Media, politika, interesi publik

01/05/2011 at 12:16 Leave a comment

Në Angli ka plasur diskutimi mbi privilegjin në të cilin kanë akses një shtresë e caktuar njerëzish, nëpërmjet të cilit kërkojnë mbrojtje të veçantë nga gjykata për të ruajtur privacinë apo sekretet e tyre. Diskutimi u ndez pasi Andrew Marr, një nga prezantuesit më të njohur të BBC-së, anuloi një vendim të tillë, të cilin gjykata e kishte marrë me kërkesën e vetë Marr tre vjet më parë.

Asokohe në kulmin e karrierës së vet, Marr kishte pasur një lidhje jashtë-martesore, e për t’i shpëtuar medias, gazetari përdori pasurinë, famën dhe pozicionin e vet për të kërkuar ketë vendim të veçantë privilegji në Angli, që gjykata e jep në raste specifike. Vendimi ndalon publikimin e çështjes në media dhe thyerja e vendimit është vepër penale, për të cilën botuesit ndëshkohen ligjërisht. Të tilla vendime janë marrë për çështje madhore politike në Angli, apo për skandalin e mbetjeve toksike të shkarkuara në Bregun e Fildishtë nga një kompani angleze në vitin 2006.

Mirëpo gazetari i BBC-së vendosi fillimisht ta përdorë këtë privilegj që e arrinte, e më pas, t’i kërkojë gjykatës shfuqizimin e vendimit. Menjëherë, çështjet e tij personale pushtuan shtypin britanik, edhe pse gjithë ishulli duket tepër i zënë nga ethet e dasmës mbretërore. Vendimi i një gazetari për të bërë lejuar publikimin e të vërtetës së tij personale, pasi kishte penguar me urdhër të veçantë për tre vjet përmendjen e saj, ka ndezur në Britani një debat të gjerë: Si merren urdhrat e veçantë për mos-publikime dhe ç’do të thotë për lirinë e shtypit e gjitha kjo histori, që për protagonist ka një njeri që vjen nga shtypi vetë? Debati nuk është vetëm britanik, e nuk ngelet thjesht në marrëdhëniet “ e drejtë për jetë private dhe e drejtë për informim e liri të shtypit”.

Në këtë histori, të bën përshtypje përfshirja e medias dhe njerëzve të saj në përcaktimin e një axhende më të gjerë sesa ajo e sjelljes mediatike. Pra, nëpërmjet një njeriu që vjen nga radhët e saj, media përcakton se si do të sillet gjithë shtypi ndaj një çështje që nuk është thjesht personale, por edhe e mundur për t’u hermetizuar nga publikimet. Jo të gjithë e kanë këtë privilegj, ndaj edhe ka plasur debati.

Ç’del po ta lokalizojmë çështjen? Media edhe këtu censurohet, gjobitet, nënshtrohet, shërben me devotshmëri, vullnetarizon, merr pjesë në freskime, pretendon, (sh)formon mendime, ide e të vërteta, por mbi të gjitha, me urdhra e me vendime të posaçme, nuk merret me gjëra të dorës së fundit, siç bën BBC me jetën e një punonjësi të vet. Jo.

Urdhrat për median e këtushme kanë të bëjnë me transmetim kasetash të gatshme, me mos-pranim kamerash jo vetëm në fushata elektorale, por edhe në takime ku diskutohet për çështje të interesit publik. Medias i tregojnë vendin. E po nuk e bën, ajo e gjen vetë, gjithë zell, vendin që mendon se mund t’i përshtatet më mirë. Po si qenie me zhvillim jo fort të qëndrueshëm, nuk i bëjnë çdo vit rrobat e përdorura një palë zgjedhje më parë.

Ndaj krahasimi çalon që në kahje; në njërën anë zhvillimet i përcakton media, në tjetrin, zhvillimet e saj përcaktohen nga tjetërkush. Vendimet mund të jenë në të dy kahet arbitrare, por të paktën, në rastin anglez, ato parashikohen me ligj e diskutohen edhe publikisht. Për më tepër, arbitrariteti aplikohet për motive private, jo për cështje që prekin interesin publik.

Debati në Angli është “përse disa njerëz shfrytëzojnë postin dhe pasurinë për të kyçur jetën e tyre”, kurse këtu debati është “Përse nuk më nxjerr mua lajm të parë, me sinkron e të më mbash 15 minuta”. Atje diskutimi është “ Ku qëndron kufiri mes të drejtës për jetë private dhe të drejtës për informim”; këtu qëndrimi agresiv (i përbashkët media-politikë) është: “ Ca rëndësie ka jeta private dhe interesi i qytetarit? Për mua, për mua fol. Unë të jem në shtëpinë e popullit në mëngjes, në drekë, në darkë e edhe në edicionin e pasmesnatës. Madje, dua të më nxjerrësh edhe me gruan, lajm të parë. Edhe me djalin. Edhe me vajzën. Bëni edhe një intervistë gruas sime. Merruni me mua. Merruni me jetën time private. Çomëni në çdo shtëpi. Të mos ketë tjetër jetë private. Unë jam jeta dhe interesi primar i gjithkujt”.

E nëse Tirana ka njerëz të zotë për ta zaptuar median dhe dritaren nga ajo hyn në çdo shtëpi, nëpër rrethe, lufta për pak ekspozim publik është e lartë. Një zgjidhje është gjetur. Të dy kryetarët po shëtisin nëpër Shqipëri, e me atë rast, dalin krah tyre edhe kandidatët në ndonjë televizion që mbulon gjithë territorin. Kurse mënyra e dytë, akoma më e veçantë, është përdorimi i posterave. Jo vetëm tek emrat (Bilal, Kucodil, Rrahmadin, Arif, Gjysel, etj), por mbi të gjitha, tek fotot që kanë zgjedhur këta burra për të reklamuar veten e tyre. Shpenzimet për to duken më të lartat e bëra për ndonjë fushatë në Shqipëri.

Është hera e parë që shoh Shëngjinin, Fushë-Krujën, Kucovën, Burrelin apo edhe Gosën me kaq shumë postera burrash, që as nuk shesin brisqe, as parfume, as autolarje. Janë kandidatët më të çuditshëm që mund të mendosh. Jo vetëm vizualisht. Se pamja vërtet vlen më shumë se një milionë fjalë e shpjegime, si nga ata që e shohin, ashtu edhe nga personi që është në të. Po përderisa media qendrore, për këta tipa nuk ka si të ketë kohë apo interes, ata kanë zgjedhur të shpenzojnë këtë vit miliona lekë për të treguar çfarë? Ç’tregojnë fotot e këtyre mesoburrave që kanë dalë edhe më syze dielli, edhe në këmbë, edhe me duar në xhepa, edhe mbi motor?

Mesoburri i BBC-së pagoi gjyqin që të nxirrte vendim të ndalonte publikimin e jetës së tij private; në shqipëri, të gjithë këta mesoburra, kanë bërë lloj-lloj pozash, fotosh e spotesh për ta na e imponuar personalitetin dhe jetën e tyre, publike e private, me zor.

“Fajin e kemi ne, nuk e kanë ata” – thotë një koleg i medias, që si shumë të tjerë, ndjehet i bezdisur nga mediatizimi i politikanëve, kandidatëve e i pretenduesve për të qenë të tillë, por edhe i pafuqishëm për t’i vënë fre përqasjes tejet politike që vetë pushteti i katërt ka krijuar.

Kush po e përcakton axhendën publike të fushatës, media, apo politika? Pushteti duket se është akoma absolut e nuk ka arritur ende në nivelin katër.

Ndaj, përreth dhe përballë, do shohim akoma mesoburra dhe një media ku Andrew Marr, nuk do të kishte pasur mundësi as ta bllokonte, as ta zhbllokonte me ndonjë urdhër gjykate, e jo më të ndizte debate se ç’është morale apo legjitime të publikohet, e ç’duhet mbajtur larg syrit publik. E gjithë politika duhet të mbahet larg në kushtet ku ndodhet, se dëmton rëndë publikun me manipulimet dhe falsitetin e saj. Po ja që në Shqipëri gjërat funksionojnë ndryshe dhe debatet publike, as që kanë ndonjë lidhje me sjelljet mediatike, e jo më me të mirën e publikut vetë.

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Kujdes, të rinjtë kërkojnë Qetësi publike, shthurje politike

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
May 2011
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: