Fatkeqi integritet

10/02/2011 at 16:11 Leave a comment

Edlira Gjoni

 “Kam parë njerëz me thika përpara kryeministrisë në 21 Janar 2011 dhe ky është fakt” –dëshmon krye-parlamentarja përpara një grupi burrash që e dëgjojnë e një grupi të tjerë që e xhirojnë.  “Kur ndodhin vrasje ka emocion në publik, ndaj mirë është që prokuroria të mos merret me emocionet e njerëzve, por t’i bindet parlamentit që e ka zgjedhur e të dëshmojë” – thotë një deputet i PD-së. “Kjo kryeprokurore e pabindur që shkel ligjin është pengesa e vërtetë e zbardhjes së pucit kundër shtetit më 21 Janar” – deklaron gjithë siguri e nerva një tjetër zë i PD-së. “Gazetarët donin të përmbysnin qeverinë, duke përfituar nga liria e madhe që kane gjetur pikërisht nën këtë qeveri” – guxon të thotë një zë tjetër.

Është sa e pabesueshme, aq edhe e vërtetë. Gjithë Partia Demokratike, me mbështetës e pa mbështetës, me detyrim-përcaktim e me vetë-iniciativë del në ekran për të na mbushur mendjen për grushtin e shtetit që ka formuluar kreu i partisë (e jo prokuroria, as komisioni hetimor që ngriti maxhoranca vetë).

Të gjithë janë rreshtuar pas udhëheqësit. Qëndrimi i njëjtë dhe i përbashkët i bën mirë imazhit të një partie, por kur për hir të këtij qëndrimi cenohet integriteti personal, qëndrimi i përbashkët shndërrohet në shkatërruesin e imazhit individual të këtyre njerëzve që flasin vetëm gjuhën e udhëheqësit.

Si virtyt, integriteti rrjedh nga ndershmëria dhe qëndrueshmëria e karakterit. Në psikologji integriteti lidhet me etikën dhe moralin. Ai ka hyrë madje edhe në gjuhën dixhitale, ku nënkupton një bazë të dhënash që nuk janë ndryshuar apo transformuar pa autorizimin përkatës, që vjen vetëm nga autori i të dhënave.

Integriteti pra është pa dyshim një nga vlerat më të mëdha njerëzore, që  ashtu si në botën sociale e të punës, vlerësohet shumë edhe në politikë. Cromwell thoshte: “ Bindja mund t’iu lërë në baltë,  kurse integriteti personal, nuk iu braktis kurrë”

Të ndjekësh linjën e forcës politike në të cilën aderon nuk ka asgjë të keqe. Por të përsërisësh gjuhën e kryetarit, pa ruajtur qëndrimin personal e pa e marrë parasysh atë, është shkelje flagrante e integritetit personal. Ose tregues shumë i qartë i mungesës së tij.

Personat me integritet janë të vetmit që promovohen dhe bëjnë karrierë në perëndim. Përveç mendimit të udhëheqësit, deputetët, partiakët, qeveritarët e pushtetarët duhet të kenë edhe mendimin e vet. Por ja që në Shqipëri askush nuk e di se ç’mendojnë politikanët me kokën e vet. Dimë vetëm ç’mendon Rama e Berisha, dhe fjalët e tyre i shohim të përsëritura, madje edhe shëmtueshëm në imitime nga ndjekësit e tyre.

Dihet se karakteri i njeriut është paracaktuesi i fatit të tij, e sa më shumë integritet të ketë një person, as më i plotë dhe fisnik është fati apo rruga që ndjek. Colton madje thotë se të gjitha veset e virtytet mund t’i braktisim në emër të një sipërmarrje që na duket e vlefshme, por vlera e vetme që nuk duhet braktisur asnjëherë, është pikërisht integriteti. Braktisja e tij do të thotë thjesht dhe qartë  “braktisje e identitetit individual”.

Kur gjuha e të djathtëve të kujton vetëm Berishën dhe ajo e të majtëve përcjell vetëm mendimet e Ramës, është e pamundur të mendosh për individë të veçantë, me identitet e integritet personal. Shumica binden e transformohen. Të tjerët tërhiqen, heshtin, përpiqen të flasin nëpërmjet saj.

Sepse në fakt, tek heshtja fshihen edhe mundësitë më të mëdha për të ruajtur integritetin personal në një situatë kur loja politike është më e rëndësishme sesa e mira publike që ndihmohet nga njerëzit që flasin hapur, drejt, ndershëm, me fakte, pa emocion politik, pa pritur të marrin asgjë në shkëmbim të së vërtetës që thonë.

Pra shkurt, mungojnë njerëzit me integritet. Ky virtyt po zhduket nga qarkullimi. Djathtas është paralizuar fare, siç duket në heshtjet e të paktët njerëzve brenda PD-së që mund të kenë reputacion pozitiv në publik. Po edhe majtas Rama është mjaft i suksesshëm në fushatën e pa-nisur prej tij për të krijuar idhtarë që flasin, qeshin, lëvizin duart, trupin e mendimet njëlloj si ai.

Po kaq e pavlerë është vetvetja për këta imitues?

Nuk është e nevojshme që këta politikanë ekranesh të provojnë ta vënë në vend identitetin e tyre personal. Kur zhduket, ai zhduket. Integriteti nuk është pasuri që mund ta zotërosh 50% apo 99%. Jo. Integritetin njeriu o e ka, o nuk e ka. E kur një deputet i Partisë Demokratike del të deklarojë në publik, me gjestikulacione e ton zëri për të ardhur keq se presidenti e kryeprokurorja po shkelin ligjin e kanë bërë puc, atëherë integriteti i këtij njeriu shumëzohet me zero. Sepse kjo është deklaratë e shefit të tij, jo e drejtësisë.

E kur nxiton të kënaqësh udhëheqësin shpirtëror përpara se të dëgjosh logjikën personale apo atë ligjore, atëherë sigurisht që dëmi më i madh i bëhet perceptimit publik mbi identitetin dhe integritetin personal. E të shprehësh mendimin personal nuk do të thotë të shkelësh besimin e grupit ku bën pjesë. Përkundrazi, grupi mund të ndihmohet në vërtetësinë e tij kur qëndrimet janë individuale dhe vijnë të mirë-argumentuara.

Qëndrimet qesharake në mbrojtje të ideve të çartura për grusht shteti apo puc institucional të sjellin ndërmend shpjegimin që Mandela bën për politikanët: “Për çështje të mëdha e publike politikanët vetë-nxjerrin në pah personin që do të dëshironin të ishin; për çështje të vogla, sillen siç janë në të vërtetë”.

I bie që gjithë të djathtët dëshirojnë të jenë Berishë, sepse deri më sot flasin vetëm me gjuhën e tij. Të paktën ata që janë akoma pjesë e partisë dhe qeverisë që ai zotëron.

Sot jetojmë në një botë mashtrimesh ku as tallja me popullin nuk ka më asnjë rëndësi. Politika dhe media po dhunojnë përditë perceptimet e një publiku që gënjehet dhe mashtrohet dendur, pa ia bërë syri tërr askujt prej ligjëruesve gënjeshtarë.

Në politikën e sotme shqiptare vështirë se gjen njeri që bën, flet, dhe flet për atë që bën. Prandaj nuk ka më njerëz me integritet. Prandaj edhe është e vështirë sot të dëgjosh se ç’mendojnë vërtet njerëzit që përdorin kokën e tyre për të menduar e gojën për të thënë pikërisht mendimet që gëlojnë në trurin e tyre, e jo në atë të kryetarit. Po këta njerëz heshtin, dhe si më sipër, kjo tregon mënyrën e tyre të ruajtjes së integritetit. Por heshtja e gjatë e dëmton pjesën e mbetur, sepse lejon daljen në sipërfaqe të gjithë turmës që ndjek kreun e bën zhurmën e madhe të ç’mendimeve të tij.

Prandaj, është koha për pak integritet.

Gazeta “Panorama”, 10 SHkurt 2011

Entry filed under: Koment, Politikë. Tags: .

Përralla me mbret Zgjedhjet vendore, politikisht larg

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2011
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28  

%d bloggers like this: