Pasqyra e thyer e romëve

16/03/2011 at 22:35 1 comment

A jemi ne shqiptarët racistë? Nëse po, me siguri vjen nga masa e madhe e racizmit dhe diskriminimit që kemi pësuar, jo vetëm si emigrantë pas vitit ’90, por edhe në shumë momente të historisë. Nëse jo, si shpjegohet zinxhiri i sjelljeve ndaj 45 familjeve me rreth 120 banorë që u dëbuan nga barakat e tyre në fund të shkurtit ? Fillimisht, një grup civilësh të armatosur u dogjën barakat në rrugën “Jordan Misja” .

Në netët e përndjekjes dhe të të ftohtit të athët të Shkurtit, teksa ngeleshin pa dërrasa mbi krye, policia iu përgjigj denoncimit vetëm duke dërguar grupin e gatshëm, që siç merret me mend, nuk gjeti asnjë fajtor në vendngjarje.

Një hap më tej, shoqatat e shumta që merren me këtë pjesë të popullsisë, me shpejtësinë e breshkës, harxhuan ditë të tëra duke “vlerësuar situatën” e duke dërguar letra të gjata pa mbarim në dyert e institucioneve. Media nuk ishte në horizont. Ndërkaq, romët e dëbuar më dhunë nga vendbanimi i tyre modest dhe i paligjshëm, ishin shpërndarë si zogjtë e korbit.

Vetëm kur një misionare angleze që punonte me fëmijët e këtij komuniteti më ftoi të shihja fotot dhe vendin, kuptova se gjendja më bënte të ndjeja turp që veprime të tilla u janë bërë njerëzve të tjerë, pavarësisht prejardhjes që ata kanë. Misionarja bën pjesë në një grup mbështetës që në një vend modest mes barakave të romëve, u mësonin gjërat bazë fëmijëve të këtij komuniteti; higjenën, sjelljen, shkrim, lexim dhe qëndrim social.

Më shumë se gjithçka tjetër, shqetësimi i saj ishte për fëmijët e shumtë të 45 familjeve që ishin akomoduar në atë fushë prej gati 11 vjetësh. Që të nesërmen në mëngjes, ajo ishte vënë në kërkim të familjeve të shpërndara. Njëkohësisht, po përpiqej të mobilizonte organizatat që kanë vetëm një sens orientimi e që nuk lidhet me situata të tilla jo-burimore. Vetëm një numër i vogël familjesh u gjendën në Allias dhe në Selitë, por mes familjarëve, kishte edhe fëmijë e të mitur që mungonin. “ Do kenë vajtur tek kushërinjtë që kemi në Elbasan” – ishte përgjigja e pasigurt e komunitetit.

Në mbrëmje, në edicionet e lajmeve, asgjë. Në mëngjes, në titujt kryesorë, hiç. Të nesërmen, reagim institucional, asnjë. Më në fund, çështja depërtoi në mediat që nuk kanë interesa freskie për qeverinë. U desh pasqyrimi i saj që institucionet të reagonin e të kontrollonin sirtarëve, ku gjetën letrën e gjatë e të tërthortë që kishin marrë nga organizatat që lajmëronin dëbimin e romëve.

Çështjet për t’u parë janë disa: dhuna dhe diskriminimi ndaj këtyre njerëzve është çudi njerëzore e pakapërdishme, po aq sa është dhe thyerje ligjore e patolerueshme. Nëse romët kishin ngritur baraka pa leje (çfarëdo që mund të nënkuptojë kjo), atëherë përpara se të zhvendoseshin prej aty, duhet të ishin marrë masa për ri-strehimin e tyre. Zhvendosja nuk mund të bëhet në mes të natës, as duke iu djegur barakat. Nëse ky komunitet prish imazhin e lagjes apo të kryeqytetit, zgjidhja nuk gjendet duke iu djegur barakën, por duke u marrë seriozisht me strehimin, regjistrimin dhe ri-integrimin e tyre.

Organizatat që kanë projekte për t’u marrë me këtë shtresë, apo edhe institucionet shtetërore që kanë detyrim ligjor të kujdesen për ta, mund të deklarojnë, siç edhe kanë bërë deri tani, se kultura rome është e padepërtueshme, e ata u zhvendoskan si t’iu vijë për mbarë, nuk pranokan të regjistrohen, as të shkojnë në shkollë, e as të integrohen në shoqëri. Këto janë stereotipe që në fakt rëndojnë mbi kurrizin e shumë romëve. E mbi bazën e këtyre klisheve të ngritura, ndihma ndaj këtij komuniteti është e padukshme dhe fondet zhduken të gjitha, si uji në rërë.

Problemi numër dy është reagimi mediatik ndaj kësaj forme diskriminimi. Nuk ka rëndësi fare se ç’shtrese i përkasin. Ata janë njerëz që janë dëbuar nga fjetorja e tyre në mes të natës. Si do ndjeheshin elitarët e këtij vendi po e panë pallatin e tyre në flakë të vënë me qëllim? Ana tjetër e kësaj medalje është se deri sa media vendosi që romët edhe mund të përbënin lajm, reagimi i institucioneve për ta ishte zero. Kjo vërtet konfirmon pushtetin që ka fituar media në ngritjen e çështjeve që kërkojnë reagim, por është ama edhe tregues i një qeverisje që funksionin vetëm në gjendje alarmi dhe publiciteti. Po të mos kishte ndërhyrë media, romët e dëbuar do të vazhdonin të ishin thjesht një çështje që i përket periferisë dhe organizatave që marrin fonde në emër të ndihmës për këtë komunitet.

Problemi i tretë, ai më madhori, lidhet me fatin e fëmijëve të këtij komuniteti, në këtë rast, me fëmijët e pagjetur të 45 familjeve, barakat e të cilëve u dogjën për beton. Po ç’ndodhi me vajzat e mitura të këtyre familjeve gjatë netëve të dhunimit të banesave, djegies së tyre e dëbimit me forcë? Është jo-humane të anashkalosh ngjarje të tilla me justifikimin e thjeshtë “hë, se ashtu janë ata”. Si janë? Në mos prindi i pandërgjegjshëm që është për vete ndoshta fëmijë, cila qenie njerëzore nuk do të kishte tmerr po të mendonte se të miturit e këtij komuniteti janë pre nën vëzhgim për trafik organesh?

Po ç’rëndësi ka se i kujt race është një i mitur që dëbohet natën me shi e në të ftohtë të shkurtit, për të shkuar kush e di se ku? Të regjistruar nuk janë, të mbrojtur jo e jo, atëherë ç’ndodh me këtë komunitet? Atyre iu ka rënë fati i keq të enden në një shtet ku si të vriten 3 mijë, si 26, si katër veta brenda një dite, asnjëherë askush nuk shpallet fajtor, e jo më të mendojë njeri për fatin e trishtë të romëve.

Por është vërtet rrëqethëse të mendosh ekspozimin kaq të hapur ndaj rrezikimit për trafik organesh nën të cilin gjenden fëmijët endacakë, që për më tepër, dëbohen natën nga “strehëzat” e tyre.

Po racizmi nuk ka brirë. Ja, reagime e sjellje të tilla ndaj shtresave të caktuara e bëjnë atë të dukshëm. Fonde ka me shumicë e organizata, institucione, drejtori e njerëz që paguhen për të lehtësuar jetesën e romëve, ka në të gjithë Shqipërinë. Po çdo përpjekje zerohet lehtë nëse pas projekteve të shkruara bukur vjen me urdhër një grup gangsterësh që vë flakën në dërrasat e lodhura që mbulojnë jetët e pambrojtura rome.

Në fakt racizmi ynë shkon përtej tyre. Madje më shumë sesa racizëm, është mungesë tërësore përgjegjësie për pasojat që tejçojmë në jetët e të tjerëve me veprimet që ndërmarrim, në nivel qeverie, ministrie, organizate, televizioni, gazete, individuale apo grupore qofshin.

Sjellja ndaj komunitetit rom është tregues i frikshëm i dehumanizimit që ka kapluar Shqipërinë e lodhur nga tranzicioni, vështirësia ekonomike dhe mungesa e identitetit kulturor në këtë post-modernizëm të falsifikuar. Me ngjarjet që ndodhin çdo ditë, të gjithë jemi nga pakëz romë në mënyrën se si trajtohemi me njëri-tjetrin, apo se si shteti na trajton si individë; të dëbuar nga e drejta për pak siguri e dinjitet.

Ndaj racizmi e diskriminimi është një problem shqiptar, jo rom

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

8 Marsi psikologjik Mos paguani për fushatën

1 Comment Add your own

  • 1. moseyhamiti  |  05/04/2011 at 23:46

    A eshte kombi Shqiptar, pjeserisht, Racist? Racist ne kuptimin e saj te epokes Moderne (Shekulli 19-mid 20)

    Pergjigjja duhet te jete Po!Nje Po e qualifikuar.

    Pike se pari, Shqiptaret, nuk ka mundesi te kene perjetuar Racizmin ne kuptimin Modern te fjales, gjate emigrimeve te tyre ne perendim.

    Paragjykimi, keqtrajtimi dhe sjellja negative qe populli Shqiptar emigrues u ekspozua perben Ksenofobi postmoderne dhe jo Racizem klasikal.

    Me nje fjale “racism“ postmodern jo i bazuar ne hyjni, gjyre dhe evolucion por ne faktoret socio-politik and ekonomik.

    Greqia qendron e veteme ne Evrope qe ben nje sinteze efektive te modernity dhe post-modernity, ku ksenofobise kultorore shqiptare i hidhet nje doze e konsiderushme racizmi nepermjet mithit qe Shqiptaret sidomos ata me perkatesi muslimane jane Asiatike Turko-Mongolian. Kjo per aresye gjeopolitike.

    I perkasim races me raciste ne bote (asaj te bardhe) dhe gjeografise Evropiane dhe si pasoje se jemi jo ndryshe nga Evropianet e tjere…racist.

    Dhe pse nuancat mik-pritese nga epocha feudale vazhdojne te kene nje presence, Shqiptaret kane rezervime raciste klasikale drejt botes Mulate.

    Pervec adorimit dhe idhulimit te perendimit dhe paradoksin qe ky adorim mbart, Shqiptaret jane dhe ksenofobe, homofobe, paragjykues dhe mendjengushte konservative.

    ….dhe sic historia Otomane dhe tani ajo Atlantike deshmon, servila, dembele ne krijim dhe si resultat pastico…pa orgjinalitet ne vetkultivim.

    Persa i perket sjelljes se Shqiptaro-ilireve dhe disa politikave institucionale drejt Arixhinjve Shqiptare ajo me te vertet perben Racizem klasikal.

    Politika mos integruese (nje lloji proto post modern policy) qe qeveria shume-vjecare diktatoriale ndoqi ku Arixhinjte u lejuan te praktikonin menyren e tyre te jeteses, ishte I demshem per rritjen e nivelit te jeteses se Arixhinjte.

    Per me teper ne postdiktatorialism, politika mos integruese e siper permendur , perben nje rrezik ku ky skizem i trashguar dhe thelluar 20 vitet e funded potencialisht perdoret si vegel per dobesimin e shtetit-komb Shqiptar.

    Gjate 20 vjeteve te fundit ideollogjia dominuese eshte ajo kapitalo-klientaliste ku shteti nuk eshte aktori qe garanton punen, mireqenien etj por eshte nje “tribut mbledhes officer“. Arixhinjte si gjithe ne te tjeret ne mungese se nje “shteti per qytetarin“ duhen te marrin pergjegjesi per veten.

    Eshte e cuditeshme qe njerezit shikojne tek nje shtet kliental si institut qe duhet te furnizoje mjete jetese. Shteti kapitalist siguron vetem siguri jetese dhe jo mjete jetese. Si mund te kete nje shtet kapitalist detyre ligjore per mireqenien e nje nen shtrese qe ajo vet krijon? It is a contradiction in terms!

    Me siguri jetese kuptoj rendin publik ku qytetari eshte i lireshem nga krimi.
    Ne kete pike shteti Shiptar denohet shume ashper per mos zbatim ligji.
    Qe Arixhinjte ishin duke thyer ligjin vete me ato “favelat“ e tyre nuk eshte nje justifikim per te sipermarre nje aktivitet kriminal si kjo qe ndodhi.

    Nderkohe jam shume kritik per shoqatat dhe NGO’s qe u imponohen shteteve dhe komuniteteve. Nga e marrin autoritetin keto shoqata? Eshte dukshem qe e marrin nga arroganca e tyre, te vet-deklaruar me moral superior, neokoloniale, dhe pse te maskuar ne jargonin e postmodernity!

    Dhe me gjithate qe nje te kuptoje racizmin klasikal drejtuar arixhinjve une pyes. Cila eshte ajo dukuri qe e nxjerr racizmin ne pah me ndjeshem?

    Eshte hendeku ekonomik dhe diskriminimi ekonomik? Po a nuk eshte vete jeta dhe systemi ekonomik diskriminues.

    Jo aspekti ekonomik dhe ndonje rrahje sporadike midis grupeve, nuk mund te jete ajo qe nenvizon racismin e Shqiptaro- Ilireve drejte Shqiptaro-Arixhinjve.

    Racismi klasikal Shqiptaro-ilir nuk eshte i strukturuar psikollogjikisht si ai ne perendim. Ne perendim Racismi klasikal dhe shfrytesimi qe vijon i eshte nenshtrurar transformimit postmodern me qellim per ta bere me efektive kete shfrytesim dhe sklaverim.

    Atehere Racismi klasikal shqiptaro-ilir drejtuar arixhnjeve shqiptare eshte vetem 50% Racist klasikal. 50% eshte jo racist por i influencuar nga sistemi i vlerave fisnik/evgjit dhe jo domosdoshmerisht ilegjitim. Se pyetja lind: Sa vajza labe martohen me nje Arixhi? Kjo eshte ajo essenca e skizmit shqiptaro-ilireve dhe shqiptaro-arixhinjve.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

March 2011
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

%d bloggers like this: