Hendeku i krizës greke

03/11/2011 at 09:52 1 comment

Greqia po vë Europën në provë. Jo vetëm Bashkimin Europian, por edhe shtetet që kanë zgjedhur të jenë jashtë tij apo aq më keq, ata që aspirojnë të bëhen pjesë e këtij bashkimi. Kriza aktuale, që ka hyrë në vitin e saj të tretë, ka kapërcyer nga faza e trazimit në atë të lëkundjes së besimit në politikën dhe gjendjen e sotme të Bashkimit Europian.

Por, teksa dashamirës e studiues po merren me pasojat që kriza greke po i sjell vendeve të Bashkësisë, pak kush në media e në politikë po mundohet të gërmojë në gjetjen e arsyeve, rrënjëve dhe prejardhjes së kësaj krize, që sado dimension europian të ketë, nuk ka si të mos burojë nga Greqia vetë. Përse? Një vështrim i lehtë në historinë moderne të këtij vendi të bën të kuptosh rastet e përsëritura të krizës që e kanë kapluar atë në momente kyçe të tij. Borxhi grek nuk lindi sot, as dje, as një dekadë më parë. Kredi-dhënësit ndërkombëtarë, sponsorët e huaj dhe bujaria e shteteve të mëdha ndaj Greqisë ka luajtur një rol thelbësor në këtë vend qysh prej krizës osmane në Ballkan, në vitin e largët 1820.  Financat, politika dhe zhvillimi ekonomik grek kanë qenë të varur nga ndërhyrja ndërkombëtare që në hapat e para të Greqisë, që kërkonte të rimëkëmbej nga prania turke.

Është shumë interesante të shohësh se si përgjatë gjithë etapave të dy shekujve të fundit, Greqia ka qenë në një vorbull borxhesh e falimentimesh të një pas njëshme, e përherë ia ka dalë mbanë të përfitojë faljen e tyre apo në këmbim, paketa të ndryshme financimesh. Në vite atyre u ka ndryshuar vetëm dhënësi ose emri, kurse filozofia ka qenë e njëjtë si tani: ta shpëtojmë vendin nga rrënimi që vjen prej borxhit. Por, teksa deri disa vite më parë Greqia është parë si faktor kyç në marrëdhëniet ndërkombëtare, e nën këtë petk ajo ka përfituar shpesh financime, sot bota ka ndryshuar. Fqinji ynë jugor nuk ka më rëndësinë e dikurshme strategjike, që i bënte fuqitë perëndimore ta përkëdhelnin Athinën me hua bujare përgjatë dhe pas Luftës së Ftohtë.

Greqia nuk paraqet më as rëndësinë e vendit që me zhvillimin e tij mund të pengojë zgjerimin e fuqisë apo ndikimit rus në Mesdhe, siç parashikonin Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kur vendosën që konfliktit me Turqinë t’i vinin kapak në favor të shtetit modern grek, të cilin e mbajtën me ëmbëlsira financiare që prej krijimit të tij. Jo. Sot Greqia është pjesë e një bashkësie më të madhe. Që prej pavarësisë së largët të saj, Mbretëria e Bashkuar nuk është më e interesuar në monedhën e përbashkët, Franca flet vetëm pas Gjermanisë dhe Rusia është shumë e zënë me përpjekjet për mbijetesë, akoma larg ëndrrës së të qenit fuqi ndikuese e depërtuese deri në Mesdhe. Kohët e zhvillimet pra kanë ndryshuar. Vetëm Greqia jo. Ajo vazhdon të prodhojë kriza e të ketë nevojë për falje borxhesh; herë për të mbuluar mbi-shpenzimet, e herë për t’i financuar këmbadorazi ato.

Me të drejtë, euro-skeptikët sot sjellin në vëmendje huanë prej 600 milionë frangash dhënë Greqisë në vitin 1826 nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat në këmbim rritën prezencën dhe ndikimin politik në Athinë. Por, ironikisht, edhe atëherë huaja e marrë u përqendrua në pak duar greke, që përfituan shumë e jepnin pak borxh, me interesa shumë të larta për bujqit e thjeshtë grekë, që duhet të punonin fort për të mundësuar ekonominë të ishte në gjendje të shlyente huanë.  Por, borxhi i jashtëm grek njihte vetëm rritje, duke e penguar kështu vendin të kishte akses në tregjet ndërkombëtare dhe të shkaktonte krizën e të ardhurave për shtetin e sapo-krijuar. 

Megjithatë, në 1878, në kongresin e Berlinit, sërish fuqitë e mëdha gjetën arsye për të qenë në anën e Greqisë. Këtë radhë, me pretekstin për të mbajtur nën kontroll boshllëkun që shkaktoi rënia e perandorisë osmane në Ballkan e për të ruajtur zëvendësimin e saj me perandorinë Austro-Hungareze, fuqitë e mëdha favorizuan fuqizimin ushtarak grek. Ky fuqizim ndodhi, por erdhi bashkë me hendekun e parës të borxhit të papërballueshëm publik në vend. Në pamundësi për të përballuar borxhet që i zinin frymën njëri-tjetrit, në 1893-in Greqia falimentoi.

Asokohe, sipas historisë, Komiteti Ndërkombëtar i Kontrollit Financiar mori në dorë politikat fiskale dhe monetare të shtetit grek, duke vendosur një disiplinë strikte financiare në vend, racionalizoi buxhetin, reformoi sistemin bankar, etj. E megjithatë, ekonomia greke nuk po e ngrinte dot kokën. Zinxhiri i ngjarjeve vazhdoi të përsëritej dhimbshëm i njëjtë për Greqinë; lufta e parë dhe e dytë ballkanike, lufta e parë botërore, lufta e saj me Turqinë e më pas edhe periudha e depresionit të madh botëror, ishin shumë më tepër nga ç’mund të përballonte Greqia. Ndaj, në vitin 1932 ajo falimentoi sërish.

Lufta e dytë botërore e rrënoi fare ekonominë e saj, e kur lufta mbaroi, Mbretëria e Bashkuar shpalli lodhjen e saj për mbështetjen që prej 1820-ës, kështu që vendosi të tërhiqej nga ushqimi pa rezultat që u jepte grekëve prej gati 70 vjetësh. Mirëpo ky nuk ishte momenti i duhur për të hequr dorë nga Greqia, sepse lënia e saj në mëshirë të fatit do të thoshte që Bashkimi i ri Sovjetik të shtrinte lehtë dorën atje ku kishte pasur qejfin e vet Rusia që një shekull më parë. Ndaj, pas tërheqjes britanike, dora e ndihmës u shtri nga fuqia e vetme që s’kishte hedhur akoma parà në humnerën greke: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, Greqia mbetej një pikë strategjike, interesi, e rëndësishme për politikën e jashtme herë të një fuqie, e herë të një tjetre.

E edhe pse mbështetësit, kohët, problemet, fuqitë në shpërthim e ato në dështim kanë ndryshuar, Greqia është ajo që vazhdon të mbetet stoike në problemet e saj: borxhe të jashtme, shpenzime të dala jashtë kontrollit, sistem politik përherë i akuzuar për padronizim nga qarqe të mbyllura mbështetësish, varësi nga importi, sistem jo efektiv për mbledhjen e taksave, përjashtim nga tregjet ndërkombëtare dhe varësi të përjetshme fiskale nga kreditorët e jashtëm, etj. Të gjitha këto janë probleme që Greqia i prodhon, i ndesh e ndan ekzistencën qysh prej krijimit të saj si shtet modern. Deri më sot, fuqitë e mëdha kanë pasur interes dhe nevojë të ruajnë sigurinë dhe stabilitetin grek, por me sa tregojnë bathët, edhe pas 200 vjet serumesh financiare, Greqia vazhdon të jetë e aftë të prodhojë kriza e të deformojë rrugën e saj të zhvillimit ekonomik.

Sot, teksa zhvillimet politike në botë kanë ndryshuar, nuk është me e qartë nëse shtetet e Bashkimit Europian, apo fuqitë e reja në shpërthim, Kina, India apo kush e di, edhe Brazili, mund të kenë ndonjë interes që të parandalojnë dështimin ekonomik, politik apo social të Greqisë. Çmimi politik dhe financiar që po paguajnë vendet e BE-së për të nxjerrë Greqinë nga kriza, është rritur ndjeshëm që prej fillimit të krizës së saj në 2008-ën. BE nuk e lejon dot falimentimin e Greqisë, sepse ajo është tashmë një hallkë zinxhiri. Por, mbetet akoma për t’u parë deri ku do ta testojnë ujin e kësaj krize europianët, sot që Greqia nuk e ka më rëndësinë strategjike të 200 apo 100 vjetëve më parë.

Megjithatë, i mbyturi të mbyt. Ndaj Merkel, megjithëse po dëgjon e lexon më shumë se kurrë më parë për historinë e komplikuar greke me financat, vazhdon të këmbëngulë që Greqia duhet nxjerrë nga uji; ndryshe, hallkat spanjolle, portugeze, italiane e irlandeze që janë ngjitur me të, mund ta bëjnë zinxhirin europian copë-copë. E bashkë me të, edhe aspiratat e një të ardhmeje më të sigurt për shtetet aspirante që janë kapur pas këtij zinxhiri.

Greqia vazhdon t’i kushtojë shtrenjtë perëndimit, por këtë radhë, debati rreth saj ka filluar të bëhet më i hidhur, sepse palët po gërmojnë në arsyet e krizës, që siç shihet, nuk kanë fare të bëjnë me vitin e djeshëm 2008.

Historia përsëritet dhe në këtë aspekt specifik, Bashkimi Europian nuk dëshiron të jetë dëshmitar. Ndaj mbështetja ndaj Greqisë do vazhdojë, por në raste të ngjashme jo. E as në të njëjtën mënyrë.

Entry filed under: Analize, BE. Tags: .

Për biznesin dhe praktikën profesionale Panair apo qendër argëtuese?

1 Comment Add your own

  • 1. Ar.Gu.  |  03/11/2011 at 20:11

    Borxhi borxhin nuk e lane , thote populli .Eshte e vertete qe ka kaluar tre kriza financiare per gati dy shekuj shteti grek , dhe kjo e tanishmja eshte e katerta . Dy krizat e para te shekullit XIX i kishte nga vetja ,ndersa e viteve tridhjet te shekullit XX dhe kjo e tanishmja kane lidhje me krizat boterore . Megjithate ,Greqia eshte shtet i varfer i mbytur ne borxhe, me qytetare shume te pasur ne te tundshme e te patundshme.Mbritja e saj deri ne buze te gremines ishte dhe faji i Europes se papregatitur dhe shume te ngadalshme per te vepruar per familjen , dhe rrjedhimisht Greqioa zvarritej duke marre borxhe per te shlyer interesat . Pas “qethjes” se borxhit me 50 % ,borxhi grek kthehet ne nivelin 120 % te GDP-s,pra ne vitin 2009 . Pra po te kishte qene me e shkathet dhe produktive Europa situata nuk do te ishte kjo e sotmja . Europa ka friken e shteteve te tjera ,sic i permendni dhe ju ,qe edhe pse ne perqindje jane me te uleta se te grekeve ,ne vlera absolute jane te jashtezakonshme,dhe jane te perfshira bankat me te medha europiane e amerikane…Nejse,Greqia si vet ,si me ndihme europiane,kineze e tjere do te ringrihet ,por ne ketej nuk e di,pasi edhe nga Italia po degjohen lengime…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

November 2011
M T W T F S S
« Oct   Dec »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: