Censusi duhet përsëritur

11/07/2011 at 11:40 Leave a comment

Në vjeshtë, qeveria do të më kërkojë të deklaroj emrin, mbiemrin, gjininë, moshën, profesionin, të ardhurat, adresën, kombësinë dhe fenë (mes të tjerash). Përveç të fundit, të gjitha të dhënat e tjera i ka, ose përmes regjistrimit për t’u pajisur me pasaportë, ose përmes sistemit të sigurimeve shoqërore.  Ngel feja. Kjo është thika me shumë presa. Me miratimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë, erdhi pra sërish koha të skanohemi në çdo detaj. Censusi është praktikë që ndiqet rëndom në botë, por kur bëhet fjalë për vende me disa lloje paqartësish të qëllimta, siç mund të jetë Shqipëria, atëherë regjistrimi ka arsye për t’u konsideruar problematik. Në fakt, censusi edhe në vendet më demokratike shpesh cilësohet si shkelje e privacisë e madje edhe si  fare i padobishëm si proces. Po në kahun tjetër, regjistrimi përdoret edhe si bazë për ndërtim politikash sociale e shpërndarje fondesh. Gjithmonë në  vendet me demokraci të konsoliduar.  

Po Shqipëria? Me përfaqësues pakicash kombëtare që pretendojnë se përbëjnë shumicën deri në Shkumbin (tani ka pretendime nga të dy anët e tij), e me qëndrime zyrtare që e bëjnë të pakundërshtueshme përkatësinë fetare 70% në një fe të vetme, në një vend ku fenë e kanë shkulur nga rrënjët në një kohë të pakohë, sigurisht që momenti për census, ka ardhur e ka kaluar. Problemi qëndron tek mënyra si do plotësohet, vërtetësia e censusit dhe mënyra si do përdoret ai.

Vërtet ligji i miratuar me 71 vota (shpërfillës i hapur i lëvizjeve të fundit në kundërshtim të tij), parashikon gjoja një gjobë për mbushjen me të dhëna false, por po kështu është edhe kodi zgjedhor. Edhe ai parashikon ndëshkim me gjobë për partitë që nuk respektojnë kuotat gjinore në listat e kandidatëve, e ja tek i kemi partitë shembullore, me dhe pa respekt për kuotat.

Por censusi ka tjetër ndjeshmëri dhe me dy kutiza do luhet shumë: kombësinë dhe fenë. Lajmi i mirë (vetëm për këtë rast), është se Greqia gjendet e zhytur në krizë e në këto kushte, nuk është ndonjë lumturi e madhe apo perspektivë fatsjellëse të deklarohesh minoritar. Fushatat kanë për të qenë shembullore dhe një numër në rritje të Arbërve kthyer në Vasilër, mund ta kemi në regjistrim. Për ndershmëri e patriotizëm është e tepërt të pretendojmë, teksa e ardhmja, njëlloj si e tashmja apo e shkuara në Shqipëri, të ofron ose kolegje zgjedhore,  ose luftë klasash. Ndaj, për pak siguri, qoftë edhe të rreme të jetës personale, shqiptarë të lodhur, të dërrmuar, të lidhur me shtetin helen, të gënjyer apo shpresë-mbushur prej tij, mund të devijojnë kombësinë. Fatkeqësia është e gjitha e jona, po aq sa është e popullsisë çame (dikur në gjenocid fizik, sot në injorim politik, jo vetëm në Shqipëri).

Për të provuar forcën ndëshkuese të ligjit, ose aftësinë e llogaritjes saktë të të dhënave të censusit, disa banorë në Tiranë kanë vendosur të deklarohen brazilianë, meqë e kanë shumë për zemër ekipin e tyre të futbollit, e tek e fundit, edhe fëmijët i përmbushin të gjitha kriteret, teksa quhen Ronaldo e Dani Alves.  Shqipëria me pakicë braziliane. Ndaj këtyre rasteve sporadike minoritare, grekët dalin menjëherë në vend të dytë, si popullsia me numrin më të madh të banorëve, pas shqiptarëve. E bëhemi edhe ne shtet multinacional. Se për multifetar, të marrim gjak në vetull.

Kur u bë censusi i fundit në SHBA në vitin 2010, pyetjet më tipike që ngrinin banorët për plotësimin e tij kishin të bënin me paqartësi në lidhje me cilën shtëpi të shënim si rezidenciale, atë që kishin në qytet, apo atë të plazhit? Po nëse një njeri i moshuar i familjes është transferuar në azil, a numërohet akoma si person i shtëpisë, apo jo? Ja këto. Kurse në Shqipëri, dilema është nëse jemi grekë apo shqiptarë? Myslimanë apo ateistë? Katolikë apo ortodoksë, se njërin prind e kemi nga Korça e tjetrin nga Shkodra. Po fëmijët, janë myslimanë apo të krishterë, se njëri prind shkon në kishë e tjetri nuk e njeh fare fenë të cilës i thonë si i përket.

Dhe vërtet, në një vend ku as besimi fetar, si shumë gjëra të tjera, nuk është fare i qartë, çfarë vërtetësie do të ketë ky regjistrim popullsie?

Që është i nevojshëm, nuk ka më nevojë për diskutim. Por, se si do të bëhet e si do të përdoret dhe a është kjo koha e përshtatshme për ta bërë, kjo kërkon e mban debat shumë të gjerë.  

Sigurisht që sot nuk më as e këndshme, as e drejtë, as e vërtetë madje që Shqipërisë t’i referohen akoma me të dhënat e të fundit census të plotë, bërë që para luftës së dytë botërore. E me gjithë optimizmin qeveritar se shqiptarët do e kenë ndërgjegjen të lartë fare, të pastër e të thellë aq sa të shkoj 80 vjet pas e nipërit të regjistrohen njëlloj si gjyshërit,sërish jam skeptike tek vlefshmëria e përgjigjeve dhe përdorimi i tyre. Para 80 vjetësh, shumë gjëra ishin ndryshe, përfshirë njohuritë individuale mbi çështje të fesë, emigracionit e identiteteve të lidhura me to. Politikat gjithashtu ishin ndryshe, njëlloj si pozitat e Shqipërisë dhe të shteteve të tjera që e rrethojnë, gjeografikisht apo teologjikisht.

Për shkak të një mijë e një arsyeve që më së shumti janë produkt vendas (herë në periudhën e mbrapshtë komuniste e herë në këtë të paudhën që po jetojmë në 20 vitet e fundit), shqiptarët kanë shumë arsye të ndjehen konfuzë për t’u identifikuar e për të qenë të bindur plotësisht përpara se të plotësojnë kutizat e pafajshme, krejt opsionale të kombësisë dhe fesë.

Pavarësisht keqpërdorimit mediatik, politik e përpjekjeve si për ta fshehur, ashtu edhe për të abuzuar me rëndësinë e censusit për këto dy pika, ato do të sjellin vërtet një listë të gjatë me çështje që do t’i serviren Shqipërisë të ftohta. Shumë të ftohta.

Gjithçka tjetër në përrallën e censusit për shpërndarje të mirë fondesh, strategjish e planesh bazuar në të dhëna të sakta për gjendjen social-ekonomike, nuk është ambalazhuar fort keq.

Ama, pa u bërë akoma, lind nevoja që censusi të ripërsërtet. Dhe të bëhet në një vit kur shqiptarët të jenë pak më qartë dhe të qetë të përcaktojnë identitetin e tyre opsional.

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Karvani shkon përpara Jo arrogancës policore

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
July 2011
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031

%d bloggers like this: