Vizë rikthimit të vizave

26/11/2011 at 15:43 Leave a comment

A do rivendoset regjimi i vizave për Shqipërinë? Dëshira dhe synimi i politikë-bërësve europiane është për “Jo”. Por, kur lexon fytyrat e tyre të zhgënjyera tek deklarojnë se numri i shkelësve të regjimit pa viza pëson oshilacione që u nxjerr punë autoriteteve europiane, nuk ke si të mos e kuptosh se shkelja e disave mund të shndërrohet në ndëshkim për të gjithë. E nuk bëhet fjalë vetëm për shkelësit shqiptarë, por edhe ata të kombësive të tjera nga Ballkani perëndimor.

Vetëm para pak ditësh, delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë tërhoqi edhe një herë vëmendjen për shkelësit e regjimit të vizave dhe azil-kërkuesit e rremë nga Shqipëria e nga Ballkani. Nëse numri i tyre do vazhdonte të rritej, gjasat do ishin që në mbledhjen e Dhjetorit, Këshilli i BE-së të diskutojë rishikimin e regjimit pa viza. Por, për barazpeshë, Ministria jonë e Brendshme ka marrë rishtas nota falënderimi nga vende të BE-së për punën e bërë në identifikimin e shpejtë të kërkesave të rreme për azil dhe në fushatën për parandalimin me çdo kusht të këtij fenomeni.

Me pak më shumë punë nga autoritetet e akoma më tepër vullnet nga qytetarët, çështja e vizave nuk ka për t’u rrezikuar në Dhjetor. Por, europianëve iu intereson ta mbajnë vigjilencën në maksimum, për sa kohë vendet burimore të azil-kërkuesve ngelen pas në pritshmëritë që kanë udhëtarët, e shtetet pritëse as nuk janë në kulmin e lulëzimit ekonomik, as në muajin e mjaltit europian për të pranuar miq të rinj nga vendet aspiruese.

Fushata e informimit për të parandaluar shkeljet e regjimit të vizave ka qenë vërtet intensive dhe do ishte sot e pamundur të besoje se akoma shqiptarët mund të pretendojnë se do ia hedhin shtetit pritës me ndonjë deklaratë gjaku apo me përralla përndjekjeje, qoftë politike, qoftë shoqërore, kombëtare, fetare apo edhe përkatësie seksuale qoftë. Sistemi i informacionit, kontrollit dhe verifikimit sot është shumë më i shpejtë sesa vetë imagjinata njerëzore, ndaj është e vështirë, në mos e pamundur të depërtosh në sistemet pritëse mes gënjeshtrash që fashiten shumë shpejt.

Po më shumë se kaq, heqja e vizave për shqiptarët duhet të rrijë në këtë pikë që është, pa kthim prapa, për shkak të një mijë e një efekteve pozitive që sjell me vete. S’do ishte më e udhës t’i riktheheshim radhëve të gjata e depersonalizuese përpara ambasadave. As nuk e meritojmë më, në shekullin e teknologjisë e të informacionit, që të rrimë të izoluar fizikisht nga një botë që e përjetojmë çdo ditë e prej të cilës ndikohemi çdo çast.

Nuk ka pse të shihemi më si delja e zezë e terminaleve të veçanta nëpër aeroportet e botës, ku na bëjnë të presim me minuta e orë të tëra në kontrolle herë rigoroze e shpesh herë fyese për personalitetin tonë.  Nuk ka pse të kthehemi edhe një herë në kategorinë e qytetarëve “të botës së tretë”,  e të na kërkojnë edhe se ç’dreqin kemi dashur që kemi ardhur në këtë botë.

Fluturimet nga Tirana për në destinacionet europiane janë shumëfishuar që prej Dhjetorit të kaluar. Më shumë njerëz lëvizin, udhëtojnë, qarkullojnë, e bashkë me ta, qarkullon edhe paraja, zhvillimi, progresi personal e grupor, ekonomik e kulturor i të gjithë atyre që janë të përfshirë në vorbullën e lëvizjes.

Është shumë e trishtë e depersonalizuese të shohësh se si një sportel i vetëm hapet për gati 150 pasagjerë vetëm 10 minuta përpara orarit të nisjes së një avioni nga një aeroport italian drejt Tiranës.  Oficeri i kontrollit të kufirit, njëlloj si ata në pikat kufitare me Greqinë, duket sikur e shijon vonesën që u shkakton shqiptarëve të vonuar me kohë e me vakt për rrugëtimin europian. Pyetjet shpesh cënuese dhe me ton ironik e sfidues shtojnë ankthin mes pasagjerëve të pasigurtë.  Por një komunikim në anglisht, në secilën pikë kufitare e në secilin aeroport, e bën oficerin të ta vulosë e kthejë pasaportën brenda pak sekondash.

Nuk ka ndonjë magji sekrete. Thjesht mënyra, gjuha, toni, rendi i zgjedhur për komunikim ndihmon në prezantimin e pasagjerit shqiptar si një pasagjer si gjithë të tjerët, udhëtar, vizitor a turist që as nuk është inferior, as nuk ka nevojë të vihet në siklet prej kontrolluesve që nuk e kanë shume qejf kombësinë e tij, apo gjuhën e shtuar që ai flet.

Shansin, të dhuruar apo të merituar, e kemi tashmë në dorë. Udhëtojmë. Mund të udhëtojmë të gjithë në vendet Schengen. Me makinë, autobuz, avion, ç’të na vijë për mbarë. E kemi gjithaq në dorë që në momentin që kalojmë kufirin, të tregojmë se nuk jemi turmë që mësyn, por individë me të drejta të mohuara. Por akoma më shumë, kemi detyrim që “privilegjin” e përfituar, të mos e keqpërdorim duke bërë deklarata falso në kërkesa për azil, sepse tekat e një grupi mund të shndërrohen në bumerang për  pjesën tjetër të popullsisë.

Ky nuk është skenar i besueshëm. Raporti i Komisionit Europian për Ballkanin ka qenë më shumë se i detajuar, përfshirë edhe rreziqet e mundshme dhe numrin e azil-kërkueseve që mund të kërcënonin vendet e zonës Schengen në rast se hiqeshin vizat. Komentet e deritanishme nga Europa nuk janë alarmante. Ato janë shqetësuese dhe duhen lexuar si të tilla, por rreziku i kthimit të vizave nuk mund të jetë real.

Në qoftë kështu, faji është vërtet i qytetarëve të papërgjegjshëm që mendojnë se mund të depërtojnë në ndonjë sistem përmes gënjeshtrash, por sigurisht që një pjesë faji e kanë edhe shtetet që gjenerojnë mundësi për individë të tillë.

Këto vende burimore përgjithësisht kanë mungesë stabiliteti politik, që shkakton oshilacione ekonomike dhe që varet tërësisht prej lëkundjeve të tij pa fund. Ndaj edhe Shqipërisë, ashtu si vendeve të tjera të Ballkanit, i sugjerohet që bashkë me fushatën anti-azil dhe bashkëpunimin me vendet europiane për identifikimin e rrufeshëm të (pa)vërtetësisë së rasteve, të bëjë përpara edhe me ndonjë nismë politike, sepse dy duar, një fytyrë lajnë.

Nëse në vend kristalizohet stabiliteti politik e nuk merr teposhtë ai ekonomik, atëherë shqiptarët nuk kanë pse të kërkojnë azil  (edhe pse asnjë prej këtyre dy arsyeve, politika apo ekonomia, nuk janë legjitime për të kërkuar strehim tjetërkund).

Ruajtjen e regjimit të lëvizjes së lirë, pa viza, e kemi në dorë vetë; një pjesë qytetaria, e një pjesë politika. Me pak vullnet e zgjuarsi prej të dyja palëve, duke parë ç’na pret nesër, e jo sot, çështja e vizave as nuk rrezikon, as nuk do të diskutohet në Këshillin e BE-së. As në këtë Dhjetor, as tjetrin. Ama përgjegjësitë dhe detyrimet që na kanë vënë, është mirë t’i respektojmë. Se pas lëvizjes së lirë të njerëzve, vjen ajo e parave, mallrave dhe shërbimeve. E po arritëm këto, do na vijë keq për shkeljet me të cilat e pengojmë vetë sot rrugën nëpër të cilën duam të kalojmë nesër.

Entry filed under: BE. Tags: .

Panair apo qendër argëtuese? Kurbani i shqipes

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

November 2011
M T W T F S S
« Oct   Dec »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

%d bloggers like this: