Që arsimi të mos na përmbytë

10/12/2010 at 19:22 1 comment

 Ç’po mbjellim sot në arsim? Duhet parë me shumë kujdes. Edhe me përgjegjësi, nga të paktët njerëz që mund t’iu ketë ngelur ende pak idealizëm profesional e njerëzor.

Çdo veprim, investim e mos-investim i sotëm, do jetë burim i gjithçkaje që do na ndodhë nesër. Ashtu siç sot jetët tona drejtohen nga njerëz të arsimuar apo brumosur me një mendësi e sistem të caktuar.

Më shumë sesa për mastera e doktoratura, sot arsimi ka nevojë ta përqendrojë reformën duke filluar që nga edukimi qytetar, sepse është ai që mundëson (ose pengon) aftësimin për t’iu përgjigjur ndryshimeve dhe zhvillimeve të shekullit të 21-të.

Reforma duhet të përshpejtohet në arsimin post-sekondar. Po, po, sepse në sistemin e tij mund të regjistrohen për t’u aftësuar në kualifikime dhe kompetenca të ndryshme jo vetëm ata që nuk kanë mbaruar dot të mesmen, që e mbarojnë atë e nuk shkojnë dot në universitet, por edhe ata që kanë një diplomë universitare, por nuk kanë asnjë aftësi apo kompetencë që ta vënë në përdorim atë. Reforma në këtë hallkë arsimore duhet bërë duke  shqyrtuar mundësitë e përdorimit të shkollave në shërbim të komuniteteve në kurse pa pagesë, qoftë edhe për mënyrën e sjelljes qytetare, apo kulturën e punës. Duhet parë si ka ndryshuar vitet e fundit në Shqipëri kurba e regjistrimeve në shkollat e mesme e në ato profesionale, sa prej maturantëve kanë vazhduar universitetin, sa të tjerë kanë gjetur punë e sa kanë ngelur të pa-integruar në asnjërin treg, as atë arsimor, as atë të punës. Me universitetet duhet bërë e njëjta gjë. Statistikat do të ndihmonin edhe rregullimin në ofertën arsimore publike dhe kufirin e operimit për ato private (që të mos dëmtohet në mënyrë ligjore tregu i punës).

Reforma duhet të vazhdojë me provimet e maturës dhe të thellohet me pragun e marrjes së saj e aq më shumë, me kriteret e pranimit në universitete (përfshirë ato private). Duhet stimuluar pak cilësi, përndryshe pas 10 vjetësh dentistët do na shkulin dhëmballën, pastaj do na bëjnë gjilpërën.

Mungesat kronikë të nxënësve nëpër shkolla, veçanërisht në zonat e largëta. Problem që kërkon adresim dhe rigorozitet.

Tekstet mësimore. Një, katër apo 100 vjet më parë të jetë bërë një tekst mësimor, në fillim të çdo viti shkollor duhet të ketë njerëz që lexojnë tekstet me lupë në dorë. Është i pafalshëm rasti i tregimit ilustrues në tekstin e gjuhës shqipe të klasës së tretë. Nuk ka nevojë për shpjegime politike. Duhet rregulluar urgjentisht. Dhe “stop” teksteve që bëjnë miqtë e familjarët për të marrë fondet.

Një metodë e re duhet konsoliduar: përfshirja e nxënësve në aksione qytetare që në moshë të hershme; mjedis, sport, takim me vendim-marrës. Të nxitet mendimi kritik, reagimi qytetar dhe përgjegjësia për fjalët e veprimet. Jo hap librin, mbyll librin, bëj detyrat. Në veprim dhe angazhim qytetar. Përndryshe do na marrë lumi i injorancës, jo ai i Drinit.

Hallka të tjera? Transferimi i studentëve nga njëri universitet në tjetrin, nga Korça në Tiranë, nga privati tek shtetërori. Stop. Stop dhe stop menjëherë. Ose lëreni, dhe lumi do rrjedhë më shpejt nga ç’pritet.

Vlerësimi i nxënësve: jo thjesht me notë, por mbi të gjitha me koment, që të njohë arritjet sado të pakta që mund të ketë, dhe të inkurajojë thellimin e mëtejshëm në studime.

Shkollat verore. Duhen organizuar nga vetë shkollat dhe fakultetet. Mbushur me aktivitete sportive, fëminore, rinore, konkurse, mini-kampionate. Të hyjë sërish në valle shpirti i garës, se ka vdekur çdo qelizë krahasimi. Të rinjtë duhet të lëvizin sa janë në shkollë, madje edhe gjatë verës. Aktivitete që stërvitin kompetencat kyçe, punën në grup, afrimitetin, shërbimin, pranimin dhe sjelljen kolektive edhe jashtë mureve të klasës.

Përmbajta e teksteve të mësuesve. Të ri-shihet në çdo fillim viti. Trajnimi i vazhdueshëm i mësuesve, veçanërisht në aftësitë pedagogjike dhe metodike, është më i rëndësishëm se teksti mësimor vetë. Aftësimi i nxënësve duhet bërë njëjtësisht me përftimin e njohurive në një lëndë. Një mësues i patrajnuar rrezikon të mos jetë në gjendje t’i transmetojë njëjtësisht të dy komponentët, edhe njohurinë, edhe aftësinë.

Përqendrim në Teknologjinë e Informacionit. Po, është kryefjala e zhvillimit botëror, jo vetëm në arsim. Por, në nivel kombëtar duhet përgatitur me shumë kujdes, pasi të jenë gati kurrikulat e menduara mirë, që i përshtaten ambienteve mësimore, që janë të disponueshme dhe që mund të aplikohen nga mësues të trajnuar. Kjo kërkon disa vjet punë. Ndërkaq, mund të mendohet fare mirë që TIK të bëhet lëndë kryesore njëlloj si matematika dhe gjuha. Përgatitja e mësuesve për këtë duhet të kishte filluar që dje (2005-ën e më parë).

Këshillim për nxënësit dhe studentët. E vërteta duhet thënë para se t’i fshikullojë studentit sytë. Mungesa e përgatitjes, literaturës, mendimit kritik, analitik, konkurrueshmëria dhe mungesa e kuotës së lartë të inteligjencës nuk të mbajnë gjatë nën ujin e thellë të tregut të egër të punës. Rrumpalla e tanishme e administratës, sektorit publik e atij privat, politikës, arsimit, shëndetësisë, ekonomisë e jetës publike nuk ka për të zgjatur përjetë.

Duhet punë e madhe me librin, me literaturën, në gjuhë të huaj, e me atë në përsosje të shqipes. Ndryshe i gënjyeri më i madh është nxënësi vetë, apo studenti që pretendon se bashkë me diplomën, ka marrë edhe njohuri apo aftësi.  

Zhvillimi i sistemi arsimor. Ky kërkon planifikim sot për të filluar zbatimin pas 5 vjetësh e të korrësh frytet pas 15 të tjerash. Cili kah politik po e bën? Urgjent në punë specialistët e arsimit. Nuk mund të drejtohet me nepotizëm, as me militantizëm. Teknikët në ndihmë. Sot. Nga të gjitha kahet politike.

Dhe reformat e planifikimi duhet të jenë rigoroze, të sakta e të mirë-menduara që për arsimin para-shkollor. E jo vetëm tekstet e trajnimet, por edhe listimi i shkollave më të mira, që nxit konkurrueshmërinë dhe cilësinë në treg. Edhe kjo duhet bërë sa më shpejt, për të gjitha nivelet.

Vlerësimi i mësuesve, ndjekja individuale e progresit të nxënësve, dixhitalizimi i mësim-dhënies, programet mësimore extra-kurrikulare a ato jashtë orarit, rikthimi në qendër të vëmendjes për shkencat ekzakte, përqendrimi tek teknologjia dhe matematike, kurrikula e përditësuar dhe profesionale, vetë- menaxhimi i shkollave, autonomia e tyre, kthimi i besueshmërisë në sistemin arsimor, standardet e larta në të gjitha hallkat, rritja e pritshmërive nga arsimi për studentët, vlerësimi real dhe “ndëshkimi” arsimor për ata që nuk arrijnë të bëjnë progres. Të gjitha këto do ta shëronin sistemin arsimor.

Por nuk e shërojnë sot. Ç’mund të bëhet sot për arsimin, është që të fillojë planifikimi i të gjitha të mësipërmeve. Dhe marrja seriozisht e sistemit.

Politikë! Lere arsimin rehat. Merru me ujin e me votat. Po, arsimi do sot planifikim urgjent. Përndryshe, pas 10 vjetësh do na mbysë cunami i mendësisë së mbjellë dhe  injorancës së certifikuar sot.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Arsim. Tags: .

Alo PS-ja? Shkodra flet Histerizmi i qarkullimit

1 Comment Add your own

  • 1. alba  |  10/12/2010 at 22:24

    Keshtu si e kane zene shqiptaret do te gdhihen njedite ne nje shoqeri me inxhiniera qe s’dine te ndertojne , doktore qe s’dine te sherojne, mesuese qe s’dine te mesojne.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
December 2010
M T W T F S S
« Nov   Jan »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

%d bloggers like this: