Histerizmi i qarkullimit

22/12/2010 at 19:21 Leave a comment

 Teksa rrija me duart në timon, por me sytë hapur e mendjen të zaptuar nga kërkimi i ndonjë shpjegimi përse qarkullimi rreth meje bëhej horizontalisht,vertikalisht, majtas, djathtas, me ndërhyrje nga të gjitha krahët e me boritë që nuk pushonin, nuk mund të hamendësoja dot me gjatë për këtë sjellje.

Prandaj,sa mbërrita para kompjuterit, gjëja e parë që kërkova në google ishte “sjellja e shoferëve në trafik”. Mijëra faqe. Shumë prej tyre, studime. Analitike, krahasuese, sasiore, cilësore. Të gjitha adresonin sjelljen që sapo kisha provuar tek përpiqesha të hyja në Tiranë. Shqetësimi të paktën nuk paska të bëjë me perceptimet apo pritshmëri të gabuara të miat.

Shokimi dhe stresi i qarkullimit dhe trafikut në Tiranë nuk është as i pari, as i vetmi. Por këtë radhë m’u duk më jashtë kontrollit se asnjëherë.

Sapo kisha kaluar eksperiencën e çuditshme të 33 orëve udhëtim dhe pritje nëpër aeroportet e Europës. Në Schiphol ishin gati 10 mijë njerëz që prisnin në radhë e që nuk depërtonin dot as për tek kompanitë ajrore, që të kërkonin ri-skedulim të fluturimeve të shtyra apo të anulluara. 10 mijë njerëz në radhë. E as pëshpërima nuk dëgjoheshin. Shumica e njerëzve lexonin. Lexonin. Dhe lexonin sërish. Ndonjëherë ngrinin sytë për të parë skenën ku dikush bërtiste. Po po. Ishte ngjyrë-kaf, me anglishte rastësore dhe theks turko-arab. Gjatë orëve të qëndrimit në aeroportin e Amsterdamit, vetëm ai u dëgjua.

Të tjerët pritën, e pritën, e pritën…deri sa u thanë të shkonin sërish në shtëpi. Një numër i vogël avionësh do fluturonte.

Kur mbërrij në Tiranë, pas hapave të zakonshëm ku njerëzit heqin rripin e  sigurimit dhe çohen në këmbë sapo avioni ka prekur tokën, ku shtyhen për të hipur në autobus pastaj shtyhen për t’u futur në aeroport e të kalojnë përpara pa mbajtur asnjë radhë tek kontrolli i pasaportave, e për t’u takuar të gjithë sërish tek vendi ku priten valixhet, vjen momenti famëkeq i daljes në rrugë. Përballja me qarkullimin dhe mënyrën e zotërimit të rrugës në Shqipëri.

Pas mungesave të gjata e refuzoj timonin që ditën e parë. Por të dytën më duhet të shkoj në punë. Semafori që më ndalon të futem në unazë është i kuq. Edhe për majtas, edhe për drejt. Si çdo qenie tjetër frymë-shkëmbyese që ngjyrën e semaforit nuk e shikon thjesht si udhëzues, por rregullator me fuqi të plotë në qarkullim, ndaloj përpara tij. Makina që vjen pas i bie borisë fort. Edhe një herë. Edhe një tjetër. Pastaj nuk e heq dorën fare nga timoni. Nga pasqyra shoh fytyrën e shtrembëruar që shan pa fund dhe del nga korsia i bërë flak i kuq nga nervat. Me gazin në maksimum, futet në unazë sikur të ishte gjëja më e thjeshtë dhe më e qartë për t’u bërë. Pas tij edhe tjetri, edhe tjetri. Semafori vazhdon të jetë u kuq. Unë vazhdoj të shoh me çudi sjelljen e shoferëve, që nuk janë as një, as dy. Makinat e kahut tjetër ngecën në mes të rrugës. Semafori ndryshonte ngjyrë, shoferët ndërronin korsi.

Unë çuditesha me mungesën e respektit të ligjit të semaforit; ata shqyenin sytë përse duhet të ndalësh në një kryqëzim, kur e vetmja gjë që të ndaloka ta bësh është ngjyra e një objekti. 

Në rrugën që futem ka vetëm një korsi. Ka dy, por njëra është e zënë me makina të parkuara pa asnjë kuptim. Makinës nga pas po i çahet boria. Kërkon që t’i hap rrugën. Dakord, po ku të shkoj se? Dhe jam mbi 40km/h që lejohet në një qendër të banuar.

Spostohem në një cep të pazaptuar nga parkimi, dhe makina me timon në kah të djathtë kalon sikur të ishte në pistë garash. Pas tij edhe një tjetër, edhe një tjetër, edhe një tjetër. Të jenë duke nxituar për në punë?

Pas 10 metrash e tre sekondash, shoh se makina me bori të dëmtuar nga këmbëngulja për t’i hapur rrugën, u vendos sa në trotuar e sa në xhade dhe krahë-hapuri që doli prej saj u fut në kafen ngjitur.

Në kthesën e radhës, me sinjalin e majtë ndezur, pres të futem në radhë. Nga e djathta, në 10 cm distancë që kam lënë me makinën para meje, vjen një makinë tjetër, pa asnjë sinjal ndezur. Pas tij, një adoleshent e pas tij, duke parë sytë e mi të shqyer, edhe një nxitues tjetër, që ka bërë bashkë gishtin e madh dhe treguesin për të më thënë “Ja vetëm pak, sa të kaloj”.

Po mirë, si e kuptojnë se unë kam vendosur ta kaloj ditën aty në mes të rrugës? Apo ngaqë mundohem të respektoj rregullat e qarkullimit, jam më e lehtë për t’u abuzuar në lëvizje?

Tek e fundit, edhe kur marr kthesën, semafori jeshil hapet në të njëjtën kohe me atë që lejon këmbësorët të kalojnë. Dhe ky është kryqëzim që nuk vuan as për makina, as për këmbësorë.

Dhe pasi kaloj, këmbësorët vazhdojnë të kalojnë rrugën në çdo centimetër, edhe pse vijat e bardha mund të jenë pak metra larg.

Vetë nuk e shpjegoj dot fenomenin. Sigurisht që ka të bëjë me normat e sjelljes së çdo individi por edhe me karakteristikat e një shoqërie. E besoj edhe teorinë se trafiku dhe mënyra e qarkullimit të një vendi janë tregues i pamohueshëm i gjendjes në të cilën popullsia e atij vendi jeton, si organizohet dhe si është. Padyshim, duke parë kalimet, parakalimet, mos-respektimin e asnjë rregulli qarkullues, duke treguar të fortin në timon, rrëmuja në semafor, në rreth-rrotullime, në parkim, në dalje, hyrje nga rruga, në bulevard e jashtë tij, të gjithë janë tregues të statusit mendor të gjithsecilit individualisht, por edhe të shoqërisë shqiptare si e tërë.

Kush respekton rregullat, ndëshkohet nga makinë-ngarësit e tjerë.

Si natyrë nuk ankohem; edhe mua më pëlqen shpejtësia, hapësira, zaptimi i saj, pushtimi i vendit dhe i kohës. Me jep kënaqësi të qenit e para dhe më nxit dëshira për të ecur shpejt në jetë. Por në rrugë, në timon, në qarkullim, nuk ndodh asnjëra nga këto. Rruga nuk është e imja, ndaj rregullat e mia aty dalin jashtë loje. Nuk futesh dot në fushë të bësh not. Rregullat e funksionimit gjenden dhe aplikohen. Ato nuk mbarten nga kapricot personale.

Por ja që është e pakuptueshme se. Dhe një studim i universitetit të Berkelyet në SHBA thoka se sjelljet e shoferëve (por edhe të këmbësorëve) në qarkullim, reflektojnë qëndrimet personale,  normat subjektive dhe perceptimet individuale të një shoqërie. Shkaktarët më të mëdhenj të stresit në qarkullim nuk qenkan femrat (ecin ngadalë dhe nervozojnë meshkujt, por i shkelin rrallë rregullat e qarkullimit). Pra shkelësit më të mëdhenj të këtyre rregullave qenkan meshkujt e moshës 18-30, ose zotëruesit e makinave luksoze (që s’dihet se si janë blerë).

Studimi ka emërtime interesante që të paktën qetësojnë perceptimin tim të trazuar për sjelljen në qarkullim. Ai (studimi), i përcakton shoferët që ndryshojnë korsitë, shpejt shpesh dhe pa kujdes si persona me karakter të paformuar dhe me probleme të vetë-besimit; kurse emërtimi i këtij fenomeni më pëlqen akoma më shumë; kapërcimi i tërbuar i korsive u quajtka “Fenomeni Histerik”.

Qarkullimi është i çuditshëm në Shqipëri. Studiuesit e antropologjisë mund të nxjerrin përfundime shumë interesante nëse e marrin si pikë kërkimi e studimi.

Sjellja e njerëzve e bën të tillë. Po njerëzit vetë, ç’i shtyn të kenë këtë sjellje?

Duket sikur është shumë e nevojshme që në kurset e autoshkollave, përveç shenjave, t’iu mësohet njerëzve edhe sjellja në timon. Po duhet riedukim edhe për sjelljen në bashkësi, përgjegjësitë individuale dhe e mira e përbashkët, që mes nesh, duket se nuk ka sot asnjë lloj kuptimi.

Është shumë i trishtë krahasimi me Amsterdamin, por vërtet më mirë 33 orë në Schiphol, sesa 10 minuta qarkullim me makinë në Tiranë.

Atje 10 mijë njerëz në disa metra katrorë, këtu maksimumi 200 makina takon sa shkon nga një pikë në tjetrën. Atje reflekton, këtu ta vrasin qetësinë, mendimin dhe të drejtën për të respektuar përbashkësinë brenda fare pak sekondash.

Jo të gjithë fajin na e ka politika…

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Shqiptarizëm, Vezhgim. Tags: .

Që arsimi të mos na përmbytë Politikisht korrekt: Nuk kemi politikanë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
December 2010
M T W T F S S
« Nov   Jan »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

%d bloggers like this: