Faleminderit Ermonela

05/01/2012 at 18:07 1 comment

Faleminderit Ermonela.

Tingëllon ëmbël, sinqertë por edhe fuqishëm në shqip. Tek e fundit është po aq e përzemërt, në mos edhe më detyrim-ndjenjëse sesa “Thank You Ermonela” që ishte shkruar me gërma të mëdha në website-in www.intermezzo.com

Ermonela Jaho është zëri i ri i Shqipërisë, “mysafirja e mirëpritur” siç u quajt në Londër, “ylli i ri që po lind”, siç pranuan me zë të lartë kritikët britanikë të Operës.

Në 17 Janar sopranoja e re shqiptare ishte thirrur me urgjencë nga Royal Operah House në Londër për të zëvendësuar rusen A. Netrebko në rolin e Violetës tek Opera “Traviata”. Sipas kritikëve britanikë, rusja ishte “sëmurur” nga bronshiti pak orë para shfaqjes; dhe vetë drejtuesit e Operës ishin sëmurur akoma më keq nga sëmundjet e saj të përsëritura, që më tepër se gjithçka, sipas tyre janë kaprico të tepruara të lokalistes që Jim Pritchard e quan ”arrogante” në vlerësimin e tij.

Në po të njëjtin artikull në “musicweb internacional”, sarkastiku Pritchard falënderon kapricon e sëmurë të ruses, sepse ajo i hapi më në fund rrugën një ”zbulimi të ri” që erdhi nga Shqipëria. Ermonela Jaho ka vite që jeton dhe këndon në skenat operistike në SHBA, është e njohur edhe në shumë skena në Evropë, por në Angli ajo ishte po aq e panjohur sa edhe…në Shqipërinë e saj.

Ermonela i ka bërë të gjithë të duartrokasin gjatë në përfundim të një interpretimi të shkëlqyer dhe ”plot emocion e ndjeshmëri të një Violete që mbushi shumë sy me lot”, citohet Pritchard. Znj.Jaho ishte thirrur vetëm në momentin e fundit për të zëvendësuar zërin e sprovuar të ruses Netrebko; nuk pati kohë të mësohej as me orkestrën, as me bashkë-tenorët, as me dirigjentin. Ajo hyri në skenën skeptike, të ftohtë dhe shpërfillëse të Royal Opera House në Covent Garden dhe i sfidoi të gjithë. Ashtu qetë, pa zhurmë, pa pretendime, pa parashikime, por me një pasion, përkushtim, ëmbëlsi dhe profesionalizëm që theu të gjitha parashikimet jomiqësore të kritikëve dhe ndjekësve të stërvitur të operës në Angli. Shumë gazeta dhe faqe interneti vazhdojnë të shkruajnë për debutimin e shqiptares së panjohur, por të fuqishme dhe shumë premtuese.

Ermonela Jaho hyri në skenën prestigjioze britanike rastësisht. Planet për aty i takonin mesit të këtij viti, siç thotë vetë ajo në disa intervista. Por duket se rastësia vazhdon të tregojë mbretërinë e saj edhe me këtë shembull, ku protagonistja Ermonelë bëhet papritur shqiptarja më e dashur për anglezët. Komentet për zërin dhe interpretimet e saj janë të shumtë. Kurse në intervistat e saj, Znj. Jaho tregon lidhjen e përhershme që ndjen me Shqipërinë ku ajo e mësoi për herë të parë Traviatën, apo edhe dëshirën e saj për t’u rikthyer e mirëpritur këtu.

Të gjithë ia kemi borxh nga një duartrokitje. Edhe nga një falënderim për misionin e saj të heshtur. Edhe një mirënjohje të madhe për pjesën e saj në imazhin ndryshe që prezanton për Shqipërinë.

Ermonela duhet të ketë patjetër talent të veçantë, përderisa kritikët rreken të besojnë nëse pas shkëlqimit të saj në Londër me vetëm pak orë prova për rolin, ajo është a) njeriu më i shpejtë në botë për të mësuar të renë; b) bën prova të pareshtura duke pritur që t’i shfaqen rastet e tilla; c) ka aftësi të jashtëzakonshme që të përshtatet me rolet që i shkojnë fare natyrshëm. (sipas vlerësimeve të musicweb international)

Londra ishte fitorja e radhës për vajzën e talentuar nga Tirana. Ajo është tashmë e kërkuar dhe e njohur në të gjitha rrethet operistike. Më e pakta që mund t’i themi kësaj sopranoje të talentuar dhe “zonje të vërtetë” siç i drejtohen adhuruesit e rinj britanikë, është që t’i themi njëzëri dhe me shumë mirënjohje “Faleminderit Ermonela! Shqipëria të përshëndet shumë!”

Do të ishte mesazhi më i mirë i mbështetjes dhe mirënjohjes për suksesin e saj dhe për mënyrën e padiskutueshme të pozitivitetit me të cilën Jaho po prezanton Shqipërinë.

Faleminderit dhe suksese të mëtejshme, Ermonela!

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

Imuniteti ndaj korrupsionit Guximi i dorëheqjes politike

1 Comment Add your own

  • 1. edliragjoni  |  05/01/2012 at 18:11

    *Shkrim i botuar ne vitin 2008.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
January 2012
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: