Kujdes, të rinjtë kërkojnë

21/04/2011 at 09:34 1 comment

Media, partitë dhe votuesit, janë përgjegjësit kryesorë që po vendosin sot se si do të jetë e nesërmja e studentëve, e rinisë shqiptare pas 8 Majit. Thelbi është i mesazheve që dhanë president i republikës dhe ambasadorët e SHBA-së, BE-se dhe prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Përzgjedhja e një universiteti publik, a atij të Vlorës, me audiencë të rinjsh, me gjuhë jo fort retorike e me kambana që binin për të tërë, e bënë aktivitetin të eklipsonte për disa orë fushatën e ndezur për zgjedhjet vendore.

Mesazhet ishin disa: Përmbajuni kodit për të cilin ratë dakord brenda natës; ndalni dhunën verbale e mbi të gjitha, frenoni incidentet mes mbështetësish; këto zgjedhje nuk janë paradë mode apo konkurs bukurie për burra të shkuar në moshë, por janë garë për të identifikuar dhe zgjedhur manaxhuesin më të mirë të njësive vendore. E pas gjithë mesazheve politike, ku duket qartë se nuk do të ketë mbështetje për ëndërruesit me kokën mbi re, takimi me studentët u mbyll me një pyetje naive. Aq naive, sa edhe e vrasëse në thjeshtësinë dhe vërtetësinë e saj: “ A do të kemi një vend pune ne që mbarojmë universitetin? Se për në politikë e shohim që nuk të hap rrugën kush”.

Pyetja ishte e një studenteje në Vlorë. Por në takime të tilla, ashtu si edhe në çdo shfaqje nga këto elektoralet që po shohim me shumicë së fundmi, punësimi është tjerrë aq hollë si term, saqë nga pikëpamja politike, ka humbur çdo lloj kuptimi.

Në total, duke kombinuar premtimet e të gjitha partive që bëjnë fushatë, në Tiranë do të hapen rreth 100 mijë vende pune në tre vitet e ardhshme. Është e paqartë nëse këto do të jenë po ato vende pune që u premtuan në zgjedhjet e 2009-ës, e janë lënë që këto vende “të hapen me lopatë” në vitet që kanë ngelur, apo janë vende shtesë mbi 260 mijë vendet e punës premtuar vetëm dy vjet më parë.

Pyetja e studentes nga Vlora fshikullon në fakt jo vetëm nivelin e lartë të aktivitetit zhvilluar në auditorët e universitetit të saj, por edhe katër faktorët kyçë që timonierët politikë përcaktojnë si vendimtarët e situatës.
“ A do të kemi ne një vend pune?”, si shuplakë e parë i shkon medias, që pasqyrimin e fushatës e përqendron tek retorika politike, kurse përmbajtjen jo-elektorale të programeve të saj, i ka të mbingarkuara me një turli çështjesh gjithaq të politizuara ose ngjyrosura me rozë, që për gjithçka flasin, vetëm për punësim të rinjsh, jo.

Në faqen tjetër, shuplaka i shkon politikës, që qytetarëve iu ka marrë gjithçka, përfshirë edhe të drejtën për të ngritur me dinjitet pyetje të tilla që janë zhvlerësuar sot prej saj: “ A do të gjej një punë unë kur të mbaroj studimet”? Vendi ka sot 37 universitete, publike dhe private, që nxjerrin njerëz me diploma të diskutueshme. Ka edhe 41 shkolla profesionale që diplomojnë profesionistë të nivelit të mesëm. Ka edhe 10 qendra profesionale publike e një numër të madh qendrash formimi jopublike, që pajisin me zanat apo certifikatë mijëra të rinj në vit, që presin të punësohen. Të gjithë së bashku, me diploma, certifikata e kualifikime, gati për në tregun e punës, në të gjitha hallkat e tij, ka rreth 120 mijë të rinj shqiptarë në vit. C’rëndësi mund të ketë politika për këta të rinj?

Standardet evropiane, ato botërore e më tej në qofshin, janë vërtet të rëndësishme për t’u arritur dhe çekani mbi kokë duhet t’i rrijë politikës për to. Po kur politika merret me emra, pseudonime, nxitje konfliktesh, asgjësime jetësh e përgjegjësish, kur të njëjtët njerëz që kanë vendosur për jetën e një çifti të ri në 1991-in, vendosin edhe sot për fëmijët e tyre, e si atëherë, edhe sot, duke mos i mundësuar as siguri, as punë, as jetë e dinjitet, c’rëndësi mund të ketë për votuesin politika? Për çfarë progresi mund të flitet apo bërtitet, kur media zgjedh të bëhet palë e propagandës, e në mos jehonë, të ushtrojë censurë moderne për t’i shërbyer gjithkujt, përveç qytetarit?

E jo çdo qytetar të thjeshtë, por vërtet, brezit të asaj studenteje, që pasi dëgjoi me durim e më orë të gjata deklaratat politike të gjithkujt që hipën piedestaleve për të drejtuar jetën e saj (media, politika, prezenca ndërkombëtare), guxon ta prishë pakëz atmosferën e fjalëve të mëdha, kambanave e nënkuptimeve në këtë fushatë sureale, dhe pyet fare thjeshtë: “ A do të ketë një vend pune për ne”?

Vend pune do të ketë kur tregu ka kërkesë. Kjo kërkesë rritet kur ekonomia gëlon, kur ka prodhim vendas, produktesh e shërbimesh, kur ka investime të huaja, kur ka ujë që rrjedh. Këto ndodhin kur vendi jep siguri të pranueshme për investime e kur të paktën një e dhjeta e deklaratave politike, kanë diçka të besueshme. Në rastin aktual, vajza jo vetëm që nuk ka shans punësimi, por rrezikon akoma të ngelet objekt i të qeshurave që shpërthyen në sallë për çështje kaq të thjeshta e jo-politike (në pamje të parë), e që ngelën jashtë vëmendjes politike apo mediatike. (të gjithë ata që janë në politikë kërkojnë përfitime, punë për vete e për farefisin, por jashtë tyre, nuk ka mundësim punësimi për askënd)

Po kush do ta ofrojë vendin e punës? Kush do t’i bëjë politikat për to, në nivel qendror apo lokal? Do t’i hartojnë, përcaktojnë dhe dirigjojnë të akuzuarit, të fshehurit, vrasësit, shkelësit e ligjit, thirrësit e paturp të epiteteve, prishësit e ekuilibrave institucionalë, pronarët e Shqipërisë së shitur, regjistruesit e të regjistruarit që bashkë me sytë, vënë në lojë edhe logjikën e qytetarit? Apo përdoruesit e drogës, shpërndarësit dhe furnizuesit që zhduken pa lënë gjurmë, edhe pse janë guri i qoshes? Apo do e hartojnë kornizën e të ardhmes së këtyre studentëve flamurtarët e avokatisë së pa kërkuar që e lënë në baltë bindjen e Luigjit XIV me forcën e tyre zbatuese të arrogancës “Ligji jam unë”?

Me siguri këta do e bëjnë, se sjellja e përhershme e grupimit të mësipërm, duke ushqyer auto censurën edhe të mendimeve të masës, e ndrydhin individin deri në atë pikë, sa t’i duket e pavend të pyesë drejtpërdrejt një auditor të lartë “A ka punë”?

Pyetja nuk ishte për presidentin. As për ambasadorët. Pyetja është për gjithkënd që ata mbështesin ose mbështeten. Vende pune nuk ka sepse zhvillimi ka ngecur për shkak të ndyrësive politike që bëhen në kutinë shqiptare të shahut, ku i gjithë populli është kthyer edhe një herë tjetër ushtar.

Vende pune nuk ka. Arsyetimi i vetëm para kutisë së votës mund të jetë vetëm “ cili nga këta njerëz e menaxhon më mirë mundësinë që unë të punësohem, ose të paktën, të jetoj me shpresë dhe pa frikë”? Siguria tashmë nuk është thjesht tek zbrazja e portofolit para se të mbushet, por edhe tek frymëmarrja si proces biologjik, që me një fjalë goje, mund të shndërrohet në temë mediatike për dy-tre ditë. (në rastin më fatkeq).

Shqipëria po thirret të votojë për një lumë burrash që kanë mbirë majë shtyllave reklamuese në çdo cep të vendit. Pyetja e studentes nga Vlora është e njëjtë për të gjithë: “ A ka vende pune”? Të rinjtë thërrasin për gjëra tokësore. Për hir të tyre, është mirë të mos shkrumbohemi edhe një herë. As nga media, as nga politika.

Entry filed under: Politikë, Sociale. Tags: .

Dominimi i gabuar femëror Media, politika, interesi publik

1 Comment Add your own

  • 1. Alba  |  23/04/2011 at 04:41

    Presidenti Obama duke derdhur nje stimul prej pothuaj 1 trilion dollare mezi ka krijuar apo shpetuar 2 milione fronte pune(shifer kjo e diskutueshme nga analistet konservatore).Politikanet tane me duar ne xhepa se arken e thesarit e kane pothuaj bosh premtojne te krijojne 260 mije vende pune pra 10% e numrit te krijuar nga $1 trilioneshi i Obames.Ky premtim vjen ne kushtet e e krizes globale kur bankat mezi japin hua dhe kompanite shumekombeshe mbyllin ato fabrika qe kane jo me te hapin te reja.A ka mundesi ti shpjegojne publikut si do te konkurrojne per investime kur pronesia e tokes eshte e diskutueshme, fuqia punetore e pakualifikuar, infrastruktura inferiore dhe sistemi gjyqesor i korruptuar?A i hane shqiptaret e epokes se internetit keto premtime kur me nje te shtypur tastieres ne google mund te shikojne se c’behet ne dynja?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2011
M T W T F S S
« Mar   May »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930  

%d bloggers like this: