Guximi i dorëheqjes politike

09/01/2012 at 07:57 Leave a comment

Dorëheqja,  në vetvete, është shprehja më e lartë e moralit politik. Kështu thonë të paktën ata që me politikë kanë ndryshuar rrjedhën e historisë botërore. Dorëheqja shihet si akti më i lartë në zbatim të një marrëveshje, të shkruar ose jo, ligjore apo zakonore, që politikanët bëjnë në emër të guximit për të marrë përsipër përgjegjësi të ndryshme, që nga dështimi për të përmbushur ligjërisht e moralisht një detyre, deri tek shprehja e pakënaqësisë popullore ndaj politikanit. Kjo e fundit po ndodh në Rusi me ish-presidentin dhe sërish kandidat për president.

Vladimir Putin gjendet nën presionin e mbi 100 mijë protestuesve në Rusi, që janë kundër rikandidimit të tij për postin e kreut të vendit. Ata kritikojnë manipulimin në zgjedhjet e fundit ruse, dhe kërkojnë përsëritjen e tyre e  largimin e të gjithë zyrtarëve që kanë bërë manipulime, duke filluar që nga Kryeministri i vendit. Por, me gjithë protestat masive në Rusi, me vëmendjen e madhe që bota politike e mediatike po i jep këtyre zhvillimeve e me nxehjen e gjakrave në masën e pakënaqur të popullatës, që nuk bie dakord me lëvizjet dominuese politike të kryeministrit Putin, zëdhënësi i tij ka deklaruar me një ton pothuajse akuzues (në vend që të ishte reflektues), se Putin nuk është aspak i shqetësuar për protestat dhe shtimin e zërave kundër tij.

 Sipas perceptimit të tij personal dhe të njerëzve që i bëjnë fresk politik, me vullnet apo me detyrim, zyra e shtypit të Putin pretendon se “ Kryeministri vazhdon të ketë shumicën e shumicës në Rusi. Qoftë si një burrë politik, qoftë si kandidat presidencial, Putin ka gjithnjë mbështetjen e  shumicës” – lexohet në deklaratën e lëshuar nga njerëzit e tij të afërt, dhe më këtë rast, Putin nuk harron edhe të lëshojë sinjale armiqësore ndaj perëndimit, armikut që kërkoka t’i vërë shkopinj nën rrota synimit të tij sublim për t’i kthyer lavdinë Rusisë, sepse sipas tij, askush tjetër nuk mund ta bëjë.

Kjo sjellje arrogante e personalizimit të lavdisë dhe mundësisë apo aftësisë për të drejtuar vendin, nuk është aspak rast i izoluar për Rusinë apo vendet e tjera ish-komuniste; ashtu siç është tipik edhe për të gjitha vendet e tjera në zhvillim, ato me histori koloniale, diktatoriale apo regjimi ushtarak. Putin shfaq në mënyrën më të dukshme e më të frikshme synimin e tij të palëkundur për të ndenjur me çdo kusht në krye të Rusisë, pavarësisht se ç’kërkon masa që ai supozohet të qeverisë, apo sytë e jashtëm që vazhdojnë Rusinë problematike.

Por, heqja dorë nga synimet politike nuk është veprim që pritet të ndodhë me përgjegjësi apo krenari nga Putin, siç kanë bërë ministra e kryeministra europianë, që nga Blair, Brown, Jan Peter Balkenende apo Horst Koehler. Madje edhe shembulli më i keq i udhëheqjes politike Europiane, Silvio Berluskoni, u detyrua më në fund të jepte dorëheqjen pasi e bëri Italinë një lëmsh të vërtetë politik e ekonomik. Dorëheqja kuptohet ndryshe në vende të ndryshme të botës, në kushte të ndryshme politiko-ekonomike e në shoqëri të ndryshme në kohët e sotme.

Më shumë sesa akt politik, heqja dorë nga ushtrimi i funksioneve udhëheqëse është shprehje e një marrëdhënie të shkëlqyer me moralin, që jo të gjithë politikanët e kanë në fjalor.

Ish-presidenti amerikan Nixon ka lënë një nga përcaktimet më domethënëse për aktin e heqjes dorë nga politika e drejtimit. Ai mendonte se: “Ka dy kënaqësi supreme në jetën politike; njëra është ideale, tjetra reale. Idealja është kur një politikan fiton nga sovrani të drejtën për ta drejtuar, udhëhequr atë. Kurse kënaqësia reale është të kuptosh në kohë se ka ardhur ka t’ia dorëzosh sërish sovranit të drejtën për t’u udhëhequr, nga kushdo që vendos ai vetë”.

Problemi i liderëve si Putin, që besojnë tek përjetësia dhe e drejta e pushtetit, qëndron në faktin se votën e vullnetin e sovranit e marrin si të mirëqenë në mbështetje të tyre vetëm sipas perceptimeve të tyre personale ose të grupeve që kanë përreth.

Në dorëheqjen për herë të dytë brenda pak vitesh që bëri njëri nga ministrat e saj, gruaja e hekurt e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher (që edhe vetë dha dorëheqjen në karrierën e saj të shkëlqyer), iu drejtuat kabinetit me ironinë angleze duke kritikuar edhe veten brenda të njëjtës fjali “Bëri shumë që dha dorëheqjen ministri. Është fatkeqësi për kabinetin dhe për popullin që kryeministrja ia dha dy herë shansin ta përsëriste këtë dorëheqje”. Që përkthehet fare qartë “ Kur mbushet kupa politike, nuk duhet t’i shtosh më shanse rimbushjeje”.

Putin po bën pikërisht këtë. Po pretendon se ka mbështetjen e rusëve, edhe pse pamjet e protestat nuk thonë kështu. Nga ana tjetër, me kokëfortësinë e tij tipike, deklaron se kupa a tij presidenciale duhet rimbushur e se askush nuk është në gjendje ta bëjë punën e kreut të shtetit më mirë se ai.

Kjo vetë-bindje politike që rëndon në kurrizin e votueseve e të udhëhequrve, fjala e mendimi i të cilëve merret si i  mirëqenë apo manipulohet në mënyrë spektakolare, çon në përsëritjen e presidencave, emërtimeve të disata në krye të qeverive, qarkullimit të përsëritur të të njëjtave emrave në krye të vendeve që bien në batakun e udhëheqjeve autokratike.

Shqipëria ka shumë pika të përbashkëta në zhvillimet e saj post-komuniste me mendësinë udhëheqëse ruse. A nuk ka Putin të dytë? Përderisa pasardhës për Nixon, Thatcher, Kohler, Blair apo Brown kishte, si ka mundësi të mos gjenden pasardhës për Putinin dhe udhëheqësit e tjerë të botës në zhvillim, që i vijnë vërdallë pushtetit, herë në krye të shtetit e herë në krye të qeverisë, sipas dëshirës e oreksit së tyre politik?

“Askush nuk mund ta kërcënojë rendin tonë qeverisës, duke refuzuar të japë dorëheqjen” – thoshte në cilësinë e kryeministrit Blair, kur plot katër anëtarë të kabinetit të tij lanë qeverinë në të njëjtën javë në vitin 2004. 

Kjo praktikë flet vetë. Putin po merr indikacione se duhet të lëvizë në këtë linjë mendimi. Por, rasti nuk është shumë i thjeshtë, e Rusia ka arsyet e veta të merret shumë seriozisht me linjën politike që do të marrë vendi me dinjitetin e nëpërkëmbur që pas shembjes se perdes së luftës së ftohtë.

Kurse vendet e tjera, të voglat, të parëndësishmet, të vendosurat nën shënjestrën, ekspozimin dhe monitorimin e përminutshëm në kërkim të një udhëheqjeje ku  dorëheqja është vlerë e domosdoshme e progresit demokratik, shembujt që vijnë nga kokat e mëdha të politikës botërore, duhen marrë për shembull me shumë sesa rasti Putin. Madje, duke e neglizhuar tërësisht atë.

Entry filed under: Analize, Politikë. Tags: .

Faleminderit Ermonela Pasqyra e krizës fqinje

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

January 2012
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: