Shoqëri viktimash dhe hipokrizish

29/02/2012 at 12:32 Leave a comment

Vrasja e farmacistes Eleni Basho po gjen vend jo vetëm në media, por edhe në mendjet e lodhura shqiptare, të injektuara me politikë e reality show, që lenë në hije jetën e vërtetë të shqiptarëve.

Farmacistja u qëllua pas shpine, me plumbat që pastaj i dolën në kraharor. Pas shpinës së një gruaje. Nuk ka vogëlsi mendore më poshtë kësaj. Të shtiesh mbi një njeri të pambrojtur, të mundur, të dorëzuar që në gjini. Vrasja e farmacistes bëri bujë sepse ndodhi në të njëjtën ditë me një tjetër femër që vdiq nga plumbi, i quajtur aksidental. Plumb që ishte nisur për mashkullin krah të cilit viktimë u bë ajo, femra 25 vjecare e ekspozuar ndaj mizorisë vrastare mashkullore në vend.

Por, vrasjet ndryshojnë dhe akuzat mbi të cilat po punohet për zbardhjen e vrasjes së farmacistes Basho, janë këmbanë e fortë alarmi për një shoqëri që duket më tribale dhe e papërgjegjshme se kurrë. Nëse vërtetohen akuzat ndaj bashkëshortit të dyshuar si organizator i eleminimit të Elenit, atëherë treguesit e krizës së rëndë psiko-sociale në vend duhen marrë me shumë më tepër seriozitet nga c’na e thotë mendja.

Bashkëshorti thuhet se kishte një lidhje jashtë-martesore, e ka menduar se zgjidhja më e mirë ishte eleminimi i përhershëm i së shoqes nga jeta e tij. Mbase nuk duheshin më. Mund edhe të mos shkonin me njëri-tjetrin. Sic thuhet nëpër dëshmitë e publikuara, cifti kishte një marrdhënie tejet të tensionuar dhe grindeshin shpesh. Po pse duhet të jetë vrasja ajo që e zgjidh cështjen? Kaq pak vlen jeta e një gruaje? Kaq naiv të jetë një bashkëshort me libido të lëkundur e të tjetërsuar, saqë arrin të mendojë se eleminimi i një njeriu në vitin 2012 mund të kalojë pa u zbardhur? Pse akoma ky revansh fataliteti ndaj grave?

Më shumë sesa ekspozenë e hapur të rrezikut nën të cilin jetojnë femrat në Shqipëri, vrasja e Eleni Bashos dhe të rejat që dalin përditë nga hetimi mbi të shoqin e akuzuar, duket sikur thotë se jemi akoma tek faza që besojmë se eleminimi i një qënie njerëzore si zgjidhje për  mënyrën e jetesës së një tjetre, është ende e mundshme.  Pra, s’po flasim më thjesht për dhunën në shtëpi, sulmet apo keqtrajtimet seksuale, rastet e tmerrta të incestit, skllavërinë seksuale, nënshtrimin familjar, etj. Po bëhet fjalë për eleminimin fizik të femrës, dhe ky organizohet me gjakftohtësi  e me pagesë. Jo divorc, as ndarje, as pasuri. Thjesht eleminim, dhe kështu, jeta vazhdon e qetë. Edhe mund të jetë menduar kështu në rastin e Elenit apo në të tjera raste të ngjashme, që nuk rreshtin së ndodhuri cepave të Shqipërisë. Në vitet e fundit, media ka rapartuar për vrasje mizore grash, nga bashkëshortë xhelozë apo tradhëtarë, nga prindër të dhunshëm apo nga burra me të cilët kanë pasur marrdhënie. Po pse duhet të ndodhë kështu?

Analizat e dhunës ndaj grave dhe marrjen e masave për parandalimin e saj, e kanë marrë në dorë një numër i madh oranizatash qeveritare e jo-qeveritare, që punojnë me zell e me hall në këtë pikë. Ka qendra pritjeje, trajtimi, këshillimi, mbrojtje e rehabilitimi për gratë e dhunuara, në institucione publike e në vatra organizatash nga shoqëria civile. Por Eleni nuk hynte në kategorinë e grave që kishte nevojë për ndihmë. Kështu mund të ketë menduar ajo. Dhe kështu mund të mendojnë edhe një numër i madh femrash të tjera në Shqipëri, që iu duket se problemet që iu kanë rënë, duhet t’i zgjidhin vetë. Gabim. Gabim sepse kërcënimi fizik, psikologjik e mendor ndaj tyre mund të minimizohet me ndihmë të specializuar nga shërbimet gjithmonë e më në rritje që ekzistojnë për gratë e dhunuara (jo vetëm fizikisht).

Para disa vitesh, rasti i një adoleshenteje të vetë-helmuar në fshatrat e Fierit u la në harresë, por dosja e saj në një qendër sociale flet për një të kaluar të traumatizuar të vajzës që kishte qenë pre e një incesti mizor që e coi në vetëvrasje. Pse? Sepse ajo i dukej zgjidhja e vetme. Sepse nuk dinte si të dilte nga rrethi i saj vicioz, e as si do të mund të ri-integrohej në shoqëri?

Në cilën shoqëri? Në këtë tonën, ku fillimi dhe fundi i një mardhënie nuk shihen dot si të kapërcyeshme, kurse eleminimi fizik po? Kjo është prirja që po shohim; vrasja ose vetë-vrasja na shfaqen si elementët “shpëtues” të gjendjeve të ndërlikuara ku e fusin veten viktimat dhe agresorët. E përderisa zgjidhja e agresorëve në përgjithësi është ajo më ekstremja, alternativat duhet të vijnë nga viktimat. Duket absurde, por, nëse agresori shigjeton fizikun, viktima duhet të luftojë me mendoren. Nuk është fundi i botës të marrësh vendimin për t’i rënë një numri telefoni e të kërkosh këshillë, strehim, mbrojtje apo edhe thjesht dëgjimin e një historie. As nuk mbaron jeta nëse mbyllet një marrdhënie, edhe martesore qoftë ajo. Kur mbushet kupa, sic tregojnë gjasat për rastin Basho, tragjedia fizike mund të ishte shmangur vetëm nga një kurajo më e fortë mendore e psikologjike për të cilën do të kishte pasur nevojë Eleni. Jeta e saj nuk kthehet më, as për të mbajtur bashkë familjen, as për të vendosur nën fre lëvizjet e bashkëshortit në lidhje me paranë apo femrat e tjera.  Nuk do të kishte qenë humbje e madhe sikur ajo të kishte lënë në fatin e vet edhe burrin me marrdhënie të acaruara, edhe pasurinë që u vërtetua që kishte më shumë pikë në listë sesa jeta e saj.

Por fatkeqja farmaciste, ashtu si një pjesë e mirë e grave viktima në Shqipëri, durojnë e durojnë deri në vetë-sakrifikim me shpresën se akti i tyre sublim, do t’i rregullojë gjerat magjishëm.

Sërish gabim. Në këtë kohë të ngarkuar krize jo thjesht financiare, por mbi të gjitha sociale, psikike e krizë të thellë identiteti që po kalon shoqëria shqiptare, është e nevojshme që femrat të kuptojnë se asnjë veprim i tyre nuk e justifikon fatalitetin; as shpëtimi i familjes vetë.  Por duhet kurajo e madhe. E duhen gjithashtu edhe shembuj që të tregojnë se veprimet e tyre gjejnë jo thjesht  mirëkuptim në shoqëri, por mbi të gjitha, mbështetje nga drejtësia.

Në një rast tjetër të fund-vitit të kaluar, drejtësia shqiptare e kishte detyruar një cift të bënte përpjekje më të mëdha për të shpëtuar martesën, dhe në këtë fazë përpjekjesh, po në Shkozë, bashkëshorti e vrau gruan në sy të fëmijëve të tyre. Në raste të tilla dhune, femrat kanë nevojë për garanci e mbështetje, që të dalin nga kurthet agresore të njerëzve që nuk i duan më.

Përmasat e vrasjes së farmacistes janë vërtet të mëdha. Nuk është vetëm politika ajo që ndikon negativisht në jetët tona. As korrupsioni  në cdo venë. Eshtë apatia dhe hipokrizia shoqërore në të cilën jetojmë. Shqipëria po kalon një krizë të rëndë psiko-sociale, dhe për këtë, ekspertët janë të mirëpritur të kenë kryefjalën, sepse thjesht me raportime nga gjykatat, fundi i jetëve femërore, nuk mbaron këtu.

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Misioni i pamundur afgan 8 Marsi flet në emër të grave

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
February 2012
M T W T F S S
« Jan   Mar »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
272829  

%d bloggers like this: