Jo arrogancës policore

02/08/2011 at 22:49 Leave a comment

“Patentën, lejen e qarkullimit” – Pamja e punonjësit të policisë që rri pas xhamit të hapur të derës së shoferit, nuk është e ngrysur. As e lodhur. As e shqetësuar. Është arrogante, njëlloj si mënyra me të cilën ngre tabelën për të ndaluar automjetin. “ Mirëdita zotëri. Si kaluat? Përpara se t’ua jap të gjitha këto, a mund të informohem për arsyen e ndalimit”? Arroganca ia lë vendin një fodullëku që nuk merret vesh se nga del më parë. “Pyetjet këtu i bëj unë. Dokumentet”.

Herë më vjen ndërmend gjithçka kam parë apo lexuar nga lufta e dytë botërore dhe kontrollet famëkeqe të policive të asaj kohe; herë provoj ndjesinë e të qarkulluarit në vendin fqinj në kohë operacionesh “fshesa”, e herë qoftëlargu vit 1997, kur nëpër rrugët e qytetit tim kërkohej pasaporta për të qarkulluar edhe në këmbë. “Zoti punonjës i policisë, në fillim duhet të më komunikoni arsyen e ndalimit”.

Sigurisht që nuk ia them këtë fjali. As me tonin që duket. Diçka e ulët e pengon arsyetimin gjakftohtë kur ndalesh nga patrullat e kontrollit të qarkullimit rrugor në territorin e Shqipërisë. Mund të jetë mënyra se si policët ( në këtë rast nuk e meritojnë emërtimin qytetar e zyrtar “punonjës të policisë”) të ndalin, arroganca me të cilën të drejtohen, fodullëku që përdorin, mënyra se si tundin tabelën e ndalimit e luajnë me të ndërkohë që skanojnë dokumentet, makinën apo shoferin, dhe komunikimi që lë aq shumë për të dëshiruar.

“Ke thyer rregullat e qarkullimit rrugor. Tejkalim shpejtësie”. Në vend të parë është ulur një nënë, pas, dy fëmijë të vegjël. “Kam përshtypjen se nuk isha as me 75 km/h” dhe kërkoj miratim të kotë. “Po, por në këtë zonë, limiti i përkohshëm është 60 km/h”. Kjo është pjesë e rrugës interurbane kryesore (jo, nuk quhet autostradë” që lidh qytetet drejt Jugut. “Do paraqitesh në komision ditën e hënë”. Arrogancën e fjalëve të tij, e mbyti pluhuri dhe zhurma që ngriti në kupë të qiellit një X5 që nga dritarja e makinës së ndaluar, dukej të fluturonte mbi 150 km/h.

Pa u zhdukur ajo nga sytë, një makinë me targa vendase gjithë 2-sha, fluturoi akoma më vetëtimë se e para. Polici i injoroi tërësisht sytë e shqyer nga habia për makinat që kalonin ashtu: “Përveç kësaj, ke edhe gjobën maksimale”. Kolegu tjetër e la për një moment rrotullimin e tabelës ndër duar dhe vuri syrin gjithë vëmendje tek matësi i shpejtësisë. Ndali një tjetër nga makinat që vinin me shpejtësi skëterrë. Pa u ndalur akoma, shoferi i saj filloi të ngrinte zërin. Makina me xhama të errët, luksoze dhe fare jashtë vendi.

Pa lëvizur asnjë muskul në fytyrë, polici nderoi si në kazermë dhe makina që drejtohej nga dikush që kokën e kishte në përmasa krahasuese me timonin, u largua duke lënë në vend shenjat e xhirimit të gomave dhe zhurmën gërricëse të gazit në maksimum. “Zoti polic, a më shpjegon dot në ç’mënyrë e vë unë jetën time apo të të tjerëve më shumë në rrezik në krahasim me këto tre makina që sapo kaluan teksa ju merreni me kilometrat e mia?”

Me gjithë inatin që ndjej për këtë kufizim të përkohshëm shpejtësie që i kanë vënë rrugës interurbane, jam gjithaq e ndërgjegjshme që shkelja duhet ndëshkuar. Neni 140, pika 8 e kodit rrugor (konsultuar sërish e kujdes pas këtij rasti), cilëson vënien e gjobës, por jo masë administrative shtesë, siç është pezullimi i lejes së drejtimit për një deri në tre muaj.

Përpos inatit të kufizimeve absurde dhe mënyrës qesharake se si patrullat e policisë vendosen vetëm në segmentet ku shpejtësia është e kufizuar në 60 km/orë, përherë fshehur pas urave të mbikalimit apo pas ndonjë tufe ferrash e shkurresh, ajo që më tremb është sjellja e diferencuar. Disa tip mjetesh e shoferësh ndalen e ndëshkohen, të tjerë jo. Rasti i sjellë është thjesht ilustrues. Shenja “Ndal” në mënyrë arrogante dhe fodullëku policesk në kërkesën standarde “Patentën dhe lejen e qarkullimit”, janë refren i përditshëm për ata që udhëtojnë shpesh rrugëve të Shqipërisë. Preja e zakonshme janë makinat e thjeshta, me targa,  me taksa të paguara e kontroll teknik të rregullt. Jashtë kësaj kategorie, nuk ka grup të synuar për policët rrugorë.

Cili është roli i kësaj policie? Se vendosja e patrullave enkas në zona të shkurtra ku duhet aplikuar kufizimi i shpejtësisë dhe strukja e tyre pas mureve apo ferrave, nuk sugjeron shqetësim për qarkullimin apo sigurinë e qytetarit. Duket më tepër si nevojë për të zhvatur të ardhura nga gjobat apo për të treguar devotshmëri në punë. Por, rritje të sigurisë në rrugë prej kësaj sjelljeje policore, nuk duket të ketë. Në segmentin Tiranë-Durrës-Tiranë është e pamundur të jesh në korsinë e brendshme, brenda normave të lejuara të shpejtësisë, në limitin e saj, e të mos ndjesh pas vetes presionin e pa ndërprerë të makinave pa targa, të larta, luksoze, me targa me numra të njëjtë, etj, që bëjnë pa pushim sinjale me drita apo i bien borisë, që t’u hapësh rrugën (edhe pse korsia e djathtë mund të jetë plot). Dhe këto makina vazhdojnë, shqetësojnë qarkullimin, fluturojnë me shpejtësi skëterrë, e asnjëherë nuk kam parë ndonjërën të ndalet nga patrullat e policisë.

Është rasti për të përmendur edhe rastet fatkeqe kur punonjës të policisë, njerëz të devotshëm apo të drejtë që mund të kenë tentuar t’i ndalojnë këta lloj drejtuesish, e kanë pësuar me jetën e tyre. Kjo ka ndodhur në mënyrë tragjike. Por, rastet e njerëzve të përkushtuar në radhët e policisë rrugore janë vërtet të pakta.

Imazhi që përcjell kjo pjesë e zinxhirit policor është qesharak, acarues dhe i padobishëm. Policët rrugorë kanë nevojë për trajnime bazë, duke filluar që nga mënyra se si duhet t’i mbajnë veshjet, uniformën, e deri tek qëndrimi, përdorimi i tabelës së ndalimit, komunikimi me shoferët e apo me pasagjerët, e deri tek autoriteti, e jo fodullëku me të cilin duhet të flasin në emër të ligjit. E duke pasur parasysh atë, trimi e i forti është mirë të bëhet me këdo, veçanërisht me ata që e ndjejnë veten më sipër se ligji e nuk ndalojnë apo nuk gjobiten pothuajse kurrë.

Megjithatë, shumë mirë që qarkullimi po përpiqet të rregullohet, por është mirë që kjo të bëhet duke mbajtur parasysh se të kesh në dorë një tabelë e në trup një uniformë, nuk do të thotë se je shndërruar në një Hitler. Polici nuk qëndron mbi ligjin. As publiku nuk është kundërshtar i tij. Ndaj, përmirësimi i sjelljes policore duhet të shkojë patjetër paralel me ushtrimin e detyrës së tyre për ta bërë kodin rrugor të zbatueshëm. Për të gjithë, e jo me raste.

 

 

 

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

Censusi duhet përsëritur Vrapin tek Bashkia

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

August 2011
M T W T F S S
« Jul   Sep »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: