Dominimi i gabuar femëror

18/04/2011 at 14:02 1 comment

Çfarë çlirim që nuk ka shumë kandidate femra për këto zgjedhje. Deklaratë e çuditshme? Duhet të jetë, për më tepër që vjen nga një femër. Akoma me keq, që autorja është pjesë e një sërë lëvizjesh dhe projektesh për të rritur rolin dhe prezencën e femrës në jetën publike e atë politike.

Po përse ky qëndrim? Një emision televiziv ishte shtysa. Por akumulimi ka ardhur nga shumë të tillë, ku një grup i mirë femrash, me arrogancën, boshësinë dhe narcizizmin e tyre, të detyrojnë jo vetëm të thuash “Shyqyr që këto nuk i vë njeri në listë”, por edhe të bëjnë fajtore për gjininë.

Nuk është hamendësim. Nga ana sasiore, në 50 minuta që ndoqa bisedën televizive, femra në fjalë ka folur 35 minuta, që përbën 70% të kohës. Pjesa tjetër, përfshin drejtuesen, tre të ftuarit e tjerë, audiencën dhe publicitetin.

Në anën cilësore, me një analizë të thjeshtë diskursi, po të shohësh shpërndarjen e kësaj kohe televizive me të gjithë parametrat e saj, vihen re oshilacionet e prera të përdorimit të zërit, që kapin majat në momentin ku fliste femra e vëzhguar dhe zbriste në tone të një bisede normale kur flisnin pjesëtarët e tjerë në studio. Nga ana përmbajtjesore, fjalët më të përdorura janë “unë” dhe “kam”.

Ndërprerja e fjalës për të ftuarit nuk mungoi në asnjë rast. Përgjigja e drejtpërdrejtë për pyetjet e drejtuara ishte afër zeros. Përsëritja në të paktën 17 herë e togfjalëshit “Më fal, po unë nuk kam mbaruar” ishte treguesi i mungesës së respektit për bisedën, mbivlerësimit për ligjëratën personale, zhvlerësimi i grupit dhe mungesa e aftësisë për të dëgjuar.

Sa i përket gjestikulacionit, ai i shkonte për shtat agresivitetit të fjalëve. Gjysma e trupit përherë përpara, koka lëvizte shpesh për të çuar flokët një herë para, pastaj anash, pastaj pas e anash sërish. Këmbët lëviznin me zor këpucët e rënda, kurse duart e kalonin hapësirën personale prej 45 cm nga trupi. E gjitha në kërkim të vëmendjes, që kërkohet me çdo kusht; me zë të lartë, me vetë-vlerësim, me fjali urdhërore, me përdorim të theksuar të përcaktorëve kohorë, me luftë të pareshtur për dominancë.

Rasti, fatkeqësisht nuk është i vetëm dhe as nuk ndodh thjesht në ekran. Ligjëratat femërore që nisin e nuk mbarojnë dot me kollaj duke parashtruar CV të qena e të paqena bukurie, shkollimi, zonjësie, aftësish e meritash, sjellin një imazh kaq antipatik për femrën, sa detyrohesh të lumturohesh që nuk iu jepet të gjithave shansi të jenë pjesë e jetës publike apo politike.

Që të fashiten hamendësimet për ndjesi apo emocione personale, vlen të përmendet se shembuj pozitivë të femrave në publik ka, edhe pse fatkeqësisht, janë të pakta; Ermelinda, Ana, Renata, Ermonela, Silvana, Ela, Eglantina, Eva, Anjeza e të tjera, janë politikane, aktore, këngëtare, drejtuese programesh e institucionesh me të cilat ta ka ënda të punosh e t’i dëgjosh. Por janë minorancë. Dhe kanë shumë pak hapësirë në media apo në publik. Dhe sot, gjinia femërore nuk përfaqësohet nga to, por nga Jozefina, Albana, Olta, Ledi, Erisa, e simotrat e ngjashme në media, politikë apo jetën publike. E modeli i tyre përhapet më shpejt sesa i grupit të parë.

Ndaj femra që solla si shembull në pjesën e parë të shkrimit, është më dominante dhe në kërkim të përhershëm të vëmendjes, edhe pse duhet të ndjente turp për gjërat që pretendonte se zotëronte.
Inteligjenca nuk është ngjitëse. As nuk vjen duke thirrur me zë të lartë “Unë jam e zgjuar, ndaj duhet të më dëgjoni/shikoni/votoni pa tjetër”. Inteligjenca ka ca tregues fare të thjeshtë matjeje, asnjëri prej të cilëve nuk bie në kategorinë e arrogancës shpjeguar edhe nga vëzhgimi më i thjeshtë.

Ndaj edhe po i përgjigjem me këtë rast thirrjes që ish presidenti Mejdani bënte pak ditë më parë në shkrimin e tij “Gra e vajza, reagoni”. Po, kështu duhet të ishte. Jam edhe unë pro përfaqësimit më të lartë femëror. Por me femra që pretendojnë se bëjnë Mastera, por në fakt nuk dinë as të respektojnë një bisedë të thjeshtë, e jo më të argumentojnë, ligjërojnë apo të mendojnë, vështirë se mund të pranohet kollaj që gjinia femërore në Shqipëri të reagojë për të pasur më shumë të tilla që të na drejtojnë, politikisht apo publikisht.

Modeli femëror që po promovohet sot është i trishtueshëm dhe dekurajues. Edhe meritokracia e ka humbur tashmë kuptimin. Zaptuar e tjetërsuar është edhe ajo.

Rastet tregojnë se vajzat e mençura e punëtore që kam njohur dy vitet e fundit në Shqipëri me projekte të ndryshme për promovimin e tyre politik, kanë qenë gjithmonë më të duruarat, më të sjellshmet dhe më të fjalë-pakat. Jo se nuk kishin gjë për të thënë. Përkundrazi, çdo gjë e argumentuar prej tyre qëndronte dhe duheshin dëgjuar me vëmendje. Por fatkeqësisht, ato gra dhe vajza nuk bëjnë dot përpara. Jo se nuk i lënë meshkujt, politikë apo shtëpiakë, por sepse nuk i lënë femrat, përfaqësueset dominante të gjinisë “së dobët”.

Më vjen ndër mend një prezantim i Z. Mejdani, i cili thotë se i ka bërë përshtypje që në kohën kur ishte president, iniciativës për kuotën gjinore nuk iu kundërvunë meshkujt, por femrat vetë.

Me parimet biologjike, lufta brenda llojit ngelet vërtet me e ashpra. Ama sot ajo është edhe më frenuese. Si në rastin e shqyrtuar në krye, ashtu edhe me modelet politike, mediatike apo artistike, është e vështirë të mbash gjallë dëshirën për të reaguar, për të kërkuar, apo për të nxitur përfaqësimin gjinor. Stereotipet femërore që imponon dhe promovon sot jeta shqiptare, në vend që të të nxisin për reagime, të bëjnë të ndjesh keqardhje për gjininë dhe për përfaqësueset e turpshme të saj.

Kundrejt këtij grupimi po, duhet reaguar patjetër. E sa të shuhet bindja, dëshira dhe vetë-besimi arrogant që kanë gratë dominante, është gjynah të kërkosh numër më të madh femrash të tilla në publik.
Kjo kërkon që të paktën kasta e tanishme e femrave të tejngopura me veten të fashitet, pastaj të shpresojmë se durimi, eleganca, mençuria, këmbëngulja, përkushtimi dhe modestia femërore, do të gjejë terren me të vërtetë. Edhe sot e meriton, por lavdinë e ka në dorë antidoda femërore. Ndaj, durim!

Entry filed under: Media, Politikë, Sociale. Tags: .

Çmimi i shpërfilljes elektorale Kujdes, të rinjtë kërkojnë

1 Comment Add your own

  • 1. ne  |  02/07/2011 at 23:21

    nuk kam durim ta lexoj te teren por je nje analiste e perkryer e jo shkrimtare qe synon artin e shkrimit te bukur…konkluzioni im eshte se kjo shoqeri po del nga frikat e se shkuares kemi frike te jemi te vertet te sinqert dhe te pranoim thjeshtesin…ne nuk njofim te bukuren e jetuar ne grup ne kemi pake besim te koncepti ne e shperfillim ate dhe nuk investoim per te ne nuk punojme te jemi pjese e ne por e unit….dhe po ta veshe re krijojim individe absurd qe qe me unin e tyre te ushqyer nga pasiguria e ne -s izolohen ne une.si e vetmja keshtjelle e sigurt mendoi se eshte e rendesishme qe te kemi sa me shume aktivitete me temen ne per te dale nga kjo shoqeri tmersisht dhe me te drejt sepse eshte ushqyer nga rethanat komuniste te izolimit ne une.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2011
M T W T F S S
« Mar   May »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930  

%d bloggers like this: