Pasqyra e krizës fqinje

09/01/2012 at 07:59 Leave a comment

Në një periudhë të vështirë për vendin e tij shumë-shtetësh, presidenti Linkoln thoshte “Të jesh i shëndetshëm do të thotë të kesh të njëjtën sëmundje me fqinjin tënd”. Po fqinji ynë duket se jo vetëm që është sëmurë, por po lëngon, e madje, kryeministri i tij thotë se në Mars i pret falimentimi. E nëse Greqia është në këtë krizë, po Shqipëria, ku ndodhet?

Kushtet nuk i kemi as shumë të ngjashme, as shumë të ndryshme. Ama fqinjët gjeografikë gjithashtu thuhet se janë pasqyrë për njëri-tjetrin. Shih Greqinë, bëj Shqipërinë.

Shumë emigrantë shqiptarë kanë lënë Greqinë muajt e fundit, për t’u kthyer në Shqipëri. Nga bujqësia, ndërtimi e artizanatet e atjeshme, emigrantët kthehen këtu të hapin markete ushqimore ose skuadra ndërtimi, teksa tregu shqiptar është tashmë plot edhe me dyqane, edhe me njerëz të papunë në industrinë e ngelur në vend të ndërtimit, që e kapërceu periudhën e shkëlqimit të tij rritës. Greqia është në  periudhën e saj më të keqe qysh pas luftës së dytë botërore e dihet tashmë se pjesa më e madhe e fajit, bie mbi qeveritë e vendit, që njëra pas tjetrës, nuk ditën t’i frenojnë shpenzimet publike. “Në Greqi, politikën e bëjnë burrat e mençëm, por vendimet i marrin të marrët” – u shpreh dikur George Santayana, e sot, në kongresin amerikan, dëgjon sërish referime të tilla për vendin që ka oshilacione të mëdha në marrëdhëniet me SHBA: “Po shkojmë në Greqi me këtë gjendje konfuze dhe qeverisje të kotë. Duhet të ndalemi. Duhet të ndalemi” – thërriste me sa i lejohej në sallën e kongresit Steve Wynn javën e kaluar.

Vërtet fqinjët tanë në rrënim janë pjesë e një bashkimi më të madh që e mban me sorume e me paterica, por ama rasti i Greqisë po shihet me seriozitet edhe nga vendet jashtë Bashkimit Europian. Një sërë interesash politiko-ekonomike e kanë çuar Greqinë në këtë stad, ku mënyra se si BE po e trajton krizën e saj, ndiqet e inkurajohet me duartrokitje nga spektatorët e jashtëm gjeografikë; ama si rast, rrënimi i vendi helen nuk mund të anashkalohet nga askush. Aq më tepër, nga Shqipëria.

Me gjithë inatet sipërfaqësore apo thelbësore që mund të ndajmë me fqinjët tanë, rrënimi i tyre nuk e forcon aspak ekonominë shqiptare. As nuk ndikon pozitivisht në ndonjë aspekt të përmirësimit tonë.
Greqia ka një borxh prej 350 miliardë eurosh, prej të cilave, 206 miliardë iu takojnë investitorëve. Pjesa tjetër e borxhit, i është marrë BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Europiane, që i mban ato peng në emër të Greqisë, për rastet e urgjencave për blerjen e bonove. Greqia është në pikë të hallit, por ekspertët botërorë të financave shkruanin dje në The Economist se falimentimi i Greqisë nuk është as më e keqja që mund t’i ndodhë vendit, as fundi i botës. E keqja madhore, sipas tyre, qëndron në faktin se Greqia nuk është e përgatitur për këtë falimentim, e as nuk duket se po bën ndonjë përpjekje për të treguar se po përgatitet ta përballojë falimentimin, të ringrihet prej tij e të mos e lerë më veten të copëtohet edhe një herë, si në të shumtat raste që ka bërë që prej shpalljes së saj të pavarësisë nga Turqia në vitin 1820.

Ekspertët thonë se disa prej investitorëve janë më të interesuar ta çojnë Greqinë drejt falimentimit, sepse kështu do t’iu paguhet i plotë si borxhi, ashtu edhe dëmi që vjen nga falimentimi. Ndaj është e vështirë që të arrihet një marrëveshje sa politike, aq edhe ekonomike për Greqinë, sepse interesat janë të ndara, mes qeverish dhe individësh në të gjitha kontinentet. Ama sa më shumë kalon koha, aq më shumë maturohen borxhet, e vetëm këtë vit, ai pritet të thellohet edhe me 36 miliardë të tjera në interesa e dëme.
Po shqetësimi ynë nuk mund të jetë vetëm Greqia. Gjendja e saj është e pamundur të anashkalohet, por nga ana tjetër, në shtypin e në politikën shqiptare vihet re një pasivitet i plotë jo vetëm sikur Greqia të binte në Honolulu, por më keq akoma, sikur gjendja e saj të ishte rast i izoluar, që nuk ka lidhje me Shqipërinë.

Më tepër sesa analiza e krizës greke, shtypit dhe publikut i mungojnë të dhëna e analiza mbi gjendjen e Shqipërisë. Ku jemi sot? Fjalët e kryeministrit dhe të krye-opozitarit nuk mund të merren për bazë, sepse njerëzit vetë e ndjejnë që nuk jetojnë as në parajsën e rritjes ekonomike, as në ferrin e varfërisë së para disa viteve. Por këto janë ekstremisht të thjeshta për t’u servirur. Ndaj edhe vijnë si kryefjalë politike në rastet e pakta kur flitet për ekonominë. Ama analiza e vërtetë ekonomike e financiare, mungon. Nuk kemi një vështrim të thellë e të plotë mbi gjendjen tonë të borxheve, shpenzimeve, investimeve e buxheteve. Nuk e dimë as sa shpenzohet për investimet publike, as ku merren borxh ato, as në ç’gjendje do të ngelen shqiptarët pas këtyre borxheve e si është menduar të shlyhen ato.

Këto mund të tingëllojnë të gjitha të pavend në përditshmërinë që media e politika na kanë mësuar ta mbushim vetëm me akuza të ndërsjella gjoja politike mes palëve, e të konsumojmë vetëm pseudo-inate personale e pseudo-përpjekje për të mirën e Shqipërisë, integritetit e zhvillimit të saj. E vërteta është që ne nuk dimë asnjë të vërtetë. Gjithë bota po i merr vesh hallet e borxhet e Greqisë, kurse ne nuk dimë akoma as tonat.

Po Shqipëria nuk ka për të pasur ndonjëherë luksin e Greqisë në të qenit në qendër të vëmendjes për arsye të ndryshme në momente të ndryshme të historisë botërore. Vendi ka një mungesë transparence, njohurie e familjarizimi me gjendjen ekonomike, financiare, bankare e detyruese ndaj borxheve, që është për t’u shqetësuar në maksimum.

Kujt i takon të flasë? Përmes medias, detyrimi kryesor është i politikë-bërësve, të maxhorancës e veçanërisht të opozitës, të bëjnë përpjekjet publike për t’u mundësuar shqiptarëve të kenë një ide mbi gjendjen e borxheve të vendit të tyre. Të gjitha problemet e tjera mund të presin e mund të jenë tema bisedash për çdo orar, por informimi dhe transparenca për gjendjen ekonomike e financiare të vendit, duhet bërë me seriozitet e vërtetësi çdo natë.

Se Greqia mund të bjerë në greminë, por në fund të saj, ka në mos pupla, shtresa evropiane që nuk e lënë të thërrmijëzohet. Kurse Shqipërisë as nuk i lejohet të eci drejt asaj gremine, e jo më të bjerë në të. Gropa jonë e zezë mund të jetë tjetërkund e me tjetër pamje. Po cila është ajo?

Ekspertët dhe opozitarët duhet të detyrojnë maxhorancën që së bashku, me apo dhimbje, të na e thonë se ku jemi.

E nëse Greqia falimenton, ç’mund të shkaktojë rënia e saj ndër fqinj? Përveç gjysmë milioni njerëz, me Greqinë na lidhin e na zgjidhin edhe shumë shkëmbime ekonomike, tregtare, shërbimesh e të ardhurash. Ç’do të ndodhë me to?

Greqia ka nga një risi përditë. Ndaj edhe analiza dhe kujdesi ndaj ngjarjeve që ndodhin atje, nuk mund të lihen mënjanë.

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Guximi i dorëheqjes politike Ngushëllime, Shqipëri.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

January 2012
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: