Vrapin tek Bashkia

20/08/2011 at 11:33 Leave a comment

Një kurban, një shirit si në konkurs bukurie, disa përshëndetje miqsh të vjetër e të rinj, ndarje e përkryer mes reklamës dhe anashkalimit mediatik apo politik. Emërimi i kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës kaloi ndryshe nga ç’mund të pritej. Jo vetëm se është kohë pushimesh, por sepse vendosjeve e pikave mbi “i” ishte kthyer në domosdoshmëri për një masë të madhe njerëzish, pavarësisht se çfarë përfaqësojnë.

Përpos mbështetjeve apo sulmeve e akuzave nën të cilat gjendet i sapoemëruari (nisur që me shfaqjen e tij në politikë), një sfidë e re ravijëzohet jo në të ardhmen e afërt apo të largët të tij, por në të tashmen fare, në fraksion të sekondës së çdo momenti; janë mbështetësit dhe pseudo-mbështetësit e tij. Akoma pa mbushur javën me stafin e ri, Bashkia e Tiranës nxitoi të mbushë ekranet me lajme e lajmërime për  aksione të ndryshme bashkiake, që nga ndërtimi e deri tek transporti. E të gjitha vijnë në ekran nga fytyra të reja, që nxitojnë të lexojnë deklaratat e përgatitura.

Përshtypja që japin këto dalje flet për një betejë personale të gjithsecilit brenda Bashkisë që të tërheqë vëmendjen, publike, politike apo mediatike qoftë. Kryetari e ka marrë akoma shtruar, por pamjet që vijnë nga institucioni që i kanë dhënë të drejtojë, do të shqetësonin ankthshëm këdo.  Pasi maliqët mbyllën kapitujt ligjorë, fillon tani për Bashën beteja brenda llojit. Nuk është më e rangut për kryetar e as nuk ka nevojë për publicitet;  por do të jetë po aq gërryese për të, në mos akoma më shumë sesa fushata elektorale. Një ushtri e madhe të papunësh, karton-plotësh, pseudo-karrieristësh e pseudo-militantësh, u pa të rreshtohej në ambientet e Bashkisë që ditën që kryetari i emëruar vendosi të presë në të popullin.

Bashkia e Tiranës nuk ka pasur asnjë lajmërim për vende të lira puna deri pak javë më parë; po ja që tani, gjithkush që pretendon se ka dhënë kontributin e vet në fushatën e Bashës, pret që puna e tij të shpërblehet po me punë; me një vend për veten, për gruan, për burrin, për fëmijën, për motrën, vëllain, mbesën, nipin, xhaxhain, djalin e kushëririt, mbesën e shokut, kunatën e komshiut. Lista e atyre që presin, plot shpresë e bindje se “Basha do ma japë punën mua, as që diskutohet fare, se e di mirë ai sa vota i kam siguruar në zonën time”, është shumë e gjatë. Por, personat që pretendojnë se Basha iu detyrohet me goxha nder nuk janë vetëm ata. Kryetari i ri kaloi një kalvar të gjatë ligjor e procedural deri sa e gjeti veten tek ndërtesa në të majtë të qendrës përherë-prishur të Tiranës; ndaj edhe zërat e miqtë që do futen nga ky zinxhir, që me gjasa do ketë edhe pretendimet më të larta, mund të përbëjë gjithaq një shqetësim për zotërinë kryebashkiak.

Është edhe grupi i tretë, që ndjen se ka të drejtë legjitime të kërkojë vende pune në Bashkinë e Tiranës, madje, t’i ketë kuotat të lira fare; grupi i aleatëve, e përveç LSI-së, kryetarët apo nënkryetarët e partive të vockla që rrethojnë PD-në, do kërkojnë patjetër të ligjërojnë në Tiranë familjarët e tyre të ngushtë (se jo të gjithë kanë arritur të sistemohen nëpër ministri).

Z. Basha do të vazhdojë të buzëqeshë, por të gjitha gjasat janë që këmbëngulja e atyre që pati përreth, sado afër apo larg në fushatë, do të jetë më e gjatë dhe e pa-sprapsur se buzëqeshja e tij. Ngelet për t’u parë se c’lloj drejtorësh, specialistësh apo inspektorësh do emërojë Bashkia, por është e vështirë të përjashtosh mundësinë se fytyrat e tyre do të vijnë nga grupet që shoqëronin Z. Basha në fushatë. Edhe nëse ai do të krijojë një distancë të qartë pas emërimit, apo edhe nëse përpiqet t’i qëndrojë larg nepotizmit partiak, do ta ketë të pamundur t’i shpëtojë ndërhyrjeve për të emëruar Andon Ledhë në institucionin e tij. Vështirësia shtohet edhe më shumë për shkak se Bashkia e Tiranës është e vetmja që synohet nga ata që iu vunë pas Bashës me shpresën për të gjetur një vend pune. Nuk ka ministri apo institucione të tjera ku mund t’i dërgojë punë/nder-kërkuesit në këtë mes mandati qeveritar. Ndaj fluksi për tek dera, telefoni, zyra dhe kafja e tij, do jetë shumë më i madh nga ç’mund të pritet.

Po të shtosh këtu edhe numrin e atyre që presin të rregullojnë telat nëpërmjet njerëzve të ngushtë të Bashës, pa qenë fare nevoja që të merret miratimi i tij, atëherë lista e shpresë dhe pretendim-plotëve shndërrohet në një bumerang për kryetarin.

Politikisht, ky aspekt nuk ka asnjë lloj rëndësie. Në pamje të parë. Kurse moralisht, është mashtrimi i radhës që i bëhet vetes si nga ata që presin, ashtu edhe nga ata që pritet të ofrojnë. Shkojmë pas në pikën që Bashkia e Tiranës nuk ka pasur vende të lira pune (veç  atij të kryetarit), ndaj çdo mësymje drejt saj është thyerje e drejtpërdrejtë e rekomandimeve të përvitshme që na vijnë na vlerësuesit e jashtëm e të brendshëm, për dobësinë dhe pa-aftësinë e administratës publike. Dikur duhet të fillojë çimentosja e stafeve. Ligjërisht dhe moralisht, askush nuk duhet të pretendojë për një vend pune aty ku nuk ka një të tillë. Vendi duhet merituar. Po ky është këndvështrim alien për mbështetësit e kërkuar apo vullnetarë të Bashës, që tani kanë filluar të vërshojnë dyerve të Bashkisë e  telefonave të njerëzve që mendojnë se mund të kenë influencë tek ai.

Thënë ndryshe, nuk do kemi thjesht një kryetar të ri; në Bashkinë e Tiranës do kemi një staf të tërë njerëzish të sapo-ardhur mundësisht edhe nga papunësia, që me shumë gjasa, do t’i përvishen detyrimit që kanë ndaj vetes për ta kënaqur atë më çdo kusht;  punë në zyrë, kafe, pushtet. Ndaj, nga ana administrative, është e paqartë nëse Z. Basha do të ketë burimet dhe mbështetjen e përshtatshme për të arritur ato që synon personalisht për karrierën e tij. Publikisht, kjo është e rëndësishme. Politikisht, nuk ka asnjë gramë rëndësi. Megjithatë, për përfitimin e të gjithëve, është mirë që të ketë prioritet e para.

Në vazhdim, do shohim si do e përballojë Z. Basha zhurmën pretenduese brenda llojit. 

 

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Jo arrogancës policore Për krimin, ligjin dhe mjekun

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

August 2011
M T W T F S S
« Jul   Sep »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: