Dinjiteti i heshtur

22/05/2012 at 11:59 Leave a comment

Sot nuk mjafton asnjë fjalë, gjest apo shprehje që të shpjegojë gjendjen që ka krijuar aksidenti tragjik i Himarës. Të gjithë rrinim mbrëmë të gozhduar para ekraneve, me pultin në dorë, duke kërkuar t’i iknim tmerrit që sillnin ngadalësitë shpjeguese të televizioneve dhe sjelljet “aktoriale” të stafeve të tyre, siç i quajti me të drejtë një vëzhgues i hollë i medias. Fotot dhe pamjet vinin jo vetëm pa censurë e etikë, por edhe pa informacion të saktë, shpesh konfuz e të ngatërruar keq me ndërhyrjet e politikës, që nuk kishte si ta linte veten jashtë ngjarjes.

 Ama edhe kurban të reagimeve në rrjetet sociale, njerëzit e politikës, në këtë rast, nuk kanë pse të jenë.

 Me apo pa shtysa politike, në Oborrin e Qendrës së Dhurimit të gjakut në Spitalin Ushtarak,dje kishte së pari pikërisht grupime politike. Të majtë, të djathtë, të rinj, të vjetër, në kërkim të vëmendjes publike ose jo, këto ishin grupet  e para që zbarkuan për të dhënë gjak. Me një stil të ngjashëm: në fillim krerët e pas tyre, një shpurë e tërë të rinjsh që i vinin pas shembullit të dhënë. E vërtetë, edhe në kërkim të kamerave. Ama numri i këtyre dhuruesve ishte shumë më i madh sesa numri i qytetarëve që kishin marrë rrugën për tek Ushtaraku në mënyrë vullnetare.

 Grupit të politikës dhe të të emërtuarve “vëmendje-kërkues”, iu bashkëngjit shpejt numri i të afërmve dhe miqve të të plagosurve, që mbanin radhën për të dhuruar gjak. Por këta ishin më të paktë në numër.

 E u dukën të dyja grupet të papërfillshme kur në të njëjtin oborr, filluan të zbarkojnë makinat e ushtrisë, të forcave detare, të akademive ushtarake. Qendra e dhurimit të gjakut u shndërrua në pak sekonda në një oborr disipline hijerëndë, që mua më sprapsi, por edhe gjithë të tjerët që prisnin në radhë, ndryshuan muskujt në fytyrat e tyre.

 Dhimbja për tragjedinë vazhdon të mbizotërojë gjendjen emocionale, shpirtërore e edhe fizike të shqiptarëve sot. E kjo është mëse e drejtë. Por përtej saj, mua më ngelën në mend fytyrat, qëndrimet dhe vështrimet e vendosura të atyre qindra djemve e burrave që erdhën pa bujë në Spitalin Ushtarak. Që nuk kishin nevojë për kamera. As për urdhra. As për këshilla për të pritur në radhë.

 Kur perdja e shfaqjeve mediatike e politike filloi të bjerë pas mbrëmjes, ata filluan të zgjasnin krahët e tyre drejt qeseve që merrnin gjakun, me shumë qetësi, një nga një, pa mbarim.

 Asnjëri prej tyre nuk vuri fjongo të zezë në profilin e facebook-ut (ata që pyeta, as nuk kishin facebook aktiv); as nuk u shqetësuan për radhën që u zinin politikanët.  Ata erdhën, gjithë solemnitet. Dhuruan gjak. Kontribuan sërish, si përherë, thjesht dhe thelbësisht në mbushjen e rezervave të gjakut. Siguruan pa asnjë zhurmë jetë të tjera me jetët e tyre, dhe u larguan me po aq modesti e dinjitet.

 Respekt për të gjitha forcta tona ushtarake. Për të gjithë djemtë, studentët e akademisë, tetarët, togerët, marinarët, të gjithë këtë pjesë të padukshme të përditshmërisë sonë, që ofron siguri në mënyrë kaq të heshtur, por kyçe. Shumë kyçe, me gjithë padijen tonë.

Faleminderit!

Entry filed under: Uncategorized. Tags: .

I ëmbli pushtet, i paudhi prag Pse Frymën e Re Demokratike?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Trackback this post  |  Subscribe to the comments via RSS Feed


Shkrime të mëparshme

May 2012
M T W T F S S
« Apr   Jun »
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

%d bloggers like this: