Arsim, shpenzim, çimento dhe politikë

14/09/2011 at 12:41 Leave a comment

 Në Montmartre ka përherë shumë lëvizje. Rrugët, dyqanet, baret dhe restorantet janë plot, pavarësisht ditës së javës. Kjo është e pritshme, përderisa Montmartre është pjesa më e lartë e Parisit, mbi kodrën e të cilës, është vendosur bazilikata e famshme Sacré Cœur. Turistët ditorë nuk kanë të sosur, siç nuk kanë as ata që vendosen në këtë zonë të Parisit për të qëndruar ditët apo javët e pushimeve në qytetin e argjendtë. E teksa nuk është e lehtë të gjesh vend restoranteve, është po aq e vështirë të mos të të bjerë në sy se përveç cilësisë së shkëlqyer, edhe çmimi i bën konkurrencë të fortë bizneseve të ngjashme në Tiranë. Si pikë kaq fort e rrahur nga turistët që është, zona rreth bazilikatës duhet të kishte çmime të kripura, që të përfitonte maksimumin nga vizitorët. Po kjo është vetëm logjika shqiptare.

Një drekë, një kafe apo një sanduiç në Montmartre, kushton po aq sa në kopshtet Trocadero pranë kullës Eifel, apo po aq sa në restorantet rreth Louvrit. Pra, diferenca në çmime, për çudi, nuk aplikohet. Në Tiranë,Instat sapo tregoi se në Gusht shqiptarët kanë shpenzuar më shumë para se një muaj e se një vit më parë, por, jo për më shumë mallra e shërbime. Në Francë, asgjë nuk ka ndryshuar as nga muaji, as nga viti i kaluar. E sërish për mënyrën e jetesës dhe c’ndodh me xhepin e qytetarrëve, flitet përditë në media, të reja e të vjetra, të dhëna pas politikës ose jo.

Po le t’i lëmë mënjanë restorantet. Në dyqanet e shumta të Parisit, mes rrugicave e lagjeve të tij, supermarket, minimarket apo dyqan mikroskopik qoftë, ushqimet që merren dhe vlera që paguan në euro, bien në kundërshtim me atë që mund të jemi mësuar në Tiranë.  

Gjithçka është shumë më cilësore, me alternativa me tepricë dhe çmime të përballueshme edhe për xhepin e qëndruesve afatshkurtër, e jo më të banorëve të përhershëm të kryeqytetit francez. Të duket sikur paraja aty ka vlerë, zë vend dhe të nxjerr të kënaqur me shpenzimin e bërë.  Në Tiranë, për një shifër tek 150 euro në javë, karroca të duket bosh në supermarketet e saj. E për më tepër, për amvisat është e sikletshme sepse kur pazari përfundon në shtëpi, pyetja e përhershme është “Ca do gatuajmë sonte”? Pra, pagesën e bëjmë më të shtrenjtë se në Paris e shërbimin, mallin që marrim në këmbim,  e kemi sikur kemi bërë pazar në ndonjë fabrikë çimentoje.

Mbase nuk ka vend fare për krahasim për sa më sipër, por shifrat e nxjerra nga INSTAT për rritjen e shpenzimeve në muajin Gusht,  ishin të vështira për t’u neglizhuar.

Në supermarketet e Parisit, prodhimet e importuara janë të shënuara dukshëm e kanë të shkruar edhe vendin e origjinës. Nuk ka rëndësi nëse janë nga BE apo vende të tjera me të cilat Franca ka apo nuk ka marrëveshje tregtie të lirë, këto produkte vendosen veçmas, sqarohet nga vijnë dhe kushtojnë më shtrenjtë se ato vendaset. Ama për të gjitha, ka alternativë. Dhe Franca lufton fort për të subvencionuar prodhuesit e saj dhe për të mbajtur lart produktet vendase. Në rast të kundërt, çështja merr vëmendje publike, sindikaliste, mediatike e politike.

Po në Shqipëri? Problemi i ditës vazhdon të jetë Wikiliks, me disa vjedhje vëmendje nga Partia Socialiste dhe thyerja e papritur e bojkotit të saj, apo nga përfundimi më i fundit në të cilin ka arritur kryeministri, sipas të cilit, meqë njeriu mërzitet kur nuk ka punë, është e udhës që të rritet mosha e daljes në pension për sa kategori të jetë e mundur.  Po rritja e shpenzimeve?  Rritja e shpenzimeve për shqiptarët, që paguajnë shumë më tepër në Gusht, për të përfituar të njëjtat mallra e shërbime? E si mund të jetë ky lajm dite? Kë prek? Wikiliks nuk ka asnjë kabllogram për këtë.

Partia Socialiste nuk merret me cikërrima shpenzimesh. Qeveria ka punë më të mëdha sesa të dijë si dhe pse (mbi) jetojnë të qeverisurit e saj, dhe media hiç. Rritja e shpenzimeve (nënkupto shtrëngimi i lakut në fyt për ekonominë), nuk ka të bëjë as me politikën, as me showbizin. Kështu që se ç’ndodh me xhepat e qytetarëve, nuk ka shumë rëndësi mediatike.

Është sërish interesant krahasimi mes blerjes së produkteve ushqimore në Paris dhe atyre në Tiranë. Tek i pari ndjen ta kesh marrë atë për të cilën ke paguar; kurse në Tiranë paguan, e as nuk e sheh, as nuk e kupton se ç’ke marrë. Shtrenjtë dhe pa cilësi.    

Në një krahasim të thjeshtë, politika nuk qëndron larg. Njëlloj si ushqimi, edhe politika që marrim, që na japin përditë ekranet e gazetat, ngjan po ashtu me një thes çimento të skaduar, që s’mban dot në këmbë as veten, jo më ata që gjoja ka vendosur të ngjisë e të mbajë bashkë (pra përqindjen e vogël të njerëzve që i kanë votuar dhe shumicën dërrmuese të të zhgënjyerve që vota iu numërohet e pushteti iu tregon dhëmbët, edhe pse me të nuk kanë asnjë lidhje).

Të hënën filloi viti i ri shkollor në Francë. Rrugët e saj ishin ndryshe. Ngado ndjehej atmosfera e një fillimi të zhurmshëm, të rëndësishëm dhe të përgjegjshëm. Në hyrje të shkollave kishte lajmërime në çdo cep të portës e madje atje rrinte edhe një person i stafit që lajmëronte për risitë e vitit. Në mbrëmje, shumë kanale franceze morën shkas nga ky fillim, për të transmetuar dokumentarë, reportazhe apo edhe emisione ku flitej për gjendjen e arsimit fillor në vend, si ka ndryshuam ku po shkon dhe cilat janë ndryshimet mes shkollave në Paris e më gjerë.

Dhe jehona e shkollës ka mbi dy javë që vazhdon në jetën e atjeshme publike, së bashku me problematikën që mund të sjellë arsimi në këtë epokë të re ndryshimesh (Franca është thellësisht e përfshirë nga multikulturalzimi dhe globalizimi).

Edhe në Shqipëri fillon shkolla javën tjetër. Në mënyrë joformale mësoj se numri i regjistrimeve në shkollat fillore këtë vit në Tiranë ka një rritje përtej parashikimeve, që vjen si rezultat i dyndjes në kryeqytet të familjeve nga rrethet (ose arritja e moshës së shkollës për fëmijët e çifteve që kanë disa vite që janë vendosur aty), si edhe kthimi i një numri të madh familjesh nga Greqia. Pra, ka arsye  demografike, sociale, dhe politike. Mëkat që nuk dëgjojmë të flitet për to. Ky shtim e problematikë do të reflektohet në klasat me numër të madh nxënësish, me staf e metoda që ndryshojnë si ngjyrat e ylberit, e pa një pamje të përgjithshme, studimore apo të detajuar mbi atë çka ndodh mbi brezin që nesër do ketë në dorë në mos më shumë , të paktën sistemin e pensioneve me të cilën do jetojmë ne të sotmit.

Por ç’e do. Wikileaks dhe reagimet e çuditura të politikanëve nuk lenë vend për problemet e vërteta që kemi. Ndaj, çfarëdo që shitet në Paris, ka vlerën e asaj që meriton. Fiks, si në Shqipëri, megjithëse atje qyteti vazhdon të jetë i argjendtë e ne vazhdojmë të hamë çimento.

Entry filed under: Vezhgim. Tags: .

Shiu që nxiton drejt Bunës Bashkëjetesa me krimin

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
September 2011
M T W T F S S
« Aug   Oct »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

%d bloggers like this: