Shqipja e mohuar

08/01/2011 at 18:22 Leave a comment

Shtëpia e Fehmi Zavalanit në Manastir do të transformohet si muze dhe në të nuk do të flitet shqip. As me gërma. Pra shtëpia ku në Nëntor  1908 një grup njerëzish të mençur shqiptarë përcaktuan përdorimin e një alfabeti të unifikuar të shqipes, do flasë vetëm maqedonisht. Kjo është shtëpia ku 103 vjet më parë u vendos se me ç’alfabet do të shkruhej shqipja, e sot, qeveria maqedonase vendos tw tregojë që vendimi i atëhershëm nuk ka më rëndësi.

Pasi Zavalani, Mithat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Parashqevi Qirjazi, Bajo Topulli, Shahin Kolonja e rreth 50 njerëz të tjerë të ardhur nga të gjitha viset shqipfolëse morën një vendim kaq të rëndësishëm për gjuhën e shkruar të një kombi, qeveria e një kombi tjetër që ka sot nën mbikqyrje administrative Manastirin e dikurshëm, vendos që në shtëpinë e shqipes, të shkruajë maqedonisht, me gërma cirilike.

Vendimi është cinik. Është fyes. I papranueshëm. Është edhe dëmtues.

Që ish ish-republika jugosllave e Maqedonisë ka probleme madhore me shqiptarizmën brenda saj, kjo është bërë e qartë në çdo konflikt që gjeneron në atë vend. Dëshira maqedonase për të minimizuar praninë shqiptare është shfaqur fare hapur që në ngurrimin e saj për të mos bërë censusin me baza etnike, apo edhe në enciklopedinë e saj famëkeqe, që i cilëson shqiptarët si shpellarë të ardhur pas mesjetës në Maqedoni.

Vendimi për të përdorur vetëm maqedonishten si gjuhë zyrtare në muzeun e Manastirit është pjesë e zinxhirit të përpjekjeve për të eleminuar shqiptarizmën nga Maqedonia, mbi të gjitha nga pjesë të saj ku shqipja është dominante edhe si gjuhë.

Metodat thelbësore që përdoren për ç’etnizim janë vetëm dy; ngritja e kulteve fetare dhe asgjësimi i gjuhës. Fqinjët dhe aneksuesit e trojeve shqiptare i kanë aplikuar me shumë sukses të dyja. Kisha ortodokse ka në çdo cep të Kosovës e të Maqedonisë (e madje edhe në mes të Tiranës moderne). Edhe gjuha është përpjekur me dekada të tëra që të mbytet, teksa nuk është lejuar mësimi në të as në Kosovë, as në Maqedoni. Por vendimi më i fundit për të hequr shqipen nga përdorimi në muzeun ku një shekull më parë u unifikua alfabeti i saj, është një përpjekje që i kalon kufijtë e kurajos. Fare thjesht ajo mund të interpretohet si iniciativë me prapamendim politik dhe si e tillë kërkon reagim institucional.

Ky reagim duhet të vijë së pari nga përfaqësuesit e shqiptarëve në qeverinë e Shkupit. Së dyti, të mbështetet nga shqip-indentifikuesit e Tiranës. Dhe së treti, mirë Gurakuqi, Frashri e Mjeda as nuk ka më, po ndonjë grup shqiptarësh që e duan akoma shqipen edhe mund të ketë. E nuk është e nevojshme të regjistrohet ndonjë OJF në gjykatë, të aplikojë për fonde e të bëjë projekte. Iniciativa duhet marrë në emër të shqipes dhe qëndrimi grupor duhet mbajtur në emër të saj.

C’indianizimi i Amerikës u bë mbi të gjitha duke zhdukur gjuhën e të gjithë indianëve që nuk u asgjësuan. E sot gjuhët e tyre përpëliten e ngatërrohen në luftën për t’u ringjallur. Ngjashëm me ta, romët flasin një gjuhë që  nuk shkruhet dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në perceptimin dhe klasifikimin e tyre shoqëror. Të dyja palët, haptazi apo tërthorazi, shihen me përçmim nga shoqëritë e zhvilluara të gjuhëve të shkruara. Rasti i shqipes nuk është i ndryshëm.

Nëse bashkë me trojet zhduken edhe gjurmët e gjuhës dhe të hapave të bërë në emër të saj, pretendimet për alfabetin shpejt do të duken si provincializma tipike të popujve e vendeve të vegjël e të parëndësishëm.

Nëse në shtëpinë e shqipes do të flitet e shkruhet vetëm maqedonisht, gradualisht ajo shtëpi do e humbasë kuptimin e saj historik për gjuhën shqipe.

Pavarësisht teknologjisë së përparuar të informacionit të sotëm, historiku i shqipes, përfshirë atë të kongresit të Manastirit, rrezikon të zhbëhet, teksa burimet e informacionit janë shpesh të pakontrollueshme ose akoma më keq, të kontestueshme dhe të pavërteta.

Pas 50 vjetësh, në faqet informative në internet mund të anashkalohet fare lehtë ekzistenca e këtij kongresi dhe gjuhës që u unifikua në të, sepse vendimet që merren sot për gjuhën e përdorur në këtë muze, i shërbejnë vetëm ndërtimit të së vërtetës që do tregohet nesër.

Atëherë?! Shqipja nuk duhet lëkundur nga shtëpia-muze e alfabetit të shqipes. Madje aty maqedonishtja duhet të ketë thjesht rol plotësues në shpjegim. Por, në mungesë të këtij hapi që kërkon këllqe, të paktën qëndrimet institucionale për ruajtjen e shqipes në shtëpinë e saj, duhet të bëhen si nga Shkupi, edhe nga Tirana e Prishtina. Madje, menjëherë.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Politikisht korrekt: Nuk kemi politikanë Çmitizimi i politikës nga media

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
January 2011
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: