Alternativat e politikës

25/03/2012 at 19:56 Leave a comment

Krijimi i dy lëvizjeve të reja politike brenda të djathtës ka sjellë reagim të pritshëm në median dhe në publikun shqiptar. Ka mbështetës, kritikë, nxitës dhe skeptikë për të dyja lëvizjet. Kjo nuk është hera e parë që votuesi shqiptar sheh t’i luhatet gjendja e partisë për të cilën voton, por ama, edhe për shkak të pjekurisë në vijim të sjelljes dhe pritshmërive si votues, shqiptarët kanë filluar të jenë edhe më dyshues, edhe më kërkues ndaj politikës shqiptare.

Shkëputja e Ilir Metës nga Partia Socialiste dhe krijimi LSI-së u bënë në një moment kur të majtët kishin arritur kulmin e pakënaqësisë me sjelljet e Fatos Nanos. Mënyra agresive e sulmit politik ndaj kundërshtarit, e bëri LSI-në të merrte menjëherë pas vetes votues, të pakënaqur, të zhgënjyer e shpresë-vrarë prej së majtës, që sot janë vendosur në pozicione drejtuese apo administrative nëpër Shqipëri.

Pra ishte një politikë e orientuar drejt luftës së brendshme dhe Meta fitoi pikë sepse diti të thithë në partinë e tij të gjithë ata që nuk po e duronin dot më qëndrimin e Nanos në ajër. Me gjithë energjinë dhe pështjellimin që solli, LSI-së i mungonte një bosht thelbësor (edhe pse mund të pretendojë që e ka që në emër): kauza kryesore për të cilën ekziston. Ajo mund të kërkojë të na bindë se kauza e saj është integrimi i Shqipërisë kudo ku duhet integruar, por ama, ndonjë strategji të qartë që tregon dhe i mëshon hapave dhe besimit të LSI-së për këtë çështje, nuk ka.

Si të gjitha partitë politike në Shqipëri, LSI ka një ekzistencë të vagullt politike dhe nuk luan ndonjëherë me kartat e kauzave që kërkon t’i mbrojë dhe që janë vetëm të sajat.

Shembulli i LSI-së u soll për të bërë një analogji të mundshme me atë çka po ndodh në krahun e djathtë të politikës në vend. Është e vërtete se shumë prej faktorëve ndryshojnë dhe mund të duket se analogjitë nuk janë fare me vend. Situata politike në vend nuk është e njëjta, numrat në parlament kanë ndryshuar, kodi zgjedhor po ashtu. Kemi një qeverisje hibride dhe nga ç’u duk në zgjedhjet lokale të 2011-ës, kemi edhe një votues të çoroditur, që edhe pas shikimit të marrëveshjes për bashkë-qeverisjen PD-LSI, sërish votoi për partitë respektive.

E nëse publiku vazhdon të votojë për partinë apo kryetarin prej të cilit nuk shkëputet dot, atëherë, ç’na duhen partitë e reja? As ato të vjetrat nuk na duhen. Mund të mjaftohemi dhe dy të mëdhatë e të shpikim sistemin tonë të qeverisjes, me sa më pak rotacione njerëzish në krye të vëmendjes politike. Por ja që nuk mund të jetë kështu. Cilado të ishte arsyeja e shkëputjes së LSI-së nga Partia Socialiste, vetë të majtën, kjo shkëputje e shkundi mirë. Jo në çdo kuptim, por të paktën, padronët e politikës filluan më në fund të shqetësohen e të mendojnë seriozisht se pushteti nuk u mbaka shumë lehtë.  

Po e djathta? Me gjithë hermetizmin dhe mënyrën e çuditshme se si është sjellë ajo me veten që prej krijimit, nuk duhet harruar se edhe brenda të djathtës ka pasur rrjedhje e degëzime partish, por edhe largim në masë të individëve,  lëvizje që janë përsëritur me frekuencë shumë më të rregullt sesa largimet nga e majta. PDr, falë edhe logos që përdori, mori jo pak vota kur konkurroi e vetme, pati edhe deputetë e pretendime si parti, deri sa Berisha, me lehtësinë më të madhe, e mori mbrapsht nën sqetull partinë e Pollos, me gjithë votat e tij.

Për kryeministrin, kjo lëvizje meriton pikët maksimale. Berisha është i vetmi politikan në vend që bën një herë llogaritë, pastaj veprimet. Nëse Pollo i merrte vota, kjo duhej shmangur. Kjo është filozofia elektorale e kryeministrit, që është gjithmonë disa hapa para të tjerëve në këtë lojë shahu, ku çdo lëvizje duhet bërë me kujdesin më të madh. Edhe sot, sjellja e tij nuk shfaqet shumë e nxituar. Aleancën Kuq e Zi e ka pagëzuar javë më parë me emrin tjetër që zgjodhi vetë ai: Aleanca Faqezi, dhe me kaq, e ka lënë në hije nacionalizmin e ngritur nga njerëz që e bënë karrierën falë Berishës. Ndaj, shpërfillja është maksimumi që kryeministri ndjen se mund të bëjë për ta.

Kurse partia e re që pritet të krijojë presidenti Topi, duket se është akoma në lobin e pasëm të mendimit politik të Berishës. Arsyeja është e thjeshtë: Së pari, të njohim kundërshtarin. Jo Bamir Topin. Atë Berisha e njeh mjaftueshëm. Por, duhet parë me kujdes terreni, mbështetja, lloji i “armëve politike” dhe fushëpamja që ka partia e re. Nga ana tjetër, nuk mund të lihet pa vënë re karta publike me të cilën do hedhë veten në treg kjo parti.

Nuk jemi në kohën e LSI-së, ku njerëzit votonin Metën thjesht sepse nuk donin më Nanon. Teorisë së përjashtimit, i ka ardhur fundi. Të djathtët nuk do të votojnë Topin thjesht sepse nuk janë të kënaqur me Berishën. Berisha nuk iu lë kohë njerëzve të ulen, të ftillohen, të mendojnë e të thonë “Prit, se paska alternativa brenda të djathtës”. Jo. Berisha vrapon, duke përsëritur përditë e përvit “Vrapojmë, shqiptarë. Mos e ktheni kokën pas. Vetëm para. Të vrapojmë se ja, arritëm. Edhe pak. Vetëm para. Një lëndinë e bukur shumë na pret”. Ky ritëm e vret votën e ftohtë, të menduarën mirë, të analizuarën. Por ky është ritmi i Berishës dhe në këtë fushë-beteje, nuk ka kundërshtar që t’i dalë përpara, as nga brenda të djathtës, e as jashtë saj.  

Po sigurisht revanshi nuk është i pandalshëm. Shqipërisë akoma i mungojnë partitë me njerëzit e të cilës mund të identifikosh lehtë kompetencat, ndershmërinë, ideologjinë apo luftën politike vetëm në emër të së mirës së përbashkët.  Mungon gjithashtu eksperienca e partive që venë në qendër një apo dy kauza dhe luftojnë vetëm për to. Partitë që mbrojnë çështjen çame për shembull, përherë kanë marrë vota, shpërndarë në gjithë Shqipërinë, edhe aty ku nuk jetojnë çamë. Dhe kjo tregon se vota është preferuar të hidhet për një kauzë, më mirë sesa për dy partitë e mëdha, që janë kthyer në antipatike edhe për vetë retorikën politike. Ama këto vazhdojnë të ngelen parti të vogla dhe pa ndikim domethënës në politikë.

Ish presidenti Amerikan, Eisenhower i quante partitë pa kauze si grupime konspiracish për të abuzuar me pushtetin.  E në fakt, duket ashtu, për sa kohë që partitë vijnë para votuesit me sloganin e thjeshtë “Kundërshtari është maskara, ndaj duhet të votoni mua”.

Zhvillimet brenda të djathtës, duke marrë parasysh karakterin dhe imazhin politik të njerëzve që flitet se do jenë pjesë e saj, mund të sjellin në Shqipëri një mënyrë të re të menduari politik, sjellje të re elektorale dhe ligjërim pozitiv: “Kundërshtari është i fortë, por ne kemi këto avantazhe për veten dhe për ju”. Në thelb, kjo do të ishte filozofia e sjelljes së një partie politike kudo në demokracitë perëndimore. Por, që të thuhet fjalia, përveç lojës me kujdesin më të madh në fushën e vet, e jo në atë të kundërshtarit, partitë duhet të kenë edhe kauzat që do të sjellin avantazhet.

Nacionalizmin e përjashton vetë koha kur jetojmë. Kurse alternativat e reja, kanë hapësirë për një sërë çështjes delikate që me qëllim, deri më sot, politika i ka pështjelluar, duke filluar që nga pronat e deri tek besimi i shkatërruar në sistemin e drejtësisë.

Parë në këtë këndvështrim, ka vend jo thjesht për alternativa politike, por edhe për reflektim të alternativa që nuk janë. Të paktën ka zhvillime, dhe kjo duhet parë me pozitivitet.

Entry filed under: Analize. Tags: .

8 Marsi flet në emër të grave Plagjiatura – non grata

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

March 2012
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: