Zgjedhjet vendore, politikisht larg

20/02/2011 at 08:56 2 comments

Në 384 njësi të qeverisjes vendore do të zgjidhen drejtuesit e rinj në datën 8 Maj. Kështu thotë dekreti presidencial të paktën. Në datën 23 Janar 2011, partitë politike duhet të kishin dërguar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve emrat e kandidatëve për t’u emëruar në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ).

Asnjë parti nuk ka dërguar asnjë emër. KQZ duhet të kishte zgjedhur tashmë anëtarët e KZAZ-ve deri në 8 Shkurt dhe do të kishte filluar trajnimin e tyre që nga data 15 Shkurt.

Po jo vetëm që emra nuk ka, po as vendime të brendshme e publike të partive se a do të shkojnë në zgjedhje dhe si do të shkojnë aty, nuk ka.

Pa kaluar përtej në vendimet e çuditshme ashqiptare që merren nga partitë politike, nuk mund të lihet në hije mediatike fakti se këto parti po shkelin ligjin. E po e shkelin edhe për pjesën që duan më shumë e që dinë të bëjnë lëmsh më mirë; zgjedhjet.

Teksa vendi gëlon nga mos-pajtimet mbi rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të Qershorit 2009, Maji i 2011-ës ka filluar të trokasë me afatet përgatitore të tij që prej tre javësh, e partitë akoma nuk janë gati të merren seriozisht me përgatitjet. Tërthorazi kjo do të thotë se edhe pas zgjedhjeve të 8 Majit do të ketë sherr mediatik për politikën, që nuk do të bjerë dakord për një rrugë që sot nuk ka kohë ta shtrojë me para-përgatitje.

Pezull mbi Shqipëri rrinë hijet e katër njerëzve të vrarë dhe ca ëndrrave o të çartura për puc, o të diellta për pushtet. Të gjitha këto kanosin skutave të vendit një ndjenjë pasigurie të papëlqyeshme që me sa shihet, nuk është e dukshme as nga xhamat e kryeministrisë, as nga ato të Partisë Socialiste.

Kjo e fundit pretendon me mënyra të kamufluara në mënyrë amatoreske nga udhëheqësi i saj se zgjedhjet e 8 Majit nuk i ka në axhendë (pa plotësuar kushtet që parashtron vetë kryetari). Po nuk është e vështirë në fakt të shohësh që PS-ja nuk i ka në listë akoma vendoret, teksa nuk duket të këtë as haberin më të vogël se me ç’njerëz dhe në ç’mënyrë do i kërkojë votat cepave të Shqipërisë së lodhur.

Nga ana tjetër, e flakta maxhorancë e ligjit dhe e shtetit që për pak ia rrëzuan me çadra, gjithashtu ngrohet në diellin e Shkurtit e i mban sytë nga doktori, që t’iu japë diagnozën e radhës pacientëve të tij politikë.

PD-ja është kaq e zënë me komisione hetimore, me puce, me çadra, stilolapsa, video, larushë e katranë me bojë që krehin bishtra, saqë zgjedhjet lokale nuk duket të jenë prioritet i axhendës së përditshme apo seriozeve të të vetë-quajturve demokratë. Jo në aspektin publik, se atë po e mbulon shumë mirë kryeministri dhe sozitë e tij të të dyja gjinive. Fjala është për aspektin përgatitor, teknik, punën masive për të bërë një platformë konkurruese në kërkim të votës.

Por, konkurrencë programimi PD-ja nuk ka. Ambicie të madhe që të dalë mbi numrin aktual të njësive vendore që drejton po ashtu nuk ka. Me çështjet e kuotës gjinore, rregullimin e listës së zgjedhësve, përmbushjen në kohë të hapave ligjorë për zgjedhjet e të tjera “burokracira” nuk duket se ka qejf të merret, kështu që për momentin PD është e lirë të akuzojë opozitën, të shohë filma me shtetrrethim e të festojë Shën Valentinin.

Që nga zgjedhjet e vitit 2007, rekomandimi i parë në radhë në raportet zgjedhore të OSBE/ODHIR është “Partitë politikë të tregojnë vullnet të plotë për të bërë zgjedhje demokratike” dhe “Të lihen mënjanë interesat zgjedhore duke bërë prioritare edhe në zgjedhje, interesat e Shqipërisë”.

Po për kë bien kambanat? Shqipëria nuk është e gatshme as të mbajë në pushtet një qeveri me ministra që populli i emërton “vrasës” ose i sheh tek vjedhin nëpër video; as të mirëpresë një kastë tjetër, sjellja e të cilës nuk është fare e ndryshme nga ajo e partisë në pushtet për nga arroganca e veprimeve, mungesa e përgjegjësisë publike dhe mos përgatitja serioze për zgjedhjet apo për marrjen e pushtetit.

Retorikat e forta që do partitë përdorin ndaj njëra-tjetrës kanë eklipsuar të gjithë vëmendjen politike që sot duhet të kishin marrë zgjedhjet vendore. Partitë duhet të ishin tashmë duke respektuar afatet ligjore për zgjedhjet nga njëra anë, e duke u marrë me programet lokale nga ana tjetër. Po ashtu, media duhej të ziente nga interesi për të zbërthyer këto programe e të nxiste konkurrencën, d.m.th. ndarjen e votës bazuar në meritën programuese e në të mirën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve.

Por fatkeqësisht, jemi duke u marrë akoma me pretendimet personale për pushtet. Edhe kërkesat e reja që bëhen për ndryshimin e Kodit Zgjedhor (që mund të ndodhë sërish brenda natës e pak para zgjedhjeve të Majit), nuk kanë tjetër axhendë parasysh, përves asaj të interesit partiak. E kjo shkon tërësisht kundër rekomandimeve të ndërkombëtarëve e kërkesave të vendasve për të pasur një rrjedhë politike sa më afër normales.

Sinjalet për mos marrjen pjesë në zgjedhjet vendore janë dhënë (edhe pse më shumë i ngjajnë një loje parashkollorësh). Edhe qëndrimet ndaj bojkotimit të mundshëm të zgjedhjeve, po ashtu janë formuluar nga ndërkombëtarët (Jo qëndrime të papërgjegjshme ndaj zgjedhjeve).

Atëherë, përse po e shtyjnë 8 Majin për në 8 Maj? Të gjitha në një ditë do bëhen?

Shqipëria ka nevojë për stabilitet politik. Organizimi dhe pjesëmarrja me përgjegjësi në këto zgjedhje, e jep këtë mundësi. Ndaj nuk iu duhet mohuar shqiptarëve të ndëshkuar kaq egër nga pseudo-politika e ditës në vend.

gjedlira@yahoo.co.uk

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Fatkeqi integritet Cilën BE?

2 Comments Add your own

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2011
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28  

%d bloggers like this: