Politika drejt të rinjve

03/04/2012 at 22:13 Leave a comment

Krye-opozitari po bën tur nëpër Shqipëri, duke inkurajuar të rinjtë të përfshihen në politikë. Me afrimin e zgjedhjeve të 2013-ës, është e pritshme që politika të fillojë lëvizjet e saj shterpë, që në fund, do të rezultojnë me disa vota më shumë e disa vende punë më pak për ata që ftohen të marrin pjesë në politikë.

Ftesa nuk është ekskluzivitet i të majtës, as nuk është hera e parë që hidhet në publik. Por, ç’të bën përshtypje nga turi i fundit, është pjesëmarrja gjithë vetë-besim e të rinjve në sallat  e qyteteve  të vogla, ku partitë bëjnë pazaret e radhës.  Kamera fokusonte dy-tre vajza të reja, trukuar me kujdes të tepruar e veshur si për festë, që ndiqnin jo me kuriozitet, por me shumë pritshmëri dhe vetë-ofrim kërkesën për t’u angazhuar në politikë. Vështrimet e tyre duket sikur thonë: “ Shumë vonuat për të na thirrur”. Po ç’është në fakt pjesëmarrja në politikë? Përse bën thirrje kryesia e për çfarë kanë nevojë aspirantët? A përputhen kuptimet e dy kaheve për përfshirjen?  

Moda e viteve të fundit ka treguar se katapultimi në politikë, të paktën nga ana femërore, është parë si një mundësi e artë për të bërë  reklamë për veten, duke u munduar t’i shtojnë ndonjë notë serioziteti personalitetit të krijuar me artin rastësor shqiptar. Futja në politikë shoqërohet edhe me diploma shkencash politike apo diplomatike, nga këto që Shqipëria prodhon me shumë bujari. Ama cili është roli i vërtetë i të angazhuarve rishtas në politikë, vazhdon të ngelet disi i paqartë.

Fytyrat e vajzave në qytezën e vogël ku bënte retorikë politike Rama fundjavën që lamë pas, tregonin se ato mezi presin të shijojnë famën, ekranin, shfaqjen në publik, qëndrimin pranë krerëve, deklaratat përpara kamerave, thjesht sepse mundësitë janë dhe ftesa iu erdhi. Po c’meritë duhet për të arritur aty? Nëse nëna natyrë është treguar e rezervuar, shanset nuk janë shumë të ndritura. As nëse rruga për në politikë kalon nga perceptimet teorike mbi fushën. Por, me pak vullnet e punë në drejtimin e duhur, lidh e zgjidh nyjat e rrjetit, angazhimi bëhet realitet e madje edhe protagonist, sa të hapësh e të mbyllësh sytë.

Nuk është kënaqësi shumë e madhe të vësh re se politika e ka humbur edhe besimin,  edhe prestigjin, edhe aftësinë për të tërhequr energji e të rinj rreth vetes, por ajo që dhemb më shumë, është revanshi me të cilin loja e pisët e saj është kapur, kërkuar e replikuar nga të rinjtë. Në një studim të pak muajve më parë, të rinjtë shqiptarë përgjigjeshin se do t’i hynin politikës vetëm po ta dinin se angazhimi në të do u sillte një vend të mirë pune apo mundësi për t’u zhvilluar personalisht. Shkurt, si një mundësi përfitimi. Shumë pak prej të intervistuarve u binte ndër mend se në fakt, angazhimi në politikë, kërkon edhe kontribut, që në mos financiarisht, vjen patjetër në formën e kohës, mendimit, përkushtimit në takime, udhëtime, aktivitete e lëvizje të shpeshta në emër të një kauze që të tjerët e hartojnë, e më të rinjtë e përhapin, promovojnë, e bëjnë të njohur apo e fitojnë, në emër të tyre dhe të të tjerëve që duhet të marrin nga pas.

Por ky është përkushtim dhe kërkon punë e orë të tëra harxhuar për një kauzë, e të rinjtë nuk duket se e perceptojnë kështu politikën. Për ta, ajo është trampolini drejt famës, pozicionit të mirë politik e publik, e mundësisht, shndërrimit të menjëhershëm në një person me influencë e me dyer të hapura kudo që të niset.

Pse ky perceptim për politikën? Sepse shembulli që marrin të rinjtë tani, nuk është aspak i ndryshëm nga kapërcimi galopant nga hiçi, drejt perandorisë, që kemi parë të ndodhë rëndom. Kështu është, përderisa vazhdojmë të gjenerojmë shembujt më negativë të qëndrimit dhe vegjetimit në politikë, me një perceptim tërësisht negativ dhe të shtrembër për rolin e saj.

Një analogji për hir të rastit kërkon të theksohet se thirrjes së të njëjtës parti, socialistes, për të rinjtë apo ekspertët që do të dëshironin të merrnin pjesë në tryezat e saj për të hartuar dokumenta e planifikime në fusha të ndryshme, nuk i janë përgjigjur kaq shumë të rinj sa ata që shkojnë në takimet me kryetarin. Pse? Sepse në takimet ku mbushen sallat, përkushtimi dhe dedikimi për të siguruar vota, është i mjaftueshëm si vizë për t’i hyrë partisë brenda. Kurse thirrja për të bashkëpunuar për hartimin e ndonjë dokumenti, qoftë edhe një faqësh, është punë angari. E punën, nuk duket se e ka qejf kush. Të rinjtë që duartorkisnin Ramën në Përrenjas jo. Po as ata që mbushin sallat kudo qyteteve të tjera. Të rinjtë shqiptarë duket se kanë fituar një apati të vërtetë ndaj përpjekjeve për të arritur diku. Gjithçka duhet të vijë vetë e me sa më pak mund. Ndaj edhe zgjedhin politikën,  që sipas tyre dhe shembujve që kanë marrë deri më sot, vazhdon të ngelet fusha ku të duhet të punosh më pak, për të arritur sa më shumë, shpejt dhe pa mund. Por ky është vetëm një perceptim, dhe si fenomen, vendet e tjera kanë treguar se është edhe i përkohshëm.  Së pari duhet të jesh fort i zoti në një fushë, që të bëhesh pastaj i dobishëm për të dhënë edhe jashtë saj, e edhe përtej vetes. Por, përveç  votave, ç’mund të fitonte partia socialiste, marrë si shembull në këtë shkrim, prej të rinjve që fton të bëhen pjesë e saj?

Shqetësimi qëndron për të dy kahet : si për ftuesit, ashtu edhe për të ftuarit. Vendi është në një stanjacion mendimesh, idesh, idealizmash e mundësish për të vepruar (që thjesht shoqëron statu-quonë e fushave të tjera), ndaj thirrja për të tërhequr të rinjtë dhe gatishmëria e tyre për t’u futur në politikë sikur do të hyjnë në shtëpinë e Big Brother, duket se nuk përputhen fort me njëra-tjetrën.

Në një aksion të rekrutimit të studentëve në radhët e tyre, një parti në Tanzani (po, po, edhe në Tanzani), iu kërkoi studentëve të bënin një mini-plan elektoral, ku u hodhën të gjitha pikat që sipas studentëve, do të çonin drejt kutive votuesit e lëkundur e ata të zhgënjyer. Kjo parti e vogël e pa pretendime, arriti të bëhej faktor për zgjedhjet në vend, dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të saj, ishin të rinj, akoma pa mbushur 25 vjeç.

Pra duhen mend dhe punë. Kërkohet angazhim, nuk ofrohet famë. A janë gati të rinjtë shqiptarë për këtë? Nëse partitë do fillojnë t’i shohin si kontribuues, e jo si gjenerues votash, mbase po. Deri atëherë, politika do vazhdojë të shihet si burimi i parave, famës dhe statusit të shpejtë publik, edhe pse me ndonjë kosto, por sërish, rruga më e mirë për të ecur përpara në vend. Duhet pak kohë për t’u kuptuar se kjo, mund të jetë gabim.

 

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Plagjiatura – non grata Koha e ndalur fqinje

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

Më të lexuarat

  • None
April 2012
M T W T F S S
« Mar   May »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

%d bloggers like this: