Qetësi publike, shthurje politike

28/05/2011 at 22:32 Leave a comment

Është e vështirë të ruash qetësinë kur numërohen votat në Shqipëri. Qetësia e vetme në gjithë këto vitet e fundit ka qenë dita e heshtjes zgjedhore dhe ajo e votimit. Pra, ditët kur një herë e ka fjalën media, e ditën tjetër, publiku. Me të shkuar ora 00.00 pas datës së votimit, ndizen gjakrat e tensionohet situata në vend.
E njëjta gjë po ndodh teksa numërohen votat e shqiptarëve që morën mundimin të mbajnë radhët e gjata në 8 Maj. Votimi qytetar, maturia dhe qetësia me të cilën identifikuan veten votuesit, nuk është më risi. E njëjta sjellje qytetare për t’u admiruar ndodhi edhe në 2009. E po si atëherë, ajo që gabon, është politika.
Që ditën e parë të numërimit, nëse kishte luhatje në diferencën mes kandidatëve për bashkinë e Tiranës, socialistët filluan të ngrinin zërin nga KQZ-ja e tyre provizore, prej së cilës raportonin me ton të ashpër e zë të lartë, sikur gjithë kush dëgjonte, të ishte i shurdhër. Nëse ka një element që e shëmton Partinë Socialiste publikisht, është mënyrë me të cilën ligjërojnë disa nga anëtarët e saj.
Por, momenti më i pakëndshëm, më kritik, më i ulët dhe më i papërgjegjshëm që bëri selia rozë në momentin e dobët kur kandidati i saj doli në disavantazh, ishte thirrja publike që iu bë masës “për të mbrojtur votën e lirë”. Si e mbron masa votën? Pse duhen rrethuar shkollat e shndërruara në qendra numërimi? Pse të shpërfillen aq hapur institucionet dhe ligjet e vendit, që miratohen bash me votën e këtyre socialistëve që iu paska hyrë frika se votat që ka marrë Lulëzim Basha në njësinë 10, nuk e paskëshin shumë të qartë vulën nga pas fletës së votimit.
Ngërçi artificial që partia socialit krijoi pasditen e të martën në KZAZ-në numër 49 në Tiranë (njësia bashkiake nr.10), nuk ishte aq e shëmtuar sa zvarritja e pakuptimtë që krijuan komisionerët e djathtë në njësinë nr 5. Jo. Ishte shumë më e shëmtuar.
Kapërcimi i portës prej hekuri prej një deputeti të kuvendit të Republikës së Shqipërisë, që për momentin përfaqëson të majtën, është njëra nga shfaqjet më të turpshme të kësaj periudhe zgjedhore. Ashtu siç ishte e gjithë situata artificiale për të penguar numërimin e votave në të dyja njësitë e sipërpërmendura.
Në çdo pikë ku numërohen votat, përveç komisionerëve, ka edhe vëzhgues, vendas e të huaj, partiakë e jo partiakë. Ka edhe kamera. Jo gazetarë. Ka kamera, në çdo pikë ku numërohet në Tiranë. Ndaj frika artificiale e vjedhjes se fletëve të votimit, nuk është qesharake; është nervozuese dhe e ndëshkueshme.
Vendimi i pamoralshëm i Partisë Socialistë për të bërë thirrje grumbullimi për këta njerëz të lodhur e të abuzuar deri në palcë nga politika, ishte më i trishti i momenteve zgjedhore. Tensionimi me çdo kusht i situatës, ndihmuar edhe prej mediave e njerëzve të caktuar të saj, nuk e ndihmojnë aspak situatën pas-zgjedhore.
Nëse palët, siç shprehen, kanë besim të verbër tek votëbesimi i popullit, është mirë që ta respektojnë durimin e tij. Presionet gjoja psikologjike që u krijuakan me lojërat e numrit të kutive që vijnë nga qytete, komuna, bashki, minibashki apo edhe pallate që qenkan të ndara me bastione, janë të pafalshme dhe fyejnë rëndë dinjitetin, dhe durimin e shqiptarëve, votues ose jo.
Që PD-ja në opozitë ka qenë arrogante, e pakuptimtë, e pabindur, kashtë e thatë fare qytetarie, këtë e dimë. Por kemi filluar ta harrojmë. Për dy arsye; e para, nga bindja që ka treguar ndaj këshilltarëve për bërjen e fushatës dhe të sjelljes publike pas-zgjedhore. E dyta, sepse flamurin e kashtës politike e ka marrë PS-ja, që jo vetëm merr flakë sa dëgjon fjalën zjarr, por shkrumbon gjithçka nëse sheh veten të afrohet pranë tij.
Dominimi politik dhe përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë të vetme, veçanërisht kur këto duar akoma nuk janë larë nga shumë ngjarje, është i dëmshëm në politikë. Shumë i dëmshëm. Por edhe alternativa që ngelet, me thirrje masash për të mbrojtur votën, me histerizma artificialë e me papërgjegjshmëri të tejskajshme politike, është gjithaq e rrezikshme.
Shqiptarët e lënë pa alternativa nuk kanë votuar pro kandidatëve në këto zgjedhje. Kanë votuar kundër kandidatit që nuk duan të shohin në krye të qeverisjes së tyre vendore. Ndaj kemi disa pseudo-fitues, që në shenjën më të parë të humbjes, harrojnë të kuptojnë edhe lojën e tyre.
Qëndrimi kokë-më-kokë për numrin e votave në shumë njësi vendore në vend ka qenë zhvillimi më pozitiv i këtyre zgjedhjeve. Shqipëria nuk ka bastione. As nuk ta jep më votën thjesht sepse vjen nga një parti e caktuar. Këto votime treguan se çdo kandidat duhet të punojë fort që të meritojë votën e hedhur me aq maturi. Po në vend që shembullin ta japë politika, atë e jep populli. E c’merr si shpërblim? Thirrje të pafalshme për tensionim të situatave që mezi presim t’i tejkalojmë.
Prapë do ngelim në klasë për standardet e prapë për të njëjtat arsye, që shkaktohen vetëm nga politika.

Gabim kush luan me durimin e votuesit. Gabim edhe kush i nxit tensionet që prishin të gjitha ekuilibrat e jetën e tij. Asnjëra palë nuk duhet t’i gëzohet asnjë fitoreje, por thjesht të bëjë llogaritë mirë për votat që ka humbur. E në vend të mobilizojë e acarojë masat, më mirë të respektojë veprimin e tyre të së dielës, të nxisë numërimin e të përshpejtojë në rrugëtimin për ato të shkreta standarde, që prishen pikërisht për shkak të thirrjeve si ajo e ndëshkueshmja thirrje që na lëshoi të martën pasdite partia socialiste. Shumë keq.

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Media, politika, interesi publik Pasojat e keqinterpretimeve

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
May 2011
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: