Pak kompromis dhe konsensus

13/10/2011 at 08:21 Leave a comment

Janë dy elementë që i mungojnë sot politikës shqiptare. I pari, kompromisi, i referohet arritjes së një marrëveshje ku personi apo palët heqin dorë nga disa prej pretendimeve të tyre, në mënyrë që marrëveshja t’i shërbejë një grupi më të gjerë njerëzish dhe interesash.  I dyti, konsensusi, nënkupton finalizimin e një procesi me zgjidhjen e të cilit të gjitha palët janë dakord, pasi kanë kontribuar në të njëjtin drejtim në formëzimin e zgjidhjes. Kompromisi zakonisht është i nevojshëm për zgjidhje politike, kurse konsensusi ndjehet më komod kur përdoret për çështje ligjore.

Pse këto dy koncepte nuk zënë vend as në mendësinë, as në praktikën politike shqiptare në formën e rutinës? Sepse që të dyja kërkojnë maturi, përgjegjshmëri, ndjesinë e detyrimit ndaj zgjedhësve dhe integritet të lartë politik. E kur mungojnë trarët, nuk ka si të mbahet çatia.  

Mungesa a aftësisë për të arritur konsensus e për të bërë kompromis, e ka lënë Shqipërinë në apatinë  politike që nuk di të rreshtë dysh prej Qershorit 2009. Pazaret që janë bërë në emër të tyre kanë rezultuar zhgënjyese herë për njërën palë e herë për tjetrën, e duke qenë se marrëveshjet bëhen me parime pazari e jo kompromisi (apo aq më shumë, konsensusi), nuk duhet të çuditemi që kriza politike vazhdon. Po, sepse pazari nuk ka këllqe të mbajë mbi vete pasojat e një marrëveshje që prishet po aq kollaj sa mendja e tregtarëve politikë që e bëjnë, kurse kompromisi për shembull, i arritur me një proces transparent, ku palët janë edhe kontribuuese, edhe përgjegjëse, është shumë i vështirë për t’u prishur.

Për më tepër, nëse ky kompromis i ka kapërcyer interesat personale të palëve e është arritur në emër të një të mire të përbashkët më të madhe (jo se ndodh në Shqipëri), atëherë gjasat që ky kompromis të dëmtojë palët apo përfituesit, janë shumë të vogla.

Në raportet dhe vlerësimet e fundit bërë për Shqipërinë, mungesa e një kulture kompromisi dhe konsensusi në politikë është përmendur shpesh nga miqtë të cilëve iu kërkojmë këshilla dhe mbështetje. Por, politika shqiptare është gjithaq e gatshme të refuzojë hapur, një-anshëm dhe në mënyrë amatoreske çdo vlerësim që kritikon sjelljen jo-konstruktive, madje primitive të saj, edhe pse vendi synon të bëhet pjesë e demokracive më të mëdha.

Teksa kemi përjetuar një parlament gjysmak e një rend qeverisës gjithë vrima ku era hyn e del si të dojë, është e thjeshtë të kuptosh pse ndërkombëtarët e shohin me shqetësim mungesën e aftësive për të bërë kompromis dhe për të arritur konsensus në Shqipëri. Jo se palët nuk njohin konceptet, por thjesht dhe saktë, janë të pa-aftë të kapërcejnë interesat e tyre personale. Se vetëm kështu do të ishin në gjendje të hiqnin dorë prej disa prej pretendimeve që e mbajnë peng Shqipërinë.

Për fat të keq, kasta riciklohet, prurjet infektohen dhe paaftësia e mungesa totale e dëshirës për kompromis e konsensus, bëhet shkrumb e hi. E në vend të kompromisit, prej muajsh e vitesh shqiptarët shohin ekstremizëm politik shprehur në lloj-lloj formash (hap kutitë ose largohu; kurrë më;  unë nuk shkel mbi kushtetutën), të gjitha klishe që e përjashtojnë ashpër kompromisin dhe e bëjnë këtë me ndërgjegje.

Përgjithësisht, kompromisi arrihet përmes komunikimit që çon në arritjen e një marrëveshje, e gjatë rrugës ka devijime të shpeshta nga pretendimet apo objektivat fillestare. Po kush është ai politikan në Shqipëri që do të hiqte dorë nga pretendimet e lidhura ngushtësisht me ekzistencën e tij personale, më shumë sesa atë politike? Të gjitha lëshimet e opozitës që prej vitit 2009 (heqja dorë nga greva, nga kutitë, nga komisioni i Venecias, nga bojkotimi i parlamentit, nga shpërfillja e zgjedhjeve lokale), nuk kanë fare të bëjnë as me kompromisin, as me konsensusin.

Socialistët nuk kanë qenë në ndonjë proces që do ua lejonte këtë arritje. Ata kanë qenë vazhdimisht në një fushë-beteje ku nuk ka as kundërshtarë, as rivalë. Ndaj lufta me mullinjtë e erës që bën partia socialiste që prej Qershorit të dy viteve më parë, s’është gjë tjetër veç një shfaqje që e konsumon opozitën dhe besimin në kauzat e saj. Lëshimet e bëra mund të interpretohen shumë thjesht si dështime të vetë partisë, sesa tolerime në emër të një të mire më të madhe. Se nuk ka as palë, as proces, as marrëveshje. Së pari, duhet fituar prezenca e palës përballë, që lufta të mos vazhdojë të jetë me mullinjtë e erës. E që prezenca të fitohet e të kthejë kokën me vetëdije drejt ekzistencës së opozitës, është kjo e fundit që duhet të luftojë më tepër.

Në këtë përpjekje për të rritur shanset që ekzistenca e saj të merret seriozisht, partia socialiste ka fatin e keq të ecë në rrugën ku më shumë jep sesa merr, duke ditur ama që në shkëmbim, shkel mbi një territor që i lejon të vërtetojë se di ta bëjë mirë jo thjesht kundërshtarin, por oponentin që vendin duhet ta fitojë, përderisa nuk ia dhuron askush. Palët në Shqipëri nuk kanë përsipër çështje jetike për kombet, si mund të kenë në takimet e pafund të negociatave Prishtina dhe Beogradi.

Por në Shqipërinë e shekullit të 21-të, ku manipulohet akoma publikisht me integrimin e shkelmuar duke sharë palën tjetër përmes ekranit e duke shpërfillur inteligjencën elektorale, është e pamundur t’i vësh një emër pa-aftësisë politike për kompromis. Se këto marrëveshje që pengojnë ecurinë politike, parlamentare e ligjore janë duke e vonuar progresin e Shqipërisë e duke mbajtur peng zhvillimin e gjithsecilit prej nesh. E po bëhet fjalë për kompromisin, se konsensusi (ndjenja e përbashkësisë) duket alien si term për sjelljen tonë politike.

Përpos aftësive dhe dëshirës së mirë, konsensusi kërkon bashkëpunim, (palët kontribuojnë në një propozim të përbashkët që përshin sa  më shumë të jetë e mundur interesat e të gjitha palëve); kërkon bashkëpunim (palët synojnë të arrijnë zgjidhjen më të mirë të mundshme për të gjithë, duke lënë mënjanë preferencat dhe interesat personale),  kërkon ndjeshmëri të lartë ndaj barazisë së palëve në proces ( gatishmëria për të kontribuar dhe për të toleruar duhet të jetë e njëjtë prej të dyve); kërkon ndjesinë e gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrjes aktive (sa më shumë individë nga të dyja grupimet, e jo përqendrim të çështjeve e interesave në një grusht njerëzish).

Konsensus është procesi ku të gjithë bien dakord për çështje që individualisht, askush nuk i pranon, se vetëm kështu arrihet progresi i vendit. E që të bëhet kjo, palët duhet të pranojnë edhe ndarjen fiktive të tortës së pushteteve duke e gënjyer edhe ndonjëherë veten se gjithsecili mori pjesën më të madhe. Sigurisht, zgjidhjet e arritura me kompromis nuk mund të jenë të përjetshme, sepse në vetvete, kompromisi është një çadër e mirë, por çati e keqe, që nuk i përballon dot stuhitë politike. Ndaj mungesa e kulturës së kompromisit dhe konsensusit në Shqipëri nuk është thjesht çështje kulture; është edhe mungesë guximi e në shqip, mungesë burrërie për të gjetur zgjidhje afatgjata në të mirë të vendit, që do të kapërcenin interesat e vockla të burrecëve që kanë mbërthyer politikën (dhe jo vetëm).

E sa të kemi këtë lloj kaste e fryme mbi krye, do të vazhdojmë të rrëzohemi me sukses në rrugën drejt integrimit.

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Trau për në Bashkimin Europian Shqipja jo-politike

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2011
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: