I ëmbli pushtet, i paudhi prag

25/04/2012 at 10:04 1 comment

Përse po luftojë partitë e vogla? Çfarë nuk shkon në kodin aktual zgjedhor në vend ? Dje u mblodh e u shpërnda pa ndonjë rezultat konkret një tryezë e 23 partive të vogla, që iu kërkonin dy të mëdhave të bëjnë disa “korrektime të vogla” në kod. Sipas kryetarit të njërës prej 23 partive që kërkojnë të hyjnë patjetër në parlament  “Sistemi aktual është i sëmurë, pasi kodi elektoral legalizon vjedhjen me ligj e qindra qytetarë mbeten të pa-përfaqësuar”.

Pra, ky qenka shqetësimi? Qytetarët mbeten të pa-përfaqësuar? Apo kryetarët e partive të vogla kanë ngelur jashtë sallës së parlamentit, e as me pragun, as me ndarjen aktuale rajonale, nuk hyjnë dot aty?

Sistemi aktual ,proporcional rajonal, i kopjuar me mjeshtëri nga Spanja, është treguesi më i mirë se për politikën shqiptare, vota është biznes. Dhe në biznes, politikanët nuk kanë armiq.

PD e PS gjetën gjuhën e përbashkët brenda natës, si kurrë më parë, për ndryshimet kushtetuese për Kodin Zgjedhor dhe zgjedhjen e presidentit të republikës.  Palët menduan të dyja përfitimin më të madh e të menjëhershëm “Fituesi merr gjithçka”. PS ra dakord sepse duke bërë hesapet pa hanxhinë, mendoi se me këtë gur spanjoll do vriste jo një, po shtatë a tetë zogj.  Do fitonte zgjedhjet, do linte jashtë loje LSI-në, do hiqte qafe partitë me nga një njeri që kërkonin nga 10 poste, do mbante Bashkinë, do merrte dhe presidentin, edhe do jetonte më e lumtur nga ç’ia lejonte imagjinata.

E gjitha po kthehet në realitet. Veçse ne qendër të ëndrrës, nuk është Partia Socialiste.

Formula e gatshme do edhe pak eksperiencë në laboratorët e politikës, që përzierja e bërë të dalë e fortë dhe e bukur. Këtë eksperiencë nuk e kishte Rama,  por respektuesi më i denjë i ligjeve shqiptare, kreu i qeverisë aktuale. Berisha lëshoi pe për kodin me një plan të qartë në kokë: donte formulën që brenda tij, kodit të ri, do ta nxirrte fitues në zgjedhjet që pasonin. Ashtu ndodhi.

Në kundërshtim nga Rama, që të vegjlit i japin bezdi para vaktit, Berisha i mblodhi të gjithë të djathtët e pseudo-të djathtët kudo që ishin, i futi nën ombrellën e aleancës së tij, e kopsiti imazhin me një mesazh bindës që i adresohej të tashmes, duke mos i lënë votuesit mundësi të vinte në dyshim asgjë, dhe “Shqipëria po ndryshon” u duk si një moment shumë i bukur për t’u ndërprerë. Ndaj, me gjithë të vegjlit rreth vetes, aleanca e Berishës i përktheu në mandate të gjitha votat e mbledhura. Edhe thërrimet më të vogla në zonat më të parëndësishme, u mblodhën për t’iu shtuar zonave të tjera brenda rajonit, me rezultate e “paticka” më premtuese, dhe kështu, shto ujë e shto miell, aleanca e djathtë e pa veten me përqendrim më të madh votash në zona kyçe, që e lejuan atë të ketë deputetë, qoftë edhe katër më shumë. Kaq e bëjnë diferencën.

Kurse PS, me mijëra vota të shpërndara në gjithë vendin, nuk i bënte dot bashkë ato, se proporcionali rajonal ia linte të veçuara votat, që nuk mblidheshin dot si një zë i vetëm.

E mbi të gjitha, tre vota në jug e pesë në veri, i lanë partitë e vogla jashtë parlamentit.

Sistemi spanjoll është i tillë për shkak të gjendjes socio-politike dhe rreziqeve separatiste në vend. Ky sistem, që është lak në fyt për partitë e vogla, është bërë enkas që të mos i japë asnjë shans grupeve separatiste që të kenë një zë në parlament. Madje, edhe shpërndarja e popullsisë bëhet e monitoruar, në mënyrë që të mos ketë për shembull shumicë baske në një zonë, që të mund të nxjerrë përfaqësi domethënëse në parlament. Po Shqipëria ç’vështirësi ka, kush janë pakicat, që u dashka të adaptojë këtë sistem? Asnjë. Dhe këtu, partitë e mëdha e kanë gabim zgjedhjen e bërë.

Por nga ana tjetër, duke parë se si plot 23 parti të vogla mblidhen duke iu lutur Ramës e Berishës t’i lënë të hyjnë në parlament, t’iu mundësojnë të mbledhin votat anë e kënd në vend, e nga rajonal, proporcionali të bëhet kombëtar, që votat të mblidhen të gjitha e të përkthehen në mandate që do i lejonte ata të hynin në parlament, duket sikur marrëveshja e pa-moraltë që kanë bërë PD e PS, është tamam zgjedhja e duhur.

Por në bazë të parimeve, nuk duhet mbështetur ky hap. Mungesa e përfaqësisë së atyre që kanë votuar për partitë e vogla, është e padrejtë. Vërtet. Po nëse edhe për ditët e pakta që ka në dispozicion komisioni për reformën zgjedhore, partitë e vogla nuk dalin dot me një propozim bindës, të argumentuar, të advokuar me Ramën e Berishën, të rënë dakord se diçka do bëhet edhe për nevojën e tyre të përfitimeve politike, atëherë rruga e vetme është që të vegjlit të luajnë lojën e të mëdhave.  Koalicione, pavarësisht kahut, se majtas, djathtas, liberalë, konservatorë, s’ka rëndësi fare. Njerëzit votojnë o kundër Ramës, o kundër Berishës. Ndaj, sa më shumë të gjenden zona ku numri i votuesve kundër është i madh, aq më shumë gjasa kanë të vegjlit të përkthejnë ndonjë grumbull votash në mandat. Se me sa duken gjasat, e duke njohur ritmin e seriozitetin e punës në Shqipëri, kodi nuk ka për të rrezikuar rekomandime ndryshimesh  as brenda mandatit të komisionit të tanishëm për reformën, as tjetërsim, korrektim apo anullim loje përpara 2013-ës. Po, vetëm nëse PD e PD gjejnë ndonjë formulë tjetër që do t’i bëjë palët të besojnë se do të sigurojnë fitoren “pa asnjë dyshim”, atëherë kodi ndryshohet patjetër. E sërish brenda natës.

Po edhe nëse nuk u ndryshua, a ka vërtet Shqipëria nevojë për 23 parti të tjera në parlament? As për polarizim e ndarje pushtetesh herë në PD e herë në PS, nuk ka. Por, vota për to nuk është absolute. Dhe votuesi shqiptar është tani pak më i matur. Kur hedh votën, pret diçka në këmbim. Ndaj militantizmat dhe mbështetjet në ajër nuk do të sjellin më lumë votash kutive të votimit. Edhe mënyra e numërimit nuk do të lejojë shumë devijime.

Ndaj, puna më e madhe tani iu ka ngecur në derë partive. Duhet ose të punojnë, ose të bëjnë sikur po punojnë fort, se elektorati do bindur pak këto kohë. Luga bosh e bukur është, por nuk ngopet më njeri me të. As lugët e vogla nuk i hyjnë në punë një stomaku të uritur. Ndaj partitë që organizuan tryezën duhet të gjejnë një mënyrë tjetër për t’u imponuar e për të qenë pjesë e pushtetit. Votat. E që të marrin mjaftueshëm në sistemin aktual apo në ndonjë të modifikuar, duhet të jenë të zonjat ta kapërcejnë pragun e vockël, që atyre iu duket i padrejtë dhe i lartë.

Qytetarët nuk janë ankuar për mos-përfaqësim. As po shemben nga lumturia e të përfaqësuarit denjësisht. Ndaj, në emër të tyre, më mirë të mos flitet fare, deri në datën kur të thirren sërish në kutitë e votimit, me proporcion e prag që eviton sa më shumë kakofonitë e luftës për pak pushtet.

Entry filed under: Politikë. Tags: .

Larg duart nga Kushtetuesja – Time to revisit-Nothing has changed Dinjiteti i heshtur

1 Comment Add your own

  • 1. Leo  |  13/05/2012 at 15:16

    Cdo lloj sistemi elektoral do te binte ne Shqiperi dhe nuk do te zgjidhte problemin thelbesor i cili eshte vjedhja e votes.
    Nuk ka ne asnje vende te botes ku pushteti futet ne nje proces elektoral me qellimin kryesor te vjedh/manipuloj vota dhe opozita te ruaj vota.

    Te tjerat jane aludime te kota. Me 2009 vota o vodh ashtu si edhe ne zgjedhjet e fundit te Tiranes. Ne te dyja raste u krijua nje precedent i pashembullt i mbeshtetur nga burokratet nderkombetaret te cilet pervecse stabilietit nuk kane asnje lloj interesi minimal ne Shqiperi.

    Problemi me partit e vogla ne Shqiperi eshte se jane shume lehte te manipulushme dhe nuk kane principe pervecse karriges ne pushtet.

    Ne Perendim qellimi i partive te vogla eshte te loboj per ceshtje te cilat jane te veshtira per partit e medha dhe te perfaqsojne zerin e minoritetit te votuesve pa patur komlekse pushteti sic kane partit e medha.

    Por kjo jo vetem qe nuk ndodh por e kunderta. Kthehen shume shpejt ne vegla qorre te pushtetit. Shiko rastin e partive te vogla ne qeverin e sotme.

    Me teper njerezve ne Shqiperi do tu interesonte garantimi i votes se lire. Ajo eshte arma e tyre me e forte. Pa ate ne dore, vota e tyre e hedhur eshte in-ekzistente.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

April 2012
M T W T F S S
« Mar   May »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

%d bloggers like this: