Ngushëllime, Shqipëri.

19/01/2012 at 09:33 Leave a comment

legjitime dhe të pavarura të një vendi për të marrë vendime të pa-ndikuara politikisht, humbja e aftësisë për të ofruar shërbim të besueshëm tek publiku si edhe mungesa e aftësisë për bashkëveprim progresues me vendet e tjera, janë karakteristikat që sipas gjuhës politike, dallojnë një shtet që është në rënie e sipër. Edhe? Gazeta prestigjioze botërore Foreign Policy, në bashkëpunim me Fund for Peace, nxjerrin në përfundim të çdo viti, një listë që tregon renditjen e vendeve më të rrezikuara në botë për t’u quajtur “Shtete të rëna”.( www.foreignpolicy.com). Treguesit nuk janë vetëm gjendja e luftës apo terrorizmi i vendeve të listuara, por edhe të tjera karakteristika politike, ekonomike e sociale të vendeve që marrin pikë në renditje bazuar pikërisht në këtë kontekst zhvillimesh.

Mund të kuptohet fare lehtë që lista kryesohet nga Somalia, vend prej të cilit janë tërhequr shumica e shteteve dhe programeve të ndihmës. Më tej vijon Çadi, Sudani e të tjera vende Afrikane apo Aziatike, për të cilat, bota perëndimore ka dekada të tëra tashmë që shpenzon kohë, para dhe energji për të bërë hapat tipikë, një para-një anash-një pas-dy në vend, në lojën për t’i nxjerrë nga bataku.

Këto vende, në hartën e botës ngjyrosur sipas rrezikut që paraqesin për të  qenë vende të dështuara, me shtete të rëna ose në rënie, janë më ngjyrë të kuq. Pra këtu mbretëron anarkia dhe gjendja kritike.

Pjesa e dytë e vendeve ka ngjyrë portokalli. Këto janë vende në rrezik, me shtetin përherë mbi traun e ekuilibrit qeverisës. Në kontinentin tonë, me këtë ngjyrë kemi dy shtete: Bosnjën dhe Moldavinë.

Pjesa tjetër e Ballkanit është e gjitha e verdhë, ngjyrë që do të thotë: Në kufirin ndarës mes rrënimit dhe stabilitetit. Shqipëria është pikërisht këtu, në këtë grup, në vendin e 121-të, dhe me rënie të konsiderueshme krahasuar me vitin e kaluar. Arsyeja nuk është as ngërçi politik, as refuzimi i statusit për vendin kandidat për në BE, as dështimi për të plotësuar rekomandime nga jashtë e nga brenda, e as zgjedhjet e kontestuara lokale. Jo. Arsyeja madhore është: mungesa e pavarësisë së institucioneve publike. Ne krye të listës, ngërçi qëndron tek pa-aftësia e sistemit gjyqësor për t’i kthyer publikut besueshmërinë tek drejtësia, tek shteti i së drejtës.

Prej këtu, gjenerojnë gjithë të tjerat. Korrupsioni, abuzimi me pushtetin, tjetërsimi i fakteve dhe keqpërdorimi i burimeve pushtetore (jo vetëm atyre financiare), ka çuar në një ngërç të vërtetë të sistemit gjyqësor, që cilësohet sot në këtë renditje si “Alarmues” .

Shteti nuk bie vetëm kur plas lufta. Atëherë ai bëhet i dukshëm edhe për ata që nuk jetojnë në të, e shndërrohet në objekt lajmesh ndërkombëtare. Por së pari, shteti bie sepse institucionet e tij, në vend që ta ngrenë, e rrënojnë besimin e njerëzve në këto institucione e në shtetin vetë. Drejtësia është ligji dhe ligji sot na flet në emër të gjykatësve që në mënyrë të përsëritur, po na tregojnë se publiku dhe ata kanë koncepte katërcipërisht të ndryshme mbi “drejtësinë”.  Shuplakat e njëpasnjëshme që merr publiku nga vendimet e gjyqësorit për funksionarë e ish-funksionarë që hyjnë kont e dalin dukë nga proceset, janë kontribuesi më i madh në rrënimin e besimit në sistemin gjyqësor dhe në përpjekjet qytetare për të jetuar brenda kornizave që nuk do ta lejonin cënimin e tij.

Zakonisht, në botën ku ngjyra e indeksit të funksionimit të shtetit është jeshile, (që do të thotë, shteti është i stabilizuar dhe funksionon shumë mirë), populli pret që proceset dhe vendimet gjyqësore të personave publikë të jenë të pavarura, të paanshme dhe transparente. Në Shqipëri ndodhin të tria, veçse në anën e kundërt. Ose më saktë, vendimet e marra, të shtyra apo të fshehura në vitet e fundit, duket sikur janë udhëzues fillestarësh për t’i  thënë publikut “Kjo është sindroma ime. Unë po vuaj”. Nuk ka si të jetë ndryshe. Sistemi  po vuan, e në ka njerëz brenda tij që natyra i ka bërë ndryshe, po vuajnë më shumë se të tjerët, nga presioni për sjellje dhe vendime të caktuara që iu kërkohet, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë që të japin. Publiku po orientohet qartazi drejt mungesës totale të besueshmërisë në sistemin tonë të drejtësisë.

Këtu ligjin e ka në dorë Maliqi dhe Maliqët janë të majtë, të djathtë, të qendrës, të anës, të parasë, të të gjitha të zezave sunduese bashkë. Maliqët e kanë bërë zap sistemin, e me këtë gjendje, liri pas lirie, e pafajësi pas pafajësie,  ne, jo-Maliqët, jemi të gjithë të burgosur.

Kur Berluskoni bëri një nga manovrat e tij të zakonshme për t’i shpëtuar drejtësisë në një përplasjet e tij të panumërta me të, e përfundimisht, doli i pa lagur, një gazetë prestigjioze britanike doli me titullin “Ngushëllime, Itali”. Është humbje e madhe të të vdesë sistemi gjyqësor. Është tragjikë të mos kesh më as drejtësi, as shpresa të mbetura për të.

Në raportet e fundit ndërkombëtare, ngjyrosur shpesh e më shpesh me bojëra të dala boje, Shqipëria është përcaktuar si shtet me nivel të lartë korrupsioni, burokraci të padepërtueshme, mungesë pavarësie dhe efektiviteti të gjyqësorit, ndërhyrje të shpeshta të politikës në institucionet e pavarura, përforcim të kultit të individit dhe marrëdhënieve të rrënjosura me pushtetin e përqendruar në pak duar, etj, arsye që çojnë të gjitha në ekspozimin e shtetit ndaj rrezikut për të qenë i brishtë, i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm për qytetarët e tij.

Po të shohim listën e faktorëve socialë për shtetet e ekspozuara ndaj këtij rreziku, vëmë re se Shqipëria i përmbush me lehtësi disa kushte: presionin demografik, hendekun mes shtresave (mbështetësit e njërës palë punësohen dhe diktojnë jetën e palës tjetër), retorika politike deri në shtresën e skutën më të largët, largimi i vazhdueshëm nga vendi i studentëve dhe shtresës së mesme, etj. Në anën ekonomike, treguesit janë gjithashtu të qartë: zhvillimi dhe mirëqenia e pabarabartë mes shtresave, ndarja e pamoralshme e vendeve të punës (mbi baza fiktive dhe jo mbi meritat e individit), mungesa e informacionit dhe transparencës për ekonominë e vendit, shkalla e lartë e informalitetit, zhvlerësimi i lekut, rritja e çmimeve, paqartësia për investimet e huaja, marrëdhëniet e cunguara në sektorin privat për kontratat dhe pagesat, etj,

Por me qartësinë më të kristaltë, vijnë treguesit politikë, që na bërtasin para syve për shtrembërimin e shtetit, teksa flasin përmes korrupsionit galopant që reziston shkëlqyeshëm ndaj transparencës, ndihmuar nga gjyqësori vetë, që është përgjegjësi i drejtpërdrejtë për ta demaskuar dhe çrrënjosur korrupsionin. Humbja e besueshmërisë publike në institucionet shtetërore e në ato të pavarura, është treguesi numër  një për kategorinë politike, që shteti nuk i ka punët mirë me qytetarët. Përdorimi i shërbimeve publike në favor të pushtetarëve është një tregues po kaq i qartë: tenderët fiktivë, përdorimi i aparatit shtetëror në shërbim të agjencive që i shërbejnë elitës drejtuese, (siç mund të jenë veprimet e bankave, shërbimeve diplomatike, doganore, kompanitë private etj), janë po ashtu kontribues në rrënimin e besimit tek shteti. E kur cenimi i tij ushqehet kaq shëndetshëm nga gjyqësori, dora vetë, c’mund të presim prej të tjerave?

Media është e diktuar, publiku nën presion, mendimet e kundërta nuk pranohen, çështjet të gjitha personalizohen, gjyqësori njeh vetëm pafajësitë politike, politika është e bindur se ka në dorë gjithçka. Dhe ajo vërtet, ka në dorë gjithçka ndodh apo nuk ndodh në këtë vend.

Nuk ka nevojë për krisma, që të merret vesh se shteti lëngon. Ndaj, si në rastin e fqinjëve me ish-kryeministrin, është rasti të themi: Ngushëllime, Shqipëri.

Kur lind sistemi i ri? Vetëm kur të vjetrit t’i jenë bërë të gjitha nderet që i takojnë.

Entry filed under: Shqiptarizëm. Tags: .

Pasqyra e krizës fqinje Stafetë kosovare

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

January 2012
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: