Diploma vs aftësive

02/10/2011 at 16:31 Leave a comment

Gara e madhe e regjistrimit për të marrë diploma është në pikun e saj. Universitetet kanë kuota bosh e prindërit  apo diplomë-kërkuesit shohin kuletën të shkojë drejt boshatisjes. Rendja drejt diplomës dhe krediteve vazhdon të ngelet një çudi që bën ligjin në shoqërinë shqiptare.

Numri i madh i universiteteve private që vazhdojnë të shpenzojnë me reklamat për të tërhequr studentë, së bashku me disa vëzhgime në fakultetet dhe shkollat shqiptare, të lënë një shije disi të hidhur për mënyrën se si arsimi është tkurrur në perceptimin e të qenit i rëndësishëm thjesht për diplomën. Atë e duan të gjithë. Kush nuk ka mundësi ta marrë tek publiku, vrapon tek privati, sado të pakta të jenë kursimet apo mundësitë financiare. Dhe tek sheh numrin e lartë të studentëve që ketë javë mbronin temat për mastera profesionalë, shkencorë, të prapambetur e të avancuar, të vjen akoma më keq për mënyrën se si arsimi është zhvlerësuar kaq shumë nga mënyra se si trajtohet nga politika, shoqëria, institucionet, studentët, punëdhënësit e punëmarrësit vendas.

Një numër temash që më ranë në dorë kishin gabime të pafalshme ortografike që në titull. Të tjera kishin abstrakt të ngjashëm herë me hartimet e nëntë-vjeçare, e herë me një përkthim të keq nga google. Shkallëve e korridoreve nëpër fakultete, sheh studentë që vrapojnë pas pedagogëve në kërkim të shpjegimeve për vlerësimin. E nesër, këta studentë me diploma e mastera, por pa aftësinë për të shkruar saktë as shqipen, do jenë duke u larguar nga studentët që do iu qepen pas për t’iu kërkuar shpjegime. Ose do jenë duke drejtuar jetën tonë e për më tepër, do jenë pjesa dërrmuese e shoqërisë së përbërë nga njerëz që nga ana arsimore, nuk kanë më identitet.

E duke iu rikthyer rëndësisë së arsimit, nuk mund të lihet pa përmendur se në vetvete, qëllimi i tij nuk është pajisja me një copë karton; as thjesht marrja e dijeve, por është brumosja e individëve dhe tejçimi i kulturës në një shoqëri. Arsimi është aty, i gatshëm dhe i hapur për të përgatitur individë kompetentë në fushën apo profesionin e tyre, njerëz që janë të kujdesshëm, të përkushtuar, të aftë, të zotët dhe të njerëzishëm në punën e tyre. Fiks kontingjenti që ka më shumë mungesa sot në Shqipëri. E ky soj njerëzish përgatitet nga arsimi cilësor, që fillon që nga përvetësimi i shqipes e përdorimi i saktë i saj, para se të kalohet në pretendimet për të bërë tema diplomash apo kërkime shkencore.

Eshtë e frikshme mania për të pasur të gjithë master e të gjithë doktraturë, sikur ato të jenë gjellë me presh. Shkallët e arsimit dhe mënyra se si ravijëzohet rrugëtimi akademik janë tregues që ndajnë një grup nga një tjetër profesionalisht, por kjo nuk ka të bëjë shumë me statusin në shoqëri apo vlerësimin për veten e për të tjerët, siç ndodh në shoqërinë tonë. Arsimi, ai cilësor, është i ndërtuar në mënyrë të tillë që t’i mundësojë individit që informacionin, dijen e marrë, ta përdorë për të bërë arsyetime, gjykime, për të marrë vendime për veten dhe për të tjerët, pra të gjejë rrugë për ta vënë në punë dijen duke përdorur mbi të gjitha zgjuarsinë dhe arsyen.

Prapë mbërritëm në një pikë ku ka mungesa në vend, por te paktën, teorikisht, arsimi duhet t’i mbulojë këto boshllëqe. Arsimi nuk është kurrsesi dyqan ku shiten diploma. As diploma nuk është shkop magjik që të sjell dije e zgjuarsi sapo ta marrësh në dorë. Rruga është në drejtim të kundërt. E është rrugë e vështirë, me shumë të tatëpjeta, që fillojnë qysh në fëmijëri, ku veç germave, na mësojnë edhe si t’i vëmë në punë ato. Nga aktivitetet e thjeshta, deri tek mësimi i koordinimit në shkollë e jashtë saj, apo tek përsosja e aftësive gjuhësore, kulturore, shoqërore, dijet e përgjithshme e ato më specifike në fushën e përzgjedhur, e akoma më tej, tek aftësimi shkencor për të sjellë diçka të re në fushën tënde, arsimi është një rrugë e gjatë që me rritjen e individit, vazhdon të sofistikohet.

Mënyra se si trajtohet apo perceptohet arsimi është thelbësor edhe në aspekte të tjera të krijimit të personalitetit të njeriut. Nëse qëllimi kryesor për studentin është  marrja e diplomës dhe për profesorët numri i dhënies apo ngeljes së tyre, atëherë nuk jemi duke shkuar asgjëkund. Maksimumi i ndikimit që ka një diplomë pa dije dhe aftësim praktik është vetja dhe një pjesë e personave të afërt.

Më tej, diploma, si copë kartoni, nuk ka asnjë vlerë. Nëse një diplomat nuk arrin të bëjë asgjë përtej shijimit të vendit ku e kanë emëruar, atëherë diploma e tij në Marrëdhënie Ndërkombëtare është po aq e pakuptimtë sa edhe emërimi i tij në atë post. Gjithaq, nëse një specialit i teknologjisë së informacionit nuk është në gjendje as të rregullojë ikonat në një ekran kompjuteri, atëherë nuk është ndonjë mburrje e madhe të pranosh se ke bërë 5 vite universitet e je duke bërë edhe doktoraturë nga këto që kanë mbirë me shumicë ndër ne. E nëse si drejtues i një institucioni bën një prezantim ku titulli nuk ka lidhje me tekstin dhe e gjitha nuk ka asnjë interes për temën, e akoma më tej, prezantimi nuk ka asnjë linjë logjike as tekstualisht, as grafikisht, atëherë gjëja më e mirë që duhet bërë, përtej heshtjes, është reflektimi dhe rifillimi nga e para për t’u aftësuar.

Prandaj ekziston termi “cilësi” edhe në arsim, sepse prej tij nuk del as me pseudo-diplomë, as si balonë e fryrë me ajër të nxehtë, por del i pajisur më aftësi në fushën që zgjedh. E për t’i arritur ato, duhet së pari të duash të nxësh, të jesh i gatshëm të pranosh sa bujar është vendi i boshatisur brenda vetes, që pret të mbushet me dije dhe aftësim për t’i vënë në përdorim ato, e në fund, të mos kesh kurrë bindjen e plotë se ia dole mbanë duke bërë parada more apo duke marrë materiale të gatshme në google. 

Arsimi nuk është diplomë. Diploma, edhe pse në dukje karamele, nuk ta përcakton statusin në shoqëri. Sjellja me veten dhe me të tjerë karshi dijes dhe përdorimit të saj në funksion të vetes apo të të tjerëve e tregon këtë. E kjo është një tjetër gropë e pambushur, edhe pse lajmërimet në tregun ku merren diplomat, janë më aktive se kurrë.

Entry filed under: Arsim. Tags: .

Bashkëjetesa me krimin Trau për në Bashkimin Europian

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
October 2011
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: