Braktisja nuk vjen vetëm

02/02/2012 at 12:10 Leave a comment

Një baba braktisi foshnjen e tij dje në Korcë, sepse i vetëm e në vëshirësi ekonomike, nuk e rriste dot fëmijën e tij. Nëna vdiq pak javë më parë gjatë lindjes në spitalin e qytetit. Historia është shumë më e dhimbshme nga c’mund të perceptohet në vrullin mediatik apo qytetar në vend.  Braktisja e një foshnje vërtet nuk e ka kurrë fuqinë të kapë hapjen e një edicioni lajmesh, por gjesti, gjendja, arsyeja, e vërteteta e kësaj braktisje specifike dhe e shumë të tjerave të ngjashme, janë patjetër një bumerang që njerëzisht, nuk mund të neglizhohet.

Braktisja e foshnjave të sapolindura është një fenomen i trishtë, që për cudinë e madhe të këtij vendi, nuk vjen dot në vemendjen tonë e plotë e me gjithë forcën e tragjedisë që ajo mbart. Në Tiranë ka një qendër ku vendosen për pak muaj fëmijë që braktisen nga nënat e tyre menjëherë pas lindjes. Arsyet janë të shumta dhe jo të gjitha duhen paragjykuar. Por drita në sytë e Albës dy-muajshe, Gerit disa ditësh, Arbit pak-javësh e deri tek Lola 8 muajshe apo buzëqeshja ftuese e Elit 9 muajsh në atë dhomë të braktisur prindërore, të mbush me drithërimë. Këta fëmijë kanë gjithë përkujdesjen e stafit, infermiereve, punonjëseve sociale, vullnetarëve e vizitorëve rastësorë, por kërkesa e tyre për vëmdendje, dashuri e më pas, siguri për një jetë brenda një familjeje,  është dukshëm shumë më e madhe nga c’mund të ofrohet në institucionet strehuese.

Përse braktisen foshnjat në Shqipëri? Shifrat flasin për një numër 30-40 foshnja të braktisura në vit vetëm në Tiranë. Në rrethe, rastet e regjistruara janë më të crregullta, por problemi më i madh qëndron tek mungesa e të dhënave për lindjet dhe braktisjet eventuale. Në mos e dhimbshme parë nën këndvështrimin gjinor, është padyshim fatkeqësi rasti i foshnjës së gjetur në një kuti bananesh buzë lumit Shkumbin para disa vitesh; e as në maternitetin e Elbasanit, as në ato të Tiranës, nuk u gjetën të dhëna për lindjen e asaj foshnje. Rasti ka qenë i përsëritur me foshnje të braktisura në hyrje pallatesh, kthina rrugës apo rrëzë pemësh nëpër parqe.

Këto foshnja vijnë nga lindjet e bëra jashtë materniteteve, nëpër shtëpi apo mjedise të tjera jo-spitalore. Për këta fëmijë nuk ka të dhëna prindërore, as ardhjeje në jetë. E nuk janë fëmijë që i përkasin një shtrese, një ngjyre apo një grupi të caktuar, që mund të stigmatizohet si i pakujdesshëm ndaj lindjeve e regjistrimeve të tyre. Jo. Rastet, si ai i kutisë së bananes apo edhe ky i Korcës, prej nga merr shtysën reagimi i sotëm, janë fëmijë të familjeve shqiptare në vështirëse sociale, ekonomike apo konflikt me kulturën e sotme komunitare, por asesi fëmijë rastësorë të përkatësive të diskriminuara.

Në shtëpitë  e strehimoret nëpër Shqipëri shikon fëmijë të bukur , të shëndetshëm, të zhvilluar shumë mirë, të zgjuar që në vështrim, aktivë, kërkues vëmendje tek të zgjasin duart e nuk e heqin buzëqeshjen e shpresës nga fytyra, deri sa ta marrin përqafimin që kërkojnë. Ashtu sic edhe sheh raste fatkeqe të fëmijëve me aftësi të kufizuara fizike apo deformime gjenetike, që janë edhe arsyet përse prindërit kanë refuzuar t’i pranojnë e t’i bëjnë pjesë të familjeve të tyre.

Të gjithë, pa përjashtim, kërkojnë vëmendje dhe dashuri. Me kalimin e viteve e shtimin e nevojave, ata kërkojnë edhe përkushtim financiar. Jetimoret kanë financime të vecanta nga buxheti i shtetit, e janë edhe përfitues (edhe pse jo në masën e nevojshme), të fondeve e donacioneve të ndryshme. Por, nevojat e tyre nuk mbyllen me financimet e dhëna. Nga ana tjetër, adoptimi në Shqipëri është akoma nën grupimin e praktikave me komplikacione të mëdha sociale, vecanërisht për psikologjinë e prindërve që detyrohen apo vendosin të birësojnë. Rastet kanë vërtetuar se një fëmijë i birësuar e ka shumë të lartë shkallën e vështirësisë së pranimit pa paragjykime nga të afërmit, familjarët, fqinjët apo edhe të panjohurit që kontribuojnë në rëndesën psikologjike të një familje me birësim. Eshtë pothuajse e pamundur që të arrihet mosha 18 vjec e të jenë vetë prindërit ata që spjegojnë lidhjen jo-biologjike me fëmijën, sepse ndërkaq, në lagje, shkollë, punë apo komunitet, të gjitha gjasat janë që ky fëmijë do të bjerë pre e komenteve tipike përjashtuese që dimë të bëjmë të gjithë kur vjen puna tek identiteti i tjetrit.

Në fund, trauma i ngelet për përballim vetë fëmijës. E kjo ndodh për herë të dytë; së pari në momentin e braktisjes, e së dyti, në zbulimin brutal të së vërtetës, që ia servirin pa asnjë lloj përgjegjshmërie njerëzit që këtë fëmijë e rrethojnë rastësisht.

Fati i trishtë i këtyre krijesave nis që në momentin që prindërit vendosi t’i braktisin, të mos i njohin, t’i refuzojnë. Nuk ka fillim më të mbrapshtë në jetë sesa të refuzohesh që sapo vjen në të. Vështirësia fillon e rritet me  pritjen e gjatë, shpesh të papërfunduar kurrë, për një adoptim të mundshëm. Nëse ky nuk ndodh, rastet e suksesit janë të pakta. Kurse ato të deformimit të jetës së fëmijëve të braktisur, janë më të shpeshta sesa vëmendja kushtuar ndaj tyre. Pas përvjetorit të 18-të, kur ata detyrohen të orvaten për të gjetur zgjidhjet në një jetë ku nuk kanë asnjë mbështetje, shpesh jetimët bëhen pre e hndërrimeve në kontigjent lypësish, prostitucioni, vjedhjesh, krimesh të lehta e të rënda, viktima të akteve të ndëshkueshme civile e penale. E gjitha, sepse që në lindje, iu refuzohet vendi i tyre në familje, e më pas, edhe në shoqëri.

Në disa raste, familjarë të huaj që jetojnë apo punojnë në Shqipëri, kanë vendosur të financojnë në mënyrë modeste mbajtjen e një apo disa fëmijëve në jetimore. Kjo praktikë ka vazhduar edhe pas largimit të tyre nga Shqipëria. Dërgesa mujore vazhdon të bëhet në emër të fëmijëve pa identitet prindëror. Por, këto praktika pozitive eklipsohen nga abuzimet që të tjerë të huaj kanë bërë me jetimët shqiptarë, e që kanë arritur deri në abuzimet fizike me këto krijesa kaq hapur të ekspozuar ndaj të gjitha fatkeqësive të mundshme. Eshte e drejtë të raportohen e ndëshkohen ashpër rastet tragjike të dhunës e abuzimit me jetimët. Por është gjithaq e rëndësishme të vijnë në vëmendje edhe rastet e përkujdesjes ndaj tyre, në mënyrë që perceptimi të ndërrojë kah. Jetimët, foshnjat e braktisura kanë nevojë më shumë se cdo frymor tjetër për një shans të dytë. Babai nga Korca është i pari që duhet ta japë këtë shans. Pas tij, gjithkush që mundet përmes medias apo aktivitetit e pozicionit publik, të ndikojë në lehtësimin e dhimbjes që shkëlqen që në sytë dhe vështrimin lutës të fëmijëve që krijuesit e i refuzojnë.

Jeta është ironike, selektive dhe e padrejtë në zgjedhjet që bën, po njerëzit, të paktën, duhet të dalin mbi kapricot e saj, qofshin këto edhe pengesa mendore, zakonore apo komunitare.

Personalisht, e shoh përtej cdo logjike dhe aftësie të kuptuarin mbi aktin e braktisjes së një fëmije, por kujdesin për ta, duke filluar që nga vullnetarizmi financiar e ai publik, e konsideroj të pafalshëm nëse nuk e bëj, unë apo kushdo që ka mundësinë të bëjë një fëmijë të buzëqeshë.

Tek e fundit, të lemë vend edhe për pak humanizëm, se është e pamundur të na ketë rreshtur.

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Pas fjalës së lirë Europa, euro dhe 20 vjetët e Bashkësisë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

February 2012
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
272829  

%d bloggers like this: