Pas fjalës së lirë

28/01/2012 at 19:38 Leave a comment

 Media në Shqipëri duket se ka filluar të shtrëngojë veten në raport me lirinë e shprehjes. Kështu të  paktën thotë raporti i fundit i “Reporterëve pa kufi”, që për indexin e lirisë së shtypit, e pozicionon Shqipërinë në vendin e 96-të në botë, ose 16 vende më poshtë sesa viti i mëparshëm.

“Reporterët pa kufi” e bëjnë vlerësimin e lirisë së shtypit që prej 10 vitesh, e pavarësisht rezervave ndaj tij apo raporteve të ngjashme, Shqipëria e ka parë veten edhe shumë më poshtë se kaq në fillimet e vlerësimit për të.

Por, ndërsa në vitet e kaluara kritikat për shtypin kishin të bënin me mungesën e  profesionalizmit, papërgjegjshmërinë editoriale, kaosin organizativ, apo edhe shpikjen në disa raste të lajmeve të tëra, dhunës ndaj gazetarëve e presionit të politikës e ligjit ndaj tyre, sot kritika ka marrë tjetër kah. Ashtu siç është zhvilluar e sofistikuar media në vend, ashtu vjen me gjuhë diplomatike edhe kritika ndaj qëndrimeve mediatike sot, që e lënë Shqipërinë në vendin e fundit në rajon sa i përket lirisë së fjalës (përjashto Malin e zi, që madje ka dalë edhe jashtë 100 të parave).

Problemi i identifikuar sot në Shqipëri  (jo thjesht nga “Reporterët pa kufi”, por edhe nga raportet e tjera ndërkombëtare ku përfshihet zakonisht një kapitull i veçantë për median), nuk është më dhuna ndaj medias, por përdorimi i saj nga politika, pa më të voglin ngurrim. Nuk ka fare kamuflim, as sjellje të sofistikuar. Media rezulton të jetë e njëkahshme në shumicën e saj dhe publikut shqiptar i duhet të kërkojë anët e të njëjtës histori në shumë burime mediatike, sepse veç e veç, secili prej tyre pasqyron vetëm anën që i intereson subjektit me të cilin media ndjehet më afër.

Raporti bën që në fillim një analizë të arsyeve që çojnë në censurën e lirisë së shtypit në të gjitha vendet, jo vetëm në Shqipëri. Por, elementet që shpjegohen për të, janë tejet interesante, sepse duket sikur janë shkruar për një problematikë që vetë media shqiptare, ka zgjedhur me ndërgjegje të plotë të neglizhojë: auto-censurën. Pra, nëse sot politika nuk bën dot përpara me shantazhe apo dhunë ndaj gazetarëve, mënyra që ka gjetur ajo është shumë më efektive dhe më pak e kushtueshme për imazhin e vetë politikës: të blejë fjalën e medias, duke detyruar mbajtjen e linjave të caktuara editoriale, kundër të cilës, nuk shkon asnjëra palë. Për sa kohë një media ka zgjedhur ta shikojë Shqipërinë të errët apo të ndritur, ajo vazhdon ta shfaqë atë të tillë, edhe pse sot është shumë e vështirë ta nënshtrosh publikun me informacion të rremë, të cunguar apo të tjetërsuar.

Por, më shumë se kaq, problemi aktual mediatik është se ajo, me informacionin, tregohet selektive. Përzgjedhja e lajmeve dhe tematikave që do të publikohen ose jo, në varësi të linjës editoriale, është njëlloj e dëmshme sa edhe shtrembërimi i informacionit. Një lajm i munguar është një informacion i mohuar për publikun, dhe kjo shihet me shqetësim nga vlerësuesit e lirisë së shtypit.

Përqendrimi i medias në disa duar të pakta, ka sjellë jo thjesht monopolizimin mediatik në një treg shumë të vogël, siç është ky yni, por edhe ka ndikuar në shtrembërimin e identitetit të medias së lirë. Sot nuk është e vështirë të marrësh vesh ç’ndodh në Shqipëri, por as nuk është e lehtë të kuptosh përse ngjarjet rrjedhin kështu, e jo në një formë tjetër.

Përmbajtjet mediake janë polarizuar dhe perceptimi është “ o me njërën palë, o me tjetrën”, jo thjesht për median, por për mënyrën se si ajo vetë i sheh dhe i trajton ngjarjet dhe njerëzit.

Një numër i madh treguesish mund të sugjerojë përmirësim të gjendjes se medias në Shqipëri, por zhvillimi nuk vjen vetëm nga teknologjia e avancuar apo numri i spektakleve që prodhohen në javë. Liria e shtypit matet mbi të gjitha me mundësinë që media ka të përcjellë informacion e pa diktuar nga politika. Kjo e dyta është në përkeqësim e sipër. Profesionalizmi mediatik është rritur, por edhe ndikimi politik mbi median e njerëzit e saj, është rritur gjithashtu.  

“Reporterët pa kufi” cilësojnë se në Shqipëri, njerëzit e medias kanë një mungesë të theksuar integriteti profesional, që çon drejtpërdrejt në cënimin e lirisë mediatike, sepse ajo shkon ndesh me konformizmin politik, të cilin e shfaq shumë hapur mungesa e integritetit. Sot vërtet gazetarët në Shqipëri nuk përndiqen si disa vite më parë për shkak të profesionit, ama kontrolli ndaj tyre shfaqet në forma akoma më efikase. Nuk është më e nevojshme ta godasësh gazetarin në ambiente publike, por mjafton të ndash me të kafe, ide e mundësi, dhe heshtja e tij blihet shumë më lehtë. 

Kur bënte analizën e marrëdhënieve të pushtetit me median, studiuesi i njohur amerikan R. McChasney e cilësoi pushtetin si mjaltë, e organet mediatike si miza, të cilat tërhiqen fort nga ky i bekuar mjaltë, bien e pastaj edhe mbyten në të, sepse nuk e përballojnë dot sasinë e pa-parashikuar në të cilët përfundojnë.

A është i njëjtë rasti në Shqipëri? Politikat editoriale selektive sigurisht që nuk janë të shpallura as në statut, e as publikisht. Por, me vëzhgimin si të publikut, ashtu edhe të studiuesve që përpilojnë raporte si ai i “Reporterëve pa kufi”, sugjerojnë se  nuk jemi aspak larg përcaktimit të McChasneyt. Madje, me politizimin e çdo çështjeje të mundshme, që nga ligjet e importeve, e deri tek çështjet kombëtare, bëhet e pamundur të mbahet një qëndrim personal, sepse media e kategorizon menjëherë atë në listën e palës “pro” ose “kundër” linjës së saj editoriale, që në vetvete, në shumicën dërrmuese të rasteve, rezulton të jetë “pro” ose “kundër” qeverisë apo opozitës.

Në një përpjekje modeste krahasimi, vihet re se faqet e para të gazetave finlandeze, që zënë  vendin e parë në botë për lirinë e shtypit, ishin të mbushura në ditën e publikimit të raportit me: parashikimet për uljen e numrit të votuesve në zgjedhjet presidenciale dhe arsyet perse po ndodh kjo; rezultatet e një hetimi mbi arsyet që çuan në dorëheqjen e finlandezit  Pekka Haavisto si i dërguari special i BE-së në Darfur në vitin 2007; ndryshimet që priten të ndodhin në strukturat bashkiake në vend; hetimi për disa doktorë të akuzuar se kanë ushtruar detyrën në Finlandë në kundërshtim me ligjin e licencimit; shtresa të mëdha fosfori të identifikuara në kufirin me Rusinë; një kompani e njohur rifiton vendin e parë në klasifikimin e cilësisë për ofruesit e spoteve  publicitare; Nokia bën llogaritë pas falimentimit të një kompanie rumune ku ajo kërkon të investojë, e kështu me radhë.

Për një gazetë shqiptare, kjo mund edhe të emërtohet si një faqe e parë e mërzitshme. Por edhe televizionet finlandeze që mund të ndiqen online, me këtë frymë lajmesh janë: të gjitha me këndvështrimin publik. Dhe është e vështirë të kuptosh se cilat janë shqetësimet politike të këtij vendi, përderisa politika, e aq më shumë, njerëzit e saj, nuk gjejnë dot aspak hapësirë mediatike si njerëz, por vetëm si funksionarë, dhe vetëm të lidhur me detyrën.

Shqipëria ka pasur arritje dhe rrëshqitje në zhvillimet e saj të 20 viteve të fundit. Por, shndërrimi i medias në foltoren politike është më i dhimbshmi, veçanërisht për median vetë. Publiku sot e merr informacionin shumë lehtë edhe në internet, edhe në gjuhë të tjera, edhe nga burime të tjera. Ndaj, dëmi i vetëm që shkakton censura dhe auto-censura mediatike, i takon veç asaj, medias vetë, që perceptohet si mbështetëse e njërës palë apo e tjetrës. E në fakt, është fatkeqësi të humbasësh mundësitë e arta që të jepen për të lënë gjurmë sado të vogla në emër të pa-anësisë e të lirisë së fjalës.

Për momentin, duhet të nisim betejën për rifitimin e dinjitetit, duke filluar nga 16 vende më poshtë.

Entry filed under: Media. Tags: .

Stafetë kosovare Braktisja nuk vjen vetëm

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

January 2012
M T W T F S S
« Dec   Feb »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

%d bloggers like this: