Suksese profesionaleve

03/07/2011 at 16:15 Leave a comment

“Jeta ime prej akademiku do ishte një hiç, nëse në të, nuk kam lehtësime që m’i mundësojnë punëtorët e aftë që vijnë nga kualifikimet profesionale” – është postulati që përdor një profesor gjerman i Universitetit Teknik të Berlinit, që ka ardhur disa herë në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij modest në fushën e arsimit.

Shprehja e tij më vjen ndër mend teksa të gjitha shkollat, media, nxënësit dhe familjet shqiptare, gëlojnë këto ditë nga zhvillimet dhe ethet e provimeve të maturës shtetërore, edhe pse ato, nuk janë të vetmet provimet që po japin nxënësit në vend. Por, vëmendja është e gjitha për arsimin e lartë. Edhe sytë e të shumicës, andej janë. Provimet e maturës, më shumë sesa certifikim i aftësive të marra gjatë studimeve të përgjithshme, shihen si nga vetë nxënësit, ashtu edhe nga gjithkush që i rrethon, si trampolina për në Universitet.

Gjasat janë të gjitha që, ashtu si në tre vitet e fundit, prirja të jetë për të studiuar drejtësi, ekonomik dhe variantet e shkencave sociale apo politike. Të gjithë duan të shkojnë në universitet. Të gjithë pretendojnë se meritojnë të shkojnë. Arsimi, veçanërisht i larti, është vërtet aset, si për individin, ashtu edhe për shoqërinë. Por, kostot mbi të cilat piedestalizohet arsimi i lartë, janë vërtet të larta dhe të papërballueshme, si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Përse? Arsimi lartë dhe diploma universitare janë shndërruar në përcaktuese statusi shoqëror në vend, më shumë sesa mundësi formimi e aftësimi akademik. Liberalizimi dhe vëmendja e manipuluar ndaj tij, ka sjellë një handikap të madh në perceptimin e sotëm për arsimin dhe në  shërbimet që nuk marrim cilësore për shkak të keqpërdorimit masiv të sistemit arsimor në vend.

 Shumëçka është keqkuptuar në Shqipërinë kaotike, ku si provimet e maturës, ashtu edhe diploma universitare, parashihen si meritë e padiskutueshme, në vend që të konsiderohen si investim personal në aftësim dhe dije. Ç’do të thotë kjo? Aftësimi dhe dija nuk vijnë domosdoshmërisht nga një diplomë universitare. Ato mund të jenë gjithaq dinjitoze e fitimprurëse edhe kur nuk vijnë nga Arsimi i Lartë.

Teksa media në vend është e fokusuar tek provimet e maturës, është interesante të vihet re se një tjetër raund provimesh po zhvillohet këto ditë nëpër shkollat tona të mesme; bëhet fjalë për përfundimin e nivelit të parë të studimeve në shkollat profesionale. Nuk ka si të mos tregohet interes, sepse vendi ka plot 41 të tilla, e prej tyre, për herë të parë, këtë vit testohen rreth 3500 nxënës, që me certifikatën e aftësimit që marrin (nëse kalojnë provimet), ligjërisht, bëhen të gatshëm për t’i hyrë tregut të punës. Po, sepse për herë të parë, këtë vit mbarojnë studimet e Nivelit 1 nxënësit e shkollave të mesme profesionale në vend, që tashmë nuk janë më të prera katër apo pesë vjeçare, por që prej Shtatorit të vitit 2009, operojnë me sistemin e ri arsimor 2+1+1.

Po, nuk kemi vetëm Kartë Bolonje, por edhe Kornizë Kombëtare Kualifikimesh, që tregon se në ç’nivel korrespondon arsimi i gjithsecilit dhe në ç’nivel mund të fillosh punë në profesione të ndryshme. Këta 16 vjeçarë  që testohen këtë javë, sjellin, ligjërisht, për herë të parë në Shqipëri forcë pune të kualifikuar, të aftësuar dhe të pajisur me të drejtën ligjore për të kërkuar punë në një profesion që në këtë moshë. Nuk kanë as numrin, as rëndësinë e arsimit të lartë, por, duke sjellë në mendje shprehjen e profesorit gjerman, është e vështirë të neglizhosh nevojën e prezencës së tyre në treg.

Bëhet fjalë për njerëzit që nesër do të ndreqin ose prishin ditën tonë, në kuptimin e ofrimit të shërbimeve për makinën tuaj, për mirëfunksionimin e saj teknik; për kuzhinën tuaj, që i janë prishur disa doreza e mbajtëse; për banjon që rrjedh herë pas here apo për pllakat që sikur lëvizin nga vendi; për dorëzën e derës që s’kuptoni pse është liruar apo për prizat që herë lëshojnë xixa, e herë nuk përcjellin rrymë; për kompletin e ri të dhomës së ndenjjes, që ndryshe e porositët, e të pakënaqur jeni me këndet, ngjyrën, format apo cilësinë kur ua sollën në shtëpi; për kostumet që akoma kanë defekt në kthim apo në hekurosje;për lavatriçen që vazhdon të mos e thithë zbutësin, edhe pse tre herë e keni ndërruar ustain; për pastërtinë e paqenë në dhomën e hotelit, edhe pse disa herë i keni kërkuar stafit të ketë kujdes dhomën, ta gjeni më të pastën e me televizor të rregulluar; për ushqimin që ua sjellin sikur e keni borxh e për pijet që jo gjithmonë i shijoni pas një shërbimi të ashpër, të gabuar apo thjesht, të vonuar.

Aftësitë për të shërbyer cilëisht nuk janë thjesht të lindura. Ato fitohen, por mbi të gjitha, fillimisht, duhen mësuar. Aftësitë bazë për të gjitha degët profesionale, mësohen pikërisht në dy vitet e para të sistemit të ri të shkollave profesionale. Në to sot ka investim, mbështetje dhe zhvillime që ndiqen me interes nga nxënësit, stafet e këtyre shkollave, ministria e arsimit, nga projektet e shumta ndërkombëtare që mbështesin këtë hallkë të arsimit, por edhe nga komuniteti i biznesit, që përherë e më shumë, po ndërgjegjësohet se tek këto shkolla, është burimi i tyre i vërtetë për kontingjent të rinjsh të kualifikuar ndryshe.

Një krahasim i thjeshtë: Nëse provimet e maturës shtetërore zgjasin disa orë për një gjysmë dite, provimi për të kaluar nivelin e parë të degës së instalimit të sisteme thermo- hidraulike, zgjat plot dy ditë. Me nga tetë orë secila. Po. Kështu po zhvillohet provimi në datat 16 dhe 17 Qershor në të gjitha shkollat e vendit që ofrohet kjo degë, me një metodë gjithaq të re mësimi, që quhet “Të nxënët bazuar në projekte”. Nuk ka mësime e kapituj. Ka mini-projekte mësimore, që nxënësit i mësojnë teorikisht dhe zbërthejnë praktikisht gjatë dy viteve, për t’u aftësuar fillimisht si ndihmës në profesionin e tyre. Sistemi lejon kualifikim të mëtejshëm, por jep edhe mundësinë e daljes në tregun e punës për ata që nuk munden të vazhdojnë më tej.

Metoda është transformuese që në koncept. “Të nxënët  me bazë projekti” quhet, teksa Shqipëria prej dekadash fokusohet në “Planin mësimor”. Thelbësor ndryshimi; njëra bazohet tek mësimi, tjetra tek  nxënia. Njëra ka në fokus mësuesin, tjetra nxënësin.  Ndaj, provimi për degën e thermo-hidraulikës që është konceptuar, mbështetur e çuar deri në fund nga projekti zviceran AlbVET, është i vështirë për t’u neglizhuar. Ai është një risi që sjell në shkolla e në treg, profesionistë të kualifikuar në mënyrë cilësore.

Fokusi tek Arsimi i Lartë ka ngecur tek sasia; numri i studentëve, numri i universiteteve, numri i pranimeve, numri i provimeve, i diplomave, i dhjetave, i degëve të reja, etj, etj. Kurse në anën tjetër, në heshtje të plotë mediatike, arsimi i mesëm profesional, nën trysni, përpjekje e pikëpyetje të mëdha, vazhdon betejën me cilësinë. Nxënësit që hedhin këto ditë provimin  e Hidros, do instalojnë nesër sistemet tona të ngrohjes, ftohjes, rrjedhjes, etj.

Provimi i tyre, performanca, përgatitja profesionale, janë po aq të rëndësishme për mbarëvajtjen e përditshmërisë sonë, sa edhe provimet e maturës. Ndaj sot, duke i përshëndetur për zgjedhjen e bërë, është rasti edhe të shpresojmë për njerëz më të kualifikuar në treg, për shërbime më të mira, dhe për vëmendje më të madhe ndaj atyre prej të cilëve i presim këto shërbime. Tek e fundit, prej këtyre shërbimeve, varemi të gjithë. Juristët, mjekët dhe ekonomistët e ardhshëm, nuk kanë për të na i ofruar edhe këto.

Ndaj, suksese të gjithë nxënësve që hedhin provimet e nivelit të parë në shkollat profesionale.

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Fëmijës së paqenë të Griseldës Karvani shkon përpara

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
July 2011
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: