Karvani shkon përpara

03/07/2011 at 16:18 Leave a comment

KQZ ka shpallur rezultatin përfundimtar për Tiranën. Po a ka Tirana një kryebashkiak? KQZ thotë po dhe në mënyrë konstante, ruan diferencën e pas 15 Majit, kurse PS nuk ka lëvizur prej kësaj date. Madje socialistët  nuk janë as në gjysmë të rrugës me pretendimet për numërimin e votave e së fundmi, edhe për vlefshmërinë e zgjedhjeve. Dje, sot, nesër, del vendimi i tyre i radhës për të kërkuar interpretime dhe zgjidhje të tjera ligjore për këtë telenovelë të radhës.

A e dimë si është radha e ngjarjeve? Në fushë të kujt është topi? Kjo s’duket e lehtë për t’u kuptuar. Jo thjesht për shkak të mënyrës se si po veprojnë palët ditët me diell, por edhe sepse, si me magji, vëmendja e publikut u shkëput  nga politika zgjedhore qëkurse balanca mes ç’shihej e ç’thuhej, lëvizi nga boshti. Kjo është arsyeja kryesore, por nuk është e vetmja. Një vëzhgim i thjeshtë i faqeve kryesore në internet të mediave shqiptare, tregon se klikimet dhe komentet në shkrimet që kanë lidhje me KQZ-në dhe rezultatin për Bashkinë e Tiranës, kanë ulje drastike në krahasim me dy javët e para pas zgjedhjeve. Ka rënë interesi, apo besimi tek këto ngjarje dhe mënyra se si trajtohen ato?

T’i shohim me radhë: Interesi është në rënie vetvetiu, teksa 8 Maji bëhet i largët, interesat vetiake për fatin e kryesimit të Bashkisë së Tiranës duken përherë e më imagjinare, sezoni i verës vërtitet më gjatë se një fundjavë dhe kërkesat rreth vetes zmadhohen më shumë sesa shqetësimi 24 orësh për votat. 

Sa i përket besimit tek zgjedhjet,  numërimi e  rezultatet e ndryshuara mbi 8 herë që në 8 Maj,  nuk është e vështirë të kuptosh se publikut nuk i është dhënë ndonjë shans i madh të bëjë bé për vërtetësinë e procedurave, rezultateve agregate, paraprake, prapavepruese, të fabrikuara, të kontestuara, të parashpallura, të kërcënuara si “të pavlefshme” apo të vërtitura pa pikë kujdesi  mendjeve shqiptare (që sot nuk janë konfuze, as të verbra, por thjesht, neglizhuese ndaj” komedisë” zgjedhore).

Në raportet e viteve të fundit nga organizata e organizma që veprojnë në Shqipëri, shpesh thuhet se publiku ka mungesë të theksuar besimi në institucionet e këtij vendi, veçanërisht tek drejtësia, ku ndihet edhe më i zhgënjyer. Është e kuptueshme, dhe sjelljet e fundit me zgjedhjet,  (apo edhe me vendime gjykatash e sjellje prokurorish për çështje me ndjeshmëri të lartë publike), kontribuan në mënyrë shembullore në thellimin e kësaj krize besimi.

Po si mund të përmirësohet ky perceptim e të rritet besimi? Përveç punës së drejtësisë, rol kyç sot ka media. Maje, është ajo që ndërton, përgatit dhe përcjell të gatshëm produktin që ajo vetë, pra media, beson se publiku duhet të konsumojë.  Shqipëria si kopshtet e Edenit apo si ferri i Dantes del në ekrane në varësi të zgjedhjeve që bëjnë mediat për politikat e tyre redaksionale. Se ç’mendon publiku për këtë Eden apo për këtë ferr, media nuk ka fort interes as ta mësojë, as ta transmetojë.

Audienca nuk neglizhohet thjesht. Ajo manipulohet rëndësishëm me kronika, lajme, artikuj, debate, qëndrime e citime që i shërbejnë një qëllimi të caktuar. Është e vështirë të jesh pjesë e një audience të lirë në vend. Të lirë në kuptimin e pasjes së alternativave të interpretimit të një lajmi, qoftë edhe kur ai vjen nga i njëjti televizion. Por është e pamundur. Babai i teorisë së ç’kodifikimit të mesazhit, S. Hall, do ndjehej i shastisur po të ishte në Shqipëri këto kohë, e të shihte se ideja e tij e “mesazhit të preferuar”, nuk ka nevojë aspak të jetë e sofistikuar.  Mesazhi i preferuar apo kuptimi që një redaksi kërkon t’ japë një lajmi, është thjeshtësia vetë, krahasuar me revanshin që kanë marrë disa media në Shqipëri për të sjellë gjithë ekzistencën e tyre rreth shërbimit për të ngritur mesazhin për Shqipërinë imagjinare.  Përveçse qesharake, përderisa janë të para-lexueshme edhe me zë të shuar, këto media rrezikojnë të kthehen në të dëmshme, sepse  luftojnë fort me imazhin e krijuar brenda tyre dhe dozat e mëdha të injektimit që i bëjnë publikut me helm manipulimi nga ai që mbajnë brenda.

Nuk pretendohet që mediat të kenë parasysh rolin edukues, përpos atij informues që kanë,  por që të ruajnë dozat e dezinformimit, edhe mund t’i kërkohet medias deri diku.  Tek e fundit, arsyeja kryesore pse marrin licencë transmetimi është që t’i shërbejnë të mirë së publikut. E nëse e mira e publikut shqiptar është që të fryhet me gënjeshtra, nga njëra krah duke e ushqyer me lugë bosh, e nga ana tjetër duke i dhënë ujë në bisht të lugës, atëherë problemet i paska publiku, e jo media. Aq më pak, larg qoftë, fajet nuk i ka politika.

Edhe simpatizantët më të devotshëm të palëve politike nuk do të pranonin të manipuloheshin kaq hapur nga media, politika e kombinimi i pazgjidhshëm i të dyjave në vend. Po nëse furnizuesit e mesazheve të gatshme mendojnë se po e shpenzojnë kohën me të drejtë duke infektuar audiencën me pseudo-transparencë e vërtetësi, e harxhojnë frymën kot, sepse në këtë verë kapriçoze,  njerëzit preferojnë detin, jo ekranin daljen në mbrëmje deri vonë, jashtë, bareve  e restoranteve brenda e jashtë Tiranës, e jo përpara televizorit të shtëpisë.

Vëmendja ka rënë. E nuk është e gjitha meritë e stinës. Më shumë se gjithçka, këtë interes në rënie të publikut ndaj politikës së fundmi, do ishte mirë ta shihnim edhe si një tregues tjetër të maturisë qytetare, që duket sikur zgjedh të respektojë shprehjen e mrekullueshme të paraardhësve: “ Qeni le të lehë, karvani shkon përpara”.

E për më tepër, me interes e besim të publikut në rënie,  edhe politikës vetë i bie performanca, sepse si aktorë të dobët që janë, politikanët tanë nuk dinë të vazhdojnë më tej, tek shohin që iu zbrazet salla nga spektatorët.

Në xhunglën politike që na ka futur politika që prej 2009-ës, duket se kanë ngelur vetëm dy shpikësit e saj. Ndaj, kur të mbarojnë pushimet, do kemi edhe shansin të shohim se kush do ketë mbijetuar. Ndërkaq, jeta jashtë xhunglës, së bashku me leksionet e kristalta që vijnë nga publiku, vazhdon e patrazuar.  Karvani shkon pa ndalur, përpara.

 

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Suksese profesionaleve Censusi duhet përsëritur

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

July 2011
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: