Për krimin, ligjin dhe mjekun

28/08/2011 at 20:17 Leave a comment

Një 31 vjeçar u qëllua me armë zjarri në Kamëz. Një tjetër vdiq nga plumbat e të nipit për zënka pronësie në Mirditë; një 19 vjeçare u vetë-var në Shkodër, një 53 vjeçar u vetëvra në Librazhd e një tjetër u vetë-var po aty. E mbi ta, qëndron historia makabër e Liliana Arapit nga Korça. “Koka në Stamboll e trupi në Janinë” mendonim se ishte trill kënge që përdorej për të sofistikuar e vënë në piedestal Ali Pashën, për të cilin një varr i vetëm nuk paska pasur vend t’ia nxente lavdinë.

Po në vitin 2011? Të ndash kokën nga trupi i viktimës në shekullin XXI? Shqipëria është e frikshme ndonjëherë. Vala e vdekjeve vërtitet në çdo cep të vendit e po i bëhet jehonë me ç’të jetë e mundur; shtyp, ekran, media e vjetër, media e re. E pa u mbyllur akoma njëra histori, del në shesh tjetra. O na vrasin, o vetë-vritemi. Arsyet që çojnë në vendimin fatal ndahen në dy grupime kryesore, biologjike dhe emocionale.

Nga e para, pak ose aspak raste dëgjojmë në media, përveç rasteve kur ndonjë vrasje delikate i faturohet gjendjes së rënduar psikike të autorit. Ngelet kështu ana emocionale ajo që shkakton më së shumit tragjeditë e vrasjes në vend. Cilat mund të jenë arsyet kryesore? Zënkat dhe grindjet me të afërmit (të një gjaku ose jo), çojnë në forma të rënda reagimi të njeriut, ashtu siç kanë efekt të pakthyeshëm edhe abuzimet emocionale apo fizike.

Ngjarjet e mëdha në jetë si lëvizja e vend-banimit, martesa, divorci apo humbja e vendit të punës janë gjithashtu burime depresioni që çojnë më pas në vepra makabre. Izolimi social, problemet ekonomike dhe dështimet në jetën personale janë njëjtësisht faktorë që ndikojnë ashpër në vetë-vlerësim e që çojnë më pas në vendimin fatal.

Aktualisht, numri i vrasjeve e vetëvrasjeve në vend është aq i lartë, sa të zë frika të shohësh lajmet. Përpos raportimit për ngjarjen e rrëqethshme të Korçës, u dëgjua më në fund një mjek që sqaronte se plaku 84 vjeçar, me të gjitha gjasat, i rrjedhur sipas gjuhës popullore, në gjuhën e mjekut mund të vuajë nga një formë e rëndë e depresionit dhe duke qenë se nuk mbaka mend ku e ka lënë kokën e viktimës, sugjerohet për një mangësi të receptorëve “serotonin” në një pjesë të vogël të trurit të vrasësit, tek hipokampusi. Serotoninët qenkan neurone transmetues të një përbërje kimike që mundëson komunikimin mes trurit dhe trupit. Kur këto neurone janë nën numrin normal në tru, atëherë trupi nuk funksionon i komanduar nga logjika e ftohtë.

Të paktën dëgjuam se veprimi nuk është normal. Jo se është e vështirë ta kuptosh, por, duke e dëgjuar nga goja e një mjeku specialist, njerëzit kanë më shumë shans të kuptojnë se ndodhia nuk është për t’u marrë shembull. Personalisht, mendoj se nuk duhej as të publikohej kaq e ashpër, sepse shoqëria e brishtë shqiptare akoma e ka të vështirë të ndajë shapin nga sheqeri, e nuk është çudi që brenda pak kohësh, të shohim gjëma të tjera imituese.

U vu re me të drejtë reagimi i disa organizatave e njerëzve që merren me të drejtat e grave, që ndjehen tmerrësisht keq nga kjo ngjarje. E sa herë reflekton mbi të, aq herë është e thjeshtë të ligështohesh për rastet e tjera të dhunimit ç’njerëzor të femrës në Shqipëri. Vdekja e tyre ka ardhur edhe nga shufrat e hekurit, edhe nga shtrembërimi i kokës, edhe nga mjete të tjera që as toka nuk i duron dot.E prapë, dhuna vazhdon, e tani nuk dihet më as nga vjen.

Neveria është e paktë si ndjesi për plakun matuf që pretendonte para gjykatës se nuk qenka kriminel, meqë nuk ka qenë deri sa u bë gati 90 vjeç. Ky mund të jetë në fakt një sinjal shumë i mirë që të shihet e gjithë e kaluara e këtij vrasësi që duket të jetë jo vetëm pa tru (sipas mjekëve), por edhe pa zemër. (S’ka si të jetë, përderisa i mungokan serotoninët që bëjnë lidhjen mes të dyjave).

Ka një handikap të madh në gjithë zinxhirin e ngjarjeve në vend, që vazhdon të përsëritet. Krimet ende raportohen si skupe dhe lihen aty. Gjykatat dhe vendimet e tyre për të tilla raste publikohen fare pak, duke i lënë ndëshkimet në hije, teksa në të vërtetë, ato duhet të japin ndikimin më të madh në publik. Pra, duke folur për ndëshkimin dhe forcën e ligjit, jepen mesazhe të forta që mund t’i detyrojnë keq-bërësit të mendojnë dy herë përpara se të kryejnë veprime fatale.

E dyta është fjala e specialistit. Mjeku, psikologu apo psikiatri duhet të jenë patjetër prezent në lajme të tilla. Pas raportimit fillestar, një shpjegim mjekësor duhet dhënë për arsyet që mund të çojnë në fatalitete të tilla e tek e fundit, edhe se si mund të shmangen ato. Dëgjuesi, lexuesi, shikuesi ka nevojë të dijë. Nuk është mirë të lihet në hije e të hamendësojë se përse ndodhi e si ka mundësi që ndodhi kjo masakër apo të tjera të ngjashme me të. Ligji dhe mjeku; nuk duhet të mungojnë në raportimet për kronikën e zezë, sepse humbjet si koka e Lilianës nuk kapërcehen lehtë nga asnjë shoqëri.

Entry filed under: Media. Tags: .

Vrapin tek Bashkia Gruaja e hekurt e Europës në krizë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

August 2011
M T W T F S S
« Jul   Sep »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  

%d bloggers like this: