Plagjiatura – non grata

28/03/2012 at 09:48 Leave a comment

Ministria e Arsimit ka vendosur që më fund, të reagojë përmes një dispozite të posaçme ligjore ndaj plagjiaturës në studime. Sado i vonuar qoftë, ky hap është i mirëpritur dhe me të gjitha gjasat, do të fillojë të veprojë së pari në anën administrative, e më pas, edhe në atë akademike nëpër shkollat dhe universitetet shqiptare.  Fenomeni është shumë i përhapur në vend dhe në bazë të metodës “kopjo e shit si pjesën tënde”, shumë studentë apo edhe profesorë kanë dorëzuar tema diplomash e punime të cilat nuk kanë treguar as aftësitë e tyre kërkimore, as ato analitike, kritike apo përvetësuese të subjektit.

Në një numër domethënës rastesh kam parë punime të dorëzuara studentesh që nuk kanë marrë mundimin as të rregullojnë shqipen qesharake të Google Translate. Me ese apo faqe të tëra materiali të kopjuar studentët paraqiten fakulteteve të vendit duke kërkuar madje edhe notën maksimale. Në mënyrën e mësim-nxënies dhe vlerësimit, sistemi arsimor në vend është për të qarë me dënesë, ndaj vendimi për ta bërë plagjiaturën të ndëshkueshme, është mëse i nevojshëm.

Sipas nismës së re, MASH pretendon që studentët apo pedagogët që kapen me disertacione të kopjuara, nga interneti, nga librat apo nga botime të të tjerëve që nuk citohen në punim, do të rrezikojnë të mos marrin diplomat, të humbasin titujt akademike apo si masë drastike, të humbasin edhe vendin e punës. Mund të vijë pak i hidhur si lajm për shkollarët e sotëm në vend, që kanë dëshirë t’i marrin kartonët në tavolinat e kafeneve, por kudo tjetër, praktika ka lëvizur nga vendi edhe qeveri të tëra. Rasti më i freskët është ai i “yllit në ngjitje” të politikës gjermane, beniaminit të kancelares Merkel, ish ministrit të mbrojtjes, Guttenberg, që dha dorëheqjen nga posti i ministrit pasi u akuzuar se në tezën e tij të doktoraturës kishte pasur pjesë të tëra të kopjuara nga autorë të tjerë.

A janë profesor-doktorët tanë më të mençur apo më të zotë së Karl Theodor Guttenbergu? Mund të jenë, ama për sa kohë që disertacionet dhe studimet në Shqipëri nuk kalojnë në sitën e thjeshtë të kontrollit për hajdutëri akademike, gjithkush mund të mburret me masterat e gradat që merren në vend sikur të jenë mallra me shumicë.

Plagjiatura është krimi më i rëndë akademik. Kështu emërohet nga studiuesit dhe akademikët që e kanë pësuar në kurrizin e tyre efektin shkatërrues që sjell me vete ky akt, teksa besimi në dijen dhe aftësitë akademike thërrmijëzohet, sa herë që shtohen rastet e zbuluara të plagjiaturës.  Akademizmi nuk është ndryshe nga aspiratat më të larta që mund të kenë për veten mjekët apo ushtarakët. Dhe duhet parë si e tillë: të synohet vetëm prej grupit të njerëzve që kanë neurone të mjaftueshme për të ndriçuar veten dhe të tjerët përmes studimeve. Akademizmi  nuk është një thes me patate që blihet tek dyqani i lagjes.  As nuk është veshje firmato që duhet pasur patjetër. Për më tepër, akademizmi nuk përvetësohet duke vjedhur në google apo duke paraqitur punimet e të tjerëve. Autor librash nuk bëhesh duke përkthyer pjesë të gatshme nga interneti, apo duke shkruar kapituj pa fund, pa krye, e pa lidhje. Akademizmi kërkon këllqe që jo të gjithë i kanë. Ndaj, prezantimi i dispozitës për ta bërë plagjiaturën të ndëshkueshme ligjërisht, është mëse i mirëpritur dhe i domosdoshëm.

Parë nga ana e politikave arsimore, ndëshkimi i plagjiaturës duhet parë si një përpjekje serioze për të ndihmuar cilësinë, vërtetësinë dhe besimin në arsimin shqiptar, që së fundmi është zhytur keq në batakun e turmës. Kërpudhat universitare, mungesa e plotë e transparencës për proceset e akreditimit, rrëmuja në pranimin e studentëve dhe dhënien e diplomave, zhdukja e standardeve në mësim-nxënie, zerimi në plotësimin  e kritereve për të dhënë tituj, qoftë edhe bachelor, apo lejimi flagrant për të kapërcyer nga sistemi privat në atë publik, e nga njëra degë në tjetrën, pa pasur lidhje të mjaftueshme formimi, e ka bërë arsimin e lartë në vend të duket jo vetëm i pabesueshëm, por edhe qesharak. Për punë-marrjen në administratë, diplomat mund të bëjnë sikur hyjnë në punë, sa kohë militantizmi do ketë përparësi ndaj meritës apo edhe përgjegjësisë për të pranuar një vend pune, por në sektorin privat e në vendet e punës që nuk drejtohen nga shtetas shqiptarë, diplomat shqiptare nuk kanë sot asnjë vlerë. Punëdhënësi bazohet tek periudha e provës dhe aftësia për t’iu përshtatur ritimit, kërkesave dhe standardeve që ka zyra që ka shpallur vendin vakant. E nëse në këto vende konkurrojnë studentë që e kanë marrë diplomën duke dorëzuar detyra kursi apo tema diplome të kopjuara nga interneti apo nga të afërmit e tyre, shanset janë që periudha e provës të jetë një stres i vërtetë, që mund të mos jetë i kapërcyeshëm, sepse është i vonuar, e duhet kaluar që në shkollë. Tek e fundit, puna me temat e diplomës, më shumë sesa dokument për të kënaqur pedagogët apo për të siguruar kartonin e diplomës, është një proces që gdhend aftësitë kritike dhe analitike të njeriut, qysh kur është student. Po u bë gabim ky hap, gjithë jeta e mëpasshme e njerëzve që kopjojnë, thuhet në bazë studimesh se shkon duke u zvarritur, qurravitur e duke qenë një barrë për veten dhe për shoqërinë.  Është shumë herë më e vlerësueshme një punë nën mesataren nga ana akademike, por që të paktën, është origjinale dhe përmbledh përpjekjet e bëra nga kandidati, sesa një punë e shkëlqyer akademike, që është bërë le të themi nga një profesor në Norvegji, e shitet si një libër i shpikur dhe botuar nga profesorë nëpër Shqipëri.  Studentët ecin nën të njëjtat gjurmë, sepse edhe tek ata është fashitur besimi te diploma shqiptare. Sido që ta marrësh, pak të hyn në punë. Por, kjo gjendje nuk ka për të vazhduar përjetë, ndaj vendimi për të prezantuar ndëshkimin e hidhur për plagjiaturë, është po aq i rëndësishëm si mekanizëm për cilësinë në arsim, sa ç’është për shembull edhe detyrimi për të mbrojtur anglishten vetëm me teste të njohura ndërkombëtarisht. Modaliteteve dhe pas-kuintave për pazare apo mundësi abuzimi nga qendrat e testimit, nuk po iu hyj. Në princip mekanizmi qëndron, dhe përderisa cilësia në arsimin shqiptar është mbytur nga sasia, çdo lloj dispozite që i shërben ringjalljes së shpresës për pak më shumë cilësi, duhet mirëpritur.

Arsimi sot mund ta ketë të vështirë të gjejë hapësirë analitike në media, por nesër, kur pasojat e tij të na bien mbi kokë, do të jetë tepër vonë për të reflektuar mbi neglizhencën që lejojmë për të. Ndaj, të paktën nismat që merren në emër të cilësisë së tij, duhen nënvizuar!

Entry filed under: Arsim. Tags: .

Alternativat e politikës Politika drejt të rinjve

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

March 2012
M T W T F S S
« Feb   Apr »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  

%d bloggers like this: