Fëmijës së paqenë të Griseldës

09/06/2011 at 09:57 Leave a comment

Ngjashëm do i ishte drejtuar shkrimtarja italiane Oriana Fallaci. Pa dashur të huazoj stilin e saj të letrës drejtuar një fëmije që nuk lindi kurrë, e shoh të vështirë të gjej një mënyrë më të përshtatshme shtjellimi të kësaj historie të pështjelluar. Ndaj, i dashur fëmijë që nuk linde kurrë, ti solle vërdallë një vend të tërë. Jo vetëm njerëzit, politikën, mediat, interpretimet ekstreme të ditëve të para, që ndryshojnë katërçipërisht nga ato të ditëve të mëvona, por ndjenjat e njerëzve gjithashtu, të shumë prej tyre, jashtë kostumit zyrtar. Madje, më shumë se gjithçka, ti trazove fort pikërisht ato; ndjenjat njerëzore.

Shoqëria jonë, kaq e kamufluar, abuzuar, manipuluar, diktuar dhe uzurpuar sa ç’është, vazhdon të jetë akoma e ndjeshme, shumë e ndjeshme ndaj ekzistencës dhe sigurisë së një fëmije. E treguan në rastin tënd, të gjithë.

Ti erdhe me historinë tënde të stisur (?) në kohë fort të mbrapshta për Shqipërinë, ku ata që ishin supozuar të ishin prindërit e tu, janë edhe viktima të një situate absurde politike, por edhe protagonistë të një skenari që i lehtë, nuk mund të jetë për askënd; as për ata që e krijuan, as për ata që u ftuan ta shihnin shfaqjen e shkruar me ty si personazhin kryesor.

Nuk di në gruaja që thotë se fort donte të të lindte, të trilloi në emër të dashurisë. Më e pakta, kjo do ishte shfaqje e sindromës për kërkim vëmendje, që mjekët thonë se shfaqet rëndom tek njerëzit që kanë mungesë besimi tek vetja. Ekstremi tjetër shpjegues, do ishte që nëna jote ëndërrimtare të ketë nevojë të shohë një mjek të specializuar për kurimin e çrregullimeve të personalitetit; por këtë, nuk kemi si ta dimë, se bashkë me lindjen tënde të sajuar gjithë forcë, na doli se edhe gjithë ekzistenca jote, jo si bebe, por edhe si fetus, ishte gjithaq e sajuar. Me kaq, të dhënat për ty u hermetizuan. Ndaj, të gjitha hamendësimet, janë thjesht përpjekje për t’i dhënë pak kuptim historisë tënde. Jo se është e thënë që vërtet, kuptimi të jetë diku, duke pritur të zbërthehet, por të paktën, në botën e trazuar politike e mediatike, prej të cilave ti u bëre edhe protagonist, përpjekje për të të zbuluar, ka.

E di cila është njëra nga enigmat që shqetëson më shumë njerëz në këtë histori? Viktima. Kush është viktima në gjithë këtë “trillim”?

Viktima e parë mund të jesh ti, por, nuk ka si të jetë kështu, përderisa ti rezulton të mos kesh qenë as fetus. Por sërish, edhe thjesht si ide e (keq)përdorur nga arsyet e ndryshme të atyre që duhet të ishin prindërit e tu, të shndërron vërtet në një viktimë të paramenduar. Ndaj, më fatkeqi, edhe pse jo-ekzistent, je ti. Fëmija i paqenë. Nocioni “fëmijë”. Loja me të. Ky do ishte i vetmi rast (siç edhe mund të pritet), që e vetmja që të vjen ndër mend për citime, është Bibla: “Fali Zot, se nuk dinë se ç’bëjnë”.

Imagjinarët prindërit e tu d.m.th. Por edhe ne, që kaq fort u trazuam nga ç’njerëzia që na u paraqit për ty, edhe në variantin e lindjes, edhe në atë të mos-ekzistencës. Në cdo rast, sjellja ka nevojë për këtë falje, se mund të kishte edhe mënyra të tjera për të dalë nga një situatë prej të cilës dukej e vështirë të gjeje zgjidhje.
Viktima e dytë është ajo që mund të ishte nëna jote. E nisi me vetë-viktimizimin, që në fakt, sërish sipas mjekëve, është trillim i individualitet të viktimës për një sërë arsyesh, që në thelb mundohen të justifikojnë abuzimin e të tjerëve. Dhe kjo bëhet për të manipuluar të tjerët e shihet si një mënyrë për të përballuar situatën dhe për të kërkuar vëmendje. Duken shumë për një rol?

 Epo, në një farë mënyre, shpjegon se ajo që i binte të ishte nëna jote, ka pasur arsye të forta për të tjetërsuar personalitetin e saj. Kush e di, mund edhe të ketë pasur nevojë të justifikojë abuzime, shpërfillje apo gjendje me të cilat nuk ka qenë në gjendje të përballet lehtë. Ndaj edhe ka manipuluar. Se me dikë ka manipuluar ajo nëpërmjet teje: o me veten, o me atë që i bie të ishte babai yt, o me ne, që na përdorët si spektatorë të shfaqjes suaj fort të pazakontë.

E kjo më sjell tek radha e tretë e viktimave, që nuk është një, por disa: ai që pretendohet se do ishte babai yt, dhe kasta e njerëzve që gjenden rreth tij. Drejt apo gabim, me të kaluar të ndritur apo të errët, publike dhe politike, ky njeriu që duhet të ishte babai, për fatin e keq të skenarit dhe të spektatorëve, fitoi zgjedhjet për të drejtuar bashkinë e një qyteti të përfolur politikisht. Ndaj, çështja jote nuk kish si të ishte më trillim privat, por u bë edhe pjesë e reagimeve të forta përtej marrëdhënies së çuditshme mes atyre që pretendohet se do ishin prindërit e tu. Dhe kjo, më shumë sesa i komplikon, i shëmton vërtet shumë gjërat.

Dhe së fundi, radha e përtejme e viktimave, ajo për të cilën nuk menduan krijuesit e tu, letrarë, mendorë apo biologjikë, jemi të gjithë ne, shqiptarët që dëgjojmë, lexojmë, shohim e konsumojmë media dhe politikë përditë. Ti, i dashur fëmijë i paqenë, godite fort psikozën, reagimin dhe qëndrimin e shumë njerëzve që votuan e që nuk votuan, që jetojnë jashtë e brenda Shqipërisë, që duan PD-në, PS-së apo që s’duan asnjërën. Ty, historinë tënde, e hodhën fare pa mëshirë për konsum mes nesh, të helmuarve nga politizimi i gjithçkaje. Tani, të infektuam edhe ty, fëmijën e pa lindur, fëmijën e paqenë. Të shenjtin fëmijë.

Para disa shekujsh, kur të bardhët filluan të zaptojnë Amerikën e Veriut e iu doli punë me popullsinë indogjene vendase të cilën, me luftë e me izolim nuk po e hiqnin dot sysh, pushtuesit perëndimore shpikën një metodë efikase: Vrite indianin tek fëmija. Dhe filluan të merrnin fëmijë deri në 6 vjeç, i transferonin mijëra kilometra larg vendit të lindjes, në kampe “pritje”, ku u mësohej anglisht. Ose më saktë, u ç’mësohej gjuha e tyre, zakonet, kultura, historia që ata kishin në gjenezë. Kështu edhe me ty. Dhe nëpërmjet teje, edhe me ne. Se ty, të vrau politika, që nga mënyra si të ngjizi, deri tek lindja e forcuar e më tej akoma, tek dëshmia se ti, nuk ke ekzistuar kurrë.

Në fakt po. Ti ekzistove dhe në ty, politika goditi në shenjë edhe në shpresën e fundit që mbante gjallë normalitetin jo-mashtrues e mbytës në vend.

Ndaj, në një farë mënyrë, jemi të gjithë viktima të (mos) ekzistencës tënde në Shqipërinë e dërrmuar tashmë edhe njerëzisht, në vitin e vonë 2011.

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Pasojat e keqinterpretimeve Suksese profesionaleve

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

June 2011
M T W T F S S
« May   Jul »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  

%d bloggers like this: