8 Marsi psikologjik

08/03/2011 at 07:56 Leave a comment

Sot festojnë gratë që punojnë në administratë, në arsim dhe shëndetësi. Mund të dalin për drekë apo darkë edhe femrat e punësuara në sektorin privat (po iu dhanë leje drejtuesit meshkuj). Të zënë mund ta kenë ditën edhe jo-qeveritaret e gjinisë femërore që mund të jenë duke bërë ndonjë aktivitet ku veç vetes, mund të kenë edhe ndonjë mik të medias të pranishëm.

Pjesa tjetër jo. Do jenë duke pritur të shohin lajmet në darkë, e të sodisin ç’ka bërë pjesa tjetër e gjinisë.

E 8 Marsi nuk është as dita e nënës, siç na mësuan të besojmë për ca dekada rresht, e as festa e gruas, siç po shohim të ndodhë 20 vitet e fundit. Është dita kur gratë, përfaqësueset e tyre, arrijnë të nxjerrin në publik përgjegjësitë e shoqërisë e të qeverisë për ndonjë masë konkrete që do ndihmonte anti-diskriminim dhe dhunën ndaj gjinisë femërore.

Qeveria mund të zgjedhë 8 Marsin për të siguruar strehim, akomodim, arsimim dhe ri-integrim të grave që janë viktima të dhunës (çdo forme të saj). Bashkia mund të flasë gjithashtu për shërbime që mund t’iu ofrohen grave në komunitet. Shoqëria civile mund ta përdorë ditën e sotme për të inkurajuar gratë brenda e jashtë Tiranës që të denoncojnë dhunën, e t’iu ofrojnë më tej mbështetje që ky denoncim, së bashku me zbatimin e ligjeve ndaj dhunës e pabarazisë gjinore, të shoqërohet me mundësi ri-integrimi, të cilat do të duhet t’i marrin përsipër shërbimet e ofruara nga institucionet shtetërore.

Por kjo është kryefjala e ditës sot. Do jetë edhe kritika më e madhe që do dëgjohet në media, teksa do të kritikohet apo vihet në lojë mënyra se si 8 Marsi festohet apo përse ai nuk shfrytëzohet pozitivisht në të mirë të grave në Shqipëri.

Kur flasim për këtë datë, historikisht e lidhim me protestat e grave të Neë York-ut në 8 Mars të vitit 1857, kur punëtoret femra të një fabrike tekstili kërkuan të drejta dhe kushte të tjera pune, ulje të orarit dhe rritje të pagës. Më pas, po në 8 Mars, gratë amerikane kërkuan të drejtën e votës. Dhe në 8 Mars 1911 në Kopenhagen u kërkua për herë të parë që kjo ditë të bëhej simbol i të drejtës së grave për të kërkuar të drejta të barabarta para ligjit.

Në Shqipëri nuk ke ç’të kërkosh në këtë 8 Mars, kur në sferat më të larta, kodi elektoral edhe përcakton 30% të femrave në vendimmarrje, edhe i përjashton ato me fraksionin ndarës “dhe/ose”; e akoma më keq, i vendos në anën e humbëseve. (teksa parashikon thjesht që ky 30% të jetë në listën e kandidatëve, por jo në atë të fituesve).

Në anën tjetër të medaljes, ligji kundër dhunës në familje, së bashku me ligjet e tjera që janë hartuar për merak nga qeveria dhe bashkëpunëtorët e saj të shqetësuar të shoqërisë civile, një copë e bukur letre ngelen, përderisa mekanizmat që do të mundësonin zbatimin e këtyre ligjeve, mungojnë.

E çdo të bënte pas denoncimit lumi i femrave që kanë të drejtë çdo minutë të denoncojnë bashkëshortët për dhunë? Ligji dhe mundësitë reale për të reaguar pas denoncimeve, nuk përputhen në parashikimet që janë bërë për rrjedhën e pas-denoncimit.

E kjo është një betejë e gjatë, që zhvillohet në shumë nivele e nga shumë aktorë njëkohësisht; që nga baza ligjore, deri tek krijimi i kushteve për formim profesional apo punësim, apo deri edhe tek procesi disavjeçar që duhet për ta shkulur dhunën nga mendja. Të paktën atë fizike dhe atë në masë.

Po përveç asaj që duket e për të cilën flasim e bëjmë thirrje të gjithë, duhet parë me kujdes edhe një formë tjetër dhune, që është e kamufluar, nuk është masive dhe për të cilën nuk flitet; dhuna psikologjike. Jo vetëm ajo që ushtrohet ndaj shtresave në nevojë që shohim në ekran, por edhe ajo që ushtrohet ndaj femrave që e fusin veten tek femrat në karrierë apo në grupe elitare.

Kjo dhunë vjen nëpërmjet diskriminimit, që i ushtruar në mënyrë konstante dhe të pandërprerë, shndërrohet në një nga format e ndaluara të dhunës; atë psikologjike.

Si femër, sot mua nuk më vjen aspak mirë që shumicën e vendeve të punës në kompaninë time e në shumë të tjera, e kanë zënë meshkujt. As nuk më vjen mirë që në dokumentet e financës ka diferencë në pagesat mes meshkujve dhe femrave që kanë të njëjtin pozicion në punë. Nuk më vjen mirë tek shoh që mikrofonin në dorë në terren, më së shumti e kanë gazetaret femra, të cilat marrin urdhra nga eskorta drejtuese e meshkujve. As kur shoh se në të gjitha Ministritë, shumicën e specialisteve e bëjnë femrat, kurse drejtorët dhe ministrat janë meshkuj.

Ama si femër, sot ndjehem më e diskriminuar se kurrë nga përfaqësueset e gjinisë sime, që në fakt nuk mund t’i pranoj kurrsesi si përfaqësueset që pres të jenë. Është turp të shohësh në ekran femrat që ngjajnë me burrat në sjellje, në fjalor, në tonin e zërit dhe manipulimin e vetes e të masës. Është e turpshme të shohësh se ai 30 përqindësh i përgjysmuar që ka shkuar në parlament, bërtet më keq se Berisha, gënjen më paturpësisht se Rama, sillet më ulët se ta e ç’është me keq akoma, besojnë edhe vetë në ato që thonë në emër të tyre.

Tek pres të shoh juriste, mjeke apo ekonomiste të zonja në politikë, unë shoh që gjininë ma përfaqësojnë këngëtare e artiste “politikane” që çudi mos qoftë, por as profesionet e tyre nuk po dinë t’i bëjnë më saktë.

Ndjehem e fyer dhe e diskriminuar edhe nga lehtësia me të cilën ky grup femrash ka zgjedhur të bëhet pjesë e botës mashkullore, jo vetëm duke mos sjellë asgjë cilësore në politikë e në media, po as femërore jo. Se një deputete që shan me gjuhën e Berishës kryeprokuroren e vendit në publik, nuk mund të pretendojë se sjell ndonjë imazh pozitiv për veten nën ombrellën e gjinisë.

Është e vështirë të jesh sot femër në një vend ku sundojnë klanet, pazaret, manipulimet, makineritë përpunuese të mendimit dhe integritetit njerëzor. Është akoma më e vështirë po të kesh parasysh rrugën e shkurtër që zgjedhin meshkujt për të diskriminuar, shpërfillur, nënvleftësuar një femër, veçanërisht nëse ajo ndeshet me klane që as nuk arrijnë ta kuptojnë dot maskilizmin e lindur e të kultivuar keq.

Mungesa e besimit, vënia në dyshim a aftësive, mbingarkesa në punë, bërja me hile, shkelja e normave të sjelljes, gjuha e ulët, manipulimi amatoresk, vështirësia që e detyron femrën të provojë çdo ditë e çdo minutë se ajo ka vlerë në vendin e punës, pengesat pothuajse natyrale që janë krijuar për të mos e lejuar femrën të jetë e barabartë ose e mirë-përfaqësuar, e bëjnë sot turmën e gjinisë së saj më të dobët se asnjëherë.

Po a ka femra shqiptare dinjitet? Integritet? Identitet a ka? Mund t’i ketë të tria, por nuk ka më kryesoren; pavarësinë ekonomike. Edhe kur femrat kanë një punë e një rrogë, ose do e shpenzojnë për shtëpinë, ose do luftojnë keq, në kurriz të dinjitetit, që ta mbajnë atë rrogë.

E vështirë të jesh femër në Shqipërisë e 2011-ës. Jo vetëm fizikisht, e jo vetëm për shkak të diskriminimit e shfrytëzimit mashkullor.
Dinjiteti edhe ruhet dhe një numër i mirë femrash në jetën publike e politike po e bëjnë këtë, edhe pse me shumë sakrificë e çmime të kripura për personalitetin apo karrierën e tyre. Por është betejë që të shter forcat e në një farë mënyrë, është shtysë për të menduar: “ç’lehtësi mund të kërkoj për femrën këtë 8 Mars”.

Unë do kërkoja që gjithsecila të kishte më shumë respekt për veten; si ato që na përfaqësojnë në mënyrën më të shëmtuar të mundshme në media e në politikë, ashtu edhe ato që binden për të bërë kafet, dosjet apo punët e të tjerëve nëpër zyrë.

Femra ka dinjitet. Atë duhet të nxjerrin në pah sot e pas të sotmes,në vazhdim të kërkesave të ngritura në vitin e largët 1857.

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Cilën BE? Pasqyra e thyer e romëve

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
March 2011
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

%d bloggers like this: