Gruaja e hekurt e Europës në krizë

28/08/2011 at 20:21 Leave a comment

Zyrtarisht, ajo është kancelarja e Gjermanisë, vendi me ekonominë më të zhvilluar në Europë. Jo-zyrtarisht, ajo emërtohet si udhëheqësja e vërtetë e Bashkimit Europian dhe së fundmi, e klasifikuar edhe gruaja më e pushtetshme në botë. Angela Merkel e ka fituar reputacionin e saj që kur u zgjodh kancelare në vitin 2005.

Ama fuqia dhe influenca e saj e padiskutueshme u bënë të qarta në dy vitet e fundit, me qëndrimet rigoroze ndaj zhvillimeve të fundit që kanë tronditur eurozonën dhe me mënyrës se si ajo përcaktoi mbi kolegët e tjerë europianë rrugën që do të ndiqte BE me Greqinë, Portugalinë e Irlandën, e së fundmi, edhe me Eurobondin.

Znj. Merkel është e dyta zonjë e hekurt që shfaqet në kontinent që pas luftës së dytë botërore. Para saj, Margaret Thatcher la gjurmë në mënyrën e ashpër të qeverisjes, por kontributi i saj ngeli një aset vetëm për Mbretërinë e Bashkuar. Kurse pozicioni i Merkel-it është ndryshe; fjala e saj nuk ka peshë vetëm për Gjermaninë, por përkundrazi, ajo përcakton rrjedhën e ngjarjeve për të gjithë Europën. Në një anë më pak të rëndësishme për politikën e jashtme, por tejet të veçantë për Gjermaninë, Merkel ka favorizuar përqasjen e emërimit të më shumë femrave në pozicione kyçe drejtimi në rangje të larta në vendin që qeveris, si dhe ka fituar vota e popullaritet me iniciativat mjedisore. Kurse për interesin evropian, përpjekjet e saj janë mjaft të dukshme në synimin për të rritur ndjeshëm rolin e euros në tregun financiar global.

 Por, nëse për europianët vija  politike e Merkel, vendosmëria dhe disiplina me të cilën ajo përcakton axhendën e kontinentit është deri tani shpëtimtare, për vetë gjermanët, po kjo politikë i ka sjellë asaj ulje të mbështetjes ndër votuesit vendas. Kjo sepse mes të tjerash, gjermanët po e shohin veten vit pas viti  të zënë në kurth për të shpëtuar ekonomitë e bashkë-anëtarëve të BE-së, që s’po dinë t’i vënë fre deficiteve buxhetore. Po të kesh parasysh se gjermanet vetë kanë jo vetëm më shumë disiplinë në çdo aspekt, por edhe më pak ditë pushimesh në vit krahasuar me bashkë-europianët e tjerë, nuk është e vështirë të kuptosh pakënaqësinë e taksa-paguesve ndaj vendimeve të Merkel për të ndihmuar shtetet evropiane në krizë.

Megjithatë, ky tregues i thjeshtë nuk e vë në pikëpyetje rolin e Angela Merkel-it në politikën e sotme evropiane. Ajo duket e palëkundur në synimin e saj për t’i mbajtur të bashkuar 17 vendet e Eurozonës, dhe me pak ndihmë franceze nga Sarkozy, Merkel vazhdon t’i investojë energjitë e saj për një rritje të rolit ekonomik dhe politik të BE-së në botë. Dhe këtë e bën me bindje, me vendosmëri, me disiplinë të hekurt në veprimet e saj. Mbase pikërisht për shkak të kësaj disipline, vetëm para pak ditësh Merkel, krahas emërtimit si “gruaja më me influencë në botë”, u përcaktua edhe si “gruaja më e rrezikshme në botë, sepse po e shndërron Gjermaninë në dominuesen e padiskutueshme të politikës dhe ekonomisë evropiane”.

Në të tilla raste, britanikët dhe amerikanët nxitojnë të bëjnë krahasime të ashpra të mënyrës së sjelljes së Merkel-it dhe qeverisjeve gjermane. Por këto krahasime thjesht përforcojnë idenë se kjo grua e hekurt, së bashku me shpurën e këshilltarëve gjermanë që ka pas, po lëkund themelet e një hegjemonie të pistë në politikat botërore, veçanërisht në ato financiare. Merkel është pengesa e paparashikuar e orkestruesve të tregjeve financiare, që po sjellin vërdallë Amerikën e të tjerët më pas. Merkel nuk thotë si Thatcher “Dua mbrapsht paratë e mia” (deklarata e famshme në vitin 1984, kur Mbretëria e Bashkuar  paguante shumë më tepër në buxhetin e përbashkët sesa merrte mbrapsht, për shkak se politika rimbursuese evropiane favorizonte francezët, që e kishin bujqësinë shumë më  prioritare sesa  anglezët).

Merkel pra nuk e ka luftën me partnerët europianë. Atyre fjala iu shkon e prerë fare shkurt: “ Minimizoni shpenzimet”. Kurse mesazhi që qëndrimet e saj ndaj krizës së disa vendeve evropiane çon përtej kontinentit, është  akoma më e prerë: “Larg duart nga Euro. Ajo qëndron këtu ku ka vendin”.

Njohësit e mirë të politikës botërore pranojnë tashmë se përcaktimin e fateve të botës, nisur nga ato financiare, nuk e përcakton më një grusht njerëzish në Amerikë dhe në Britani. Një dorë e hekurt përplaset mbi tavolinën ku përcaktohet e ardhmja. E nuk është një dorë evropiane, as thjesht “gjermane”. Eshtë vendosmëria e kancelares së parë femër që nuk ka asnjë gramë të humbur nga disiplina gjenetike gjermane, e përpos saj, ka edhe guximin e vendosmërinë të frenojë apo të vërë në lëvizje mekanizma që e mbajnë larg rrezikut ekonominë evropiane, me në krye atë të vendit të saj.

Për analizuesit e saj, nuk është akoma e qartë nëse Merkel është me fat që drejton Gjermaninë, apo që Gjermania është me fat të ketë në këtë periudhë kyçe në krye të saj një zonjë të hekurt; por ajo që dihet me siguri është që nëse Europa do të dijë t’i shpëtojë katastrofës financiare që e kërcënon, kjo do të jetë fale një gruaje të vetme: Angela Merkel. Jo falë njohurive të saj për financat apo ekonominë, por për shkak të grupit të madh të njerëzve shumë të papërlyer që i qëndrojnë pas. Duke vendosur besimin tek ta dhe guximin e saj për t’i dhënë Europës një tjetër zë, Merkel jo vetëm po tjetërson kursin e një krize botërore të stisur, por edhe po synon ta nxjerrë kontinentin mbi detin e trazuar financiar, ku e kanë futur miqtë e vjetër.

Merkel dhe Gjermania duket se nuk ishin pjesë e lojës, por sipas të gjitha gjasave, pikërisht për shkak të saj, Gjermania pritet të shndërrohet në përcaktuesen e të ardhmes botërore, ku tregjet nuk janë domosdoshmërisht interesi i vetëm.

Kancelarja gjermane duket se mendon qartë që hegjemonisë zotëruese në botë i ka ardhur fundit. E bashkë me të, ka ardhur koha për pak disiplinë në rendin botëror. Mund të ngjajë i hidhur një vendim i tillë, i marrë nga një grua, por duket po ashtu më i sigurti për t’i dhënë udhë.

Angela Merkel është faktor. Në një shkallë shumë më të vogël, njerëz të tillë mund t’i bënin mirë edhe Shqipërisë. (jo Merkel vendit, por Angela të tjera të rritura në vend, jo domosdoshmërisht të gjinisë së saj).

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Për krimin, ligjin dhe mjekun Shiu që nxiton drejt Bunës

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
August 2011
M T W T F S S
« Jul   Sep »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: