisë (nuk mund të quhet “natyrore” përmbytja për herë të pestë brenda një viti). Faji është i keq-qeverisjes. Po. Po dhe po. Por tangoja nuk kërcehet vetëm. Faji është edhe i sharlatanëve socialistë që janë mbyllur prej 18 muajsh në kutinë e kutive, e bëjnë gjoja si të marrosur pas transparencës së zgjedhjeve. Po populli do siguri o tutkunë. Nuk e than transparenca Shkodrën. As investimet në vend nuk i bën ajo. E morëm vesh që doni transparencë. Po bëni edhe ndonjë ditë punë opozite konstruktive në parlament, se nuk ju kanë zgjedhur njerëzit për të bërë papagallin.

Në emër të transparencës së zgjedhjeve, Partia Socialiste ia ka futur një gjumi të thellë përgjegjësie, që në fakt nuk e shkarkon atë nga pjesa e fajësisë për gjendjen në të cilën gjendet sot vendi. Me fiksimin (apo marrëveshjen) për t’i rënë fyellit vetëm në vrimën e transparencës, PS në fakt e ka lënë Berishën të gatuajë i qetë çorbën e tij; të gabojë, të ndëshkojë mijëra qytetarë e të mjerosë qindra mijëra të tjerë që kanë votuar majtas apo djathtas.

Duke u marrë vetëm me interesin e saj të ngushtë për gjoja transparencë, në një errësirë të plotë përgjegjësie, opozita ka marrë pa merituar rrogat në parlamentin shqiptar, pa kontribuuar asnjë grimë në përmirësimin e jetës së njerëzve apo në vendimmarrjen që rregullon dhe drejton jetët e tyre.

Në Shqipëri vërtet nuk ka traditë të opozitës konstruktive, por kjo vjen ngaqë opozita me e gjatë dhe më e trashë që mbahet mend, ishte ajo e Berishës; me ulje këmbëkryq në sheshin Skënderbej, me bojkotim parlamenti, me të bërtitura nëpër mikrofona e me mungesë të plotë përgjegjësie për veprimet e bëra. Por pakkush do e mendonte apo besonte se të njëjtën sjellje do e adaptonte edhe Partia Socialiste, që gjoja përfaqëson elitën e mendimit dhe sjelljen qytetare. Po sot është bërë pothuajse e pamundur të shquash në një fjalim audio nëse personi që flet është Rama apo Berisha. Edhe të folurën e kanë bërë njëlloj, mirë gënjeshtrën dhe fjalinë që e kanë njëjtësuar. Po nëse Berisha e kioskëzoi Tiranën, Rama e betonizoi atë. Kioskat e kasollet e Berishës u prishën për tre javë. Po betonin e Ramës, s’ka kokë që e thyen.

PS-ja e sotme e Shalsit, Tahirit, Beqajt, Ligorit e të gjithëve me Ramën në krye nuk është parti. Është thjesht një papagall. Papagall i vonuar.

Fajin për Shkodrën e ka qeveria. E ka Saliu. Po mor po. Po o zotërinj ai e ka. Po hë c’doni? Do bëjmë zgjedhje të parakohshme tani që po përmbytet vendi e keni edhe ca muaj të tjerë shirash përpara? Ku e keni ju planin për të bllokuar tërbimin e Drinit e të qiellit që dashkeni zgjedhje? Apo të vini ju në pushtet një herë, pa nami le të bëhet?

Po s’duam zgjedhje o njerëz. Duam zgjidhje. Tani!

Faj ka qeveria, por të njëjtin fakt keni edhe ju. Turp. Turp që s’keni cipë e dilni akoma mediave të fajësoni qeverinë. Ngjituni një shkallë më sipër. Vëreni qeverinë me shpatulla për muri. Përdoreni faltoren e parlamentit dhe komisionet e tij për të siguruar nxitjen e investimeve, jo vetëm në Shkodër. Po s’e bëtë ju, kush do e vërë në punë qeverisë që nuk punon?

Luajeni pjesën tuaj pra. E ripërdorini imazhet e punës suaj për t’i thënë qeverisë e publikut: “Ja prova që tregon se unë jam përpjekur të nxis punën e qeverisë për ty, popull i shkretë, po Berisha nuk na dëgjoi”.

Kështu të paktën do kishit edhe një arsye të vërtetë të kërkonit që kjo shpurë gjakpirësish të mos votohet më. Po s’keni fytyrë të kërkoni që në vend të tyre të votoheni ju, se jeni si dy pika uji. Ku janë provat se keni bërë qoftë edhe një përpjekje të vogël opozitare, përveç gam-gam-jes për ato kutitë tuaja të mallkuara?

Po investimet nuk bëhen sot për sot. As nuk nisin dot sot pa planifikuar që më parë. Uluni pra dhe bashkëpunonin në hartim e planifikim sot, që të keni diçka gati pas dy vjetësh. Se për shqiptarë do punoni, jo për marsianë.

Uluni pra e punoni. Zhdukuni nga media. Vini në punë specialistët tuaj që të hartojnë plane të vërteta ndërhyrjeje, se kalojnë shpejt dy vjet. E kur ta merrni atë dreq pushteti, të keni të paktën në dorë ndonjë çerek faqeje planifikim që Shkodra (e gjithë Shqipëria bashkë me të), të mos iu bjerë edhe juve mbi kokë. Se një takëm jeni. E njëjta fatkeqësi e pret Shqipërinë edhe pas dy vjetësh po nuk u ulët të punoni e planifikoni që sot, për pas dy apo gjashtë vjetësh të tjerë.

Dështakë të përtuar!

 gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Politikë, Sociale. Tags: .

Ujë që s’mbyt, jetë që s’vlejnë Që arsimi të mos na përmbytë

4 Comments Add your own

  • 1. Anila  |  08/12/2010 at 09:20

    Edlira pergezime per kete shkrim! Nuk kam c’te shtoj a te komentoj, e ke “kopsitur”. Te lumte!

  • 2. alba  |  08/12/2010 at 16:49

    PS dikur kishte ca burra te mencem.Tani eshte mbushur me njerez medioker pa asnje lloj arritje profesionale.Shqiperia ka rene ne duar te idioteve.Pltoi dikur ka thene:Ndeshkimi per njerezit e mencur qe refuzojne te merren me politike eshte se do te qeverisen nga idiotet.

  • 3. edliragjoni  |  10/12/2010 at 19:24

    🙂 Rrofsh qe na e risolle ne kujtese Alba

  • 4. alba  |  10/12/2010 at 22:21

    Je me se e mirepritur.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

December 2010
M T W T F S S
« Nov   Jan »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

%d bloggers like this: