Përralla me mbret

03/02/2011 at 20:48 Leave a comment

Që prej viktimave të 21 janarit e sulmeve të dhunshme ndaj institucioneve, pamjet televizive, deklaratat e politikanëve, analizat e medias dhe pretendimet e palëve politike, duket se kanë hasur në vështirësi të mëdha për t’u përputhur. Publiku shqiptar nuk ndien thjesht një dezinformim nga ligjërata që bien ndesh me pamjet që dalin në çdo ekran e faqe interneti.

Jo. Publiku ndien më tepër se kaq. Fyerjes së inteligjencës që i bëhet në mes të ditës me diell shqiptarëve i shtohet edhe doza e madhe e përsëritjes dhe këmbënguljes politike për të tjetërsuar imazhet që shihen me sy. “Duket e bardhë, por po ta shohësh më hollë, kjo ngjyrë është jeshile” – përkthehen deklaratat manipulative të politikanëve të sotëm.

Çështja do ishte shumë më e thjeshtë për ta, sikur ngjarjet të kishin ndodhur edhe një herë në vitin e mbrapshtë 1997. Por sot, në kohën kur shpejtësia e marrjes së imazheve dhe shpërndarja e tyre nëpërmjet internetit, bluetooth-it, rrjeteve sociale dhe medias së re elektronike është më e madhe sesa imagjinata e skenarëve thriller, është qesharake të pretendosh se mund ta budallallepsësh një popull të tërë duke i treguar përralla me mbret.

Në 1997, një televizion dhe një gazetë e vetme arritën të fragmentizonin në ekstrem ngjarjet, duke u bërë nxitës apo demaskues të ngjarjeve që orkestroheshin në qetësi të plotë. Kurse sot, gjithçka që ndodh në bulevard, seli, zyra, kafene e kënde pritjeje, merret vesh publikisht përpara se biseda të ketë përfunduar.

Me gjithë propagandën apo deformimin informativ të disa mediave, lëvizja e thjeshtë e telekomandës nga njëri stacion tek tjetri, u dha mundësinë shqiptarëve të kuptonin se ç’ndodhi përpara kryeministrisë në 21 janar 2011.

U mor vesh që Partia Socialiste thirri një turmë të madhe me njerëz dhe e lëshoi përpara Kryeministrisë. Dënohet dhe përqeshet veprimi i Ramës për të mbledhur një turmë, thjesht sa për ta lënë në mëshirë të vendimeve e veprimeve që vinin nga përballë saj.

U pa dhuna e patolerueshme që një pjesë e vogël e njerëzve në krye të turmës ushtruan mbi makinat, kangjellat apo portën e institucionit të Kryeministrisë.

Ashtu siç u pa po aq qartë se tre njerëz u vranë duke ndenjur me duar në xhepa përballë ndërtesës. Në momentin e vrasjes, ata shfaqen si spektatorë fatkeqë që ndodhen në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.

Përrallat me mbret filluan pas fatkeqësisë që drodhi gjithë shqiptarët. Pas valës së parë të reagimeve “Fajin e ka Berisha” dhe “Fajin e ka Rama”, doli në skenë “puçi”. Mbiu ashtu, pa pritur. Siç mbijnë shumë xhevahire nga ndërtesa e sulmuar. 

Pas puçit, xhevahiri i radhës ishte refuzimi publik për të lejuar ekzekutimin e një urdhri të dhënë nga Kryeprokurorja e Përgjithshme. Njëri pushtet guxon kështu të përcaktojë ushtrimin e pushtetit tjetër.  

Bashkë me të, erdhi edhe dekorimi i gardistëve, vizita në Ministrinë e Brendshme, ngritja e kultit të heroit për gardistët, vizita tek familjarët e tyre, dorëzimi i flamurit Kryeministrit (jo presidentit të vendit); gjithçka në funksion të një tru-shpëlarjeje të përsosur që në themel ka injorimin për pushtetet, kompetencat ligjore dhe institucionet në vend.

Në radhë erdhi antimitingu, që u anulua si u anulua. Pastaj u bënë homazhet hipokrite me zinxhir të paprecedent truprojash. Bashkë më akuzën e Prokurorisë së Tiranës me “synim për të eliminuar kreun e opozitës”, erdhi edhe një akuzë akoma më e madhe, pavarësisht se nuk kishte për autor organin e akuzës: “Presidenti i vendit kishte planifikuar eliminimin tim. Në bashkëpunim me kryeprokuroren e kishte bërë”.

Denoncimi u bë në një seancë monologu përpara një strukture paralele që ka për objekt hetimi çështje të cilat janë vetëm nën kompetencën e Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo strukturë paralele, që është super e aftë jo vetëm si kukull dëgjuese, por edhe si prodhimtare situatash komike ditët e fundit (për t’u tmerruar në fakt), thërret për dëshmi Presidentin e Republikës, Kryeprokuroren e vendit, deputetë, gazetarë, po edhe Barak Obamën mund ta thërrasë po të dojë. Ja sa të shohin ç’mesazhe ka dërguar ai në 21 janar.

Nëse Kryeministri paska qenë në shënjestër për t’u vrarë; nëse komploti është hartuar nga Presidenti e nga Kryeprokurorja; po nëse edhe lideri i opozitës ishte në shënjestër për t’u eliminuar, në ç’duar qenka siguria jonë? Të gjithë jemi çdo sekondë në situatën e tre personave që në 21 janar, një moment rrinin me duar në xhepa, e momentin tjetër dhanë shpirt?

Mbase shpejtësia me të cilën rrjedhin ngjarjet nuk i lë njerëzit e politikës të shohin se ç’shohin shqiptarët. Po sa për kulturë informative, po, i kanë parë të gjitha. Edhe për të kuptuar, mirë kuptojnë shqiptarët. Edhe aq kulturë juridike, sa të kuptojnë se dhuna në rrugë është e dënueshme, kanë. Por akoma më shumë, e vërteta është se shqiptarët kuptojnë edhe se dhuna e njërit pushtet ndaj tjetrit, ndërhyrja në kompetenca dhe minimi i ushtrimit të pushtetit duke i ngritur struktura paralele është në të vërtetë shkatërruesi i vërtetë i shtetit të së drejtës.  

Funksionimin e demokracisë nuk e vunë në rrezik ata 10 apo 100 demonstrues të dhunshëm, që duhen gjetur dhe ndëshkuar sipas ligjit. Jo. Demokracinë funksionale në Shqipëri e kanë vënë me njërën këmbë në greminë ndërhyrjet në kompetencat e pushteteve dhe në pavarësinë e tyre. Kombinuar me ëndrrat për asgjësim dhe pushtet perandorak, kjo shkelje pavarësish është vërtet rreziku më i madh që i kanoset vendit.

Çdo ëndërr tjetër në mes të ditës me diell për t’u treguar shqiptarëve përralla të tjera eliminimesh, është thjesht qesharake. Dhe fyese, për një popull të sfilitur nga halucinacionet e atyre që e shtypin përditë.  

Gazeta Panorama, 3 Shkurt 2011

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Drejtësia nuk vjen nga ekzekutivi Fatkeqi integritet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2011
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28  

%d bloggers like this: