8 Marsi flet në emër të grave

08/03/2012 at 20:36 3 comments

 Çfarë shprehin qëndrimet, veprimet dhe interpretimet tona në 8 Mars:  respekt dhe vlerësim  për gratë,  dashuri për nënat, apo përgëzim për arritjet ekonomike, sociale e politike të femrave si gjini ?

8 Marsi nuk është në Shqipëri ditë pushimi  apo festë zyrtare siç vazhdon të jetë në shumë nga vendet e ish-bllokut komunist, ama sjelljet për të vazhdojnë të jenë kontroversiale. Dita nuk ka më kuptimin dhe rëndësinë e dikurshme politikisht, por ama, sot është shndërruar në një festë të përzier me elemente edhe të festës së nënës, edhe të Shën Valentinit. Nuk dihet kush merr urime nga kush e për çfarë.

Dita nuk është domosdorshmërisht e lidhur vetëm me vendet ish-komuniste. Vitet e fundit vihet re një përqendrim i madh i fokusit të UNIFEM-it dhe pjesëve të tjera të Kombeve të Bashkuara, që e shfrytëzojnë ditën për aktivitete ku dërgohen mesazhe të forta në emër të barazisë gjinore, ndalimit të dhunës e diskriminimit ndaj grave, rritjes së rolit të tyre në qeverisje, fuqizimin ekonomik, pavarësinë në vendimmarrje, e kështu me radhe (nisur edhe nga specifikat e vendit ku zhvillohen aktivitetet). Sot, gratë shqiptare, që e shfrytëzojnë ditën për të dalë, shëtitur apo shkuar në restorant me familjaret e koleget, harrojnë, nuk e dinë apo edhe anashkalojnë origjinën e kësaj dite dhe përse paska një ditë të caktuar vetëm për gratë.

Nuk është në fakt fort e largët dita kur në vende që sot drejtojnë Bashkimin  Europian e që drejtohen edhe vetë nga femra, pjesa dërrmuese e gjinisë së tyre filloi protestat për të drejtën e votës, për përfaqësimin në pushtetin lokal dhe për heqjen e diskriminimit të punësimit bazuar në gjini. Po, po, se as në Gjermani gratë nuk konsideroheshin si mjaftueshëm të zgjuara sa t’u jepej mundësia të votonin.

Protestat e New Yorkut apo të Vienës në fillim-shekullin XX nuk janë gojëdhëna, por janë të dokumentuara plotësisht e të aksesueshme për të gjithë ata që mendojnë se 8 Marsi është thjesht ditë lulesh. Në një farë mënyre, edhe kuptohet ndjesia e dyzuar që kemi në Shqipëri për këtë festë. Gjatë viteve të diktaturës, ajo u propagandua si një festë “ mirënjohjeje për përpjekjet kolosale të grave, sakrificave e vetë-mohimit të tyre në ndërtimin e atdheut “.

Kaq klishe dhe e papranueshme u bë kjo propagandë, saqë sot femrat nuk kanë fort dëshirë ta shohin 8 Marsin më shumë sesa një ditë pushimi, përkushtimi familjar, shoqëror apo thjesht, vëmendje e gjithkujt për to. Është shumi i kuptueshëm ky refuzim për ta parë 8 Marsin si ditë protestash, kur mendon se ushqimi i heroizmave dhe kontributit të grave për vendin bërë për  katër dekada me radhë, e uli tërësisht besimin që gjinia femërore ka në vlerësimin që i bëhet dhe çmimin që i vihet ekzistencës së saj.

Sot, 8 Marsi nuk është më thjesht festa ish-komuniste apo data e drekave jashtë (si hakmarrje e vonuar e dhunimit të domethënies për aq vite me radhë). Jo. Që prej vitit 1977, 8 Marsi është shpallur edhe nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si dita ndërkombëtare për të drejtat e grave dhe paqen ndërkombëtare. Për një organizëm si Kombet e Bashkuara, lëvizja ka kuptim, sepse ajo i drejtohet së pari shumë vendeve anëtare që janë në konflikt, e si të tilla, janë pre e viktimizimit dhe trajtimin ç’njerëzor të grave. Janë ato që pësojnë më shumë, që prej vrasjeve e përdhunimeve, deri tek humbja e fëmijëve apo familjarëve të tjerë.

Në vende të tjera ku beteja nuk është me armë, por me mjete të tjera moderne, lufta e grave vazhdon të jetë në frontin e sigurimit të pavarësisë ekonomike, të mundësisë për të përfaqësuar interesat e komunitetit në pushtetin lokal, apo për të rritur numrin dhe këndvështrimin e tyre në pushtetin qëndror. Në rastin më të keq, numrat për gratë flasin shumë troç dhe keq; të nën-përfaqësuara. Në rastin më të mirë, edhe kur gratë arrijnë të bëhen pjesë e vendimmarrjes, ato bien pre e shndërrimit, transformimit dhe heqjes dorë nga integriteti më shumë e më shpejt sesa burrat.

Politika provon të jetë fushë-beteje e vështirë për gratë që nisen nga idealet apo principet që ato besojnë. Edhe ato pak që arrijnë të drejtojnë, cilësohen në gjuhën moderne “gra të hekurta”, kurse në shqipen e përditshme “burrnesha”. Pra stereotipi nuk njeh ndonjë veçanti të femrës si drejtuese pa qenë nevoja t’i përdorin masë krahasimi.

Në shkallë botërore, në 8 Marsin e këtij viti, organizatat që merren me të drejtat e grave, frymëzuar nga UNIFEM, dalin në publik me moton “Të fuqizohen gratë – Mjaft urisë dhe varfërisë”. Nuk duket e përshtatshme për festën tonë të 8 Marsit? Epo, t’i harrojmë buxhetoret dhe pjesën e vogël që punojnë nëpër organizata apo sektor privat. T’i harrojmë femrat që jetojnë në qendër e që kanë një status.

Në ditët e sotme, një udhëtim me cilëndo linjë autobuzi urbane në kryeqytet, të jep një panoramë fshikulluese të gjendjes së femrave, pavarësisë së tyre financiare dhe përpjekjeve për të minimizuar varfërinë (veshja, celulari, çantat, rrobat dhe ushqimet që mbajnë në duar, flasin vetë për mundësitë reale të këtyre grave që të festojnë).

Në rrethinat e kryeqytetit, e më tej akoma, fshatrave e qyteteve të vogla, ku akoma ka jetë, gratë mundohen të bëjnë ekonomi edhe me shuma parash që në Tiranë meshkujt mund t’i prishin brenda ditës. Pra, motoja botërore për gratë, nuk është shumë e huaj as për Shqipërinë. Vend për të reflektuar e parë si jetojnë ato sot, ka me shumicë.

8 Marsi interpretohet e përjetohet në shumë mënyra në Shqipëri dhe në botë. Nuk jemi vendi i vetëm që e kemi edhe festën e gruas, edhe ditën e nënës. Ballkani dhe ish-republikat sovjetike kanë të njëjtën përqasje. Me mimoza apo me lule të tjera (vetëm të mos këputen nga pemët,e as nga gratë, siç ndodh rëndom këto ditë rreth Tiranës); me dhurata të vogla apo të mëdha, me festa e dreka ku gratë mblidhen bashkë e kërcejnë me njëra-tjetrën, çfarëdo që të jetë, tek e fundit, kjo është një ditë vetëm për to.

Gratë shqiptare e harxhojnë pjesën më të madhe të orëve të 8 Marsit duke u shqetësuar dhe përgatitur tek parukierja, dyqani i këpucëve, ai i rrobave, apo tek restoranti ku dalin me shoqet. Por, edhe shoqatat që merren me të drejtat e grave, sikur po ndjejnë një farë lodhje në thirrjen e tyre t’i bërë gratë të ndërgjegjshme që në këtë ditë të protestojnë, e jo të festojnë.

Historia e 8 Marsit, sipas të dhënave edhe në UNIFEM, e ka zanafillën në një protestë bërë nga punëtoret femra të një fabrike tekstilesh në New York, pikërisht në 8 Mars të vitit 1857. Protestat ishin për rroga më të mira dhe kushte më njerëzore pune për gratë e diskriminuara e të detyruara të bënin punët më të rënda, ose ato pa rëndësi.

Data iu rikthye diskutimeve, u bë fatkeqësisht simbol i festës së grave në periudhën komuniste, por në të vërtetë, në të gjithë botën, është një ditë që i kushtohet grave dhe që i bën apel të gjithëve për  rëndësinë e rolit të saj në shoqëri. Gratë nuk kanë pse të jenë vetëm femra, apo vetëm specialiste e drejtuese të nivelit të mesëm. Edhe kur ngjiten më lart, janë plotësisht të zonjat të rrinë femra, pa qenë nevoja të transformohen në “burrnesha”.

8 Marsi duhet të flasë për gratë. Ndaj, le të ngelet kështu.

Entry filed under: Sociale. Tags: .

Shoqëri viktimash dhe hipokrizish Alternativat e politikës

3 Comments Add your own

  • 1. spiritus  |  12/03/2012 at 22:51

    Perse duhet te ruajne feminilitetin grate e politikes? Nuk ushqen kjo kerkese terthorazi mentalitetin e trajtimit te tyre si kukulla ne vitrinat e politikes. Zonjat duhet te jene “te hekurta” qe te behen te besueshme.Kur Hilary Clinton ju kerkua te pozonte per kopertinen e revistes Vogue (gjate ushtes presidenciale) stai e keshilloi te mos pranonte sepse do te dukej teper feminile ne raport me imazhin qe duhej te percillte ne elektorat.Ja pra qe politika do gra te hekurta, mundesisht me mustaqe😛

  • 2. dafina  |  20/03/2012 at 22:12

    Shume mire, me pelqen ky kendveshtrim.

  • 3. albana  |  19/07/2014 at 08:25

    edhe mua

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

March 2012
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: