Shiu që nxiton drejt Bunës

02/09/2011 at 12:08 Leave a comment

“Më 4 Nëntor do vijmë në Shqipëri.  Trajnimi do zgjasë dy javë. E meqë ka pjesëtarë edhe nga Mali i Zi, po mendonim të rrinim në atë zonën e bukur ku ishim në verë. Si e kishte emrin? Po, Zues. Aty të fillojmë përgatitjet “ – tha gjithë entuziazëm dje një kolege kanadeze. Është e treta herë që do vijë në Shqipëri dhe i duket shumë interesante zona e Shkodrës. Por, të dyja herët ka qenë në kohë vere. Tani kërkon dy javë Nëntori në Zues? Buzë Bunës?!

Reagimi i parë ishte stepje, i dyti kundërshtim, i treti reflektim. Kur filluan përmbytjet dimrin e kaluar në Shkodër? Po, po, ishte Nëntor. Nëntor kur Buna bëri vizitën e parë jashtë shtratit. Në Dhjetor u  tërbua më shumë e në Janar u bë e papërmbajtshme.

“Jo”-së prerë që thashë për propozimin e një aktiviteti dy javor buzë lumit oreks-madh, iu ktheva edhe një herë, për ta shqyrtuar më plotësisht. Po shkon pothuajse një vit, e Nëntori erdhi prapë. Patjetër duhet të jetë bërë diçka për të frenuar Bunën këtë vit. Kështu  të paktën flet logjika e thjeshtë.

Kujtesa nuk më sjell asgjë ndër mend për ndonjë pasqyrim mediatik mbi punën që është bërë apo që po bëhet për të mos pasur më situata si ato të dy viteve të fundit në zonën e nën-Shkodrës. Po nëse media nuk ka qenë e vëmendshme, por prapë puna aty vazhdon, si është e mundur që vetë njerëzit, kompanitë, institucionet që po punojnë sot për ta mbajtur Shkodrën të pa përmbytur nesër, nuk bëhen të gjallë me punën e tyre?

Informacion s’ka. Në milionat e faqeve online që flasin për përmbytjet e tregojnë pamje, deklarata e thënie politike për to, gjithçka i përket asaj që ka ndodhur në dimrin e kaluar. Se ç’po bëhet për dimrin që po vjen, me sa duket, të gjithë presim atë; dimrin.

Një projekt i izoluar flet për përpjekje të Qendrës Rajonale Mjedisore,  mbështetur nga qeveria zvicerane, për të  ndërgjegjësuar  dhe informuar banorët e zonave të rrezikuara mbi përballimin e përmbytjeve. Bashkë me njësitë e qeverisjes vendore në Shkodër dhe komunitetin e zonave rreth saj, palët kanë menduar edhe përgatitjen e një plani emergjencash dhe sigurimin e  ujit të pijshëm  për banorët e komunave Zues, Bërdicë dhe Oblikë gjatë përmbytjeve të mundshme.

Kaq. Më tej nuk informohet nëse është hartuar ky plan emergjencash në parandalimin e fatkeqësive dhe parapërgatitjeve për banorët e zonës apo nëse ka përfunduar rrethimi dhe mbrojtja e stacioneve të pompave të ujit në zonat e mësipërme. Jo vetëm nga ky projekt. Përkundrazi. Ai duhet të jetë thjesht një asistues në lëmin e punëve që duhet të ishin duke u bërë në Shkodër. Por, ose punë nuk po bëhet, ose informacioni është duke fjetur gjumë. E duket se shpejt, shumë shpejt madje, kur do të jemi duke mos vënë gjumë në sy për ndryshimet e Kushtetutës, ka rrezik që uji i Bunës jo vetëm të fillojë të dalë, por edhe të niset ndonjë shëtitje për në Tiranë.

Në valën e përmbytjeve të vitit të kaluar, mes garave mediatike për transmetimet më heroike e shfaqjeve politike nga më qesharaket për një situatë të atillë dramatike, pati nëpër studio televizive  deklarata jo vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita, për të rregulluar gjendjen sapo përmbytja të lejonte ndërhyrjet në shtratin e lumit. Pati edhe disa përpjekje sporadike nga disa ekspertë që patën shansin të flasin publikisht e të jepnin shpjegimin e tyre për rregullimin e kompleksit hodrografik te lumit Buna, liqenit te Shkodrës dhe lumit Drin.

Nga të gjitha variantet dhe studimet që janë bërë për zonën që më shumë se 100 vjet më parë, ekspertët sugjeronin se pas përmbytjeve të 2010-ës, gjendja pothuajse të çonte pas në planifikimet e bëra që në vitin  1910, te cilat mbi të gjitha kishin në qendër analizën e devijimit të Drinit në drejtim të Zadrimës, devijimin e lumit të Kirit në veri të Shkodrës, nga ku shtrati i Bunës duhej thelluar me draga dhe se duhej bërë një kalim i planifikuar i Bunës në Amës të Obot-Belajt. Gjithashtu po për Bunën parashikohej lundrimi i varkave te vogla me thellësi lundrimi deri në 2 metra.

Ekspertët mbrojtën idenë se sipas logjikës së këtij projekti ,niveli i liqenit do të reduktohej për 2.5-3 metra, por, fundi i perandorisë, e pengoi  qeverinë turke të vinte në zbatim planin e rregullimit të tërësisë ujore të liqenit të Shkodrës, Drinit dhe Bunës. Gjithçka që rrodhi në 100 vitet më pas, përfshirë edhe marrëveshjet me ish-qeverinë jugosllave, që çoi në vendimin për të shkarkuar një pjesë të liqenit në det duke ndërtuar tunele shkarkimi;  në kullimin e tokave përreth liqenit,  ndërtimin e argjinaturave, e më pas dhe bonifikimin e kësaj hapësire me sistemimin e Drinit dhe Bunës, çuan në dramat përmbytëse që kemi parë dy vitet e fundit.

Sipas specialistëve, marrëveshja e fundit mbi Bunën, ajo me Jugosllavinë në  vitin 1973, ka përcaktuar devijimin e Bunës përmes aksit Obot-Belaj dhe sipas tyre, zgjidhja optimale është mbajtja e nivelit të pikut të liqenit deri 6.5 m. Sot, 100 vjet pas mos-realizimit të planit turk e gati 40 vjet pas dështimit të planit jugosllav, zona e nën-Shkodrës po pret në qiell të hapur dimrin e radhës. Rregullime të mëtejshme të pikut të liqenit sipas deklaratave të specialistëve dimrin që shkoi, duken të vështira për t’u justifikuar në aspektin financiar, edhe për shkak të rritjes së madhe të volumit të punimeve.

Variantet e zgjidhjes vërtiteshin tek zgjerimi,  thellimi e pjesërisht argjinimi i lumit Buna e rregullim i ngjashëm për devijimin e Drinit.  Argjinaturat e ndërtuara në brigjet e lumit Drin, Kiri e Buna dhe veprat e kullimit, kanale hidrovore etj. të ndërtuara pothuajse 30 vjet më parë, nuk i frenojnë dot më përmbytjet.  Ndaj vrulli i Bunës në 2010 ishte më i egër se ai i 2009-ës. E pa ndërhyrje brenda 2011-ës, as dimri që rri pas dere, nuk ka gjasa të vijë me plane për zbutjen e këtij fenomeni.

Në mënyrë okulare, kam parë vetëm urën e re që lidh dy brigjet e Bunës, për të të çuar në Zues e pastaj në Mal të Zi. Por me tepër se aq, as është parë, as është dëgjuar gjithë këto muaj për atë zonë; deri sa shiu të vijë prapë.

E në atë periudhë, nuk do ishte e udhës të bëheshin trajnime buzë Bunës, e as të shohim në ekran se ç’ndodh me nën-Shkodrën.

Sezoni i shirave është rreth 60 ditë larg. Të shohim ç’do jetë bërë me Bunën deri atëherë. Se kur të fillojë shiu, nuk ka për të pritur më asnjë sekondë.

Entry filed under: Opinion. Tags: .

Gruaja e hekurt e Europës në krizë Arsim, shpenzim, çimento dhe politikë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
September 2011
M T W T F S S
« Aug   Oct »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

%d bloggers like this: