Mos paguani për fushatën

26/03/2011 at 11:04 Leave a comment

A po paguajmë vetë për fushatën elektorale? Po dhe pa mëshirë. Dy janë mënyrat më të dukshme dhe më irrituese të javëve të fundit; faturat e energjisë dhe çmimi i naftës. “Unë refuzoj të financoj investimet që do bëni ju për fushatë. Nuk iu lejoj të më vidhni” – shkruante një koleg në ankesën zyrtare drejtuar mbledhësve të faturave për energjinë e papërdorur.

Jeni çuditur edhe ju me faturën e fryrë të Janarit apo të Shkurtit? Marsi do jetë akoma më keq. Fatura mujore prej 34 mijë lekësh të reja për një apartament 2+1 duket e pabesueshme? Epo ja që është e vërtetë. Shumica dërrmuese e faturave të Shkurtit janë të tilla, tre apo katërfish më të larta se muaji paraardhës. Përse kjo sjellje ndaj konsumatorit?

Vërtet tani sistemi i shpërndarjes dhe ai i furnizimit janë privatizuar, por kjo nuk do të thotë se varësia me institucionet shtetërore u shkëput. Përkundrazi. Se si dhe sa do të qarkullohen paratë e qytetarëve është punë e brendshme e kontratë-shënuesve për furnizimin me energji; ama ai që do paguajë, dhe do paguajë më shtrenjtë nga c’i shkon imagjinata, është konsumatori. Ai i rregullti. Ai që paguan gjithmonë. Ata që nuk paguajnë, rezultojnë më të fituarit. Si prag fushate që është, bujari kryeministër ofroi edhe një amnisti për të gjitha faturat e pa-paguara deri në Mars 2009. Shifra është rreth 38 miliardë lekë.

Po energjia e konsumuar është blerë, është shpërndarë, është konsumuar, e kostoja e saj ka qenë e lartë. Amnisti nuk do të thotë thjesht “falje”. Amnisti do të thotë “votë” për zgjedhjet lokale, por edhe “dyfishim pagese” për paguesit e rregullt të energjisë.

Po pse kjo politikë? Epo si do plotësohen ndryshe ato 38 miliardë lekë “të falura”? Ta lëmë mënjanë lojën e gërmave për furnizuesit e energjisë; këto para do përfundojnë për financimet e fushatës elektorale. Në mos para në dorë, me to do ndriçohen reklamat që do mbijnë së shpejti rrugëve të qyteteve tona. Tabelat gjigande me fytyrat e burrave që do kandidojnë, duan ndriçim e zbukurim ekstra, që kërkon kosto të lartë. E kjo nuk do mbulohet as nga partitë, as nga operatori i shpërndarjes. Jo. Këto shpenzime do paguhen nga xhepat tanë, nëpërmjet faturave të fryra të energjisë.

Në këtë kohë të shëmtuar vjedhjesh, qytetari i shkretë duhet të rimbursojë amnistinë për ata që nuk paguajnë, dhe të financojë fushatën elektorale që ka filluar tashmë të na marrë frymën.

Çmimi i naftës është dhunimi tjetër i paskrupullt që po i bëhet shqiptarëve. Skandali me falsifikimin e eksportit të naftës jo-cilësorë e të papërpunuar, që është shitur në fakt në tregun shqiptar, vazhdon akoma të ngelet në ajër. E megjithatë, lufta ndaj tij është përqendruar tek peshqit e vegjël të industrisë së saj. Çmimi i naftës në disa pika karburanti në Tiranë shënon sot mbi 180 lekë për litër. Po kjo është 1.20 euro, që i bie më shtrenjtë se në vendet e BE-së, të cilat marrin naftë të pastër, e paguajnë taksa të vërteta. Konsumatorit shqiptar i mbushet serbatori me naftë me rërë e i zhvaten edhe të gjitha paratë e portofolit për të lëvizur deri në Durrës.

E cilat janë masat e marra për këtë abuzim skandaloz? Arrestohen dy anonimë dhe premtohet publikisht se do të vazhdojë mbikëqyrja “e rreptë” ndaj pikave të karburantit. Po c’mbikëqyrje, kur shpërndarësit e naftës janë financues botimesh, gazetash e reklamash që mbajnë gjallë shtypin partiak e ruajnë interesin e të gjitha palëve, përveç atij konsumator?

Financimi i partive politike ngelet një enigmë e pazgjidhur, që shpesh adresohet edhe nga raportet ndërkombëtare për Shqipërinë. Por si konsumatorë, shqiptarët nuk kanë nevojë ta dinë se nga vinë paratë për të bërë reklama super të shtrenjta televizive, për të bërë postera, pankarta, tabela ndriçuese, koncerte amatoreske ku të vetëshpallurit këngëtarë politikë marrin miliona lekë për një pseudo-këngë; të gjitha nga xhepat tanë vijnë. Çdo lek i mbi-paguar apo i pa marrë në formën e shërbimeve apo investimeve publike aty depozitohet, tek fondi për fushatë. Dhe me paratë e zhvatura nga vjedhjet, korrupsioni, përdorimi i fondeve publike, tjetërsimi i tenderave, shkatërrimi deri në palcë i mundësive për të investuar për të mirën e të gjithëve, e së fundi, edhe rritja abuzive e çmimeve të energjisë dhe të karburantit, janë të gjithë mënyra që grumbullojnë paratë tona në xhepat e grisura të politikës.

Në Greqi ka nisur një lëvizje që kundërshton shpenzimet e politikanëve dhe rritjen e çmimeve për shërbimet ndaj qytetarëve, që nevojiten për të mbushur babëzinë e politikës. Është e udhës që të bëhet edhe në Shqipëri një lëvizje e ngjashme, sepse me financimet që vijnë përmes pagesave abuzuese, ne vazhdojmë të mbajmë në pushtet njerëz që na vjedhin jo vetëm paratë, por edhe dinjitetin.

“Nuk Paguaj” thonë fqinjët në lëvizjen e tyre. Dhe sipas kryeministrit, edhe në Shqipëri, po të mos paguash, del më i fituar. Po të paguash në mënyrë të rregullt, zhytesh në shpenzimet e tua e të të tjerëve, që t’i faturon qeveria.

E vështirë të besosh se sa shumë presin prej xhepave të qytetarëve të gjithë ofruesit e shërbimeve. Jo shumë. Gjithçka presin. Deri në kacidhen e fundit. Pastaj kërkojnë edhe vota e transparencë zgjedhore.
Shqipërinë s’e mori turku, o Çajup. Shqipërinë e mori babëzia, i vu zjarr, e s’ka shqiptar që ta shuajë, s’ka shqiptarë. Mjaft punuam për njërën palë, jemi fatkeqë, tani pushtetin e do e majta, prish e ndreq. Luftë brenda llojit kjo që na ka zënë, e Çajupi qante Turqinë. Po këta kapedanët e sotëm të zhvatjes shqiptare deri në palcë, ku t’i degëdisim?

Zgjidhja e momentin që sugjeron kryeministri duket të paktën e arritshme: mos paguani, se të gjitha shanset janë që do iu falen pagesat e prapambetura pas dy vitesh.

E nuk ka 270 mijë familje me ndihmë ekonomike në Shqipëri, se shteti 96800 të tilla paguan (sipas Instat, faqja zyrtare, shifrat 2010). Ndaj këtë amnistinë e 174 mijë familjeve të tjera nuk kam pse ta paguaj as unë, as ata që kanë paguar deri më sot.

Sa keq jemi fundosur!

Entry filed under: Koment. Tags: .

Pasqyra e thyer e romëve Jo fëmijë në fushatë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
March 2011
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

%d bloggers like this: