Çmimi i shpërfilljes elektorale

05/04/2011 at 20:07 Leave a comment

Sa kandidatë për kryetar bashkie ka në Tiranë? Deri tani po shohim vetëm një. Edhe pse fushata elektorale ligjërisht nuk ka filluar, publikisht e në media po bëhemi të gjithë dëshmitarë të axhendës së ngjeshur elektorale që po bën këto ditë kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulëzim Basha.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka deklaruar në listën që i ka dorëzuar KQZ-së se kandidati i saj për Tiranën është Edi Rama. Zyrtarisht, mund të jetë kështu. Por realisht, akoma nuk është dhënë rasti të shohim përqasjen personale të kryetarit aktual për mandatin e tij të katërt.
Po pret datën 8 Prill që të respektojë ligjin? Bukur do ishte për t’u besuar, po ja që shpura e tij e kandidatëve për kryetarë të mini-bashkive në kryeqytet, nuk të lë ta ëndërrosh këtë përqasje.

Fushatës intensive dhe vizitave në terren që po kryen sipas një programi dukshëm të orkestruar me kujdes Lulëzim Basha, i përgjigjen fytyrat e vrara e gjoja ironike të punonjësve aktualë të Bashkisë së Tiranës e të Partisë Socialiste. Në zë mundohen të mos kenë asnjë ndryshim nga Rama. Edhe në mënyrën se si i drejtohen Z. Basha me versionin e shkurtuar të emrit, tamam ashtu siç e thërret publikisht edhe kryetari i tyre. Mirëpo teksa Basha ndjek planin e hartuar me sa duket gjithë përkujdesje nga ekipit i tij, e majta ka filluar të shfaqet edhe në ekranet e saj të preferuara vetëm si pjesëz reagimi pas vizitave të Bashës.

Refreni ka qenë i njëjtë gjithë javën e fundit. Jepet një lajm për takimin e kandidatit Basha me banorë të një zone në Tiranë, menjëherë pas saj, reagimi i partisë socialiste, që pavarësisht emrit apo gjinisë së përfaqësuesit, përherë përmblidhet në: “Luli nuk merr vesh nga Tirana. Unë jam këtu për të garantuar qytetarët se ai nuk di as ç’flet dhe as ç’bën”.

Ndonjë fjali sqaruese se çfarë di Partia Socialiste më shumë dhe ç’do ofrojë ajo, nuk ka. Por reagimi mbyllet këtu, sigurisht pa harruar t’i drejtohen kandidatit kundërshtar për të dhënë llogari për akuzat ndaj tij në periudhën kur ishte Ministër i Transporteve dhe ngjarjet e Janarit, teksa ai ushtronte detyrën e Ministrit të Brendshëm.

Mirëpo Basha vazhdon fushatën. Së bashku me ekipin e tij, ai del nëpër Tiranë, viziton lagje, takon njerëz, dëgjon, kushton vëmendje. Edhe buzëqesh e akuzohet rëndë për dozat e saj. Po as nuk do ishte vënë re fare frekuenca dhe natyra e takimeve të tij, sikur Partia Socialiste, nëpërmjet imitueseve të Edi Ramës, nuk do reagonte pas çdo vizite, takimi e deklarate që bën kundërshtari politik, Basha.

Ama Basha, si kandidat që është, del vetë, flet vetë, ecën rrugicave të pashtruara që s’janë të pakta në Tiranë, dhe po konsolidon imazhin e një kandidati real për Bashkinë. Kurse nga kampi socialist, pas daljeve të Bashës, ka reaguar Shalsi, Nikolla, Shamku, Dhimitri, prapë Shalsi, prapë Nikolla. Po Rama jo. Hiç. Doli vetëm të thotë se mbështetësit e LSI-së vunë në dyshim sigurinë e jetës në Tiranë teksa qëlluan me armë zjarri në mes të ditës kryeinspektorin e policisë ndërtimore të bashkisë së Tiranës. Këtu e la deklaratën. Me të tjerat, sipas tij, duhet të merret prapavija.

Ramës mund t’i duket punë pa bereqet fushata për Bashkinë e Tiranës. Mund edhe ta konsiderojë humbje kohe. Sjellja e tij e deritanishme këtë tregon. Ama nëse ai është mërzitur kaq pak me Tiranën, Tirana mund të jetë mërzitur akoma më shumë me të. Kryebashkiaku, i cili që prej zgjedhjes në krye të partisë socialiste në vitin 2005, zor se ka kontribuar personalisht më për Tiranën, duket se e ka marrë lehtë-lehtë këtë fushatë.

Mirëpo besimi i tepruar për fitoren dhe shpërfillja e disa hapave në fushatë, mund t’i kushtojë rëndë Ramës.

Në zgjedhjet e 8 Majit, ai do ketë rreth 20 mijë vota më pak, teksa aleatja e dikurshme LSI është shndërruar sot në rrezikuese të sigurisë në mes të ditës (sipas PS-së). Nuk ka tregues të besueshëm të thonë se 20 mijë votuesit e LSI-së do votojë patjetër për PD-në këtë fushatë. Por e sigurt është që as për PS-në nuk votojnë. Përse?

Thjesht sepse Rama nuk po iu paraqet asnjë alternativë.
E Tirana nuk e ka arritur luksin e jetesës moskokëçarëse, saqë njerëzit të jenë super të lumtur me atë që kanë në kryeqytet, e të vazhdojnë të jetojnë me imazhin e 11 viteve. Jo. Njerëzit duan të dëgjojnë që

Rama është pro reformave të mëtejshme në qeverisjen lokale, që e vlerëson kundërshtarin dhe e sfidon atë me qëndrime të drejtpërdrejta e me fushatë që ka në qendër popullin, jo gabimet e Bashës.

Gjuha jo-formale dhe mënyra me të cilën të majtët i drejtohen kandidatit kundërshtar ka vetëm një efekt; rrit kredencialet e tij tek votuesit. Rama e di këtë më mirë se kushdo tjetër, sepse kjo taktikë e gabuar, e përdorur në 2007-ën nga Berisha, ishte pikërisht momenti që i dha fitoren përfundimtare Ramës. Gjuha e ashpër e Berishës, fotot personale të Ramës dhe sulmet e panumërta ndaj tij, dhanë efektin e kundërt tek votuesit. Nuk është çudi që edhe në këto zgjedhje, të ndodhë e njëjta gjë. Sulmet dhe pseudo-thirrjet ndaj Bashës, kanë shumë gjasa të përkthehen në vota më të shumta për të.

Votuesit janë të lodhur nga diskurset e gjata e të pavlera politike, ku palët shajnë, e shajnë, e shajnë njëra-tjetrën, bash ashtu siç e meritojnë në fakt. Po të paktën, mes kësaj rrëmuje të sharash e akuzash ndaj kundërshtarëve, ekipi mbështetës i Bashës duket se po fiton terren me mënyrën që ka zgjedhur për ta këshilluar kandidatin e tij.

Afrimi me votuesit, kushtimi i vëmendjes, dëgjimi i shqetësimeve, dhënia e premtimeve, që kanë për t’u realizuar po aq sa ato që u dhanë në 2009-ën, në 2007-ën apo edhe në të gjitha zgjedhjet e tjera të mëparshme.

Po ç’rëndësi ka? Të paktën Basha e merr mundimit që qytetarit t’i kushtojë disa minuta kohë, edhe pse ato janë televizive.

Kurse siguria e Ramës se do të fitojë pa pasur nevojë për fushatë, është një egoizëm që ka gjasa t’i kushtojë shtrenjtë. Supozimi i fitores në xhep është disi i tepruar, veçanërisht kur nuk mbështetet në performancën personale të tre viteve të fundit, por thjesht në gabimet e kundërshtarit.

Ishte e pritshme në fakt që edhe ekipi i përgatitjes së fushatës së Ramës të kujdesej e ta këshillonte atë për fushatën që nuk është e lehtë si në 2004-ën, as e sigurt si në 2007-ën. Por injorimi i hapur për votuesit dhe mungesa e kontaktit me ta, nuk çon vota në kutitë e majta.

Po me sa duket, strategjia e vetme e socialistëve në betejën për Tiranën, është nulifikimi i personalitetit politik të kundërshtarit Basha dhe përhapja e panikut ndër votuesit se me të, Tirana nuk ka të ardhme.

Të dyja në fakt kanë provuar në Shqipëri dhe tjetërkund të botë se japin efekt të kundërt tek votuesit, veçanërisht tek të lëkundurit e të zhgënjyerit nga politika, që sot në Tiranë janë në numër të madh.

Sa për informacion shtesë, beteja për Tiranën bëhet në Tiranë. Çdo komunikim tjetër i tërthortë thjesht hap rrugën për atë që Tiranës do t’i dalë më shumë për zot këtë fushatë.

Gjithmonë nëse pazaret politike nuk merren parasysh. E në këtë rast, shenjat e para duken qartë. Tirana po flet përditë.

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Jo fëmijë në fushatë Dominimi i gabuar femëror

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2011
M T W T F S S
« Mar   May »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930  

%d bloggers like this: