Për biznesin dhe praktikën profesionale

31/10/2011 at 12:30 Leave a comment

Është e kuptueshme që protagonizmi politik në vend bën ç’është e mundur dhe e pamundur të jetë zaptues tërësor i vëmendjes mediatike, që në debatet mes individëve politikë e deri tek iniciativat për të minuar njëri-tjetrin institucionalisht. Por, përpos gjuhës shqipe, djegies së kutive  të votimit të zgjedhjeve të kaluara parlamentare, himnit të ri të një force politike, dërgimit në gjykatën kushtetuese të heshtjes parlamentare për vetë gjykatën apo edhe çështjes së shumë-diskutuar të importimit të plehrave, Shqipëria vetë, përbrenda, vuan edhe nga të tjera siptoma që kërkojnë me sforcim vëmendje, edhe pse nuk ua ka qejfin kush.

Në dy javët e fundit, duke bërë më shumë se 1500 kilometra e duke takuar përfaqësues të mbi 30 subjekteve në sektorin privat, m’u duk e çuditshme sa pak e ndjejmë dhimbjen në kraharor e sa shumë merremi me ç’na shohin sytë ose ç’pjell mendja politike.

Në një orvatje disa vjeçare për të reformuar sistemin arsimor, qeveritë shqiptare, njëra pas tjetrës, kanë bërë sikur janë angazhuar të përfshijnë në sistem edhe botën e biznesit, madje duke i dhënë atij rol primar në disa hallka të zinxhirit, siç është arsimi profesional. Në degët e reja që sjell me vete kjo fushë e arsimit, nevoja për të qenë pjesë e praktikës pranë biznesit është një domosdoshmëri që nuk ha kompromis. Dhe tek takoja nxënësit dhe mësuesit entuziastë që studiojnë teknologjinë e informacionit si degë më vete në gati 20 shkolla të mesme profesionale në vend, më vinte çudi që në gjithë këtë histori, interesi dhe pjesëmarrja e biznesit është shumë afër zeros.

C’po ndodh me këtë profil të shumë-promovuar edhe politikisht? Në sistemin e ri arsimor, 2+1+1,  pas nivelit të parë, që përfshin dy vite studim, përfundimi me sukses i kualifikimit profesional “Teknologji informimi dhe komunikimi – TIK”, e pajis nxënësin me certifikatën e punonjësit gjysëm të kualifikuar (ndihmës) në këtë drejtim. Ky kualifikim i jep nxënësit mundësinë që t`i drejtohet tregut të punës për punësim nё ndërmarrje ose firma që realizojnë riparimin dhe mirëmbajtjen e kompjuterave, instalimin, konfigurimin dhe mirëmbajtjen e programeve kompjuterike dhe të rrjeteve kompjuterike, si dhe veprimtari të tjera që lidhen me to.

Pra, nxënësit nuk dalin përdorues profesionistë të facebook-ut, por aftësohen të mbajnë në këmbë sistemin kompjuterik. Më pas fillon profilizimi, me dy degë të miratuara aktualisht; “Instalim dhe mirëmbajtje rrjetesh kompjuterike” si edhe “Mbështetje e përdoruesve të TIK”.

Me një formim të mirë në këtë degë që preferohet shumë nga të rinjtë e sotëm, në moshën 18-19 vjeçare ata janë kështu të gatshëm t’i dalin për zot nga ana teknike dhe të manaxhojnë instalimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve kompjuterike. Këtë mund ta bëjnë në institucionet publike ose bizneset private ku nevojitet mirëmbajtja e rrjeteve kompjuterike, biznese që prodhojnë ose tregtojnë pajisje për rrjetet kompjuterike dhe biznese të tjera që veprojnë në këtë fushë.  

Sigurisht që pas një eksperience në këtë fushë, nxënësit më vonë mund edhe të vetëpunësohen në veprimtarinë e instalimit dhe mirëmbajtjes së rrjeteve kompjuterike. Po ashtu, nga profili tjetër, përfundimi me sukses i arsimit profesional nё profilin “Mbështetje e përdoruesve të TIK”, niveli III, e pajis nxënësin me certifikatën e teknikut dhe menaxherit në këtë profil profesional. Ky arsimim i jep mundësi t’i drejtohet tregut të punës për t’u punësuar në qendra servisi për TIK, institucione publike ose biznese private ku nevojitet mbështetje e përdoruesve të TIK, biznese që prodhojnë ose tregtojnë TIK dhe biznese të tjera që veprojnë në këtë fushë.

Të paktën kështu parashikohet në kurrikulat zyrtare të të dy profileve. Edhe në shkolla, nxënësit dhe mësuesit janë të bindur që po ecin në këtë drejtim. Por, sado pak apo shumë të pajisen shkollat me laboratorë për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, profesioni nuk mund të merret kurrë i plotë atje. Duhet patjetër koha e nevojshme pranë biznesit, që nxënësi të praktikojë aty dijen e marrë (ose të dhënë në shkollë), të ketë mundësinë ta aplikojë, e njëkohësisht me përfundimin e studimeve, të ketë me vete edhe eksperiencën  e punës. Vetëm kështu do të ishte ai i gatshëm të kërkonte punë e biznesi do të ishte në gjendje ta pranonte si të punësuar.

Nga ana konceptuale, kjo çështje ka vite që debatohet mes palëve. Pjesëmarrja e biznesit në arsimin profesional është faktori kryesor përse sistemi funksionon përkryer në Zvicër, Gjermani apo Danimarkë. Që në fillim të vitit shkollor, zyra e mirëmbajtjes së rrjetit elektrik dhe atij të sigurisë për tramvajët e Zurihut kishte paraqitur kërkesën për të pranuar një numër praktikantësh nga dega e teknologjisë së informacionit, sepse së bashku me teorinë që ata merrnin në shkollë, kompania ishte e interesuar t’ua jepte vetë zanatin teknikëve të ardhshëm të mirëmbajtjes së sistemit të tramvajit. Pra, bashkë me shkollën, edhe praktika.

Kurse në Lushnjë, tek ngjiteshim në katin e fundit të një pallati të ri, ashensori bllokohej e zhbllokohej frikshëm. “Nuk ka teknikë ashensorësh në Lushnjë. Një që është, vjen nga Tirana. Duhet marrë ai në telefon, se këtu nuk merr vesh njeri nga kjo teknikë”. Po pse? Edhe në Elbasan numri i ndërtimeve të reja është rritur. As atje nuk ka teknikë, ashtu siç nuk ka manovratorë (fjalë pothuajse e harruar në shqip), të makinave të reja teknologjike që përdoren në industrinë e ndërtimit.

Po pse nuk i merr biznesi nxënësit nga shkollat profesionale, të bashkëpunojë me to e t’iu japë zanatin këtyre të rinjve që nesër do të kenë në dorë shërbimet, sigurinë dhe mbarëvajtjen e jetëve tona? Sepse biznesi është fragmentar. Është i vogël (edhe pse mund të jetë shumë fitimprurës). Është biznes që mendon sot për sot, për përfitimet e tij. Sepse nuk gjeta në të gjithë kilometrat e bëra asnjë biznes që të ketë një zyrë planifikimi për të ardhmen, ku të përfshihej edhe investimi dhe përfitimi i mëvonshëm nga të rinjtë që frekuentojnë shkollat profesionale.

Por e gjitha kjo histori nuk sjell asnjë lloj përfitimi të menjëhershëm për ta, përkundrazi, shihet si barrë mbi shpinë për shumicën e bizneseve që vetëquhen edhe elitare.

Për më tepër, nuk është as ndonjë histori tërheqëse për botën e politikës e të sharjeve. Ndaj ngërçi i sotëm mes biznesit e shkollave, nuk ka si të gjejë as vend, as zgjidhje. Edhe pse, duam apo jo, bashkë me ligjin, politikën, integrimin e të gjitha proceset e mëdha, në anën ekonomike, është vetëm ky sektor që siguron përgatitje, cilësi dhe zhvillim në treg. Se mirëqenien nuk kanë për ta rritur as politikanët, as rrugët e shtruara, por shtresa e mesme, që sot mundohet të studiojë, por nuk qaset për t’u formuar praktikisht në biznes. Se sot,  biznesin e bën politika, por nesër, politikën do ta bëjë biznesi. E zbatimin e këtyre politikave, duhet ta vënë në jetë ata praktikantë që sot refuzohen.

E duhet të fillojnë të pranohen sa më shpejt, që të mos ngelen ashensorët rrugës, teksa janë nisur për në katin e 12-të.

 

Entry filed under: Arsim. Tags: .

Shqipja jo-politike Hendeku i krizës greke

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

October 2011
M T W T F S S
« Sep   Nov »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

%d bloggers like this: